Ajo që ndodh pas vdekjes gjithmonë i ka bërë njerëzit kureshtarë. Në fund të fundit, vetë vdekja është një term i krijuar nga njerëzit. Për disa një fillim, për të tjerë fundi, por ka edhe nga ata që besojnë se është një gjendje e pariparueshme, kur mjekësia dorëzohet.
Të qenët i vetëdijshëm është diçka që përjetohet nga të gjallët, prandaj një njeri që ka kaluar vdekje klinike për disa minuta mund të jetë njeriu më i përshtatshëm për t’i dhënë përgjigje pyetjes se çfarë ka pas vdekjes.
Një burrë, i cili ka përjetuar vdekjen dy herë për disa minuta, një herë nga një aksident me motor dhe herën e dytë nga një overdozë qetësuesish, flet për eksperiencën e tij dhe ndjesinë e të qenit i vdekur.
“Nuk kuptoja asgjë, kishte thjesht një boshllëk të zi. Pa mendime, pa vetëdije, asgjë. Të dyja herën ndjeva thjesht se “nuk isha aty”. Gjithçka ishte e zezë. Do ta përshkruaja si ato çastet kur dremit. Një dremitje e shkurtër pa ëndrra. Zgjohesh dhe kupton se ke fjetur për një kohë të gjatë, kur në fakt nuk ka qenë më shumë se 15 minuta. E vetmja arsye që unë e di këtë është fakti se mjekët më treguan gjithçka. Nëse ata nuk do të më kishin treguar, unë do të kisha menduar se kisha dremitur për pak çaste”.
Ndjesia e vdekjes
“Hera e parë ishte në momentin e aksidentit dhe e vetmja gjë që më kaloi nëpër mend ishte: Oh, mos...
Herën e dytë nuk e kisha idenë se çfarë ndodhi. Kisha shumë dhimbje dhe krejt papritur nuk ndjeva asgjë, pa jetë. Më pas u zgjova dhe ndjeva sërish dhimbje”.
Lajmi për ringjalljen
“Herën e parë thashë: O Zot, kjo është e bukur! Tani mund t’u them miqve se vdiqa dhe u ringjalla. Por shumica e këtyre mendimeve ishte efekti i morfinës.
Më pas gjërat qetësohen dhe ti thua: Oh, unë mund të isha i vdekur tani. Aty kuptova sa serioze ishte situata ime.
Përfundimisht nuk e kam aq frikë. Tashmë e di se vdekja nuk është asgjë më shumë se gjumi. Kur vdes, thjesht pushon së ekzistuari. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”.
Shekulli.