Re: Vlorë, më 28 Nëntor, Familja Jashari merr tit
Moisiu ngre flamurin në Vlorë: Për herë të parë në 90 vjet, jemi bashkuar të gjithë shqiptarët
VLORE, 28 nëntor - Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu ka çelur sot paradite në Sheshin e Flamurit në Vlorë festimet me rastin e 90-vjetorit të Pavarësisë. Mijëra qytetarë vlonjatë me flamuj të kuq në duar, mbushën sheshin kryesor të qytetit për të festuar ditën e shënuar. Presidenti Moisiu, kryeministri Fatos Nano, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, kryetari i Partisë Demokratike të
Arbër Xhaferri e Bajram Rexhepi duke vënë kurora me lule në monumentin e Pavarësisë në Vlorë
Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, komandanti i trupave Mbrojtëse të Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni Arbër Xhaferri, si dhe ministra, deputetë nga të gjitha forcat politike dhe personalitete nga të gjitha trojet shqiptare, morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast. Presidenti Moisiu ngriti simbolikisht flamurin pranë Monumentit të Pavarësisë dhe më pas krerët e shtetit vendosën aty kurora me lule. Në fjalimin e mbajtur Moisiu uroi gjithë shqiptarët për 90-vjetorin e Pavarësisë. Më pas ka nisur një koncert festiv në Pallatin e Sportit “Flamurtari”. Në fjalën e tij President ii Shqipërisë Alfred Moisiu tha:
“Të dashur qytetarë të Vlorës,
I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë,
Të nderuar politikanë, diplomatë dhe të ftuar të pranishëm
Sot shteti ynë shqiptar mbush 90 vjet. Unë kam kënaqësinë që bashkë me ju të përkujtojme 28 nëntorin, datën – simbol që lidhet me krijimin dhe integritetin e shtetit shqiptar. Në këtë përvjetor, për herë të parë në 90 vitet e historisë së shtetit shqiptar, jemi bashkuar të gjithë shqiptarët, duke i dhënë fund kohrave, kur festat kombëtare ndaheshin sipas bindjeve politike.
28 Nëntori është një ditë paqeje, dashurie, krenarie dhe kujtimi për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen ata. 90 vjet më parë, disa nga bijtë më të shquar të historisë sonë, të udhëhequr nga mendja e urtë e plakut flokëbardhë Ismail Qemali, ngritën flamurin në Vlorë dhe shpallën pavarësinë. Akti i tyre atdhetar përbën ngjarjen më të rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar. Ky akt na bën sot të përulemi me respekt të thellë ndaj veprës së Ismail Qemalit, Isa Boletinit, vëllezërve Frashëri, Luigj Gurakuqit, Elena Gjikës, Aqif Pashë Elbasanit, Gjergj Fishtës, Mehmet Konicës, Ymer Prizrenit dhe emrave të tjerë të mëdhenj të kombit. I paharruar në jetë të jetëve qoftë kujtimi i të gjithë atyre që sakrifikuan ose dhanë jetën për fitimin e pavarësisë, mbrojtjen e saj dhe vendosjen e demokracisë në Shqipëri.
- Vëllezër e motra,
Gjatë shekullit të fundit, ne provuam shembjen e perandorisë osmane; mbretërinë e parë dhe të suksesshme shqiptare; pushtimin fashist në prag e gjatë Luftës së Dytë Botërore; luftën çlirimtare kundër tyre; diktaturën komuniste për afro 50 vjet, si edhe tranzicionin e gjatë e të vështirë demokratik. Ky zhvillim tregon se asnjë vend në botë, përfshirë edhe Shqipërinë, nuk ka patur vetëm histori pozitive. Çdo gjë ka vendin e vet. Koha do të tregojë ku gabuam dhe ku kishim të drejtë. Sot nuk është e rëndësishme të mbajmë kokën pas, por të kapërcejmë të kaluarën e hidhur dhe të shohim përpara. E ardhmja i përket fëmijëve e nipërve tanë. Nuk duhet të lejojmë, që ata të na mallkojnë për punën që kemi bërë.
