SHQIPNI TAVOLINASH

regele

Forumium maestatis
SHQIPNI TAVOLINASH

Aq i lumtur dukej zëdhënësi i Kryeministrit kur shfaqte para kamerave fermanin e Xhorxhit për Salinë (Bushit për Berishën), sa pati kurajën edhe t‘i shpotiste gazetarët e ftuar. I dukesh se kish ndodhur më e pangjara gjë e botës, që Bushi të dinte shkrim e këndim, po më ngjan se faji nuk ish i tij që në shkollë nuk i kishin shpjeguar që mesazhet e kortezisë, për më tepër të shkruara me dorë, janë gjëra gati personale, që zakoni e do të mos i bëhen të ditura publikut, e për më tepër me pompë e bujë. Le më pastaj kur, zëdhënësi Dritan pas urdhrit të ustait të tij, nga frika se mos nuk i beson më njeri, e ktheu kartën e shkruar nga kamerat që ta shohin të gjithë.

Po këtu nuk kam në mënt as të ul vlerën e mesazhit as të ngre pikët e kaligrafisë, por dua të rrudh buzët publikisht për atë se sa shtrenjtë përpiqen t‘ia shesin popullit të tyre prijësit tanë llafet a gjestet e prijësve të botës. Që t‘u mbush mendjen për këtë, po ju sjell këtu (edhe unë me fotografi, që të jetë më e besueshme) të njëjtën skenë si ajo që pamë, por të ndodhur 40 vjet të shkuara dhe me personazhe të tjerë. Në vend të Berishës është Enver Hoxha, që i mburret popullit të vet dhe në vend të Bushit është Mao Ce Duni. Problemi është i njëjti: edhe atëherë, më 1966, Komandanti, duke i treguar publikisht kongresit mesazhin që i kishte dërguar Timonieri i Madh, përpiqej t‘u thosh se e kishte vaj e grurë me të madhin e botës dhe se po ecte në vijën e drejtë.

Ajo që më le pa mënt është se në 40 vjetët që kanë shkuar që atëherë, ose qeveria nuk ka mësuar asgjë nga historia dhe i bie po atij legeni, ose mejton se populli nuk ka bërë hap para dhe mbetet gojëhapur prapë si atëherë. Me gjestin e pardjeshëm, Berisha na tha se nuk ka mësuar asgjë në 40 vjet. I takon popullit të tregojë në ka përparuar ndopak, apo e lë veten të gënjehet njësoj me firma e mesazhe.

TURIZMI SHENDETESOR

"Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Ylli Pango, dhe Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, nënshkruan një marrëveshje për nxitjen e turizmit shëndetësor. Sipas kësaj marrëveshjeje, do të promovohet ardhja në Shqipëri e turistëve për nevoja shëndetësore, që do të përfitojnë nga cilësia dhe tarifat e ulëta të shërbimeve shëndetësore këtu".

Të mos qe se po dëgjoja TVSH-në, do të mendoja se po tallesh ndokush, po si i ndoqa mirë pashë se nuk e bënin shaka fare, ose edhe nëse po bënin, po e loznin pjesën shumë bukur. Se nuk ka si të jetë ndryshe kur, në vendin që ka sistemin shëndetësor më pocaqi në Evropë, Ministri i Shëndetit (të vet, se tonit i ka vënë kazmën) del e thotë se demek do vijnë holandezë e anglo-saksonë të shërohen në Shqipëri. Ore të pacipë, po që kur nuk keni vënë këmbë në spital të vendit tuaj, që kini kurajë të thoni se mund të ketë belg a gjerman të vijë e të futet atje ku edhe derrat e belgëve e gjermanëve do të ndiheshin keq? Hajt më pyet mua, po s‘të bënë këmbët vetë të shkosh në spital, se më çoi halli para dy javësh në urgjencën e pediatrisë, të të them ç‘më panë sytë e ç‘më thanë atje. I pari llaf qe, mbaro punë sot dhe nisu nesër gjëkundi në Itali a Greqi e bëj një vizitë të vërtetë.

