cili ishte ligji
Berisha ule me 550 leke ne dite taksat
TIRANE- Nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha, Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij, të mërkurën, vendosi t'i propozojë Kuvendit dy projektligje

ër një ndryshim në ligjin nr.8978, datë 12.12.2002, "Për taksën vendore për biznesin e vogël", të ndryshuar, si dhe për një ndryshim në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, "Për tatimin mbi të ardhurat", të ndryshuar. Kështu, Qeveria miratoi dje projektligjin për përgjysmimin e taksave të biznesit të vogël, duke paralizuar kështu investimet me buxhetin e pushtetit vendor. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se "ndryshimet në ligjet "Për taksën vendore për biznesin e vogël" dhe "Për tatimin mbi të ardhurat" synojnë përgjysmimin e nivelit aktual të taksës dhe përqindjes së tatimit mbi xhiron". Sipas Bodes, "këto ndryshime marrin në konsideratë nevojat për t'i dhënë një ndihmesë biznesit të vogël, për ta shndërruar atë në gjeneratorin kryesor të punësimit privat dhe për të krijuar kushtet që, përmes kësaj lehtësie, që llogaritet në rreth 10 milionë USD, këto biznese të mund të riinvestojnë kapitalet e tyre për të zgjeruar aktivitetin". Këto ndryshime, sipas tij, krijojnë kushte dhe mundësi për të tërhequr nën veprimin e ligjit një numër tepër të madh biznesesh të paregjistruara. "Në tërësi ndryshimi i këtyre dy ligjeve synon konsolidimin e sistemit fiskal në raport me biznesin e vogël, lehtësimin e këtij biznesi për punësim dhe investime", shtoi ministri Bode. Këto projektligje do t'i paraqiten së shpejti Kuvendit për miratim. Deri këtu cdo gjë duket e bukur. Bile Berisha duhet pëërgëzuar për këtë vendim, pasi në këtë mënyrë i përmbajt plotësisht premtimit për përgjysmimin e taksave për biznesin e vogël. Por sa efektiv është ky buxhet dhe sa ndikon drejtpërdrejt në xhepat e biznesit të vogël, sa i nxit ata realisht një masë e tillë. Le të bëjmë disa llogaritje të vogla. Ministri Bode në deklaratën e tij përmënd këto shifra. Biznesi i vogël përfiton 10 milion dolllarë nga ulja e kësaj takse. Nga ky projektligj përfitojnë 45 mijë biznese të vogla. OK. Le të bëjmë pjesëtimin përkatës. Pra vlerën që përfitojnë prej 10 milion USD me numrin e bizneseve 45 mijë. Del vlera 222 USD. Pra një biznes i vogël fiton 222 dollarë për një vit. Ndërsa në një ditë nga pjesëtimi i 222 USD me 365 del shifra 0.6 USD ose e konvertuar me kursin e sotëm rreth 55 lekë të reja në ditë. Sipas qeverisë Berisha punësimi do të nxitet me shifrën 55 lekë. A ka tallje më të madhe me shtresën e biznesit të vogël. Ky vendim ishte me karakter elektoral dhe nuk ishte një vendim nxitës për biznesin e vogël. Qeveria Berisha me këtë projektligj për përgjysmimin e taksave për biznesin e vogël bllokun në këtë mënyrë të gjithë investimet e pushtetit vendor. Ministria e Financave i ka dhënë fund tashmë përgatitjes së materialit, i cili përmban në vetvete dhe një nga premtimet më të bujshme të bëra gjatë fushatës nga kreu i PD-së, Sali Berisha. Vendimi për përgjysmimin e taksave të biznesit të vogel dhe taksave vendore ishte një premtim elektoral i Berishës. Prej shumë kohësh është premtuar se do të ndodhin ndryshime të rëndësishme në trajtimin e bizneseve të vogla, në të gjithë komponentët e tyre, qoftë në taksën fikse vendore, ashtu edhe në tatimin e thjeshtuar. Të dy këta elementë do të pësojnë një ulje të madhe, dhe pikërisht në 50% e nivelit aktual. Vendimi për përgjysmimin e taksave të bisnezit të vogël ka si qëllim nxitjen e punësimit dhe inkurajimin e zhvillimit të zonave më të varfra të Shqipërisë. Por dëmi më i madh që sjell ky projektligj është për të ardhurat e pushtetit vendor, pasi e gjithë kjo taksë kalonte në llogaritë e pushtetit vendor të drejtuar si nga pozita e sotrme ashtu dhe nga opozita. Ky projektligj do të ketë edhe një efekt prapaveprues për të gjithë 6-mujorin e dytë 2005. Kështu megjithëse është parashikuar në buxhetet e pushtetit lokal si një e ardhur mbi të cilin janë planifikuar dhe investime ky projektligj kalon për miratim tani dhe do të hyjë në fuqi këtë vit.
