Ta zotërosh politikën

Albforumi

Primus registratum
Ta zotërosh politikën

Ta zotërosh politikën

Ermira Danaj

Prej më shumë se një viti në Parlamentin Shqiptar kemi dy herë më shumë gra deputete se sa në legjislaturën e mëparshme, ose le të themi që ka më shumë gra në Parlament që prej vitit 1990. Dhe kjo është gjë e mirë, në fakt. Nëse mendojmë se në legjislaturën e vitit 1991-1992 shkalla e pjesëmarrjes ishte vetëm 4 për qind, atëherë shkalla e sotme e pjesëmarrjes që është 15 për qind do të mund të konsiderohej vërtet si një hap i madh përpara. Dhe jo vetëm ky nivel i shprehur në përqindje do të mund të konsiderohej pozitiv, por në fund të fundit edhe fakti që u miratua Ligji për Barazinë Gjinore në Shoqëri dhe që ky ligj u mbrojt nga një numër i konsiderueshëm organizatash jo-fitimprurëse, kjo përsëri është pozitive. Dhe ja ku jemi pra, një vit më pas, një vit me më shumë gra në politikë. Çfarë do të mund të kishin bërë për një vit këto gra në politikë? Nuk mendoj se do të kishin bërë shumë, ose aq shumë sa shumica e tyre pretendonte para zgjedhjeve. Dhe nëse marr vetëm një shembull, atë më  fyesin për një grua, brishtësinë e pretenduar të grave, as këtë nuk ia arritën dot ta sillnin në politikë, sepse ishin pikërisht këto gra në politikë që u përdorën për ti hedhur akoma dhe më shumë zjarr luftës politike të bazuar vetëm te mbrojtja e individit kryetar, dhe jo të mbrojtjes së parimeve të njërës apo tjetrës palë. Pra, dhe ajo që gratë politikane pretenduan se do sillnin në politikë, brishtësia dhe butësia, pa e kuptuar se çfarë rol prej skllaveje po merrnin, nuk ia dolën dot që ta bënin. E jo më të analizojmë nëse bënë ndonjë gjë për gratë dhe vajzat shqiptare, që gjoja pretenduan se do përfaqësonin, apo ndonjë gjë tjetër për shoqërinë në përgjithësi. Në fakt nuk kishin se si të bënin diçka, për sa kohë që para se të futeshin në parlament apo në politikë, ato u futën në një kurth të tmerrshëm mbi legjitimimin e të drejtës së tyre për të marrë pjesë në politikë. Nëse do të kujtonim shkurtimisht fushatën parazgjedhore, kur bëhej fjalë për pjesëmarrjen e grave në politikë, të gjithë bashkë, si burra si gra, diskutonin nëse gratë e meritonin apo jo të futeshin në politikë, cilat ishin aftësitë e tyre, se si do e justifikonin këtë nder të madh që po u bënin burrat etj. etj. Ndërkohë që kjo pjesëmarrje as që duhej të vihej në diskutim, e aq më tepër si dhuratë apo nder, sepse është veçse një e drejtë e tyre ashtu si dhe e burrave. Siç thotë Pier Burdjë me konceptin e tij të dhunës simbolike, shpesh herë viktimat e shtypjes dhe dominimit mashkullor, aq shumë e kanë brendësuar rolin e tyre, sa vazhdojnë të veprojnë nga ky pozicion prej skllaveje, dhe shërbejnë në riprodhimin e këtij dominimi. Gjatë gjithë kohës, për fat të keq, shumica politike foli vetëm për përfaqësim, duke pretenduar se rritja e numrit të grave në politikë, pra rritja e përfaqësimit të grave në politikë, do të bënte që të flitej më shumë për problemet kryesore nga të cilat vuajnë gratë dhe vajzat, do të mbroheshin më shumë të drejtat e tyre, do të flitej më shumë për të miturit që punojnë, për papunësinë e grave, për dhunën në familje etj. etj. Por mesa duket, pikërisht këtu qëndron gabimi, që për sa kohë flasim vetëm për përfaqësim, mbetemi absolutisht në terma sipërfaqësorë, ose më mirë në të njëjtët terma përfaqësimi politik të bazuar vetëm në interesa dhe jo në përfaqësim të qytetarëve. Duke iu referuar Naomi Klein, duhet të flasim për zotërim dhe jo për përfaqësim, që në kontekstin tonë do të thotë që një grua apo një burrë në politikë ta zotërojë politikën, të zotërojë disa parime që ajo/ai i mbështet dhe i mbron, dhe çështë më e rëndësishmja të zotërojë identitetin e tij/saj politik dhe të mos ia dijë askujt për nder për dhuratën që i ka bërë duke e futur në politikë. Fatkeqësisht ky zotërim i politikës nuk ekziston për shumicën dërrmuese të grave dhe burrave në politikë. Por le të fokusohemi vetëm te gratë në politikë, të cilat, siç e thamë më sipër, para se të futeshin në politikë, u vendosën jo në pozita zotërimi, por në pozita dhurimi dhe nderi, duke harruar të bënin atë që në fakt do të ishte më e rëndësishmja, të përfaqësonin të drejtat e grave dhe vajzave, dhe të luftonin kundër shfrytëzimit të tyre. Kjo gjë bëhet në fakt veç më 8 mars, madje dhe në atë ditë bëhet nëpërmjet formave mondane, sidomos nëse jemi në prag fushate (siç do ta vërtetojmë më së miri në 8 marsin e ardhshëm me drekën elektorale të radhës).

