Platini: Sikur në flamur të kishte bombë. Deputetët e PS: Mos puno me 2 standarde
PARIS-TIRANE-Presidenti i UEFA, Mishel Platini tha se ndihet thellësisht i dëshpëruar për atë që ndodhi në Beograd mbrëmjen e së martës.
“Futbolli supozohet se duhet të bashkojë njerëzit”, është shprehur Platini, duke theksuar se ‘loja nuk duhet të ngatërrohet me politikën në asnjë rrethanë’.
Ndërkohë, duke folur për televizionin Francez TF1, Platini, deklaroi se skenat e dhunës në ndeshjen Serbi-Shqipëri janë të pajustifikuara. “Imagjinoni sikur në vend të flamurit, brenda dronit të ishte një bombë” deklaroi Platini për televizionin Francez.
REAGIME NE KUVENDIN E SHQIPERISE
Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj deklaratave të fundit që vijnë nga kreu i UEFA-s, Mishel Platini, duke i treguar atij se fjalët që nisin me “sikur” të çojnë në mos arsye.
Deputeti Bashkim Fino u shpreh qartazi se UEFA sot nuk duhet të punojë me dy standarde, ndërsa deputetja Ledi Shkreli i përgjigjet drejtpërdrejt duke i thënë se, edhe sikur droni të kishte bombë, përgjegjësia bie mbi Serbinë që mori përsipër të organizonte ndeshjen.
“Zoti Platini e niste nga sikuri fjalën e tij, sikur droni të kishte bombën... Sikur shmang faktin, me sikur mund të themi si do quhej halla... Sikur të kish pasur bombë droni do ish përgjegjësi e vendit pritës, që s’do mund të garantonte standardet. Sikur edhe më i vogli incident të ndodhte gjatë vizitës së Papës në Shqipëri, përgjegjësia do kish qenë e Shqipërisë. Është përgjegjësi e shtetit serb, gjithçka u leja të ndodhte vetëm organizim dhe profesionalizëm nuk pati atje”, tha Shkreli.
Deputetja nuk nguroi në fund ti bënte të fala nga vendi i shqipeve zotit Platini.
Ndërsa deputeti Fino në fjalë ne tij i kërkoi FSHF-së të ruajë dinjitetin e kombëtares. “Runi dinjitetin e kombëtares, organizatorët e një ndeshje janë ata që mbajnë përgjegjësi , ne mbajmë për ndeshjen e kthimit. Falenderoj Ministrin e Brendshëm dhe Ministrin e Jashtëm se kanë qenë në sinkron duke komunikuar me homologët. Diplomacia duhet të bënë punë edhe për sportin. Në kuadër të luftës së FIFA dhe UEFA kundër dhunës dhe racizimit, ju kujtoj se në Serbi pati akte të thella racizmi. UEFA të marrë masa serioze, jo të përdorë dy standarde për ne si një vend i vogël, të marrë masa serioze, organizatorët të marrin përgjegjësi. Forcat e sigurisë u futën të rrahin futbollistët tanë, janë akte të papranueshme. Në emër të kolegëve dashamirës të sportit kërkojmë një standard të qartë, të pastër. FSHF të dalë në ballë të kësaj pune, boll me denigrim”, tha ai.
Braçe: Platini, mos mbro gangsterët e Beogradit
Ka reaguar nëpërmjet Facebook-ut deputeti i PS-së, Erjon Brace, lidhur me deklaratat e Mishel Platinisë, presidentit të UEFA-s, i cili tha: “Po sikur në vend të flamurit në dron të ishte një bombë?” Brace e konsideron këtë qëndrim të kreut të UEFA-s të turpshëm.
Ja postimi i deputetit të mazhorancës qeverisëse në Facebook:
“Platini qenka aq i shqetësuar, sa po bëhet makabër për t’u dalë në krah gangsterëve të Ivanit të Beogradit; Paska thënë: IMAGJINONI SIKUR AI DRONI NE VEND TE FLAMURIT TE KISHTE NJE BOMBE!! Mishel, mbroji gangsterët serbë si të duash, por jo kështu. Eshtë turp. Në logjikën tënde kam edhe unë disa sikur;
I pari, imagjino Mishel sikur ato fishekzjarrët që hidheshin nën këngën “vraje, there shqiptarin…” të ishin bomba!! (Dhe stadiumin e kontrollonin policët serbë);
I dyti, imagjino Mishel sikur ata gangsterët, pastaj rojet e sigurisë, që qëlluan me karrige e sende të forta lojtarët shqiptarë që ishin në Beograd nën besën tënde, Mishel, të kishin vrarë një lojtar shqiptar!! (Dhe stadiumin e kontrollonin policët serbe);
I fundit, Mishel, ku e di ti kush e lëshoi dronin? Ke prova? Apo dhe ti ke variantin serb, sipas të cilit dronin e lëshoi vëllai i mikut tënd, mikpritës shumë herë për ty, Edi Ramës!! Turp Mishel, shumë turp!! Sepse gjithë dynjaja, këta që thashë unë, gangsterët serbë në fushën e lojës, i pa me figurë dhe në disa kënde; JANE TE IDENTIFIKUAR! Kurse, TI PER DRONIN NUK KE ASNJE PROVE!
HETIMI I UEFA-s SERBËT HETOHEN PËR…
1) Hedhje të fishekzjarrëve dhe flakadanëve sipas nenit 16/ 2b dhe c
2) Prishje të rendit publik sipas nenit 16, pika 2 h
3) Invadim i fushës nga tifozët, sipas nenit 16 pika 2 a
4) Mosmarrje të masave organizative sipas nenit 16 pika 1
5) Përdorim të lazerit sipas nenit 16, pika 2 d
SHQIPTARËT HETOHEN PËR…
1) Refuzim të vijimit të ndeshjes, sipas nenit 27 pika 1
2) Shpalojse të banerit sipas nenit 16, pika 2 e
NENI 16
RREGULLI DHE SIGURIA NË KOMPETICIONET E UEFA-S
1. Klubet dhe federata pritëse janë përgjegjëse në fushë, përreth stadiumit, para, gjatë dhe pas ndeshjes. Ata janë përgjegjës për çdo incident të mundshëm dhe objekt i hetimit disiplinor, vetëm në rast se ata arrijnë të provojnë se ata nuk e anashkaluan dhe neglizhuan për asnjë çast organizimin e ndeshjes.
2. Sakaq, të gjitha klubet dhe federata janë përgjegjëse edhe për sjelljen e tifozëve dhe mund të jenë objekt i një hetimi/mase disiplinore, edhe nëse provojnë se ata nuk neglizhuan në asnjë moment organizimin e ndeshjes:
a) invadim ose tentim për invadim të fushës
b) hedhje të objekteve
c) hedhje të fishekzjarrëve ose flakadanëve
d) përdorim të lazerit ose objekteve të këtij lloji
e) përdorim i gjesteve, fjalëve, objekteve ose të të gjitha mjeteve të tjera për të dhënë mesazhe, të cilat nuk janë sportive, ose në veçanti mesazhe që përmbajnë fyerje politike, të besimit, ideologjike, ose të natyrës provokuese
f) akte të dhunshme
g) përdhosje të nacionalitetit dhe simboleve
h) çfarëdolloj problemi që mund të shkaktohet përreth stadiumit
NENI 21
NDESHJA NË TAVOLINË
“Nëse një ndeshje nuk mund të luhet ose nuk arrin që të përmbyllet (ndërpritet), atëherë përgjegjëse është federata ose klubi vendës”.
(ed.me/ma.ar/d.b/BalkanWeb)