alinos
Forumium maestatis
Shqiptaret mes pasqyrash
Botuar te Gazeta "Bota Shqiptare", Rome, Itali.
Shqiptarët mes pasqyrash
- identiteti, emigrantët, Nënë Tereza -
1. Dialog shurdhmemec
Shqiptarët që lanë atdheun pas rënies së diktaturës nuk mund ta përfytyronin që vendet ku po shkonin nuk përbënin vetëm një ëndërr të dëshiruar, por edhe një pasqyrë të pashmangshme, ku shumë shpejt do ta shihnin vetveten. Shqipëria e viteve totalitare ishte (vetë)izoluar dhe (vetë)harruar brenda kufijve të saj (politikë e kulturorë) të hiperkontrolluar. Parë nga jashtë, Shqipëria dhe shqiptaria dukeshin si të mbështjella me një vello të mistershme, që mbante larg opinionin publik ndërkombëtar, megjithëse duhet thënë se ky i fundit nuk dukej i predispozuar për ta njohur. Pavarësisht se misteri ngjall kureshtje, niveli i njohjes së Shqipërisë në botë mbeti i mangët, sepse kontaktet me vendet e tjera ishin jo vetëm të reduktuara, por edhe skajësisht të kontrolluara. Nga ana tjetër, në ato pak raste komunikimi që krijoheshin, regjimi përpiqej t’i tregonte botës kryesisht anën ideologjike të vendit, çka i errësonte dhe i nënvleftësonte të gjitha aspektet e tjera të identitetit shqiptar.
Të rritur në një mjedis kulturor të mbyllur, etnocentrik e homogjen(izues), shqiptarët e periudhës totalitare paraqiteshin me një identitet thelbësisht të cunguar. Çdo bashkësi (komunitet) vepron dyfish nga pikëpamja e identitetit: në drejtim të anëtarëve të vet dhe në drejtim të bashkësive të tjera. Të dyja këto dimensione përbrendësohen në mënyrë graduale e “të natyrshme” nga çdo individ. Në Shqipërinë e diktaturës bashkësia i ofronte individit një identitet të fortë e të përcaktuar mirë. Nga një anë ky identitet “çeliku” i jepte individit një farë sigurie, por nga ana tjetër e ndrydhte atë, sepse e detyronte të respektonte strukturat e tij të ngurta e të mbyllura. Fakti që shqiptarët nuk kishin mundësi të ballafaqoheshin lirisht me individë të bashkësive të tjera e bënte të çalë identitetin e tyre, sepse dialogu është conditio sine qua non për çdo identitet, individual a kolektiv qoftë. Në një farë mënyre identiteti shqiptar u modelua në vetmi, ose më saktë me një dialog artificial e të ndërmjetësuar. Shqiptarët nuk mund t’i takonin personalisht qytetarët e vendeve të tjera, e megjithatë “e dinin” se çfarë mendonin të huajt për Shqipërinë, sepse këtë ua thoshte regjimi, i cili filtronte, shpikte e manipulonte të gjitha mesazhet që vinin nga jashtë.
Takimi, ballafaqimi dhe marrëdhëniet me Tjetrin janë të domosdoshme jo vetëm për të plotësuar vetveten, por edhe për të parë se si përkufizohen identitetet e të tjerëve. Në këtë drejtim shqiptarët kishin mangësi, pasi mundësia për t’i njohur vendet e tjera u mohohej fizikisht; edhe atëhere kur kishin shansin t’i njihnin, atyre u mohohej e drejta për t’u shprehur lirisht e për t’u komunikuar të tjerëve përvojën e njohjes. Shqiptarët e pakët që gëzuan fatin ta shihnin perëndimin që në vitet e komunizmit, nuk mund t’u tregonin bashkëatdhetarëve – e nuk kishin si të guxonin sepse dënoheshin për agjitacion-propagandë – realitetin e vendeve demokratike.
