2013, viti i Shqipërisë natyrale

2013, viti i Shqipërisë natyrale

shqiperia-150x150.jpg

Politika e fundit e Nikolla Gruevskit, e konsideruar si nacionaliste ka bërë që shumë shqiptarë të kërkojnë zgjidhje tjera alternative. Analisti dhe politologu nga Shqipëria, Koço Danaj në një bisedë për Lajm ka pohuar se shqiptarët po shkojnë drejt formimit të Shqipërisë natyrale, e cila në vetvete do të ketë të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët. 2010 është viti i fillimit të ndërtimit të Shqipërisë natyrale. Ajo lëvizje që quhet sot Vetëvendosje, mos të habiteni kur në të ardhmen do të quhet parti politike, rreth të cilës do të grumbullohen të gjithë ata shqiptarë që duan të mbeten shqiptarë me mentalitet progresiv. Këta shqiptarë normalisht që do të ndeshen me ata evropeistë të cilët do të pranojnë vetëm origjinën ta kenë shqiptare, si për shembull maqedonas, serb apo grek me origjinë shqiptare, tha fillimisht Danaj.
Ai pikëpamjet e tij për rrjedhat e politikës në Ballkan, i ka shkruar edhe në librin e fundit Platforma e Shqipërisë natyrale, të cilin e ka përkthyer edhe në maqedonisht, serbisht, greqisht dhe anglisht. Në kopertinë kam vënë orën e Ismail Qemalit, duke i ndërruar vetëm katër numrat. Vitin 2013 e konsideroj si vit të konfederatës Shqipëri-Kosovë që pastaj do të pasohet edhe me bashkimin e trojeve tjera shqiptare rreth këtij trungu, tha Danaj. Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare është duke rregulluar gabimet e të së kaluarës dhe ka mbetur vetëm çështja shqiptare pa u rregulluar. Puna e shqiptarëve deri tani ka qenë vetëm e arnuar. Marrëveshja e Konçulit, Rambujesë, Ohrit, janë vetëm marrëveshje arnimi. Çështja shqiptare ka nevojë për riformatim siç kishte nevojë çështja kroate, sllovene etj. Drejtësia e vonuar ndaj shqiptarëve, kurrsesi nuk do të jetë këtë herë drejtësi e cunguar, tha Koço Danaj.
Përballë megalomanisë, të natyralizmit, koherent, konstant, dhe konsistent të Nikolla Gruevskit, sipas Danajt politikanët shqiptar të Shqipërisë lindore që aktualisht dhe përkohësisht ndodhen brenda shtetit të Maqedonisë, nuk kanë nevojë të flasin me terma dyshues, por kanë nevojë të flasin hapur përpara popullit që ata përfaqësojnë. Ai e ka vlerësuar deklaratën e Rafiz Halitit se shqiptarët me ose pa maqedonasit do të futen në BE, por e ka konsideruar si të pamjaftueshëm. Politikanët shqiptarë duhet të kapërcejnë një handikap. Përballë tyre është nacionalizimi i Gruevskit, i cili po përfiton nga lobi pro-sllavë në BE, veçanërisht kundër shqiptarëve që janë pro-amerikanë. Ata duhet të mësohen, e të thonë se trojet ku ata banojnë çfarë janë? Pjesë e Maqedonisë perëndimore ose Shqipërisë lindore, tha Danaj. Ai sqaroi se shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre mund të hyjnë në Evropë jo në rrugën që kërkon të hyjë Gruevski, por si qytetarë dinjitoz, siç janë vetë shqiptarët.
Në fund ai ka porositur BDI-në e cila përfaqëson shqiptarët në Qeverinë e Maqedonisë se emri i ri duhet të jetë Republika e Maqedonisë veriore dhe Shqipërisë lindore. Ahmeti nuk duhet të lëvizë nga toponimi gjeografik ku quhet Shqipëri lindore, të tjerat le tia lë Gruevskit, Cërvenkovskit etj. Ai kurrsesi nuk duhet të shndërrohet në vasal i Gruevskit, Solanës, Oli Renit, Zhak Baros, të cilët mund të jenë demokratë, por nuk janë Shqiptarë, tha Danaj.

Ahmeti, Thaçi e Selmani janë shqiptaro-maqedonas
Duke e shtruar në tavolinë të gjithë problematikën e çështjes shqiptare që sot përbën çështjen kryesore të Ballkanit, atëherë do të zgjidhen të gjitha çështjet tjera të territoreve. Politika shqiptare në Shqipërinë lindore duhet të kërkojë që ajo të ketë emrin e saj. Të gjitha ata, Ahmeti, Selmani, Thaçi etj, për momentin janë shqiptaro-maqedonas, tha Danaj.

Danaj: Në administratën turke, kishte më shumë shqiptarë se në atë maqedonase
Ahmeti nuk duhet të hyjë në qeveri vetëm të fusë njerëz në punë. Sepse, në perandorinë turke ka pasur më shumë shqiptarë se sot në administratën maqedonase. Në perandorinë turke ka pasur edhe kryeministra shqiptarë, por luftonin për Turqinë, tha Danaj.

Maqedonia duhet të ndahet!
Maqedonia duhet të ndahet në mënyrë paqësore midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Të cilët shqiptarë më pas do të bashkohen në mënyrë të vazhdueshme me trungun e tyre, me Shqipërinë. Kjo do ta realizojë atë që qarkullon sot në të gjitha kancelaritë evropiane që quhet Shqipëri natyrale, tha Danaj.

LAJM

Ky artikull eshte marre nga: http://www.shqipmedia.com/?p=24002. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.shqipmedia.com/?p=24002

Top