Ja gjendja aktuale ne shqiperi flas statistika 2013, me mire paksa paraqitet sot;
Gratë, larg duart nga pushteti vendor
Belina Budini
TIRANË - Asnjë kandidate femër nga Partia Demokratike për postet vendore në komuna dhe bashki. Nga PS-ja, gjysma e kandidateve të vjetshme tërhiqen, për të mos kandiduar më. Vetëm një kandidaturë femër nga PS-ja do të synojë të jetë në krye të një bashkie, në Rroskovec. Femrat mbeten jashtë garës politike. Nga 12 kryetare femra të bashkive dhe komunave, 5 prej tyre nuk rikandidojnë më. Bëhet fjalë për kandidatet femra të mandatuara nga Partia Socialiste. Nga Partia Demokratike nuk do të ketë asnjë femër kandidate për vendoret. Ndërkaq, nga PS-ja do të kandidojnë gjithsej në Shqipëri 14 femra. “Ka hequr dorë nga kandidimi, për shembull, kryetarja e bashkisë Rrëshenit, Marie Biba, edhe pse ajo ishte menduar të rikandidohej”,- thotë Makbule Çeço, anëtare e kryesisë së Partisë Socialiste. Nga ana tjetër, kryetarja e komunës së Bishnicës në Përmet, e cila është martuar dhe pret të lindë fëmijë, gjithashtu ka hequr dorë nga rikandidimi. Ndërkaq, PS-ja ka ftuar të kandidojnë 7 gra të reja për postet lokale. Politikë burrash, manovra politike, shoqëri maskiliste... Kështu e komentojnë mungesën e femrave në politikë vetë aktoret e politikës shqiptare dhe gratë e shoqërisë civile.
Jozefina Topalli
Nënkryetare e Parlamentit për PD-në, Jozefina Topalli thotë se moskandidimin e femrave në përgjithësi, por edhe veçanërisht për zgjedhjet vendore, e konsideron si mungesë të emancipimit të tyre. “Sigurisht, moskandidimi i tyre dhe tërheqja përballë një sfide, siç është politika, ka për bazë edhe arsye ekonomike-sociale, ashtu si edhe barriera maskiliste. Më vjen keq, që për këto zgjedhje në listat përfundimtare të Partisë Demokrative nuk konfirmohet asnjë femër dhe, pse mos ta them, i përgëzoj gratë që kandidojnë, qoftë edhe në krahun tjetër”,- shprehet Jozefina Topalli, me një karrierë disavjeçare në strukturat e Partisë Demokratike dhe në parlament. Nënkryetarja Topalli thotë se, megjithatë, ka pasur disa nisma grash edhe për këto zgjedhje, por ato nuk janë miratuar. “Në komuna nuk kandidojnë pothuajse fare, ndërkaq edhe në bashki gratë janë të tërhequra e nuk tentojnë të futen në politikë”,- thotë Topalli. Ajo shton se, megjithatë, është vënë një “dysheme” prej 25% për gratë, që do të përfshihen në këshillat bashkiakë dhe ky mund të konsiderohet një hap pozitiv.
Makbule Çeço
Nënkryetare aktuale e parlamentit dhe ish-kryeministre, Makbule Çeço thotë se, megjithëse në PS do të kandidojnë për mandat vendor 14 femra në gjithë Shqipërinë, ky numër është i papërfillshëm, në raport me meshkujt. Sipas Çeços, femrat i tremb konfliktualiteti, vulgariteti dhe ashpërsia e politikës. Dhuna verbale në politikë është, sipas saj, një nga arsyet përse femrat shqiptare nuk përzihen me politikë. A e ka ndjerë ajo veten keq në këtë mjedis të drunjtë? “Sigurisht, në debatet e ashpra, me fjalor vulgar, pa etikë, ku triumfon inati dhe ku të shajnë deri edhe familjen, nuk ka sesi të mos ndihesh keq”,- shprehet nënkryetarja Çeço. Arma e saj për t’ia dalë mbanë në këtë arenë politike thotë se është ndershmëria. Ajo na thotë se, megjithëse kandidojnë 14 femra në PS, kjo nuk do të thotë asgjë për filozofinë e gjithëpërfshirjes, ku femra është sërish jashtë. Nga ana tjetër, Çeço shton se edhe gruas i takon të bëhet vetë më aktive. “Por kjo është e vështirë, kur dihet që ende vendimet për gratë i marrin burrat”,- thotë Çeço.
