Re: €uro!
Sipas specialistëve bankarë, kursi i këmbimit pritet të mos ndryshojë deri ditët e para pas Vitit të Ri
Euro zhvlerëson dollarin në fund të vitit
TIRANE - Monedha e përbashkët euro ka krijuar një klimë të re për ekonominë evropiane, ku transaksionet kryesore me vendet e tjera të botës prej disa muajsh po përqëndroren pikërisht te kjo monedhë. Ekonomia shqiptare, duke u bazuar në konsideratat në drejtim të tregtisë së lirë, euron e sheh si të ardhmen e saj monetare. Megjithatë dollari për momentin mbetet mbizotërues në vendin tonë si njësi llogarish, depozitash dhe si mjet pagese. Leku është mbiçmuar në terma nominalë për shkak të infacionit të ulët. Ai ka qëndruar mjaft i fortë duke patur parasysh kufizimin e shpejtë të ndryshimeve së normës të interesit, përsa i përket zonës të euros dhe dollarit. Leku ka një rritje më të shpejtë në raport me euron se sa me dollarin amerikan. Ky fenomen është paksa i pritur, pasi tregtia e Shqipërisë me BE-në është shumë herë më e madhe se sa me SHBA. Në këtë fundviti, sipas specialistëve të Bankës së Shqipërisë pritet një rritje më e madhe e transaksioneve në euro. Edhe bankat e nivelit të dytë kanë të njëjtat politika me bankën qendrore, kjo për arsye se regjimi i kursit të këmbimit në Shqipëri është i varur nga banka qendrore. Në tregun e lirë valutor luhatjet e euros dhe dollarit varen nga sezonet dhe nga ndikimi i lëvizjes së refugjatëve. Me afrimin e sezonit të fundvitit po vihet re nga dita në ditë një forcim i pozitës të monedhës euro, por kjo është balancuar me importin që bëhet me vendet jashtë BE-së, pasi këto transaksione bëhen në dollarë. Në këtë kohë është parë një rritje prej 1-1.5 pikë i euros ndaj dollarit. Kjo rritje ka shtuar kërkesën për euro, duke ndikuar edhe mbivlerësimin e lekut ndaj dollarit. Kështu, leku ka arritur pikun e tij më të lartë në këmbimin me dollarin kur dje u shkëmbye mesatarisht rreth 133 lekë për 1 dollar, ndërsa, monedha e përbashkët po njeh vlerat e saj më të larta në këmbimet me monedhën e gjelbër që nga hyrja e saj në fuqi rreth një vit me parë. Euro dje u këmbye në tregjet kryesore botërore me rreth 1.03 dollarë. Edhe në tregun e lirë të këmbimit valutor në Tiranë vihet re mbizotërimi i euros. “Euroja po zë peshën kryesore të xhiros sonë dhe dollari pothuajse po humbet”, -shprehet pjesa më e madhe e kambistëve.
D.K