TAP, 1 miliardë euro investime, 2000 të punësuar në Shqipëri

Ildri

Forumium maestatis
Albert Haak, drejtor i projektit të gazsjellësit TAP për Shqipërinë, shprehet se ky korridor gazi do ta sjellë atë edhe në Ballkanin Perëndimor, ku ndihet nevoja për këtë produkt energjetik me shumë përdorime.
“Këto zona për momentin nuk kanë rezerva gazi të disponueshme, prandaj mendohet që e ardhmja e këtyre zonave do të jetë gazifikimi. Gazi që do të vijë nga Azerbajxhani do të përdoret për të gjeneruar elektricitet dhe për përdorim shtëpiak”, thotë Haak.
TAP-i u zgjodh si rruga më e përshtatshme për transportimin e gazit drejt Italisë në Europë. Haak vlerëson se TAP është një projekt i rëndësishëm për rajonin, pasi krijon mundësinë që gazi të shkojë përveç Italisë, edhe në Ballkanin Perëndimor, në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni dhe drejt Kroacisë.
Projekti TAP do të sjellë gazin natyror nga kufiri greko-turk drejt Shqipërisë dhe Italisë, si një pjesë e një sistemi më të madh të gazit natyror nga rajoni Kaspik, nëpërmjet Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, Turqisë, Greqisë e Shqipërisë dhe më në fund del në Itali, në Europë.
Tubacioni TransAdriatik është rreth 800 km i gjatë, ku 200 km do të kalojnë në Shqipëri, duke hyrë në afërsi të Bilishtit, do të kalojë në veri të Korçës, do të zbresë sërish në jug, do të kalojë në disa zona malore dhe do të dalë në Çorovodë. Nga Çorovoda do të kalojë në Berat dhe do të dalë më tej në veri të Fierit ku tubacioni do të dalë nga territori shqiptar për t’u futur në det dhe do të rrugëtojë drejt Pulias në Itali.
Haak shpjegon se ka pasur rreth 11 alternativa për transportin e gazit nëpërmjet Shqipërisë. Përzgjedhja u arrit duke pasur parasysh që gjurma të ketë ndikimin më të vogël mbi popullsinë dhe mjedisin.
“Investimi i përgjithshëm në rastin e Shqipërisë do të jetë rreth 1 miliard euro. Për Shqipërinë do të ofrohen mundësi për investime”, shprehet Haak.
Sipas tij, do të ketë tre lloj përfitimesh për Shqipërinë: makroekonomike, të drejtpërdrejta, që janë më të vlefshme dhe indirekte. TAP do të paguajë taksa për qeverinë shqiptare për çdo aktivitet që do të kryejë, çka përbën përfitim.
“Me tranzitimin e gazit sigurohet taksa për këtë të ardhur, ndërsa zonat do të përfitojnë në punësimin e njerëzve që do të përfshihen në ndërtim dhe mirëmbajtje. Do të ketë shumë fuqi punëtore dhe ne do të përdorim kompani vendore, që duhet t’u përgjigjen standardeve. Në tërësi mund të punësohen 1.500-2.000 punonjës”, thotë Haak.
Duke vlerësuar se vetë Shqipëria do të bëhet një vend shumë i fuqishëm në botën e gazit dhe do të njihet si një partner, Haak shprehet se, “jemi në proces negociatash me qeverinë shqiptare për të përcaktuar masën e gazit që do të lëmë në Shqipëri. Për këtë duhet që Shqipëria të ketë një plan. Duhet të ekzistojnë kompani që ta marrin dhe ta përdorin këtë gaz që do të mbetet në Shqipëri”.
Lidhur me mundësinë e gazifikimit të Shqipërisë, Haak shpjegon se për këtë qëllim, qeveria duhet të ketë një plan, pasi vendi është i ndjeshëm ndaj furnizimit me energji elektrike, që prodhohet vetëm nga burimet ujore.
“Shqipëria aktualisht importon vëllime shumë të mëdha gazi dhe energjie dhe për to nevojiten mënyra të transportimit të gazit dhe në të ardhmen qeveria mund të fillojë me një projekt të tillë. Vetë TAP do të sjellë vëllimet e para të gazit në vitet 2018-2019 dhe Shqipëria mund t’i përdorë ato rreth vitit 2020 apo diçka më vonë. Qeveria dhe industritë duhet të bashkëpunojnë për të përgatitur deri në vitin 2020 sistemet që teknikisht mund ta marrin këtë gaz dhe ta përdorin”, tha Haak.
TAP e shikon Shqipërinë si vend mjaft të sigurt në aspektin e gjeo-politikës, ndaj edhe Haak shprehet se “vetë investimi i projektit do t’u tregojë edhe sipërmarrësve të tjerë që është e sigurt për të investuar në Shqipëri”.
TAP do të duhet të hyjë në bisedime me rreth 7 mijë pronarë tokash në Shqipëri dhe 13 mijë në Greqi. “Një pjesë e madhe e tokës që përshkojmë është në pronësi të qeverisë. Ne do të diskutojmë me të gjitha palët”, përfundon Haak.
Për momentin, kontinenti europian ka një korridor nga Rusia, një nga Norvegjia dhe një nga Afrika, të cilët përfundojnë të gjithë në Europë duke sjellë gazin.
 
Top