Berisha çudit përsëri:Ulja e taksave do rrisë punësimin
Tiranë- "Përgjysmimi i taksave të biznesit të vogël do të hapë dyert e punësimit të shqiptarëve dhe kjo përbën një nga objektivat tanë themelorë". Kryeministri Berisha, e ka prezantuar në këtë mënyrë nismën e qeverisë së tij për uljen e taksave për biznesin e vogël. Kurse për motivim, ka shërbyer rritja e numrit të të punësuarve edhe pse nga kryeministri nuk është shpjeguar lidhja mes këtyre. Ndër efektet që do të sjellë, sipas Berishës, ulja e taksave për biznesin e vogël, do të jetë gjithashtu edhe goditja që do të pësojë evazioni fiskal si dhe rritje të kapacitetit të të ardhurave dhe të invesimit për 45 mijë bizneset e vegjël të regjistruar. Ulja e taksave, pritet të sjellë edhe rritje të numrit të të regjistruarve në këtë biznes, nismë e cila është pretenduar e pamundur për shkak pikërisht të taksave të larta. Kryeministri është shprehur se deficitet që do të krijohen në buxhet, nga ky vendim do të përballohet nga shkurtimi i shpenzimeve operative, mbi të cilat do të diskutohet në një mbledhje të ardhshme të qeverisë. "Fillimi i kësaj mase kërkon një angazhim të vecantë edhe në administrimin e mbledhjes së kësaj takse". Këtu, Berisha ka përmendur edhe subjektet të cilët nuk janë regjistruar duke iu shmangur taksave për motive apo shpërblime politike. Ministri i Financave, Ritvan Bode ka theksuar nevojën e alokimeve pas uljes së taksës, megjithatë efekte pozitive priten edhe nga një punë më e mirë e administratës së mbledhjes së taksave. Kryeministri ka përmendur disa herë premtimin e mbajtur për uljen e taksave të biznesit të vogël, megjithatë në asnjë rast nuk ka sqaruar se si do të ndikojë kjo në rritjen e numrit të të punësuarve në këtë biznes, duke qenë se kryesisht bëhet fjalë për biznese të vogla, familjare.
Bode:Kursehen 10 milion USD, po nuk dimë sa do të punësohen
Tiranë- Ministri i Financave, Ritvan Bode tha se ndryshimet e bëra në dy ligjet do t'i paraqiten Kuvendin në formën e projektligjeve. Taksa e regjistrimit dhe ajo e tatimit mbi të ardhurat do të përgjysmohen për këtë biznes, duke sjellë një lehtësi prej 10 milion dollarësh për këtë kategori. Në të njëjtën kohë, zbatimi i këtyre ligjeve, sipas tij, do të sjellë përmirësim të të ardhurave, rritje të investimeve dhe ndryshime rrënjësore në përmirësimin e administrimit të këtyre taksave dhe administrimi më i saktë ligjor i bizneseve të vogla. Ministri është shprehur se në këtë mënyrë do të shmanget si evazioni fiskal ashtu edhe shmangia e abuzimeve të tjera, si ai i regjistrimit të disa subjekteve si biznese të vogla për të paguar më pak, duke qenë se kanë qenë të lidhur me politikën, edhe pse janë biznese të mëdha. Një efekt tjetër pozitiv, që do të sjellë ulja e taksave, sipas Bodes, do të jetë edhe rritja e numrit të të regjistruarve. Ai ka theksuar se ulja e nivelit të taksave nuk do të thotë ulje e të ardhurave të biznesit të vogël, duke qenë se sipas ministrit deri tani një butik në qendër të Tiranës, ka paguar njësoj detyrimet ndaj shtetit me një ushqimore në Babrru. Bode ka premtuar se ndryshimet e ligjit do të shoqërohen edhe me akte të tjera nënligjore që do të bëjnë mënjanimin e abuzimeve.
