Re: Stop Dhunes ndaj ARTIT - Non Stop Marubi Fest
disa materiale dhe deklarata qe kane dale nga perfaqesuesit e Akademise Marubi qe prej dates 21 shkurt 2009:
Tiranë, më 21 Shkurt 2009/ ora 13.00
Akt terrorist ndaj Akademisë së Filmit dhe Multimedias “MARUBI”
Kujtim Çashku – Rektor i Akademisë së Filmit & Multimedias “Marubi”
Më lejoni t,i bëj me dije opinionit publik aktin terrorist që po ndërmerret ndaj Akademisë së parë të Filmit dhe Multimedias në vendin tonë.
Në bazë të një vendimi qeverie nr. 1445 dt. 29 .10.2008, urdhërohem që të liroj ambjentet e shkollës brenda orës 13.00 të dt. 21.2.09 .
E konsideroj këtë VKM si akt terrorist që vret kulturën dhe arsimin në Shqipëri dhe që bie ndesh më politikat dhe strategjinë e integrimin perëndimor të saj.
Si regjisor, në vitet ‘90, duke ndjerë shkatërrimin e Kinostudios dhe ndërprerjen e formimit të gjeneratave të reja, në Janar të 2001, mora insiativën e hapjes së shkollës së parë të filmit në atë mjedis ku denjësisht i takonte që të ngrihej.
Në vitin ’97, nën kërcënimin e plumbave dhe marrëzisë politike, unë nuk ruajta shtëpinë time, por Arkivin e Filmit në Kinostudio, duke qenë i vetëdijshëm për vlerat e mëdha kombëtare që mbart, si edhe duke shmangur kështu tragjedinë e Institutit të Lartë Bujqësor apo të djegjes së gjithë Shqipërisë.
Për hapjen e shkollës “MARUBI”, m’u desh të luftoja 4 vjet me qeverinë e atëhershme.
Më pas me insistimin personal, mbështetjen e kinestëve vendas dhe të huaj, si dhe në bashkëveprim me Qeveritë Perëndimore, arritëm të gjithë së bashku që më 4 Tetor 2004, të hapnim Akademinë e parë të Filmit dhe Multimedias “Marubi” në vendin tonë.
Sot, kjo akademi është akredituar nga shteti Shqiptar, dhe është bërë anëtare me të drejta të plota e CILECT, GEECT dhe SEEC (organizma ndërkombëtar të akdemive më të njohura të botës së Filmit dhe TV).
AFMM, u hap me VKM Nr. 652 dt. 30.09.2004 dhe me VKM, Nr. 74 dt. 4.02.2005, iu dhanë si fillim nga qeveria, në përdorim për 10 vjet pa shpërblim një sipërfaqe prej 200 m2 në Kinostudio.
Kjo sipërfaqe shërbeu si fillesë e hapjes së shkollës “Marubi” dhe rikonstruktimit të plotë të godinës së shkatërruar dhe mjedisit funksional përreth saj.
Që në atë kohë ne i kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme qeverisë legjitimimin e plotë të hapësirës ku na u lejua të bënim investimet tona.
Ne nuk kemi kërkuar kurrë të drejta pronësie mbi pronën publike, por kërkuam thjesht administrimin dhe ruajtjen e saj në mënyrë që askush të mos i ndërronte destinacionin si të godinës, ashtu dhe të sipërfaqes funksionale të saj.
I kërkuam qeverisë një shtesë VKM-je mbi VKM-në ekzistuese, sepse sipas Ligjit për Arsimin të Lartë, në 200 m2 është e pamundur të zbatohet programi akademik.
Nga viti 2004 deri më sot, kemi pritur një zgjidhje të arësyeshme të qeverisë Berisha.
Në AFMM, Orafilm së bashku me qeveritë perëndimore kanë investuar mbi gjysmë million Euro, duke krijuar një institucion krejtësisht të pavarur dhe tërësisht perëndimor.
Për fat të keq, kërkesave tona të vazhdueshme nuk iu dha asnjë zgjidhje, por nisi një gjueti shtrigash e paparë dhe një status terrori antikulturor permanent.
Çdo ditë na dërgoheshin urdhra të fshehtë vartësisht karrieristë, të cilët, siç ndodh në sistemet represive totalitare, u serviloseshin verbërisht eprorëve dhe bëheshin prepotentë me vartësit.
Shantazhi e terrori ndaj Marubit buronte nga leximi i kumtit Orwellian të bigbrother-it, i cili di të administrojë pengun makiavelik të fajit korruptiv ose fajit të shkuarës.
Ky funksionim rrënues e kriminal i administratës së shtetit shemb çdo vlere morale e princip demokratik e perëndimor të shoqërisë shqiptare dhe e zhyt atë në një terr e mjerim shkatërrues ku ligji, prona dhe e drejta përcaktohen nga një bandë politike dhe krimi i organizuar.
Jam i detyruar të vë në dijeni opinionin publik, se shantazhi ndaj shkollës Marubi ka buruar e buron nga vizioni antikulturor dhe vullneti i mbrapshtë politik i qeverisë.
Sugjerimet që kam bërë për shpalljen e Kinostudios “Qytet e Arti” dhe aplikimi i politikave policentriste kanë rënë në vesh të shurdhër dhe prona publike në Kinostudios prej 59.000 m2 ka qëndruar për 17 vjet rrjesht në mëshirë të fatit duke dëmtuar rëndë interesat publike.
Sugjerimet që kam bërë për shpalljen e Shqipërisë “Zonë të Lirë” për kulturën dhe artin në tërësi si dhe çlirimin e tyre nga taksat fiskale e doganore (si në rastin e Irlandës), duke mos kuptuar se kultura dhe arti ndikon në ekonomi, janë refuzuar krejtësisht.
