Totalitarizëm Reloaded

Albforumi

Primus registratum
Totalitarizëm Reloaded

Totalitarizëm Reloaded

Arbër Zaimi

Kur flitet për totalitarizëm shpeshherë llomotitet në mjegull, pa patur parasysh atë çka në të vërtetë e bën një shtet totalitar, madje pa patur parasysh as karakteristikat që e dallojnë shtetin totalitar nga shteti demokratik. Po ti referohemi teoricienëve të filozofisë politike, e sidomos Walter Benjamin-it dhe Herbert Marcuse-s që janë marrë gjerësisht e në detaj me analizimin e marrëdhënieve të dominimit në shtetet totalitare, sistemet total-autoritare karakterizohen kryesisht prej mbështetjes në një ideologji të vetme (ndalimit të të tjerave), dhe prej kontrollit të çdo sfere shoqërore dhe individuale, duke filluar nga familja, marrëdhëniet e punës, jeta qytetare, e deri tek krijimtaria artistike apo shkencore gjithçka në një shtet totalitar duhet të jetë konform ideologjisë, duhet të realizohet brenda koncepteve të saj dhe duhet ti shërbejë asaj. Por nuk kam ndërmend të trajtoj skolastikisht totalitarizmin në këtë shkrim, se kam përshtypjen që memorjet e shqiptarëve janë ende të freskëta: mbahet mend shtypja e mendimit ndryshe (sado i zbehtë dhe i mefshët të ishte ky mendim); mbahet mend varfëria që propagandohej si vlerë heroike në shërbim të kombit; mbahet mend mirë arti apo media që u kthye në një mjet trushpëlarës në dorë të ideologjisë; mbahet mend dënimi i diversantit, i disidentit e i kulakut; mbahet mend edhe ndarja e kastës së sipërme të nomenklaturës prej realitetit popullor, një ndarje fyese për dinjitetin e shumëkujt që kish luftuar e kish punuar për një jetë dinjitoze e për një shoqëri të drejtë. Mbi të gjitha mbahet mend ideologjia dogmatike, e padiskutueshme, e cila ishte prezente në çdo aspekt të jetës, si në pamje ashtu edhe në thelb, ajo ishte aty edhe kur nuk flitej për të, një ideologji që nuk pranonte diskutim e që i shtypte kundërshtarët e vet.

Në këtë artikull në fakt synoj të merrem me sistemin që kemi mbërritur të ndërtojmë deri më sot, njëzet vjet pas rënies së enverizmit. Kemi një regjim që natyrisht është krejt i ndryshëm në formë e në kontekst prej atij që kaluam, por shpeshherë ndryshimet janë vetëm formale e jo thelbësore. Nuk do të zgjatem me denoncimin e pakuptimësisë së etiketave cliche që përdorim për këtë regjim, se vërtet e quajmë demokraci kur në fakt sështë, por kjo sështë ndonjë gjë e re, pasi dhe të shkuarin e quanim komunizëm, kur në fakt nuk ishte.

Interesante, në fakt, do të ishte të shqyrtohet se deri ku ka mbërritur dinamika e tranzicionit, që në terma më të qartë do të kategorizohej si proces i dekomunistizimit dhe i demokratizimit (duke mbajtur gjithnjë parasysh falsitetin dhe hipokrizinë tek përdorimi i këtyre dy emërtimeve). Një vend i varfër, dalë prej një izolimi dhe prej një shtypjeje të gjatë, i vuajtur gjer në palcë natyrisht që do ta kish të vështirë të adaptohej me një realitet të ri. Sidomos nëse marrim parasysh faktin që me shqiptarët ishte aplikuar për një kohë të gjatë praktika e prodhimit të njeriut të ri, nëpërmjet represionit institucional sistemik të individit nga çerdhja e deri në azil të pleqve. Mirëpo që me rënien e regjimit vëzhguesit do të habiteshin, sa shpejt u zhvesh shqiptari nga këto vlera që ia kishin ushqyer me zor për 45 vjet, sa shpejt i harroi mësimet e marra dhe veshi teshat e një demokracie që nuk e kish njohur kurrë, në mënyrë të menjëhershme. Përqafim i menjëhershëm i religjioneve dhe bestytnive, ulja e rëndësisë së intelektualit apo shkencëtarit në shoqëri, shkatërrimi i pronës publike, mosbesimi cinik ndaj institucioneve dhe ndaj shtetit, gëzimi naiv që sjell mundësia për tu pasuruar, qoftë dhe në mënyrë jo krejt të pastër Dukej sikur këta individë kishin studiuar gjithë jetën Friedmanin, e jo tezat e ekonomistëve të famshëm të IML-së (të cilët edhe ata dolën menjëherë liberalë, siç u shpreh së fundmi në një intervistë më i zëshmi prej tyre, F.Nano).