Për ata që kanë paguar tashmë
"Nuk do të lejohen devijimet në ligj, pasi ligji lejon konkurencën e ndershme". Ministri i Financave ka shpjeguar se ligji trajton njësoj edhe ata persona që tashmë e kanë kryer pagesën ndaj shtetit. Edhe ata që e kanë shlyer detyrimin përpara fillimit të zbatimit të ligjit, do të kenë mundësinë që përmes një deklarate të paraqiten në organet e tatimeve për të marrë rimbursimin e parave që dalin të tepërta me përgjysmimin e taksës.
Për shqyrtim Kuvendit
Tiranë- Të dy projektligjet, të prezantuara nga ministri i Financave në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, do t'i kalojnë për shqyrtim dhe diskutim Kuvendit. Nenet e këtyre projektligjeve shprehen për ulje të taksave të biznesit të vogël, deri në përgjysmim të tyre. Taksa e parë që ulet është ajo për biznesin e vogël, kurse taksa tjetër që përgjysmohet sipas këtij projektligji është ajo e tatimit mbi të ardhurat. Të dyja këto taksa kishin pësuar edhe më parë ulje, kurse me një vendim të marrë gjatë diskutimit të paketës fiskale të këtij viti, do të bëhej ulja e taksave në fillim të vitit 2006. Megjithatë, qeveria ka marrë vendimin që ta bëjë këtë ulje që gjatë këtij viti, duke përfshirë edhe ato subjekte, përfaqësues të biznesit të vogël, që tashmë e kanë shlyer detyrimin e tyre ndaj shtetit. Pas diskutimit në komisionet parlamentare të Kuvendit dhe ndryshimeve që mund të pësojë ai, do t'i kalojë për miratim parlamentit.
Neni 2/ Ata që kanë paguar në avancë, do të rimbursohen
Tiranë- Sipas projektligjit për ndryshim, në nenin dy të tij parashikohet që të gjithë ata subjekte që kanë shlyer detyrimin ndaj shtetit, përpara hyrjes në fuqi të ligjit, do t'u mbahet nga pagesa vetëm shuma e përcaktuar me ligj. Kjo do të bëhet nëpërmjet një dokumenti në formë deklarate të dorëzuar pranë organeve të vetë personit të ineteresuar. "Taksapaguesit, që e kanë paguar në avancë këstin e dytë për itin 2005, sipas kuotave të përcaktuara në ligjin nr.8978, datë 121.12.2002, të ndryshuar, në përfundim të periudhes tatimore 2005 të dorëzojnë një deklaratë përmbledhese, e cila të ketë si detyrim vjetor tatimor totalin e 1/2 se kuotës, sipas tabelës së vjetër, dhe e 1/2 së kuotës, sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij ligji. Ky detyrim do të kreditohet me pagesat e kryera. Çdo pagesë, që tejkalon shumën e taksës së duhur, do të rimbursohet nga administrata tatimore, sipas procedurave të përcaktuara në udhëzimin e ministrit te Financave". Kjo do të thotë që nëse një përfaqësues i biznesit të vogël ka bërë pagesën e taksës, përpara 1 Shtatorit të këtij viti, ose të 1 Korrikut, do të rimbursohet për paratë e mbledhura, duke mbajtur prej tyre vetëm gjysmën e vlerës.