Aplikimi i një politike strategjike <Public-Private-Partners>, në veçanti për kulturën dhe shkollat artistike me karakter prodhues jo-fitimprurës, po kështu nuk kanë gjetur kurrfarë mbështetjeje nga politika Shqiptare.
Arti dhe kultura është imazhi i një vendi dhe komponent qëndror në integrimin euro-atlantik të tij. Në fakt ne jemi mësuar të flasim shpesh për harta militare, gjeografike apo ekonomike duke mos konsideruar se harta kulturore është harta më e rëndësishme e botës sepse ajo përmbledh të gjitha llojet e hartave.
Pa një vision e strategji të tillë gjithpërfshirëse, sigurisht që çdo poltikë e shtet degradon në dhunë e represion duke e konsideruar veten qendër të botës.
Shantazhi ndaj shkollës “Marubi” buron nga kjo mendësi, e cila si fenomen, të kujton sjelljen talebaneske ndaj kulturës dhe vlerave të një shoqërie.
Në AFMM studjojnë rreth +/-30 studentë, të cilët prodhojnë gjatë 1 viti akademik afro 20 orë filma të metrazhit të shkurtër, të cilët u jepen falas televisioneve shqiptare. Këta filma janë paraqitur e vlerësuar me çmime nëpër botë. Për realizimin e këtyre filmave, AFMM vë në dispozicion të studentëve një infrastrukture mjaft të shtrenjtë profesionale.
Nga të ardhurat e studentëve dhe karakteri prodhues që ka shkolla, ne nuk kemi mundësi praktike të paguajmë qeranë që na kërkohet nga Qeveria, duke na cilësuar thjesht si subjekt tregtar.
Një pjesë të të ardhurave të AFMM-së, ne i investojmë në shkollë dhe pjesën tjetër e japim në formë bursash falas për studentë të talentuar, por me kushte të kufizuara ekonomike.
Presioni verbër dhe jo i arsyeshëm, për pagesë qeraje, shantazhi i përditshëm dhe arroganca e fantazmës Albafilm, pra përdorimi i arsenalit të dhunës nga administrata kulturore ka dëmtuar rëndë prestigjin e AFMM-s duke u kthyer në një mjet terrorizues për mbylljen e saj.
Zotëri qeveritarë ju doni të prishni një gjë që eshtë ndërtuar kur ende sot në Kinostudio janë mbi 60 % e sipërfaqeve dhe objekteve të abandonuara të vjedhura e shkatërruara me qëllimin e vetëm për të shuar çdo gjurmë historike që lidhet me identitet kulturor e kombëtar.
Ju zotëri, të pushtuar nga një urrejtje patologjike, po bëni objekt sulmi Akademinë e Filmit “Marubi” dhe jo pafundësinë e garazheve lavazheve, dhe godinave të dyllosura.
Unë kam 35 vjet që shkel çdo ditë në Kinostudio, atje është jeta dhe karriera ime si kineast bashkë me opusin e filmave që unë dhe kolegët e mij kemi realizuar.
Këto filma janë pjesë e fondit publik të kulturës sonë kombëtare.
Sigurisht për politika obskurantiste ky kineast është krejt i parëndësishëm për aq kohë sa nuk ka asnjë lidhje interesi me biznes-media-politikën.
Qeveria po kërkon të blejë një nga kanalet më indipendent e filoperëndimor, Top Channel, duke i dhënë qëllimisht një objekt ku janë bërë prej pesë vjetësh investimet e AFMM dhe Qeverive Perëndimore, duke futur kështu politikën e përçarjes mes kolegësh e institucionesh që kanë të njëjtin mision të emancipimit perëndimor të shoqërisë Shqiptare.
Unë nuk kam kërkuar pronë, kam kërkuar që Kinostudio të ruajë identitetin e vet si një institucion me histori kinematografike, e rëndësi Kombëtare.
Në Kinostudio ne jemi një grup profesorësh kineastë që kemi lidhur jetën me kinematografinë dhe ashtu duam t’a përfundojmë.
Ne duam që brezat që do vijnë pas 1952 të numërojnë dhe vitin 2052 siç bëjnë kombe të kulturuara në botë dhe jo të shkatërrojmë historinë e të presim e djegin ullinjtë qindra vjeçarë, nuk betonizojmë gjelbërimin, nuk shëmbim por ndërtojmë salla kinemaje shkolla e kinoteatro.
Në AFMM, janë investuar mbi gjysmë million Euro, pa llogaritur këtu asetet intelektuale dhe provisionet reale të AFMM-s.
Nga shtetit Shqiptar, AFMM nuk ka marrë asnjë qindarkë, përveçse në përdorim godinën e rrënuar dhe mjedisin e shkatërruar.
Investimet janë kryer dhe nga Orafilm, shteti Gjerman, Frances, Zvicerian, vende të tjera Europiane dhe USA, të cilët kanë krijuan bazën materiale dhe infrastrukturën pedagogjike të AFMM-s.
Tashmë unë dëshiroj t’i drejtohem botës intelektuale Shqiptare si pjesë e ndërgjegjes qytetare kombëtare, që të solidarizohet me këtë akuzë ndaj antikulturës për të na shërbyer si një betejë përplasjesh kulture e civilizimi duke shmangur rrezikun taleban që sot na kanoset.
Ne jemi vënd i vogël, i cili kemi patur fatin e keq, se ata që janë konsideruar të mëdhenjtë tanë dhe që kanë marrë përsipër të na udhëheqin në vite, kanë qënë vërtetë njerëz të vegjël e me visione mjerane kombëtare.
Koha e tyre po mbaron dhe ne sot jemi prova e grahmave të tyre të fundit!