Në këtë ditë të shënuar, ne jemi dëshmitarë, aktorë, prodhues, humbës dhe përfitues të një epoke të re ndryshimesh, që i jep fund tranzicionit dhe hap rrugën e konsolidimit të një sistemi vlerash qytetare e europiane, ashtu siç e aspiruan 90 vjet më parë themeluesit e shtetit shqiptar. Zhvillimet pozitive në Shqipëri janë shoqëruar edhe me zhvillime mjaft pozitive në Kosovë, Maqedoni dhe në Malin e Zi, ku shqiptarët kanë rikonfirmuar vullnetin e tyre për të ndërtuar një të ardhme të sigurtë, demokratike e të integruar për të gjithë qytetarët. Ne të gjithë ndihemi krenarë e të gëzuar me ecurinë e proceseve demokratike në Kosovë. Zgjedhjet e fundit atje treguan se Kosova ka hyrë në rrugën e pakthyeshme të demokracisë dhe vlerave perëndimore. Mendojmë se zgjidhja e statusit të Kosovës ka rëndësi të madhe për të ardhmen e rajonit.
Ne kemi përkrahur stabilitetin dhe integritetin e Maqedonisë dhe kemi nxitur zhvillimet pozitive, që kanë çuar në përfaqësimin parlamentar e qeveritar të shqiptarëve. Njëkohësisht, ne vlerësojmë se zbatimi integral i Marrëveshjes së Ohrit përbën një domosdoshmëri e ndihmë, jo vetëm për ecurinë e mëtejshme të procesit demokratik dhe bashkëjetesën shqiptaro-maqedone, por edhe për stabilitetin e rajonit në tërësi.
Sot bashkë me ne, Ditën e Pavarësisë e festojnë edhe mëse gjysëm milion shqiptarë, të cilët për arsye të ndryshme, kryesisht ekonomike, janë detyruar të emigrojnë gjatë 10 viteve të fundit në vendet perëndimore. Ata janë flamuri ynë në botë, krenaria dhe kultura jonë, pjesë e pandarë e trungut tonë kombëtar. Interesimi dhe kujdesi i shtetit dhe diplomacisë shqiptare duhet të jetë pjesë e pandarë e politikës.
Njëkohësisht, rritja e kontakteve, prezencës dhe integrimit politik e ekonomik të diasporës shqiptare në të gjithë hapat e zhvillimeve social-ekonomike të vendit, duhet të jetë pjesë e objektivave kryesore të shtetit shqiptar. Diaspora jonë duhet të kontribojë më tepër për vendin ku prehen etërit dhe gjyshërit e tyre.
- Të dashur bashkëqytetarë,
Përvjetorët e festat nuk janë vetëm ditë përqafimesh, por edhe reflektimesh e angazhimesh. Ne kemi nevojë ta përdorim këtë moment për të nxitur e thelluar procesin e nisur të reformave dhe të shtetit demokratik ligjor ku jeta, prona, liria, mendimi dhe besimi janë pasuri e çmuar, e garantuar dhe e paprekshme. Rruga e reformave që kemi nisur duhet të vazhdojë. Klima e re politike, e bazuar në bashkëpunimin pozitë – opozitë për thellimin e reformave, për integrimin euro-atlantik dhe për largimin nga politika konfliktuale 10 vjeçare, duhet thelluar e përhapur më tej.
E ardhmja e jonë varet nga shumë gjëra, të cilat i kemi përmbledhur me një fjalë: detyra shtëpie. Por kushti kryesor është garantimi i stabilitetit politik, i cili më shumë se në interes të individëve të caktuar, është në interes të të gjithë shoqërisë dhe qytetarëve. Le të punojmë pa prapaskena, debate boshe e hipoteza pesimistësh, për të arritur rezultate konkrete. Ti kthejmë popullit besimin e buzëqeshjen dhe vendit perspektivën e krenarinë. Kritikët e përhershëm duhet të mos harrojnë se minusi më i madh për ne deri më sot ka qenë mungesa e stabilitetit politik, e cila ka ardhur në rradhë të parë si rezultat i një lufte politike të paprinciptë. Demokracia nuk ecën përpara me luftë e grindje, por me alternativa e debate, që ofrojnë vizione të qarta për zgjidhjen e problemeve dhe të ardhmen e vendit.