2. Anije në shkretëtirë
Rënia e regjimit komunist u dha mundësinë shqiptarëve të dilnin jashtështetit e t’i shihnin me sytë e tyre vendet e tjera. Të parët që arritën në perëndim nuk e patën të vështirë të dallonin një injorancë të thellë ndaj Shqipërisë e shqiptarëve. Në këto vende nuk dihej pothuajse asgjë për shqiptarët, përveçse ndonjë kuriozitet apo anekdotë që vinte nga koha e luftës. Në qytetet perëndimore të viteve ’80 po të takoje dikë rrugës e t’i thoje “jam shqiptar”, e fusje në mendime, ngaqë nuk dinte nga binte Shqipëria. Një miku im që studionte në atë kohë jashtë shtetit, më tregonte se kur deklaronte origjinën e vet shqiptare nuk priste ta pyesnin “çfarë?” apo “ku është?”, por i paraprinte pyetjet me një minileksion të shpejtë gjeografie. Ishte kjo zbrazëti njohjeje që favorizoi përhapjen dhe rrënjosjen e mitit negativ për shqiptarët. Në Itali p.sh. shqiptarët u paraqitën nga masmediat si rreziku atavik që i kanosej shoqërisë së mirëqënies. Në infosferë bymoi një imazh tepër negativ, që e lidhte emrin “shqiptar” (albaneze) me kriminelët, prostitutat, hajdutët, trafikantët, dembelët, injorantët, etj. etj. Ky imazh jo vetëm i rezistoi kohës por erdhi duke u bërë gjithnjë e më i zi. Edhe pse aktualisht mund të perceptohet një ulje e trysnisë së këtij imazhi, në shoqërinë pritëse mbeten paragjykime nga më të ndryshmet në kurriz të shqiptarëve.
Mirëpo “nevoja për njohje” është një nevojë thelbësore për individin e për grupet njerëzore. Të gjithë njerëzit janë në përpjekje të përhershme për t’u njohur (ose pranuar) nga të tjerët. Shqiptarët që mbërritën në Itali në periudhën e eksodeve e kuptuan që identiteti i tyre ishte krejtësisht i panjohur, ndaj edhe instiktivisht filluan të “vetëshpjegoheshin” duke treguar se cilët ishin e nga vinin. Porse mitet e identitetit të tyre ishin kuptimpakë për perëndimorët, sepse në radhë të parë rezultonin të panjohura, dhe së dyti i përkisnin një vizioni romantik tashmë të kapërcyer. Kjo mospërputhje kodesh, përveçse pasojë, përbënte një dëshmi tjetër për mungesën e gjatë të komunikimit të lirë midis popullit shqiptar e popujve të tjerë evropianë.
Izolimi zakonisht e përforcon identitetin e një bashkësie. Kjo u ndodhi edhe shqiptarëve gjatë viteve të mbylljes, kur edhe bunkerët – sa të kotë nga pikëpamja ushtarake aq edhe efikasë nga pikëpamja komunikative – përbënin në realitet kumte për shqiptarët vetë, sepse u tregonin atyre se kishin armiq të egjër nëpër botë që i donin të keqen; si rrjedhim duhej që populli të ishte “vigjilent” e “grusht bashkuar rreth Partisë”.
Hapja e kufijve shënoi përfundimin e izolimit dhe si pasojë rrëzimin e të gjithë ngrehinës identitare që mbështetej pikërisht në atë izolim. Identiteti kolektiv shqiptar u dëmtua rëndë pikërisht sepse pjesë nga themelet e tij ishin ideologjizuar gjatë përiudhës totalitare. Kriza identitare u rëndua kur shqiptarët hynë masivisht në kontakt me vendet perëndimore. Ata vunë re se pakkush në Perëndim mallëngjehej nga shprehje të tipit: “Skënderbeu dhe shqiptarët u bënë mburojë e krishtërimit; po të mos kishin qenë shqiptarët gjysma e Evropës do fliste sot turqisht”, ose “shumë Papë e perandorë të Romës kanë qenë shqiptarë”. Përkundrazi, në pak kohë penalatat mediatike i pikturuan shqiptarët si djaj, si përfaqësuesit e së keqes, si prishësit e harmonisë dhe të vlerave sociale të perëndimit.