Fatkeqësisht përfaqësimi është kthyer vetëm në një përmbushje numrash dhe detyrimesh, duke harruar se ky përfaqësim përveç termit dhe përmbushjes së numrit duhet të shoqërohet edhe me veprimin. Do të më duhej ti jepja të drejtë studiueses Lindesj Xhërmën, e cila përdor termin token woman, që do të mund ta përkthenim në shqip si një përfaqësim sipërfaqësor, sa për të përmbushur ca vende bosh të detyrueshme, të cilat në fund të fundit siç u pa në Shqipëri, u mbushën nga burrat në krye të partive. Dhe paradoksi më i madh  është se triumfi i retorikës së feminizmit zuri vend pikërisht në të njëjtën kohë kur kushtet aktuale të jetës së grave janë përkeqësuar. Kjo shprehje do të shkonte shumë mirë për të pasqyruar edhe situatën në Shqipëri, ku edhe pse filloi një lëvizje feministe pas viteve 90, gjendja e grave dhe vajzave duket sikur është kthyer shumë vite pas, duke vuajtur dominimin ekonomik, duke vuajtur dhunën që po kthehet në sistematike, duke vuajtur përdorimin politik etj. Paradoksi në Shqipëri sot është se kuadri ligjor, mirë a keq, me hir a me pahir, është në vend dhe të jep mundësitë e veprimit, ndërsa gjendja reale nuk e pasqyron këtë ombrellë ligjore apo institucionale. Siç rezultoi edhe me zbatimin e kuotave, pavarësisht se ligji i miratuar në Parlament i krijoi të gjitha mundësitë për një zbatim shumë më të mirë,  totalitarizmi mashkullor i politikës i dha vetes elementin për të shpëtuar nga detyrimi i 30 përqindëshit, duke gjetur  lidhëzën ose në kodin elektoral. Nëpërmjet kësaj fjale, partive iu dha e drejta që ta zbatonin 30 për qind, por thjesht sa për të kryer një detyrim, dhe shumica e grave u vendosën në fund të listës, pikërisht aty ku nuk do të fitonin asgjë.

Duke u kthyer edhe njëherë te përfaqësimi i grave në politikë, eksperienca njëvjeçare në fakt tregoi se nuk mund të flasim për përfaqësim, sepse për një vit rresht u abuzua me imazhin e gruas në politikë, u përdor imazhi i gruas në politikë, madje disa prej grave aktuale në politikë shkuan deri aty sa e keqpërdorën çështjen e dhunës në familje në mënyrën më cinike, vetëm për luftën e ngushtë partiake, dhe po vazhdojnë të përdorin çështje të tjera vetëm për këtë luftë. Politika shqiptare ka treguar më së miri se në vend që të luftojë, ka riprodhuar më së miri dominimin mashkullor, që ndodh në të gjitha vendet dhe sferat e shoqërisë, duke vazhduar të jetë patriarkale dhe patronaliste. Mesa duket në Shqipëri ka ardhur koha për të rifilluar ridimensionimin e lëvizjes feministe, duke mos e përqendruar atë vetëm në terma përfaqësimi, sepse kështu do të arrinim shumë pak ose asgjë për të drejtat e grave dhe vajzave shqiptare, por duke folur më së shumti për problemet strukturore të shoqërisë dhe faktorët ideologjikë, nëse do i referohesha Nina Pauerit. Kjo do të thoshte që më së pakti deklaratat për shtyp të mos bëheshin për të riprodhuar strukturën patriarkale dhe patronaliste të politikës aktuale, por për të denoncuar dhunën ndaj grave dhe vajzave shqiptare, shfrytëzimin e tyre, papunësinë e grave dhe vajzave, izolimin e tyre social dhe ekonomik, të drejtat e tyre, edukimin e tyre etj. etj.

Shpërndaje.

Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://saktivista.com/?p=1449

Top