Re: Sistemi ligjor edhe ai tatimor nuk ofron kurrfare avantazhi per investitoret e huaj
Koment
Taksa më të thjeshta, bazë më e gjerë, norma më të ulëta
Integrimi ekonomik i Shqipërisë në Europë mund të ketë sukses vetëm nëse klima e biznesit në përgjithësi është mjaftueshëm ftuese për ato kompani që zgjedhin Shqipërinë si vend për të investuar
Nga Jan-Peter Olters* / Data (11-11-2003)
Një nga dy debatet më të forta që ka bërë jehonë në shtypin shqiptar së fundi ka qenë politika e taksave. Më një zë të unifikuar, komuniteti i biznesit vendas ka kërkuar të përfshijë në paketën fiskale të 2004 diferencimin e normave për disa taksa, duke argumentuar se këto nevojiteshin për të rritur prodhimin vendas dhe për të ngushtuar deficitin e madh të llogarisë korente. Pra, është më se e drejtë të ketë një diskutim mbi dëshirën për të pasur norma të diferencuara taksash në kontekstin e këtyre synimeve. Është e qartë se që një proces tranzicioni ekonomik të jetë i suksesshëm, kompanitë që veprojnë në Shqipëri duhet të jenë të afta të konkurrojnë me ato të vendeve fqinje.
Integrimi ekonomik i Shqipërisë në Europë mund të ketë sukses vetëm nëse klima e biznesit në përgjithësi është mjaftueshëm ftuese për ato kompani që zgjedhin Shqipërinë si vend për të investuar. Këtë ato do ta bëjnë vetëm nëse: (1) sistemi tatimor është tërheqës, (2) infrastruktura është e përshtatshme dhe (3) mjedisi i përgjithshëm është i atillë që punonjësit (e kualifikuar) do të preferonin të punonin. Taksat janë një nga shumë faktorët që ndikojnë për të bindur firmat për të kryer investime afatgjata. Të tjerë faktorë janë: stabiliteti politik dhe makroekonomik, siguria e ligjit, cilësia e infrastrukturës publike po ashtu si edhe aspekte të cilësisë së jetës që ndihmojnë firmat për të tërhequr dhe për të mbajtur punëtorë të kualifikuar. Megjithatë, regjimi i taksave mbetet elementi kyç që mbështet klimën e biznesit. Siç është treguar në një studim të fundit mbi barrierat kryesore për investimet në Shqipëri, arbitrariteti në zbatimin e ligjeve të taksave dhe doganave, dhe jo normat e taksave, mbeten pengesa më e rëndësishme për të tërhequr bizneset. Procedurat e tejzgjatura dhe të komplikuara që kërkohen për të marrë leje dhe liçenca, proceset kryesisht jofunksionale të ankimimit si për taksat dhe doganat, zbatimi jokonsekuent i ligjeve ekzistuese të taksave, mosfinalizimi edhe i proceseve të përsëritura të kontrolleve, procedura të gabuara të rimbursimit të TVSH-së dhe paradhënie të paqarta për tatimin mbi fitimin i amplifikojnë shqetësimet e ngritura nga çështjet e pazgjidhura të pronësisë së tokës, shërbimet e brishta të elektricitetit dhe të telekomunikacionit, standarde të paqarta të arsimit dhe të shëndetësisë, një infrastrukturë publike gjerësisht e neglizhuar, kufizimet në kapacitetet e institucioneve publike, përfshirë këtu edhe sistemin gjyqësor. Për të bërë të mundur përmirësimin e mjedisit ekonomik, ligjor dhe të infrastrukturës në një nivel të pranueshëm për firmat që operojnë në Shqipëri, qeveria duhet të zbatojë projekte investimesh publike që kërkojnë një bazë të sigurt të ardhurash.
Por për këtë qeveria dhe bizneset duhet të bashkëpunojnë ngushtë për të bërë të mundur përmirësimet në përdorimin e efektshëm të fondeve publike ekzistuese, në pagesën e taksave, si dhe në mobilizimin e drejtë dhe jodiskriminues të burimeve publike. Në një periudhë afatmesme, politikat që përmirësojnë njëkohësisht dhe në mënyrë të prekshme edhe qeverisjen edhe vullnetin për të grumbulluar të ardhura do të mbeten në qendër të çdo strategjie zhvillimi të Shqipërisë. Për arsye barazie dhe eficense nuk është e pranueshme që e gjithë barra fiskale të mbetet vetëm në kurrizin e ndërmarrjeve dhe familjeve që sot përbëjnë sektorin formal.
