10 arsyet pse Komisioni Evropian 'ngeli ne klase' Shqiperine

Pas një lajmi të mirë, vjen një lajm i keq. Komisioni Evropian la në “stazh” Shqipërinë, duke mos i dhënë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Vendimi u bë publik dje nga Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, i cili tha se Shqipëria nuk i ka përmbushur kriteret e Kopenhagenit dhe në këtë mënyrë BE nuk mund të hapë negociatat me këtë shtet. Por cilat janë arsyet pse shteti unë u refuzua nga komuniteti evropian? Gazeta boton të gjitha 10 arsyet që shkaktuan humbjen e kësaj beteje të shtetit shqiptar.

Arsyet

Ngërçi politik në Shqipëri, i lindur që pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, është arsyeja kryesore që Komisioni Evropian ka vulosur refuzimin e vendit tonë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Pas shumë apeleve, paralajmërimeve se Shqipëria rrezikon integrimin, sërish politikanët shqiptarë nuk kanë arritur të zgjidhin krizën, duke qenë vetë ata iniciatorët e kësaj humbje për Shqipërinë. Gjithashtu shkak tjetër, është korrupsioni, mungesa e reformës elektorale, emërimet dhe ndryshimet e shpeshta të stafeve në shërbimin civil, hetimi i ministrave, gjyqtarëve, votimi politik i kandidaturave të Presidentit, etj. Të gjitha këto kritere janë bërë shkak që Shqipëria të humbasë mundësinë për negociata anëtarësimi më Bashkimin Evropian.

Opinioni i KE-së

Komisioneri europian për Zgjerim, Stefan Fyle, në një konferencë për shtyp rithekson edhe njëherë opinionin e Komisionit Europain, për Shqipërinë, të cilës nuk i jepet statusi i vendit kandidat në BE, pasi nuk ka përmbushur ende reformat. Duke kërkuar të vazhdojë progresin në reformat politike dhe ato ekonomike Fule sqaron se “në vitin 2011 Shqipëria do të jetë pjesë e një tjetër pakete zgjerimi”, ku do të shihet sipas tij përparimi në lidhje me përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit. Duke e vënë theksin veçanërisht tek situata politike e kohëve të fundit, Fyle sqaroi se ajo ishte një nga arsyet e këtij vendimi për Shqipërinë, ku sipas tij "të dyja palët politike janë përgjegjëse". Edhe për Malin e Zi, komisioneri Fule rekomandoi vazhdimin e progresit për përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit, por u shpreh i gatshëm të rekomandojë “statusin kandidat". Komisioneri europian për zgjerim Stefan Fule gjatë prezantimit të paketës së zgjerimit për vitin 2010 u ndal të theksonte se cilat janë të mirat që shtyjnë shtetet t’i bashkohen unionit. “Njerëzit mund të pyesin se pse ka rëndësi zgjerimi, ai përforcon stabilitetin në Europë, promovon demokracitë dhe liritë themelore në këto vende. Na bën më të fortë për të promovuar interesat tona dhe të vendit tone. Paketa ka të bëjë me 9 vende që janë kandidate për BE. Kjo është paketa e parë e përgatitur pas Traktatit të Lisbonës, i cili ka hequr të gjitha pengesat institucionale",- u shpreh komisioneri.

Mirel-Berisha: Opinioni i KE, ju dhamë sa merituat, zgjidhni krizën politike

Kryeministri Sali Berisha falënderoi dje Komisionin Evropian për opinionin e dhënë për kërkesën e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me komisionarin e BE-së, Pierre Mirel, Berisha siguroi se do të marrë me shumë seriozitet kërkesat e raportit të dorëzuar nga Mirel dhe angazhohet për përmbushjen e reformave. Plotësimi i kushteve, është prioritet i qeverisë sime gjatë muajve në vazhdim dhe gjatë vitit që vjen”, u shpreh Berisha. Ndërsa, drejtori për zgjerimin në BE, Pierre Mirel theksoi se “përsa i përket opinionit të KE unë jam, i sigurt se i kemi dhënë kreditet e duhura punës që është bërë deri tani. Duhen ende përpjekja në mënyrë që në të ardhmen KE të rekomandojë hapjen e negociatave”. Më tej ai shtoi se “në opinionin tonë ka edhe një element shtesë dhe ky është funksionimi i Parlamentit. Sipas analizës tonë që nga zgjedhjet e shkuara, Parlamenti i Shqipërisë nuk funksionon dhe kjo për mendimin tonë është një sfide e menjëhershme. Një Parlament që funksionon ashtu si duhet është një element kyç i kritereve të Kopenhagenit”

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria?