Dikush mund ta shpjegojë këtë duke thënë se shqiptarët nuk i përvetësuan kurrë vlerat dhe teoritë komuniste, këto ishin të huaja për ta, se shqiptarët nuk kanë patur kurrë një klasë të vërtetë proletare, dhe thellë-thellë kanë ruajtur psikologjinë e kulturën e fshatarit konservativ. Kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë, pasi në 45 vjet stalinizëm industrial proletariati u krijua edhe kur nuk ishte, dhe regjimi totalitar nuk të linte ti shpëtoje edukimit politik që të vinte nga të gjitha krahët, nga media, nga familja, nga miqtë, nga kolegët, nga të panjohurit, madje edhe nga sendet e pajetë, siç ishin muret e pallateve apo faqet e maleve të mbushura me slloganë. Arsyeja kryesore se pse shqiptarët me kaq dëshirë hodhën poshtë gjithçka që iu kujtonte sistemin stalinist nuk qe kjo, por vuajtja, varfëria materiale e morale, bjerrja e dinjitetit që mbërriti ekstremin e nuk mund të duronte më. Në këto kushte është njerëzore të reagosh dhe shqiptarët reaguan kush duke ikur prej atdheut (nuk kish rëndësi se ku, nuk kish rëndësi se për çfarë, po rëndësi kish ikja), kush duke shkatërruar gjithçka që i kujtonte atë sistem, deri dhe duke djegur bibliotekat apo pemët e pafajshme nëpër brezaret e ngritura me djersë. Vuajtja ishte ekstreme, për pasojë reagimi pas lirimit ishte ekstrem, një reagim që nisi ti çonte shqiptarët dalëngadalë drejt të kundërtës të asaj që jetuan ato 45 vjet. Kjo është ajo çka po jetojmë sot, një sistem i ndërtuar mbi mohimin dhe mbi antipodin e të shkuarës, sepse vetëm kështu do të mund të shlyhej kompleksi i krijuar në atë makth gjysëmshekullor. Por nuk duhet harruar që zhbërja totale e një sistemi totalitar, çon shpeshherë në një sistem tjetër totalitar, duke ndryshuar vetëm formën, por jo karakterin e tij në raportin që mban me individin e me shoqërinë. Në një arsyetim pastërtisht hegelian, të kundërtat janë puqur.

Le ti analizojmë disa aspekte e disa vlera të kësaj të kundërte të totalitarizmit enverist që po ndërtojmë sot, dhe le të shohim se si mund ta kategorizojmë sistemin politik e social të sotëm.

Pluralizmi dhe Depolitizimi

Për shumicën e shqiptarëve pluralizmi është përcjellë gabimisht si një term që nënkupton ekzistencën e shumë partive ndërsa monizmi ekzistencën e një partie të vetme. Në fakt nuk është kështu, monizmi duhet të nënkuptonte ekzistencën e një ideologjie të vetme e të pakundërshtueshme, ndërsa pluralizmi duhet të nënkuptojë lejimin e shumë ideologjive dhe pranimin e diskutimit apo kritikës mes tyre, në raport me interesat e shtresave apo teorive që ato përfaqësojnë. Vetë ideologjia si term popullor ka marrë një kuptim negativ, dhe njerëzit e shohin si fjalë thuajse-tabu, pa qenë të ndërgjegjshëm që në fakt jetojnë e veprojnë brenda një të tille, dhe nuk mund të bëjnë ndryshe, pasi çdo forcë qeverisëse aplikon ideologjinë e vet, nëpërmjet të cilës rregullon marrëdhëniet sociale e ekonomike dhe i normon ato. Monizmi totalitar e meritonte emrin që mbante, lejonte vetëm një ideologji stalinizmin, dhe me forcë i shtypte të tjerat, sa herë që ato tentonin të lindnin. Sot, në sistemin pluralist demokratik ka shumë parti, por në rast se konsiderojmë alternativat politike që ato sjellin, do të ngelnim të zhgënjyer. Në një masë të madhe partitë e sotme janë thelbësisht njësoj, ato qëndrojnë për të njëjtën bashkësi vlerash politike, kryesisht liberale sa i përket ekonomisë (privatizim, investim në infrastrukturë, zvogëlim i pranisë së shtetit, dobësim i lëvizjeve sindikale dhe konsumatore, favorizim i biznesit, integrimi, hapja e tregut, etj.) dhe kryesisht pragmatiste për sa i përket politikave sociale, arsimore, kulturore apo artistike (plani i vetëm për to është kryerja e veprimit që sjell më shumë vota, ose i asaj që kërkohet nga jashtë). Nuk mund të tregosh ndonjë diferencë të vërtetë mes politikave të shprehura të partive shqiptare, dhe realisht cilido prej eksponentëve kryesorë të tyre, deri dhe Edi Rama me Sali Berishën, do të mund të ndërronin partitë me njëri-tjetrin e sërish të vazhdonin të përdornin të njëjtën retorikë, duke rezultuar po aq të suksesshëm. Ekzistenca e një alternative të vetme politike bën që edhe pse formalish
Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://saktivista.com/?p=1472

Top