Forcimi i mbledhjes së të ardhurave nuk do të thotë taksa më të larta për ato firma që i paguajnë detyrimet e tyre. Zgjerimi i bazës së taksave do ta lejojë qeverinë që gradualisht të ulë normat e disa taksave të rëndësishme, duke lehtësuar kështu barrën e taksave për sektorin formal. Duke parë përqindjen e ulët të mbledhjes së taksave në krahasim me rajonin, çka tregon për shkallën e gjerë të evazionit, qeveria me mbështetjen aktive të sektorit privat formal duhet të gjejë mënyra për të mbyllur shtigjet ekzistuese në legjislacionin tatimor dhe të sigurojë që të gjitha firmat dhe bizneset, përfshirë edhe ato që kanë lidhje të ngushta me politikën, t’i paguajnë të gjitha taksat në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Eksperiencat e vendeve të tjera në zhvillim dhe në tranzicion kanë treguar se një një situatë ku një sektor i ngushtë formal financon pjesën më të madhe të aktivitetit të qeverisë, ekonomia priret të mbetet në stanjacion, edhe për shkak se bizneset formale janë të detyruara të konkurrojnë me një sektor informal në rritje që është “de facto” i përjashtuar nga taksat.
Çfarë do të thotë kjo në termat e normave të taksave dhe diferencimit të tyre? Kjo do të thotë se objektivi kryesor i politikës së taksave duhet të jetë norma taksash të arsyeshme që aplikohen në mënyrë uniforme mbi një bazë të gjerë. Shtrirja e bazës së taksës në sektorin informal të ekonomisë do të jetë e vështirë dhe një rezistencë e konsiderueshme është e pritshme. Në pikëvështrimin tonë është në interesin e bizneseve që paguajnë taksa që autoritetet e taksave dhe doganave, me burimet financiare dhe njerëzore që kanë në dispozicion të zbatojnë më me efektivitet ligjet ekzistuese dhe të penalizojnë ato firma që kanë fshehur fitimet apo ekzistencën e tyre. Prandaj është shumë e rëndësishme që çdo ndryshim i politikës së taksave të bëhet në një mënyrë të tillë që i mundëson qeverisë të zgjerojë bazën e taksave dhe të krijojë hapësirë për norma më të ulëta taksash.
Në vetvete, argumentet për të përjashtuar disa sektorë në dukje të disavantazhuar, shpesh duket sikur bëjnë sens dhe janë të vështirë për t’u kundërshtuar, por vetëm në një mënyrë sipërfaqësore dhe dritëshkurtër. Sa më e dobët të jetë një administratë tatimore, aq më e këshillueshme është që të evitohen ato masa që shpesh janë politikisht popullore, por që minojnë edhe më tej funksionimin e administratës publike dhe i vështirësojnë detyrat e drejtorive të grumbullimit të të ardhurave, për të zbatuar ligjet ekzistuese në mënyrë uniforme, për të siguruar të ardhura për buxhetin dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me taksapaguesit.
Përjashtime të tjera nga taksat dhe normat e diferencuara nënkuptojnë që së pari projektet e rëndësishme të kompjuterizimit do të ndalojnë, pasi programet e departamentit të taksave duhet të marrin në konsideratë kritere që i përcaktojnë normat e taksave sipas mallrave, llojit, madhësisë, vendndodhjes apo firmës; së dyti, një numër i madh inspektorësh tatimorë duhet të caktohen për të vlerësuar nëse deklarimet e atyre bizneseve që pretendojnë të përfitojnë nga këto përjashtime apo norma preferenciale janë vërtet të justifikuara dhe së treti, firmave private do t’u duhet të largojnë më shumë burime nga aktiviteti i tyre primar në mënyrë që të menaxhojnë marrëdhëniet me autoritetet e taksave (përshirë këtu edhe procesin e ankimimit).
Në terma të mirëqenies ekonomike, këto komplikime shtesë përbëjnë një humbje neto, që duhet vënë në peshore përkundrejt efekteve të mundshme nxitëse të ligjeve të propozuara të taksave. Nëse do të aprovoheshin vërtet, ne druhemi se këto ndryshime do të rrezikonin ta përshpejtonin rrethin vicioz drejt një sektori informal edhe më të madh dhe do të çonin drejt një shtrembërimi të mëtejshëm të konkurrencës mes firmave të të njëjtit sektor. Ky nuk është një pozicion shumë popullor, pasi përfitimet nga përjashtimi (i pjesshëm) nga taksat janë të menjëhershme, të sigurta dhe “private”, ndërsa kostot e të vepruarit në këtë mënyrë kanë një natyrë “publike” që bie mbi shumë njerëz. Sa më efektiv të jetë programi i zgjerimit të bazës së taksueshme, aq më e shpejtë do të jetë prirja për të ulur normat e taksave. Në paketën fiskale të 2004 ne shohim hapa në këtë drejtim në normat e taksave doganore dhe këto nuk do të jenë të fundit. Përgjegjësia për progres të mëtejshëm drejt një shkalle më të lartë të barazisë së taksave dhe pagesës së tyre u takon të gjithë aktorëve në po atë masë që i takon të ndajnë përfitimet nga operimi në një ekonomi moderne europiane.
Autori është përfaqësuesi i përhershëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri
www.biznesi.com.al