Te jesh Numri 2

alinos

Forumium maestatis
Te jesh Numri 2

Të jesh Numri 2
Rrokadat e pritshme politike në Shqipëri, si në partitë politike, ashtu edhe në institucionet qeverisëse, e bëjnë evidentimin dhe ekzaminimin politik të “numrit 2” që mund të kthehet në “numri 1” shumë të rëndësishëm

Bernard Zeneli


Të mbushura me ankth kanë qenë ditët në të cilat pritej për fatin e shëndetit të presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës. Heshtja e institucioneve zyrtare pranë tij nga njëra anë dhe gjuetia e tipit të shtrigave nga gazetat vendore për të nxjerrë një “scoop” gazetaresk të radhës nga goja e ndonjë diplomati të huaj rreth shëndetit të presidentit, sigurisht që nuk e ka lehtësuar ankthin apo sikletin e ditëve të fundit në Kosovë. Po të shtohet këtu edhe pasiguria që ka të paktën pesë vjet që shprehin të huajt për ardhmërinë politike të Kosovës dhe varësia e krijuar në këtë lloj udhëheqësie të kombinuar (kosovare + të huaj), dalim në një situatë politike të stresuar. Sigurisht që lajmet dhe deklaratat e fundit e kanë lehtësuar disi këtë situatë dhe kanë çuar sërish ujë në rrjedhat e normales, por ka disa gjëra që duhen diskutuar e debatuar.



Në kërkim të numri 2
Ndërsa Presidenti Rugova meriton të gjitha lutjet e faljet e mundshme për një shërim sa më të shpejtë e jetëgjatësi si fizike, ashtu edhe politike, mendoj se është e rëndësishme që të diskutohet për një lloj vazhdimësie politike. Nuk duhet harruar që Rugova është një figure politike e kthyer në një simbol si përsa i takon rrugës paqësore dhe jo të dhunshme për të arritur në pavarësinë e Kosovës, ashtu edhe për formën e veçantë të ushtrimit të pushtetit politik pa qenë në fakt udhëheqës i një institucioni politik me pushtet real. Një ndër çështjet që u ngrit më së shumti gjatë këtyre ditëve të stresuara në Kosovë ishte ajo e një pasardhësi të mundshëm për Rugovën. Vështirësia rritet kur flitet për të zëvendësuar një figurë simbol, siç është ajo e Rugovës. Në shkencat politike, dhe në veçanti në diskutimin për transformimin e sistemeve politike nga autoritare në demokratike, ky proces zë një vend të veçantë dhe madje një autor i njohur i viteve ’50, Sigmund Neumann, i kushton shumë rëndësi procesit të zëvendësimit të udhëheqësit kryesor me atë që ai e konsideron “lejtnanti politik” apo “numri 2”. Diskutimi i Neumannit hyn thellë edhe në karakteristikat psikologjike e dhuntitë e udhëheqjes së numrit 2. Në një përpjekje për të aplikuar teoritë e Neumann-it në Kosovë, situata bëhet tërësisht e paqartë. Pyetjes se kush është numri 2 i Rugovës nuk është e lehtë t’i përgjigjet njeri për momentin. Nga ana tjetër, sistemi politik në Kosovë duket sikur është i mbipopulluar në krye duke na paraqitur një ekzekutiv me tri koka (Administratori i UNMIK-ut, Presidenti i Kosovës dhe Kryeministri). Me thjeshtësi mund të arrihet në përfundimin e gabuar se nuk ka nevojë pse të ketë një ekzekutiv me tri koka dhe roli i Rugovës mund të fshihet me kalimin e kohës. Nëse ky popullim i kreut ekzekutiv shihet në lidhje me atë që Neumann e konsideron si vazhdimësi të regjimeve politike moderne, posti i Presidentit të Kosovës dhe gjetja e formulës për të zëvendësuar atë bëhet shumë e rëndësishme. Po t’i shtojmë kësaj edhe faktin se institucionet e Kosovës nga të përkohshme pritet të bëhen të përhershme, çështja rritet edhe më tepër në rëndësi.