Po ky tjetri, ministri i Turizmit, që në 6 muaj ka ndërruar nja gjashtë lloj turizmesh, një herë me turizmin e diellit, pastaj me turizmin e vështirë, pastaj me turizmin kulturor, e la edhe këtë dhe nxori turizmin arkeologjik, i la fare të gjitha dhe tha se do bënte "fushatë promocionale agresive", siç duket do të dërgonte punonjësit e ministrisë me çorape në kokë të grabisnin njerëz dhe t‘i sillnin me zor të bëjnë pushimet në Shqipëri. Meqë edhe kjo nuk para pati sukses, e shkeli gazin edhe ca dhe deklaroi në konferencë se do të bënin "fushatë promocionale violente" (!), pra ata me çorape në kokë, siç duket rrugës edhe do t‘i violentonin. Pasi premtoi që do të sillte një milion turistë për sivjet, lëshoi edhe këtë të fundit të turizmit shëndetësor, që të vijnë austriakët apo danezët, llafi që bie dhe të shërojnë veshkat apo të bëjnë eko-n këtu se u bie më lirë, që ju rëntë pika në kokë, ju që thoni të tilla marrí dhe ne që ju japim dhe rroga për marritë që thoni.

INSTITUTI I SHPETUAR

Që Instituti i Monumenteve si çdo institucion që duhet të merret me shkencë në këtë vend, është në pikë të vdekjes, kjo nuk do pritur të vija unë e ta them, se shihet sheshit. Që ka nevojë për fonde, njerëz, një godinë ku të fusë kokën, e ç‘t‘u them tjetër, edhe kjo nuk do shkencë për t‘u parë. Gjithë ky hall, e bëri sërish qeverinë të merret seriozisht me trashëgiminë kombëtare. Them "sërish", se është marrë edhe një herë, kur me një llaf goje të Kryeministrit e nxorën për b... nga godina. Tani kësaj here, qeveria mori vendim që, për të shëndoshur situatën, Institutit të Monumenteve t‘i vihet emri "Gani Strazimiri". Profesor Strazimiri, që ta merrni vesh ju, ka qenë drejtori i parë i këtij instituti, ndjesë pastë se ka vdekur (Ganiu jo instituti) (ose edhe instituti, tani shumë vjet pas Ganiut). Tani që i vunë emër, institutin mund ta marrë lumi rehat më keq se ç‘e ka marrë, se të paktën do thonë: Vërtet e mori lumi, po me emër ama; i dhjerë po krenar.

Përpos faktit që e keqja e institutit nuk ishte emri se nuk çalon gomari nga veshi, po puna është se, në botën moderne, ku falë kësaj qeverie do të integrohemi, institucionet publike dhe ata të administratës shtetërore, nuk mbajnë emra. Emra kanë fondacionet private, emra kanë edhe shkollat, po nuk bën vaki të kenë emra ministritë a institutet e shtetit. Se, pas kësaj mendjeje të çpuar që kemi vënë mbi krye, i bie që për shembull, meqë Xhuveli po bën goxha punë, si të ikë nga detyra ministrisë së tij me një VKM t‘i vëmë emrin "Ministria e Mjedisit Lufter Xhuveli". Ose llafi që bie, ta quajmë "Drejtoria e Tatimeve Adem Rrenga", ose t‘u jap edhe një shembull që sa më erdhi në mënt, "Zyra e Regjistrimit të Pasurive Bashkim Gazidede". E kuptoni o injorantë sa qesharakë bëheni në sy tonë, e sa sharlatanë na bëni në sy të botës. Vidhni ç‘kini për të vjedhur, po të paktën mos e bëni qesharak shtetin e shqiptarëve.


gazeta-shqip.com
 

Mono

Forumium praecox
Re: SHQIPNI TAVOLINASH

Faktikisht turizmi shendetesor nuk ka te beje me spitalet! Kam pershtypjen eshte nje tjeter emer per turizmin natyror. Ftese per turistet qe duan te shijojne gjelberim apo vende te pothuaj te virgjera, te parrahura nga teknologjia.

Megjithate gjithcka tjeter eshte skandal!
 

PetritKola

Primus registratum
Re: SHQIPNI TAVOLINASH

C'fare shijim i vendeve te virgjera kur Kyeministrit tone nuk ja mban te veje ne ato vende te virgjra?

Isha ne Norvegji. E dini cdo te thote vende te virgjera?
 
Top