Projektligjet për ndryshimet e taksave të biznesit të vogël
Një ndryshi në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, "Pët tatimin mbi të ardhurat", të ndryshuar
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, e 155 e Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
Vendosi:
Në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, "Për tatimin mbi të ardhurat", të ndryshuar, të bëhet ky ndryshim
Neni 1
Pika 1 e nenit 32/3 ndryshohet si më poshtë vijon:
"1. Shkalla tatimore e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, për tremujorin e tretë dhe të katërt të periudhës tatimore 2005, e në vazhdim është 1.5 për qind".
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
Projektligj per një ndryshim në Ligjin nr.8978, datë 12.12.2002, "Për taksen vendore për biznesun e vogël", të ndryshuar
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1 e 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
VENDOSI:
Në ligjin nr.8978, datë 12.12.2002, "Për taksen vendore për biznesin e vogël", të ndryshuar, të bëhet ky ndryshim:
Neni 1
Për efekt të llogaritjes së këstit të dytë të takses vendore për biznesin e vogël, për periudhen tatimore 2005, tabela 1, që i bashkëlidhet ligjit, ndryshohet si më poshtë vijon:
Neni 2
Taksapaguesit, që e kanë paguar në avancë këstin e dytë për itin 2005, sipas kuotave të përcaktuara në ligjin nr.8978, datë 121.12.2002, të ndryshuar, në përfundim të periudhes tatimore 2005 të dorëzojnë një deklaratë përmbledhese, e cila të ketë si detyrim vjetor tatimor totalin e 1/2 se kuotës, sipas tabelës së vjetër, dhe e 1/2 së kuotës, sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij ligji. Ky detyrim do të kreditohet me pagesat e kryera. Çdo pagesë, që tejkalon shumën e takse s së duhur, do të rimbursohet nga administrata tatimore, sipas procedurave të përcaktuara ë udhëzimin e ministrit te Financave.
Neni 3
Ngarkohet ministri i Financave të nxjerrë udhëzimet përkatëse për zbatimin e këtij ligji.
Neni 4
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren Zyrtare".
KRYETARI
JOZEFINA TOPALLI
Numri i bizneseve të vegjël 45 mijë
Në sektorin privat 140 mijë
Në sektorin shtetëror 190 mijë
Kursen biznesi i vogël 10 milion USD
Ligjet nisin efektet në 1 Korrik dhe 1 Shtator 2005
Tiranë- Të dy ligjet për përgjysmimin e taksave do të nisin efektet e tyre në 1 Korrik dhe 1 Shtator të këtij viti, duke përfshirë edhe ato subjekte që tashmë kanë paguar detyrimet. Ministri i Financave, ka theksuar se pritet që ulja e këtyre taksave të rrisë ndjeshëm numrin e të punësuarve në këtë biznes, duke qenë se kjo ulje do të sjellë edhe rritje të investimit. Megjithatë, Bode nuk është në dijeni të numrit të bizneseve të vegjël ende të paregjistruar në Shqipëri, por që funksionojnë, edhe pse shprehet me bindje se ka shumë të tillë përvec 45 mijë të tjerëve që figurojnë të regjistruar në organet e tatimeve. Sipas tij, numri i të punësuarve në sektorin privat arrin në 140 mijë, kurse në sektorin shtetëror numri i të punësuarve shkon në 190 mijë. Bode është shprehur se ky raport shifrash tregon se në vendin tonë ka një treg informal të punës. Megjithatë ky raport do të pësojë ndryshime, në favor të numrit të të punësuarve, sepse qeveria e re vazhdon të këmbëngulë që ulja e taksave të biznesit të vogël do të sjellë një rritje të konsiderueshme të numrit të të punësuarve. Kjo nuk shpjegohet me teori dhe as me shifra, përshembull sa do të jetë numri i të punësuarve që do të përfitojnë. Por kjo është një gjë që do të duket, meqënëse ligjet e nisin efektin e tyre brenda këtij viti. Në lidhje me masën e uljes së taksave për biznesin e vogël, ministri i Financave është shprehur se janë studiuar të gjitha efektet dhe për këtë vendim, qeveria e re ka marrë edhe viston e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, me të cilat sipas tij është negociuar në parim. Bode tha se misionet e tyre do të mbërrijnë së shpejti në vendin tonë për të nënshkruar marrëveshjet me qeverinë e re.