Re: 30 ushtare shqiptare behen gati per lufte kunder Irakut
Lufta në Irak? Ne do mbrojmë Kombinatin
--------------------------------------------------------------------------------
Ilir Bushi
Tani që po pëlcet lufta në Irak, ne duhet të organizohemi për të mbrojtur Kombinatin. Eshtë kjo deviza kryesore e 6 pleqve të moshuar nga zona e Kombinatit, të cilët janë mbledhur në një skuadër ushtarake për të organizuar mbrojtjen strategjike të periferisë. Arshi Brojka, Neritan Zeka, Faslli Telhai, Nuredin Kolovaçi, Festim Trenova dhe Zydi Saliasi janë 6 vullnetarët e zonës periferike të Tiranës, që i janë përgjigjur me gatishmëri luftës në Irak. Ne nuk do të shkojmë në Irak, por do të mbrojmë Kombinatin nga armiqtë ose keqbërësit. Kështu është shprehur 87 vjeçari Arshi Brojka, i cili është një nga drejtuesit e lëvizjes dhe aktualisht është i paralizuar nga këmba e djathtë, por arrin të lëvizë me ndihmën e një paterice.
Mbrojtja
Të gjithë pleqtë që marrin pjesë në skuadrën luftarake të mbrotjes së Kombinatit janë mbi moshën 75-vjeçare dhe shumica e tyre gjenden të sëmurë. Ata takohen rregullisht çdo mëngjes në orën 06.30 në njerën prej lulishteve kryesore të Kombinatit dhe flasin për mënyrën sesi do të organizohet strategjia e mbrojtjes së Kombinatit gjatë ditëve kur bota do të merret me luftën në Irak. Ne kemi biseduar me shumë moshatarë të tjerë, të cilët na kanë premtuar se, në rast nevoje, do të jenë të gatshëm për t'u bashkuar në formacionet tona, deklaron Arshiu. Për këtë ai thotë se ka marrë prej tyre numrat e telefonave dhe në rast të ndonjë alarmi, ata do ta rrethojnë Kombinatin, për ta mbrojtur. Kështu, sipas tyre, mund të shmanget edhe pushtimi i kryeqytetit nga forcat që mund të zbarkojnë në bregdet. Por duket se problemi kryesor i tyre ka të bëjë me mungesën e armatimit. Vetëm njeri prej tyre ka në shtëpi një automatik (pa leje), ndërsa pesë të tjerët kanë bërë betimin që të luftojnë me mjete rrethanore. Unë jam nga Vlora, thotë Faslliu, prandaj të gjithë e dinë sesi populli ynë luftoi atëherë me sëpata dhe me hanxharë. Por duket se ce prej 6 vullnetarëve të mbrojtjes strategjike nuk kanë në shtëpitë e tyre as sëpata dhe as sharra e as hanxharë. Që kur hoqëm sobat e drurit, nuk kemi në shtëpi sëpata, por njeriu, në fund të fundit, lufton me zemër, shprehet 78-vjeçari, Nuredin Kolovaçi.
Komandanti
Ndërkaq komandanti suprem i tyre është caktuar Arshiu, i cili ka një histori të pasur në jetën ushtarake Ai ka qenë për 16 vjet kapter i repartit të Këmbësorisë në Pogradec, por në vitin 1987 ka dalë defiçit me 90 kilogramë fasule dhe është dënuar me 4 muaj burg. Sidoqoftë, eksperienca e tij në ushtri është një argument i mjaftueshëm që pesë të tjerët të besojnë se misioni i tyre do të realizohet suksesshëm.
Armiku djathtas
Në qoftë se armiku sulmon majtas, duhet t'i fusim te kodrat e varrezave dhe pastaj t'i shpartallojmë... por, nëse armiku sulmon djathtas, atëherë duhet të mbledhim forcat territoriale dhe duhet të presim natën. Kështu diskutojnë 6 liderët e strategjisë së mbrojtjes ushtarake në Kombinat, të cilët nuk japin sqarime nëse armiku sulmon drejt ose me goditje ajrore. Tre prej këtyre pensionistëve nuk janë vendas, por të ardhur pas viteve '90. Ndërkohë, në mënyrë tradicionale, duket se ata gjatë transferimeve në Tiranë kanë sjellë me vete edhe zakonin e bashkimit të popullit të thjeshtë në një front unik gjatë periudhave luftarake. Gjatë këtyre ditëve 6 pleqtë e periferisë kanë zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, ku kërkojnë mbështetje. Shumë të rinj apo të moshuar na kanë ndihmuar me fjalën e tyre të ngrohtë, por shumë të tjerë nuk e kanë kuptuar iniciativën tonë, shprehet Nuredini. Por ai sqaron gjithashtu, se në disa raste nuk janë kuptuar prej vetë moshatarëve të tyre. Disa mendojnë që armiku ynë i përbashkët nuk është Sadami, por reumatizma dhe astma, megjithatë një ditë do të binden e kanë për t'u bashkuar me ne, shprehet ai. Ndërsa organizimi i frontit të mbrojtjes nga baza popullore ka qenë dhe mbetet një traditë e vjetër kombëtare. Duke dashur të ruajmë fshehtësinë e lëvizjes së tyre, ata nuk pranuan dje që të publikojnë fotot nëpër gazeta, duke thënë se këtë do ta bëjnë pas luftës.