Universal
AnonymouS

Për herë të parë në bankat e shkollës u ulën 32 mijë fëmijë, të cilët nisin kështu rrugën e gjatë të dijes. Mëngjesi i sotëm ishte i paharruar, uniforma që kishin veshur sotd, me përparse të zezë dhe jaka të bardha do ti shoqërojë në rrugën e re që kanë nisur. Me lule në duar, nën shoqërinë e gjyshërve apo prindërve të vegjlit e klasës së pare mbushën oborret e shkollës.
Përmirësimi i kushteve të mësimdhënies dhe rritja e cilësisë në shkolla ka qenë edhe motoja e re e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve në këtë vit për të gjithë sistemin parauniversitar.
Vetë Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla uroi të gjithë nxënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor. “Nesër fillon viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar, ndaj në emër të MAS-it dhe të Qeverisë, ju përshëndes dhe dërgoj pranë jush urimet më të ngrohta. E di që po i jepni “dorën e fundit”, siç thuhet, përgatitjeve për të nesërmin në mëngjes, por lejomëni të ndaj me ju emocionet e mia në një moment si ky, emocione të një mësueseje, të një nënë dhe të një bashkëqytetare”, tha ajo.
Krerët më të lartë të shtetit uruan sot nxënësit në çdo cep të Shqipërisë. Kryeministria Rama e ministrja e Arsimit Nikolla uruan nga gjimnazi "Ismail Qemali", ndërsa kryebashkiaku Basha zgjodhi gjimnazin "Eqërem Cabej".
Por edhe sivjet ka pasur probleme në këtë ditë të parë të shkollës. Mësohet se nxënësit e shkollës 9-vjeçare në fshatin Tërbaç të Vlorës kanë bojkotuar mësimin për shkak të kushteve të këqija. Probleme në këtë ditë të parë të vitit shkollor ka pasur edhe për 900 fëmijë të komunitetit egjiptian në qytetin e Elbasanit, të cilët janë ulur në bankat e shkollës pa libra, pasi prindërit e tyre nuk kanë mundur tua blejnë për shkak të kushteve të vështira financiare.
900 FËMIJË TË KOMUNITETIT EGJIPTIAN ULEN NË BANKA PA PASUR LIBRA
Probleme në këtë ditë të parë të vitit shkollor ka pasur edhe për 900 fëmijë të komunitetit egjiptian në qytetin e Elbasanit, të cilët janë ulur në bankat e shkollës pa libra, pasi prindërit e tyre nuk kanë mundur tua blejnë për shkak të kushteve të vështira financiare.
Në lidhje me këtë rast Komuniteti egjiptian i ka dërguar peticion kryeministrit Rama e komisioneres kundër diskriminimit. Ndërkohë prindërit e këtyre nxënësve kanë nisur një protestë para shkollës ‘Ptoleme Xhuvani’.
“Po na mbeten fëmijët pa shkollë. Nuk kemi mundësi të blejmë libra për fëmijët, rrezikojnë të mbeten analfabetë”.
NXËNËSIT BOJKOTOJNË MËSIMIN NË TËRBAC TË VLORËS
Por edhe sivjet ka pasur probleme në këtë ditë të parë të shkollës. Mësohet se nxënësit e shkollës 9-vjeçare në fshatin Tërbaç të Vlorës kanë bojkotuar sot mësimin për shkak të kushteve të këqija.
Prindërit e fëmijëve shprehen se: “Është e pamundur që vetëm tre mësues të japin mësim që nga kopshti deri në klasë të 9. Kërkojmë që nxënësit të transferohen në qytet”, shprehen ata.