3. Sfilitje shpirtërore
Dëmi që mund t’i shkaktohet një grupi ose një individi duke u paraqitur negativisht nga të tjerët nuk është hipotetik, por real. Kjo për arsyen se identiteti ndërvepron ngushtë me njohjen, mosnjohjen apo edhe keqnjohjen nga ana e njerëzve apo bashkësive të tjera. Në këtë rast, siç thonë edhe studiues të kalibrit të Habermasit e të Teilorit, imazhi që reflektohet nga të tjerët ka një ndikim konkret në formimin identitar.
Nga kjo pikëpamje shqiptarët emigrantë kanë kaluar çaste shumë të vështira. Shumë bashkëkombas më kanë rrëfyer se e ndjenin veten shumë keq (madje ndonjëherë edhe fizikisht) kur shihnin në televizion se si trajtohej figura e shqiptarëve. Indinjata dhe sikleti që ndjenin shtohej shumëfish të nesërmen, kur duhej të përballonin komentet e kolegëve italianë të punës, të cilët kishin parë një mbrëmje më parë lajmet për keqbërësit shqiptarë.
Edhe femrës shqiptare i është dashur të luftojë me një imazh të caktuar, që e asocionte atë me prostitutat apo me femrat “mendjelehta”. Në këtë kuptim ato kanë qenë të detyruara të harxhojnë energji për t’u mbushur mendjen të tjerëve se nuk ishin ashtu siç mendohej në përgjithësi. Pa dyshim ka qenë energji e harxhuar së koti, që mund të kishte shkuar në drejtim tjetër.
Njohja nga të tjerët është gjithashtu një kusht themeltar për të mos çuar në vetëpërçmim apo në mbivlerësim të vetvetes e të kulturës tënde. Kam përshtypjen se shumë nga shprehjet e dëshpëruara: “jemi racë e keqe”, “jemi të poshtër ne shqiptarët”, e të tjera si këto, e kanë zanafillën pikërisht në vuajtjen shpirtërore si pasojë e pasqyrimit negativ. Edhe dukuri të tjera si harresa e gjuhës shqipe, moslëvrimi i kulturës shqiptare, mbyllja në vetvete, indiferentizmi, prirjet qendërikëse, etj. lidhen drejtpërdrejt (edhe pse jo tërësisht) me ndikimin e imazhit negativ, pra me keqnjohjen e shqiptarëve.
Së fundi duhet nënvizuar se ai individ ose grup shoqëror që nuk ndihet mirë me vetveten, detyrimisht nuk ndihet mirë as edhe me të tjerët. Kam ndjesinë se shqiptarët, po të kishin patur një trajtim ndryshe, do t’u kishin dhënë vendeve perëndimore shumë më tepër se çka u kanë dhënë deri më sot, në ekonomi dhe në kulturë.
4. Mënga e Nënë Terezës
Në kuadrin e mitit negativ për shqiptarët futet në një farë mënyre edhe miti i Nënë Terezës, si dhe e gjithë polemika që është zhvilluar rreth origjinës së saj. Dua të them se shqiptarët, po të kishin gëzuar një mendim të mirë në botë, nuk do kishin qenë kaq “pasionalë” e “xhelozë” në trajtimin e origjinës së Nënë Terezës. Mirëpo, imazhi negativ që u kanë ngjitur atyre i bën– dhe kjo është mëse e natyrshme – shumë të ndjeshëm kur flitet për origjinën e Nënë Terezës. Nga ky këndvështrim prania e mijëra shqiptarëve (emigrantë ose jo) gjatë ceremonisë së lumturimit të Nënë Terezës, më 19 tetor 2003, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, merr një kuptim të posaçëm. Ata ishin atje për t’u treguar të tjerëve, por edhe vetvetes, se prej tyre nuk vijnë vetëm probleme e të këqija, por edhe figura madhështore të njerëzimit. Mirëpo fizikisht shqiptarët janë të padallueshëm nga perëndimorët e tjerë, kështu që prania e tyre në sheshin Shën Pjetër mund të dallohej vetëm nga simbolet e tyre. Këto simbole synonin gjithashtu të komunikonin me shikuesit e shumtë të televizionit, të cilët nga ekrani nuk mund t’i pikasnin shqiptarët thjesht nga fytyra. Ja pra arsyeja e pranisë së flamujve kuq e zi (të vegjël e të mëdhenj), e qelesheve, e kollareve të kuqe me mbishkrimin “Albania”, e bluzave me shqiponjën dykrenare, etj.
