Re: video trieste...
Kurthi në banjo në dimrin e 2004 për t’i bërë shantazh
Përgjimi i Nikollë Lesit nisi në lokalin e Nar Kokës
Skandali, deputeti u filmua pa urdhër
--------------------------------------------------------------------------------
Imazhet e deputetit Nikollë Lesi, të filmuara nga një kamera e fshehtë dhe të shfaqura së fundi në internet, rrezikojnë të nxjerrin në pah një skandal të rëndë. Një deputet i kuvendit të Shqipërisë, i cili gëzon imunitet, është përgjuar pa asnjë urdhër të firmosur nga prokuroria. E gjithë skena që shfaqet në videon që qarkullon prej disa ditësh në internet, mësohet se ka nisur në Durrës në lokalin “Trieste” të Leonard Kokës, personit të njohur për lidhje të fuqishme politike dhe të arrestuar nga policia në ditët e fundit të qeverisë socialiste, dhe ky përgjim ka vazhduar më pas në një lokal tjetër. Deputeti Lesi është futur në një kurth, për të cilin nuk dihet nëse ishte në dijeni Koka, me qëllim për ta filmuar atë në një skenë provokuese për moralin e tij, gjë që mund të përdorej më pas si shantazh. Sipas të dhënave të siguruara nga “Gazeta Shqiptare”, bëhet fjalë për muajt e fundit të vitit 2004, moment në të cilin deputeti demokristian kishte deklaruar se dispononte materiale sekrete, të cilat sipas deputeti Lesi kompromentonin figura qeveritare të Partisë Socialiste. Pikërisht në këtë periudhë, duket se është kryer edhe përgjimi i Lesit.
Intriga
Nga imazhet që shfaqen në 3 minutat e videos së shpërndarë në internet, dallohet se kamera e fshehtë e vendosur në banjon e lokalit, imazhet e së cilës në disa momente kanë interferencë valësh, është një radiokamerë dhe jo një video celulari. Një fakt që dëshmon se nuk ishte një përgjim rastësor, por një punë e kryer nga profesionistë. Organizatorët e kurthit, e kanë montuar atë në një objekt të fiksuar në mur dhe kanë pritur që personazhi, deputeti Nikollë Lesi të shkonte në banjo. Ndërkohë, deputeti është ftuar në lokal pas montimit të kamerës për të ngrënë një darkë. Ajo që është akoma më e rëndë, është fakti që në shoqërinë e Lesit, ka qënë në këtë darkë edhe një deputet tjetër i Kuvendit si dhe tre personazhe të njohura të medias. Pikërisht në momentin që deputeti Lesi është ngritur për të kryer nevojat personale në banjo, atij i është afruar një femër, me qëllimin për të regjistruar përpara kamerës një skenë që mund të ishte e dëmshme për moralin e deputetit.
Filmimi
Nga ajo që duket në imazhet që qarkullojnë në internet, deputeti është provokuar nga vajza bionde, e cila e drejtonte atë gjithnjë nga cepi i banjos ku ndodhej edhe kamera. Duket se gjithçka ka qënë e përgatitur më parë, me qëllimin e paracaktuar për të futur deputetin në një kurth. Intrigë e cila, nuk është realizuar pasi Lesi, sipas imazheve, nuk ka kryer asnjë veprim që mund të përdorej kundër tij më pas. Nuk dihet se si, por këto filmime ilegale, janë mbajtur të fshehta për më shumë se një vit. I njëjti mister qëndron edhe mbi arësyet e hedhjes në internet të këtyre imazheve pikërisht në momentin që deputeti Lesi arriti të realizonte nismën e tij për ndryshimet në ligjin e mediave.
Pikëpyetjet
Ka shumë pikëpyetje mbi këtë skandal që ende nuk kanë marrë një përgjigje. Në rradhë të parë, ende nuk është hedhur dritë se cilët ishin urdhëruesit dhe realizuesit e këtij përgjimi, të cilat janë të paligjshme dhe mbi të gjitha, janë kryer mbi një deputet me imunitet? Përse këto filmime po përdoren sot ndaj pjesëtarit të kuvendit dhe njëkohësisht ndaj botuesit të “Koha Jonë”, dhe cili i ka ruajtur dhe i ka patur në disponim këto imazhe që janë hedhur ditët e fundit në qarkullim? re.kro