Zgjedhja e zëvendësuesit
Unë nuk jam në gjendje që të jap formulën që duhet zgjedhur për këtë proces shumë të rëndësishëm. Korniza kushtetuese e Kosovës nuk premton shumë në këtë drejtim. I mbetet vetë Rugovës, që me shpirtin e tij demokratik, të fillojë edhe procesin teknik e politik të gjetjes së zëvendësit të tij. Nga ana tjetër, ajo që meriton diskutim më të madh në thellimin e procesit demokratik në të gjitha trojet shqiptare është përpunimi i figurave që mund të konsiderohen “numër 2” dhe si më të mundshmit për të zëvendësuar udhëheqësit, qofshin ata politikë, apo partiakë. Nga ana tjetër, ndodh që “numri 2” të zgjedhë të mbetet i tillë. Sipas Neumann-it, regjimet moderne mbahen gjallë nga këta individë, të cilët i jap edhe lëvizjen e domosdoshme makinës politike. Në një sistem demokratik, numri 2 del nga një parti politike apo një formë e institucionit politik. Ky i jep gjallëri sistemit politik. Sipas Neumann-it, ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm me zhvillimet politike apo me sfidimin që i bëjnë pozicionit të udhëheqësit politik. Për këtë arsye “numrat 2” vijnë në këtë post sepse janë shumë besnikë kundrejt udhëheqësit dhe nuk shihen prej tij si sfidues të postit të tij. Personat e tillë, në fakt, largohen prej udhëheqësit kryesor. Që një sistem demokratik të gëzojë jetëgjatësinë nuk duhet vetëm një “numër 2”. Udhëheqësit i takon që të përgatisë një shumëllojshmëri të nënudhëheqësve për t’ia bërë apelin politik të besueshëm të gjithë grupeve në shoqëri. Zgjedhja mes këtyre nënudhëheqësve pastaj i takon vetë popullit e ai përdor mekanizmat e vëna në dispozicion për këtë qëllim, siç mund të jenë zgjedhjet për shembull.



Tipa e “numrit 2”
Në varësi të organizatës apo institucionit, i cili ka një lidership politik, vërehen disa tipa të “numrit 2”. Ata mund të jenë:
- Burokratik – Kjo është karakteristika më e zakonshme e “numrit 2”. Udhëheqësi ka nevojë për një individ që të drejtojë sistemin dhe partinë politike në rast se bëhet fjalë për këtë të fundit. Suksesi/dështimi varet nga aftësia e këtyre nënudhëheqësve për të drejtuar makinën politike të partisë dhe burokracinë e saj. Ata duhet të jenë njerëz të të cilët mund të mbështetesh dhe shpesh të panjohur, por patjetër burokratikë. Në partitë shqiptare, me përjashtime siç mund të jetë PSSH, zor se e ke të qartë cili është ky numër 2. Ata më së shumti veprojnë në hije dhe janë totalisht të panjohur.
- Në partitë politike shqiptare, “numri 2” duket të gëzojë më së shumti karakteristikën e dytë. Ata janë qehallarë - vegla kryesore me të cilin udhëheqësi ruan disiplinën e brendshme. Ata janë besnikë kundrejt udhëheqësit e vetë, janë tipa autoritarë kundrejt personave që kanë nën vete. Sipas Neumann-it, ata mund të bëhen edhe diktatorë.
- Karakteristika e tretë e tyre ka lidhje me demokracinë. Udhëheqës të caktuar politike apo partiakë i shohin “numrat 2” si të barabartë me veten dhe në staturën politike që ata gëzojnë. Në fakt, për të dalluar nëse një parti ka arritur një frymë të lartë demokratizimi, ky lloj barazitizmi politik del i rëndësishëm.
- Më së fundi, “numri 2” është edhe militant. Ata janë luftëtarë të përkushtuar për çështjet politike dhe e ngjallin këtë militantizëm edhe te të tjerët.
Në mbyllje duhet theksuar se Shqipëria është në procesin e fuqizimit të institucioneve. Rrokadat e pritshme politike si në partitë politike, ashtu edhe në institucionet qeverisëse, e bëjnë evidentimin dhe ekzaminimin politik të “numrit 2” që mund të kthehet në “numri 1” shumë të rëndësishëm. Shembulli i krizës së vogël politike në Kosovë duhet të na shërbejë për anashkalimin e situatave të tilla në Shqipëri dhe për të përsosur më tej shkallët e kalimit nga një post politik në tjetrin, qoftë ky partiak apo institucional.





-ABC nr.2
13.09.2005

www.abc.com.al
 
Top