Çmimet, 12 artistët e ngritur në kult

H

harap

Guest
Çmimet, 12 artistët e ngritur në kult

U shpallën mbrëmë 12 fituesit e çmimeve “Kult”. Mes fituesve dhe shkrimtari Ismail Kadare

Çmimet, 12 artistët e ngritur në kult

Alma Mile

Në një atmosferë “gala” u ngjitën në kult 12 artistë. Në skenën e Pallatit të Kongreseve u zhvillua mbrëmë nata finale e edicionit të dytë të çmimeve kulturore “Kult”. Nën drejtimin e Rudina Magjistarit, njëkohësisht dhe producente e aktivitetit dhe aktorit Mirush Kabashi u ndanë 12 trofetë në 12 fusha të artit dhe të kulturës. Ndër fituesit u renditën shkrimtari i madh Ismail Kadare, për romanin e tij “Çështje të marrëzisë”, studiuesi Ardian Klosi, piktori Edi Hila, aktorja Ema Andrea, sopranoja Eva Golemi…Pas disa javësh pune seleksionuese mes qindra titujsh e artistësh, e më pas mes 48 finalistësh (4 për çdo fushë ) u shpallën më të mirët në fushën e librit artistik e enciklopedik, regjia, dokumentari, artet pamore, filmi vizatimor, instrumenti, aktrimi, baleti, opera e muzika e lehtë. Për çmimet “Kult” këtë vit kandidonin shumë emra të njohur të kulturës, duke nisur që nga shkrimtari Ismail Kadare, Aurel Plasari, Ervin Hatibi, Ardian Klosi, Ali Oseku, Edi Hila, Mariana Leka, Agim Hushi, Saimir Pirgu, Denjola Kuraja, Renato Ribo, Hervin Çuli, Drita Pelingu, Sulejman Pitarka, e shumë të tjerë. Disa prej tyre kandidonin për të njëjtin çmim edhe një vit më parë, madje disa syresh janë edhe fitues i edicionit të parë, si në rastin e sopranos Mariana Leka, apo balerinës Enada Hoxha. Ndryshe nga një vit më parë, nga fusha e librave u zgjodhën dy fitues, ndërsa vendin e filmit artistik e zuri ai i animuar. Këtë vit çmimet u ndanë nga 4 juri me nga 9 anëtarë, që i përkasin fushave të ndryshme të artit, por edhe nga armata e gazetarëve të kulturës. Formula e votimit ishte e tillë: 50% e pikëve për fituesin u dhanë nga juritë e fushës përkatëse, 25% nga juritë e tjera dhe 25% nga publiku që votoi përmes mesazheve (sms) telefonike. Edhe këtë vit Çmimet “Kult” kishin vlerën e 300 mijë lekëve dhe u shoqëruan edhe me kupën simbol të aktivitetit. Për të dorëzuar trofeun, në skenë u ngjitën të tjerë personalitete të artit e skenës, si regjisori Pali Kuke, piktori Gazmend Leka, artisti Anri Sala, etj. Por përveçse një maratonë çmimesh, nata e mbrëmshme rezervoi edhe surpriza në fushën e spektaklit. E ftuara e nderit e natës së mbrëmshme, ishte këngëtarja greke Anna Vissi, por jo më pak të rëndësishëm ishin edhe të ftuarit e tjerë, si dy balerinët e ardhur nga “Balshoi Teatër” i Moskës, përfaqësuesja maqedonase në Festivalin Evropian Elena Risteska, që këndoi këngën “Ninanajna”, e që krijuan një atmosferë të ngrohtë në sallë. Por nuk munguan edhe artistët shqiptar, si Luiz Ejlli me këngën e tij “Zjarr i ftohtë”, Shpat Kasapi, trupa e kërcimit “Albi Nako Dance”, etj. Çmimet “Kult 2006” organizohet nga Akademia “Kult” me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe televizinit “Klan”, i cili transmetoi mbrëmë drejtpërdrejt ndarjen e çmimeve.
Një vit më parë u shpallën fitues aktorët Ndriçim Xhepa e Yllka Mujo, piktori Gazmend Leka, kantautori Ardit Gjebrea, sopranoja Mariana Leka, regjisori Gjergj Xhuvani, etj.