“Mendoj se janë dy gjëra të rëndësishme, këto dy vende duhet të bëjnë më shumë detyra shtëpie. Ne identifikuam prioritete kyçe dhe shtatë nga këto prioritete në rastin e Shqipërisë duhet të jenë të përfunduara. Në rastin e paketës tjetër këto kritere duhen zbatuar. Këto dy vende duhet ta kenë të qartë se çfarë duhet të bëjnë për negociata. Përsa i përket spektrit politik nuk do të ketë ndarje përgjegjësie, të dy palët të mbajnë përgjegjësitë që u përkasin. Të mos qëndrojnë në vend përsa i përket prioriteteve kyç, të gjykojmë çdo vend sipas meritave. Ju vitin tjetër do të prisni një raport tjetër nga Komisioni Evropian dhe nëse kushtet janë plotësuar, ai mund të jetë pozitiv” u shpreh Fyle.

Opinionii KE për vendet e tjera

Në lidhje me opinionin për Kroacinë, Fyle u shpreh se “negociatat kanë arritur në fazën finale, do të përmbyllen sapo të plotësohen të gjitha kriteret”. Askush nuk është i kënaqur me ritmin e negociatave me Turqinë”,- u shpreh Fyle duke theksuar se ky vend nuk pa plotësuar ende kriteret, ndërsa shtoi se "duhet të normalizojë marrëdhëniet me Qipron". Fyle ka kërkuar nga Islanda “më shumë përpjeke që populli të kuptojë se çfarë është anëtarësimi në bllok”. Për Maqedoninë, Fyle u shpreh se “vendi vazhdon të plotësojë kriteret politike, por vendet e BE duhet të votojnë unanimisht që të nisin negociatat”, ndërsa shtoi se duhet “të arrihet një zgjidhje edhe me Greqinë”. Për Kosovën u shpreh se, “sfida të mëdha politike” e presin, ndër këto përmendi negociatat me Serbinë, për të cilën u shpreh se së shpejti do t’i dorëzohet pyetësori i BE, ku nuk nguroi të përmendë edhe bashkëpunimin që kjo e fundit duhet të ketë me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për dorëzimin e kriminelëve të luftës.

Arsyet e refuzimit

“Anëtarësimi do të mund të realizohet sa më shpejt kur vendi të jetë i gatshëm t’i përgjigjet detyrimeve të anëtarësimit duke përmbushur kushtet politike dhe ekonomike të kërkuara”.

“Anëtarësimi – sipas kritereve të Kopenhagenit – kërkon që shteti kandidat të përmbushë stabilitetin e institucioneve duke garantuar demokracinë, shtetin ligjor, të drejtat e njeriut si dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave”.

“Efikasiteti dhe qëndrueshmëria e institucioneve demokratike nuk janë përmbushur në mënyrë të kënaqshme. Institucionet dhe procedurat parlamentare nuk funksionojnë si duhet”.

“Parlamenti nuk ushtron mbikëqyrje efektive dhe kontroll mbi qeverinë. Dialogu politik është konfrontues dhe jo konstruktiv, jo vetëm për shkak të ngërçit politik që zgjat që prej zgjedhjeve të 2009”.

“Vërejtjet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet nuk janë përkthyer ende në një reformë të kënaqshme elektorale, e nevojshme për zgjedhjet e ardhshme”.

“Shërbim civil shumë të politizuar, emërime në mungesë të transparencës dhe ndryshime të shpeshta stafesh”.

“Mos respektimi nga ana e qeverisë i vendimeve të Gjykatës Kushtetues dhe votimi politik i kandidaturave të Presidentit të Republikës për Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, përbëjnë shqetësim pasi ato sfidojnë parimet themelore si pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i shtetit të së drejtës”

Në këtë dosje, korrupsioni në Shqipëri përshkruhet si “një problem veçanërisht serioz”.

KE i kërkon Shqipërisë që menjëherë të zgjidhë “pengesat në hetimet ndaj gjyqtarëve, ministrave apo deputetëve që mbrohen nga imuniteti i pakufizuar. Hetimet e suksesshme duhet të pasohen edhe nga ndëshkime”.

“Shqetësim për nivelin e lartë të borxhit publik, dobësitë e shtetit të së drejtës që dëmtojnë klimën e biznesit, dhe për problemet që lidhen me titujt e pronësisë”.
 

ArberB

Primus registratum
Arsyet e verteta jane keto:

1-Mjeket qe marin 5000 leksha.
2-Policet qe marin 2000 leksha.
3-Shefat qe marrin 10000 leksha.
4-Drejtorat qe marrin 100000 lek.
5-Ministrat qe marrin 10 % .
6- Shqiptaret qe i japin te tere keto leke.
7-Ligji 7501 e tere cfare vjen mbrapa.
8- Kokefortesia shqiptare qe e thyen e nuk e jep dicka.
9-Instat qe genjen per rritjen ekonomike.
10- Jozefina Topalli
 
Top