Ç'farë duhet bërë per Teatrin Shqiptar. Eshte pyetje.

Mateo Çili

Primus registratum
Mesa kam lexuar artikuj të ndryshëm të cilët flasin per një reformë të teatrit, po humbasim pak pikën kryesore të çështjes.

Pika kryesore është e përbërë nga disa pyetje/reflektime për shoqërinë shqiptare dhe situatën kulturore të vëndit, por janë pyetje që unë, si aktor i formuar në një nga Akademitë e Artit Dramatik të Italisë duke jetuar për pesembëdhjet vjet andej, i kam bërë dhe asaj shoqërie, që është llogjikisht e ndryshme nga e jona.

1. Pse një person në vitin 2014 duhet të ketë deshirën për të shpenzuar lekë për të vajtur në teatër? Ai ka mundësi të tjera: mund të shohë një film në kinema ose në televizion. Mund të ruaj ato lekë për ndonjë gjë tjetër që i nevojitet. Pse duhet të vejë në teatër?

2. A ka Shqipëria, me tridhjet kanalet e saj televizive që transmetojnë 24 orë në 24, nevojë për këtë menyrë të vjetër komunikimi që quhet teatër? Në kulmin e kapitalizmit që po vendos në vëndin tonë më shumë banka se sa ristorante, ka nevojë më ky vënd për këtë vjetërsi në azile që e quajnë teatër?

3. A ka Shqipëria tani për tani me gjithë problemet e saja pafund, mundësi të zhvillojë teatrin dhe format e tjera artistike të vëndit? Kush është shqiptar, i di mirë cilët janë problemet e këtij vëndi, dhe janë të numërta. Pse ai duhet të mbështesi kulturën perpara ndërtimit të rrugëve dhe hekurudhave, për shëmbull?

4. Pse Shqipëria nuk ka zhvilluar forma teatri alternative të atyre shtetërorë, me iniciativë të rinisë? Ku janë ata të rinjtë që teatrin duan ta bëjnë? Pse nuk dalin nga foletë e tyre për të ngritur lart zërin e rebelimit siç bënë kur deshën të rrëxonin komunizmin? Në të vërtetë kapitalizmi ka funksionuar kaq mirë në këtë popull kaq fisnik në të kaluarën duke i transformuar ata në konsumatorë pa tru?

5. Ekziston në këtë vënd dikush që do që të bëjë teatër, jo vetëm për të patur raste pune, por raste në të cilat ajo punë të ketë vlerë? Unë mendoj se po, dhe pikërisht kam ardhur mbas kaq vitesh në Shqipëri sepse jam një nga ata "dikushat", dhe jam në kerkim të disa "dikushave" të tjerë, që së bashku te krijojme një rrugë për t'u shprehur në pavarësi dhe anarki mbi këtë vënd dhe këtë botë që po ç'mënden dhe po na vdesin.


Për të përfunduar, sigurisht që Teatri Kombëtar nuk mund të ketë më guxim të quhet Teatër Kombëtar po qe se me 800 milion lekë të vjetra në vit, krijon vetëm dy shfaqe. Një riformim me rregulla të reja duhet bërë patjetër dhe menjëherë, kjo është e sigurtë. Por ata të cilët duan të bëjnë teatër, nuk mund të rrinë me duart në duar duke sharë tjetrin, ata duhet të krijojnë trupa teatri të pavarura të cilat të jenë shtyrë jo nga vullneti i lekut ose të famës, por nga një ndjenjë pafund dashurie për botën e aktrimit.
 
Top