Detyra jonë kryesore është që nocionin e pavarësisë së shtetit ta kuptojmë e ta konkretizojmë si pavarësi e individit të respektuar nga ligji, pronës e shenjtërimit të saj, mendimit e ideve si pjesë e shoqërisë së lirë, lëvizjes dhe e veprimit në emër të interesave të shoqërisë demokratike. Shteti është legjitim, demokracia është e sigurtë dhe shoqëria ndjehet e lirë vetëm nëse individi dhe idetë e tij janë të lira dhe të garantuara. Shqipëria ka vuajtur mjaft nga përjashtimi i ideve opozitare, nga persekutimi i mendimeve, nga diskriminimi i grupeve të caktuara të qytetarëve, nga loja me pronën e tjetrit dhe abuzimi me pushtetin. Koha kërkon një mentalitet të ri mendimi dhe veprimi, që harmonizon dëshirat personale të individëve e grupeve të caktuara me ato të shoqërisë në tërësi.
Partitë dhe fushatat shkojnë e vijnë, shteti është dhe mbetet një. Ne kemi nevojë për një shtet të fortë në dobi dhe në shërbim të qytetarëve. Partitë janë pjesë e pazëvëndësueshme e pluralizmit të ideve, por misioni i ndërtimit dhe forcimit të shtetit të së drejtës qëndron mbi çdo parti. Një shtet i qytetarëve, i aftë tu shërbejë atyre, ndërtohet nga qytetarë të guximshëm dhe të palodhur. Si president dua t’ju përsëris premtimin që bëra me 24 korrik: mbi çdo gjë vë Shqipërinë dhe interesat e saj. Ky është detyrimi im kushtetues, vullneti dhe angazhimi im i palëkundur personal përpara qytetarëve dhe vendit. Ndaj edhe kërkoj nga të gjithë bashkëqytetarët e mi, faktori politik dhe biznesi: mirëkuptim, bindje ndaj ligjit e vendosmëri për të ecur përpara.
Secili prej nesh duhet të sillet, të mendojë dhe të veprojë si një patriot i mirë për vendin e vet. Të jesh patriot do të thotë të duash vendin tënd dhe të respektosh dashurinë e të tjerëve për vendin e tyre. Në kohën e sotme patriot i mirë është ai që respekton ligjin, lufton për lirinë e vet dhe të shtetasve të tjerë, paguan taksat dhe e konsideron vehten, aktor të rëndësishëm të përfitimeve dhe përgjegjësive në shoqëri. Ky është një mesazh sidomos për klasën politike, të zgjedhurit dhe të emëruarit, punonjësit e drejtësisë dhe në të gjitha nivelet e tjera të administratës. Ata që kanë spekulluar me urtësinë dhe fisnikërinë e popullit shqiptar dhe janë pasuruar padrejtësisht, duhet dhe do të përballen me drejtësinë. Ata duhet të kuptojnë përfundimisht se vendi ynë i vogël, varfër dhe i vonuar, nuk ka dhe nuk mund të ketë më kohë për të humbur qoftë me eksperimente politike, qoftë me praktika abuzive në emër të shtetit.
Në ditët, javët, muajt dhe vitet e ardhshme na presin sfida të mëdha. Vendi ka një sërë problemesh për të zgjidhur, në mënyrë që rruga e reformave të jetë e sigurtë dhe e suksesshme. Reformat në sistemin e drejtësisë, në fushën ekonomike, në sistemin zgjedhor, në çeshtjen e pronave, në Forcat e Armatosura, në administratën publike dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm, përbëjnë disa nga objektivat tona kryesore, realizimi të cilave është i domosdoshëm për integrimin tonë në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Unë kam besim të plotë se me punë, përkushtim dhe ndershmëri do t’ia arrijmë me sukses në rrugën që kemi nisur. Le të jetë ky përvjetor një nxitje për të gjithë ne për më shumë angazhim e bashkim. Le të shërbejë ky moment që t’ju uroj juve dhe gjithë qytetarëve e bashkëkombasve tanë, gëzuar festën e pavarësisë. Dëshira ime është e mbetet që të ndodhem sot pranë cdo familje shqiptare, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greqi, Itali, SHBA, Australi dhe kudo tjeter ku ajo ndodhet, për të ndarë gëzimin e festës dhe për t’i siguruar se shqetësimet e tyre dhe aspiratat e përbashëta kombëtare do të jenë pjesa kryesore e preokupimeve të mia derisa të zgjidhen.
Zoti qoftë me shqiptarët dhe Shqipërinë!”