RAMA: KA ENDE PUNË PËR TU BËRË, JO MËSUES JASHTË PROFILIT

“Është e paramenduar që ne do vinim këtu për shkak se donim ta hapnim këtë vit për nxënësit në të gjithë Shqipërinë duke iu përshëndetur. Bazuar tek Matura Shtetërore ‘Ismail Qemali” doli shkolla më e mirë, ka qëndruar në lartësinë e famës së vete të dikurshme duke qenë shkollë model. Shkolla është përzgjedhur ndër shkollat pilot për tu transformuar në qendra komuntiare jo vetëm për mësim por edhe për aktivitete sociale përtej orëve të mësimit, jo vetëm mësim por edhe për jetën e përbashkët sociale, artistike, kulturore e sportive. Besoj që e dini që do futen orët e edukimit fizik, 3 orë në javë për të lëvizur më shumë të gjithë bashkërisht. Nga ana tjetër ne po përgatisim një program për të nxitur idetë, nismat e vetë nxënësve, të gjithë ata që do kenë ide. Ju mjafton të keni ide dhe të mund të provoni që janë të vlefshme de do gjeni mbështetje”, u shpreh ai.
Më tej kreu i qeverisë u shpreh se pjesë e reformës në arsim është edhe moslejimi i mësuesve që të japin mësim jashtë profileve të tyre.
“Ne nuk kënaqemi me sa është arritur, jemi të bindur se ka shumë ende për tu bërë. Sapo kemi filluar një pjesë tjetër të reformës për mësuesi, të përputhim profilet me orët e mësimit. Ka shumë raste ku mësues me profil biologji japin fizikë, ata me muzikë biologji e kështu me radhë. Ne jemi duke avancuar për futjen e teknologjisë në shkolla. Ju në fazën e parë do kaloni nga librat tek teknologjia dixhitale, prindërit do jenë të lidhur on line sapo të mos shfaqeni ju do i shkojë mungesa dhe nota që merrni. Këto janë taksirate që do i kaloni”, u shpreh Rama.
BASHA- NXËNËSVE: NJË VIT I MBARË PËR TË GJITHË

Përveç shkollës së mesme “Eqerem Çabej”, sot nisi viti i ri shkollor edhe në dy shkolla 9 vjeçare të rindërtuara nga Bashkia, shkolla “Ahmet Gashi” dhe “Niket Dardani”, investim prej 318,8 milionë lekësh i Bashkisë së Tiranës.
"Vij me një kënaqësi të madhe sot në këtë ditë të veçantë për qytetin e Tiranës, për ju, për prindërit tuaj, shokët e miqtë tuaj në gjimnazet e tjera të kryeqytetit, në shkollat 9 vjeçare të kryeqytetit dhe në të gjithë Shqipërinë, dita kur rinis shkolla pas pushimeve të verës.
E di që shumica prej jush kanë ardhur me dëshirë të madhe dhe me mall pas një shkëputjeje të pushimeve të verës dhe shpresoj që kjo dëshirë e madhe për të rifilluar shkollën, t’ju zmadhohet edhe më shumë nga fakti se ju jeni një ndër 3 shkollat e kryeqytetit që janë tërësisht të rindërtuara, pra futeni në një shkollë të re, me ambiente të reja, me palestër të re, me laboratorë të rinj, sigurisht me mundësinë për miqësi dhe shoqëri të reja, pa harruar ato të vjetrat që besoj i keni marrë me vete nga viti i kaluar shkollor por mbi të gjitha me një përkushtim të ri apo të rinovuar për përgjegjësinë tuaj kryesore, atë të nxënies, mësimit, përgjegjësi të cilën e keni para vetes suaj në radhë të parë dhe për veten tuaj e më pas për familjen tuaj e natyrisht edhe për qytetin ku jetoni, edhe për këtë vend që sytë e shpresës i kanë tek ju, tek brezi i ri i shqiptarëve europianë, siç jeni ju, siç janë të gjithë nxënësit e kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë.
Duke ndarë me ju kënaqësinë e madhe dhe emocionet e ditës së parë të shkollës, më lejoni t’ju uroj nga zemra suksese, një vit të mbarë, kalofshi sa më bukur dhe nderofshi veten e familjet tuaja dhe emrin e këtij gjimnazi me rezultatet tuaja!” - u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.
Basha ka vizituar ambientet e reja të shkollës “Eqerem Çabej”, si biblioteka, salla polivalente, laboratorë biologjie dhe informatike, palestrën etj.