Elsa Ballauri
“As 14, as 40 kandidate femra,- thotë kryetarja e Grupit për të Drejtat e Njeriut, Elsa Ballauri,- nuk më çudisin. Nuk mendoj se ato mund të kenë ndonjë rol. Zakonisht, edhe kur kandidohen, femrat janë një fasadë politike. Nuk ka atmosferë për hyrjen e grave në politikë dhe kandidime të rastësishme si këto janë dhe duken artificiale”. Ballauri mendon se nuk ka diskutim për femrat në publik, femra s’po promovohet, nuk ka një lëvizje, nga ana tjetër, femra nuk bën as autopromovim, disa syresh kanë prirje të merren me biznes dhe në shoqërinë civile, por ato mbeten skllave të burrave. Sipas saj, e gjithë kjo lojë kandidaturash është politikë e përrallës. Në Shqipëri dihet që femra ia lejon burrit plotfuqinë, ajo nuk ka pushtet psikologjik, së pari. “Kur nuk merr vendime familjare, si mund të pretendojë një femër të marrë vendime politike?”- shprehet Ballauri. Gjithsesi, ajo shton se është optimiste dhe se e entusiazmojnë nuancat pozive. “Ka shumë pak femra në politikë, ato tani janë bërë profesioniste. Për shembull, ministrja e Kulturës është pozicionuar në një rol pozitiv, por ende nuk kemi një personazh femër në politikë, që të na entusiazmojë. Sigurisht, kjo nuk është gjë e lehtë. Kjo gjë mund të vijë kur femra-model ka pas një emancipim të tërë dhe një back-ground të volitshëm”,- thotë Ballauri. Ndërsa “dorëzimet” e femrave nga politika, pasi janë përfshirë njëherë në të, sipas kryetares së Grupit për të drejtat e Njeriut, tregojnë se këto gra nuk kanë hyrë natyrshëm në politikë. “Femra të tilla janë rastësisht në politikë ose produkte të manovrave politike. Nga ana tjetër, është e dhimbshme që ato largohen dhe thyhen nga politika e burrave”,- përfundon Ballauri.
Diana Çuli
Kryetare e organizatës femërore “Minerva” dhe shkrimtare e njohur, Diana Çuli se kjo mungesë e grave në politikë dhe ky hezitim i tyre për të kandiduar ndodh për shumë arsye, ndër të cilat më kryesore janë mungesa e traditës, lufta politike e egër që bëhet, shoqëria konservatore dhe rezistenca brenda partive, që anojnë për kah meshkujt. Megjithatë, sipas Diana Çulit, e cila ka një karrierë të gjatë tanimë në drejtim të çështjeve të barazisë gjinore, nuk janë vetëm femrat shqiptare që i rrinë larg politikës. “Në Francë, ku në parlament dhe në pushtetin vendor duhet të jenë 50 me 50 burrat dhe gratë, ka gjithashtu vështirësi. Siç kanë treguar disa nga përfaqësueset franceze që kanë vizituar Shqipërinë, edhe atje për komuna e bashki është shumë e vështirë të gjesh kandidate”,- thotë Çuli. Ajo mendon se grave shqiptare u duhet vetëm kurajë dhe traditë në këtë drejtim, sepse gratë e përgatitura nuk mungojnë. “Edhe 4-5 gratë që janë aktualisht në politikë konkurrojnë shumë mirë me meshkujt dhe madje e bëjnë punën e tyre më mirë se ata. Sigurisht, situata nuk është e lehtë dhe kjo mungesë e femrave në politikë, në bashki e komuna nuk na nderon”,- përfundon Çuli.
Gratë shqiptare në parlament
Ermelinda Meksi (zëvendëskryeministre) PS
Makbule Çeço (nënkryetare e parlamentit) PS
Jozefina Topalli (nënkryetare e parlamentit) PD
Arta Dade (ministre e Kulturës) PS
Valentina Leskaj (ministre e Punës dhe Çështjeve Sociale) PS
Monika Kryemadhi (deputete) PS
Elita Tepelena (deputete) PS
Fatbardha Shabani (deputete) PS
Marjeta Pronjari (deputete) PD
Kandidatet femra për vendoret
Anita Zajmi (minibashkia nr 1, Tiranë
Jeta Seitaj (kandid. e re), min. 5. Tiranë
Fatmira Veizaj (minibashkia nr.10, Tiranë
Fatime Goga (kandid.e re) Ndroq
Lindita Çobo, bashkia Rroskovec
Anastasi Dushi, komunë, Gjirokastër
Hanke Melaj (kandid. e re), Baz, Mat
Tre kandidatura për komunat në Elbasan