Viti 2009- ëndërra e plotësuar e shqiptarëve

kunder19

Primus registratum
Viti 2009- ëndërra e plotësuar e shqiptarëve

Viti 2009- ëndërra e plotësuar e shqiptarëve për lirinë e lëvizjes

Pasaportë shqiptare

Në Tiranë filluan sot negociatat me BE-në për heqjen e regjimit të vizave. Përfundimi me sukses i tyre varet nga plotësimi i kërkesave të Brukselit.



Ëndërra e shqiptarëve për të gëzuar lirinë e lëvizjes në vendet e BE mund të bëhet realitet pas dy vitesh, në fund të 2009-ës. Nëse lajmin e gëzuar nuk do ta sillte në Tiranë vetë Zv Presidenti i Komisionit Evropian, Franko Frattini.


„Hapim sot negociatat për liberalizimin e vizave, pas bisedimeve me kryeministrin Berisha. Erdha personalisht në Tiranë për t´ju sjellë një mesazh të
fortë besimi. Lidhur me liberalizimin e vizave Shqipëria e meriton vlerësimin e BE -së për progresin që ka arritur deri tani," tha Fratini në Tiranë.

Por kur mund ta gëzojnë shqiptarët lirinë e ëndërruar të lëvizjes së lirë?

„Kjo do të varet nga rezultatet të premten në Tiranë. Por rezultatet duhet të arrihen brenda një kohe shumë të shkurtër. Urimi dhe bindja personale është se
rezultatete kërkuara mund të arrihen edhe brenda përfundimit të mandatit të Presidentit të Komisionit Evropian, Barroso, " tha Frattini. Mandati i Barrosos përfundon në tetor të vitit 2009.

Bashkë me parashikimin optimist zyrtari i lartë nga Brukseli bëri të qartë se progresi i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk do të vlerësohen „en block" në
progresin e tyre drejt integrimit evropian. „Nuk i konsidertoj vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si një paketë. Çdo vend do të vlerësohet sipas meritave të tij. Shteti që do të plotësojë i pari të gjitha kërkesat e BE do të marrë i pari regjimin e lirë të vizave" tha Frattini.

Kërkesat e BE ndaj Shqipërisë nuk janë të panjohura

Por ato janë riartikuluar edhe nga vetë Franko Frattini. "Plotësimi i marrëveshjeve ekzistuese me BE, sidomos i asaj për riatdhesimin e emigrantëve ilegalë nga vendet e BE, dhe asaj për lehtësimin e vizave. Së dyti vjen pajisja e qytetarëve shqiptarë me dokumenta të sigurta. Shqipëria po përgatit pasaporta biometrike dhe po përgatit regjistrin e gjendjes civile. Së treti vazhdimi i bashkëpunimit për të luftuar krimin e organizuar. Në të tria këto kërkesa me duhet të them se Shqipëria është në pistën e duhur".

Kryeministri Berisha, që hapi negociatat nga pala shqiptare i cilësoi ato nje akt të madh besimi të BE ndaj progresit demokratik dhe premtoi plotësimin e
gjithë kërkesave të mësipërme. Fillimi i negociatave me Shqipërinë për heqjen e regjimit të vizave bën pjesë në programin e ri të këtij Bashkimi, për të përshpejtuar ritmet e integrimit evropian, të paraqitur në mes të kësaj jave në Bruksel.
Artikull marre:
http://albaniaonline.it.gg/Home.htm
 
Top