Të Blertët: S’do ta njohim privatizimin e Albtelekomit

Majli

Primus registratum
Të Blertët: S’do ta njohim privatizimin e Albtelekomit

Kryetarja e Lidhjes së Blertë, Brixhida Kokëdhima, tha dje se qeveria nuk duhet të bëjë sehir oligopolin e celularëve

Të Blertët: S’do ta njohim privatizimin e Albtelekomit


Lindita Çela

TIRANË - Të Blertët nuk do ta njohin privatizimin e Albtelekomit. Përgjatë një konference për shtyp, kryetarja e kësaj partie, Brixhida Kokëdhima, deklaroi se forca politike që ajo përfaqëson nuk do ta quajë si të ligjshme privatizimin e Albtelekomit. “Lidhja e Blertë Shqiptare vlerëson se këmbëngulja e qeverisë për të shitur pasuri të rëndësishme dhe strategjike të vendit në orët e fundit të mandatit të saj, pa transparencë dhe pa konkurrencë të ndershme, është sa e dëmshme, aq edhe e dënueshme”,- tha dje Kokëdhima. Përfaqësuesit e Lidhjes së Blertë në të gjitha nivelet e institucioneve të shtetit shqiptar, përfshirë dhe Parlamentin, menjëherë pas zgjedhjeve do të kërkojnë anulimin e kontratës së shitjes së kësaj kompanie të rëndësishme që përbën një prej pasurive kryesore publike në Shqipëri.
Lidhja e Blertë Shqiptare u shpreh dje se ky veprim, përveç të tjerash, i zgjat jetën oligopolit të telefonisë mobil në Shqipëri, e cila, sipas të Blertëve, aplikon tarifat më të shtrenjta që ekzistojnë sot në tregun e telefonisë celulare në botë.
Lidhja e Blertë dhe deputetët e saj të ardhshëm do të ndërmarrin iniciativat e duhura politike e ligjore për të bërë të mundur kontrollin e çmimeve të oligopolit të telefonisë celulare nga ana e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë.
“Parlamenti dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë nuk mund të qëndrojnë indiferentë e të bëjnë sehir, kur shohin se kostot e komunikimit voice, (të zëshëm) në Shqipëri janë 4-5-fish më të larta se ato që aplikohen në vende të tjera të Evropës, pavarësisht nga niveli shumë i ulët i të ardhurave që kanë qytetarët shqiptarë e veçanërisht të rinjtë, që janë konsumatorët kryesorë të këtyre shërbimeve”,- tha Kokëdhima. Po gjatë konferencës së djeshme për shtyp kryetarja e Lidhjes së Blertë Shqiptare deklaroi se një problem tjetër që shqetëson këtë forcë politike është ndotja e panevojshme elektromagnetike, si dhe keqpërdorja e resurseve të tilla të kufizuara kombëtare, që kanë të bëjnë me brezat e frekuencave që shfrytëzohen nga tregu i telekomunikacioneve.
“Shumë operatorë kanë bllokuar në mënyrë të paligjshme dhe pa pagesë, frekuenca që do t’u shërbenin operatorëve të tjerë të tregut. Një situatë e keqe është krijuar edhe nga përdorimi i transmetuesve televizivë dhe radiofonikë me fuqi shumë të madhe, ose me teknologji të ulët e të vjetëruar, të cilët krijojnë probleme të mprehta mjedisore, dëmtojnë padrejtësisht njëri-tjetrin dhe kufizojnë këto burime të rëndësishme për zhvillimin e tregut të telekomunikacionit e atë të mediave elektronike”, - tha kryetarja e të Blertëve.
Lidhja e Blertë do të kërkojë e insiston në përmirësimin e standardeve në rregullimin ligjor dhe në rritjen e përgjegjësisë të institucioneve të shtetit për të përmirësuar rrënjësisht këtë situatë të vështirë në Shqipëri.
“Ne veçanërisht kërkojmë ndërmarrjen e operacioneve teknike dhe akteve ligjore që do të bëjnë të mundur testimin e intensitetit të fushës elektromagnetike së nyjeve të rrjetit të telefonisë mobil, me qëllim që ky intensitet të jetë brenda standardeve më të mira ndërkombëtare”, - deklaroi dje Brixhida Kokëdhima.


13/05/2005
KATEGORIA: Politike
 
Top