Edhe intervista e një emigranti shqiptar – transmetuar nga emisioni humoristik “Fiks fare” të Top Channel-it (21.10.2003), – i cili u ankua se ambasada shqiptare nuk kishte vënë në dispozicion flamuj kuq e zi për shqiptarët që kishin ardhur për ceremoninë e lumturimit, duhet parë si shprehje e nevojës për njohje. Sepse rasti i lumturimit të një shqiptareje, e njohur në gjithë botën për fisnikërinë e vlerave të saj, është tepër i volitshëm për të dërguar një mesazh pozitiv e për të ekuilibruar atë pjesë të zymtë të infosferës që trajton shqiptarët. Fakti është se emigrantët, ndryshe nga të tjerët, e ndjejnë përditë dhe realisht trysninë e imazhit.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se miti i Nënë Terezës në Shqipëri është mbjellë nga lart. Ndryshe, nga të lumturuar e shenjtorë të tjerë në botë, emri i saj nuk u konsolidua nga poshtë, me zërin e masave. Kjo është aq e vërtetë sa deri në vitet ’90 pakkush nga shqiptarët e dinte se Nënë Tereza ishte quajtur dikur Gonxhe Bojaxhiu, kurse kulti i saj në Shqipëri ende sot nuk duket të jetë shumë i ndier. Po të ishim të sinqertë me veten, duhet të pranonim se Shqipëria nuk gëlon nga statujat, bustet, fotografitë, ikonat e Nënë Terezës; as nuk kemi asistuar në ndonjë lulëzim mbresëlënës të narrativave për këtë figurë të njerëzimit. Ka patur më shumë filma, dokumentarë, kujtime, studime, libra, artikuj, me në qendër punën, vlerat dhe figurën e Nënë Terezës në ndonjë vend tjetër, se sa në vendin tonë. Ai aeroport i mjerë që iu dedikua nuk kishte të shkruar dukshëm as emrin e saj, e jo më ndonjë statujë si ajo e Leonardo da Vinçit në aeroportin e Romës. Edhe vetë Urdhëri i saj në Shqipëri nuk është se ka patur shumë pasues e ithtarë në Shqipërinë e drobitur nga ngulmimi i varfërisë dhe cinizmi i pasurisë. Elitat shqiptare dhe veçanërisht klasa drejtuese politike janë përpjekur më tepër ta tërheqin Nënë Terezën për mënge për t’u akredituar pranë kancelerive perëndimore, ose thjesht për propagandë e dukshmëri (vizibilitet) politike, se sa për të respektuar e për t’i përhapur vlerat që ajo figurë mishëron edhe sot e kësaj dite. Polemikat e diskutimet për ngjyrën e pasaportës së Nënë Terezës shkuan deri në paroksizëm, ndërsa elitat shqiptare harxhuan litra të tëra boje shkrimi për t’i vërtetuar botës – megjithëse unë kam përshtypjen se këto polemika janë vërtitur vetëm në qerthullin shqiptar – se Nënë Tereza ishte me origjinë shqiptare.
Që Nënë Tereza është shqiptare nuk ka pikë dyshimi. Porse mbetet ende për t’u parë sa “Nënë Terezë” jemi, ose duam të jemi, ne shqiptarët. Vetëm duke bërë kështu askush nuk do guxojë të vërë pikëpyetje mbi origjinën e saj, sepse Ajo do të jetë vetvetiu dhe doemos e jona.
Në këtë mënyrë imazhi negativ për shqiptarët do fillojë të fashitet e së bashku me të edhe ai ankth për t’u pranuar denjësisht në familjen perëndimore.
Rando Devole