“Eqerem Çabej” është e 14-ta shkollë e mesme e përgjithshme e Tiranës, ku Bashkia ka instaluar një sistem të monitorimit me kamera, për të rritur sigurinë në shkolla. Projekti konsiston në vëzhgimin pamor 24 orë të të gjithë ambienteve të jashtme të gjithë perimetrit të shkollës, ruajtjen e këtyre imazheve deri në 30 ditë.
Ky është një hap i cili i shërben rritjes së sigurisë në shkollat tona dhe në ambientet përreth tyre. Ky është një hap i rëndësishëm në monitorimin dhe rritjen e parametrave të sigurisë. Edhe në këtë shkollë, ashtu si në investimet e tjera të Bashkisë është instaluar sistemit i ngrohjes qendrore me peletë.
PELESHI: TË AFROJMË TREGUNE PUNËS ME TË ARSIMUARIT

“Ne i kemi një borxh të madh arsimit para universitar dhe universitar sepse shpesh herë kemi bërë gjënë e gabuar me arsimin. Arsimi i ka dhënë fund periudhës së tranzicionit dhe ka hyrë në normalitet për të afruar tregun e punës me tregun të arsimuarve. Reformat kanë qenë të shumta. Jemi për të dhënë disa mesazhe për ju për këtë shkollë me tradite. Qeveria është e vendosur të investojë për të afruar këto dy tregje. Ka një handikap të madh në Shqipëri, ka një paradoks. Nga njëra anë ankohemi për papunësi dhe ka shumë biznese që nuk plotësojnë dot vendet bosh sepse nuk gjejnë dot në treg specialistin. Jemi të vendosur të investojmë me të gjitha energjitë tona për të ndërtuar një model tjetër”- u shpreh Peleshi.
Më tej ai theksoi se modeli i karrierës dhe suksesit në karrirë duhet të jenë dijet. “Ne promovojmë të gjithë të rinjtë të merren edhe me politikë por modeli i karrierës dhe suksesit në karrirë duhet të jenë dijet. Së fundi dua ta mbyll duke u thënë se nuk ka fare rëndësi çfarë pune bën apo çfarë profesioni ke, por të bësh me pasion dhe të jesh i pari tek ai zanat që ke. Shkolla është një investim që e nesërmja të jetë më e bukur, që pushimet të jenë më të bukura. Në këtë investim nuk jeni të vetëm por jeni nën kujdesin dhe vëmendjen e qeverisë shqiptare. Gëzuar vitin shkollor!”- përfundoi zëvendëskryeministri.
NIKOLLA: DO JEMI PRANË JUSH PËR TË MUNDËSUAR SUKSES
E rikthyer në shkollën kur dikur ka qenë mësuese Matematike, ministrja Nikolla premtoi se do bëjë gjithçka për nxënësit që ata të kenë sukses.
“Unë kam qenë mësuese në këtë shkollë, prandaj ruaj mbresa të mrekullueshme për nxënës të shkëlqyer të Matematikës. Nga kjo shkollë janë marrë në Maturën Shtetërore më shumë 10 në të gjithë Shqipërinë. Unë e di që nga kjo shkollë kanë dalë dhe vijojnë të dalin talente edhe në fusha të ndryshme. Më vjen mirë që nxënësit tuaj në shkollën e lartë janë fokusuar në shkencat ekzakte dhe kompjuterike. Do jemi pranë jush për të mundësuar sukses dhe vetëm sukses”, tha ajo.
RAMA: ASNJË MËSUES JASHTË PROFILIT
Kryeministri Edi Rama ka uruar në rrjetin social '"Facebook" të gjithë nxënësit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri shkollor. "Urime gjithë nxënësve që po shkojnë në shkollë për të nisur një vit të ri në rrugën e diturisë. Për ne nis sfida #Asnjemesuesjashteprofilit"- shkruan Rama.
Ai ka theksuar edhe një herë se këtë vit të ri mësimor asnjë mësues nuk do të jetë jashtë profilit. Në një status në ‘Facebook” ai shkruan se rrënimi i mësimdhënies ka marrë fund. “Fund rrenimit te mesimdhenies me mesues biologjie qe japin matematike a mesues gjeografie qe japin kimi e muzike #Asnjemesuesjashteprofilit”- shkruan Rama.
(ma.ar/a.n/BalkanWeb)