Promovimi
Vissi, gjithçka për Kongreset
Një atmosferë që ia vlente për një votë. Ashtu si u premtua në skenën e “Kult” u ngjit mbrëmë këngëtarja greke Anna Vissi. Ajo këndoi para publikut shqiptar këngën “Everything”, me të cilën ajo përfaqëson Greqinë në Festivalin Evropian. Madje arsyeja pse ajo erdhi në Tiranë ishte pikërisht promovimi i kësaj kënge, me qëllim grumbullimin e sa më shumë votave për natën finale të Evropianit. Vissi do qëndrojë edhe sot në Tiranë, ku parashikohet të ketë një sërë takimesh me përfaqësinë greke në vendin tonë, kryepeshkopin Anastas, por do komunikojë edhe me mediat. Nesër Vissi do jetë në Serbi e Mal të Zi, ku vazhdon turin e saj promocional. Anna Vissi është një nga këngëtaret më të mira greke. Ka thyer disa herë rekordin në shitjen e albumeve dhe ka fituar shumë herë “Diskun e platintë”. Ardhja në Shqipëri e Vissi-t u mundësua nga kompania celulare AMC, sponsorja gjenerale e natës finale të “Kult”.

Fituesit e “Kult 2006”
Libri më i mirë artistik romani “Çështje të marrëzisë” i shkrimtarit Ismail Kadare
Libri më i mirë enciklopedik “Netë pellazgjike” libër studimor i studiuesit dhe përkthyesit Ardian Klosi
Aktorja më e mirë Ema Andrea për interpretimin në monodramën “I am from Albania”
Aktori më i mirë. Alfred Trebicka, për interpretimin në veprën “Zbritja nga mali Morgan”
Regjisori më i mirë, Gezim Kame, për dramën “Pjata prej druri”
Balerini më i mirë, Edi Blloshmi për interpretimin e rolit të Soloricit tek baleti “Bajadera”
Dokumentari më i mirë “Rruga Egnatia” me regjisor Vladimir Priftin
Këngëtari lirik më i mirë, sopranoja Eva Golemi, në interpretimin e Ljusë tek opera “Turandot”
Instrumentisti më i mirë, violinçelisti Aristidh Prosi për “Koncert” në TKOB
Albumi më i mirë “Bardh e zi”, nga grupi nga Tetova “Elita5”
Filmi më i mirë i animuar “Metamorfoza” me regji të Artur Dautit. Këtë vit filmi i animuar zuri vendin e atij artistik
Artisti më i mirë në artet pamore piktori Edi Hila, për një seri aktivitetesh ndërkombëtare e personale


10/04/2006 U mor nga gazeta Shekulli.
 

caretaker2

Primus registratum
Re: Çmimet, 12 artistët e ngritur në kult

Nga ana organizative spektakli ishte bloze. Prezantuesit nuk kishin mesuar mire as skenarin, lere pastaj te koordinoheshin me grafistin qe projektonte ne ekran kandidatet per cmime. Skenografia shume e vaket; me shume te ndrydhte sesa te krijonte idene e nje shou. Mbizoteronte pamjaftueshmeria e drites, pse jo here pas here mbizoteronte dhe erresira. Minutat kur beheshin te ditur kandidatet dhe shpallej fituesi i seciles fushe nuk kishin pike emocioni, madje ne disa raste edhe te acaronin. P.sh. kur prezantuesit lexonin disa emra artistesh, kurse ne ekran paraqiteshin artiste te tjere. Ishte pergatitur nje si tip pasarele e ndricuar qe u shfrytezua vetem per te zbritur artistet nga skena.
 
Top