Shqipëria digjet në etje

Mono

Forumium praecox
Shqipëria digjet në etje

Kriza energjetike është e lidhur edhe me krizën e ujit, që në të shumtën e qyteteve kur nuk ka drita nuk ka as furnizim me ujë të pijshëm. Oraret kur nuk ka drita janë të shoqëruara dhe me kohën kur në shtëpitë e qytetarëve nuk ka ujë. Qyteti i Fierit dhe Patosit furnizohen me gjysmë ore ujë në dy ditë, ndërsa Kukësi e Ksamili furnizohen vetëm me gjysmë ore në ditë me ujë, por ka dhe nga ato qytete ku furnizimi bëhet pa ndërprerje.

Lagjet periferike të Fierit kanë katër ditë pa u furnizuar me ujë të pijshëm. Lagjja "1 Maj", "8 shkurti", "Liri", "16 Prilli", "Afrim i Ri", "Mbrostar" etj., sipas banorëve të tyre, po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm prej katër ditësh. Banorët shprehen se po u drejtohen lagjeve fqinje, ku uji vjen të paktën 1 herë në 2 ditë. Në qendër të Fierit vetëm përgjatë bulevardit "Ramiz Aranitasi" dhe "Jakov Xoxe" arrin që një brez pallatesh të mund të marrin ujë prej rrjetit të ujësjellësit një herë në 24 orë, kurse brezi pas tyre furnizohet me ujë më rrallë. Edhe uji duket se po përshkon aktualisht vetëm qendrat e qyteteve, duke shënuar përfundimisht thatësirën në periferitë e largëta.

Në Elbasan ndërprerja e energjisë nis paradite nga ora 09:00-17:00 dhe afro dy orë në darkë, nga ora 19:00-21:00, pa llogaritur lagje të ndryshme që ndërprerja është edhe më e gjatë. Po kështu ndodh dhe me ujin e pijshëm, për katet e para deri në katet e treta, ndërsa katet e mësipërme nuk kanë ujë më tepër se 30 minuta, deri në një orë ujë në ditë. Ndërkohë që për zonat fshatare nuk mund të flitet për furnizimin me ujë të pijshëm, veç atyre me puse. Uji dhe dritat janë të ndërvarura nga njëra-tjetra, pasi stacioni kryesor i pompimit të ujit në kodrën e Krastës mbetet në vartësi të filialit të KESH-it në Elbasan. Ky i fundit ka ditë që i ka dhënë ultimatumin kompanisë "Elber" shpk të Ujësjellësit në Elbasan për ndërprerjen totale të energjisë elektrike për shkak të borxheve që kjo e fundit i ka filialit të KESH-it. Në zonën e Korçës ka fshatra të cilat, sipas të dhënave nga Drejtoria e Ujësjellësit, mund të përfitojnë furnizim të rregullt ditor, por kjo nuk mund të bëhet pa pasur linja të veçanta të energjisë elektrike, gjë që ka lënë pa ujë pjesën më të madhe të fshatrave. Sipas të dhënave mësohet se në zonat rurale, edhe pse stacionet duhet të kenë energji elektrike, kjo nuk ka funksionuar, ndërsa edhe këto objekte janë trajtuar njëlloj si konsumatorët familjarë për sa i përket shpërndarjes së energjisë. Ndërprerjet e energjisë elektrike në fshat, që variojnë nga 10-15 orë në ditë, kanë bërë që stacionet e pompimit dhe ato që janë në gjendje pune të dalin tërësisht jashtë funksionit. Problematike vazhdon të jetë situata e furnizimit me ujë për qytetin e Sarandës, kur nevojat për konsum janë dyfishuar me ardhjen e pushuesve të turit të dytë të korrikut, që e kanë futur Sarandën në pikun e sezonit. Ndërkohë që lagjja e kodrës dhe ajo e qendrës së qytetit mbeten më problematiket dhe më keq të furnizuara me ujë, në ndërmarrjen e ujësjellësit thonë se ujin e pakësojnë lavazhot, kopshtet private dhe depozitat e lëna jashtë kontrollit, ndaj të cilave nuk është vendosur asnjë sanksion. Një pallat në Lagjen Nr. 4, prej 20 ditësh nuk furnizohet me ujë të pijshëm, prandaj ata kanë vendosur të hidhen sot në një grevë.

Ndërkohë që deri para pak kohësh qyteti furnizohej dy herë në ditë, ndërsa tani furnizohet vetëm një herë dhe në një orar që ndryshon çdo ditë. Uji i pijshëm në Kukës shpërdorohet si në asnjë vend tjetër. Nga 24 orë ujë që duhej të kishin, konsumatorët marrin vetëm një furnizim prej disa minutash. Dy herë në ditë bëhet lëshimi i ujit, në mëngjes në orën 05:00 dhe pasdite në orën 18:00. Furnizimi i mëngjesit nuk mbërrin në katet e treta, të katërta dhe të pesta, pasi uji përdoret për vaditje në të gjithë gjatësinë e aksit, si dhe në qytet. Drejtues të Ndërmarrjes së Ujësjellësit thonë se burimet nga merret furnizimi për qytetin nxjerrin rreth 50 litra në sekondë, një sasi mjaft e ulët, më e ulëta gjatë 20 viteve të fundit,dhe llogaritur për numrin e banorëve duhej të mjaftonte për 24 orë.

Ish-këneta e Durrësit, e djegur nga etja për ujë



Mblidhen atje çdo ditë, pavarësisht moshës, gjinisë apo zonave nga kanë ardhur. Janë të gjithë të barabartë në luftën për të shuar etjen. Ndodhen vetëm pak metra larg detit, po janë tharë për një pikë ujë. Dikur toka, ku disa dhjetëra mijëra njerëz janë ngulur dhe ndërtojnë çdo çast jetesën e tyre, ka qenë kënetë dhe e pabanueshme. Dikur kënetë, sot ajo i ngjan më shumë një shkretëtire të largët me gra, fëmijë e burra të etur. Dita i gjen përherë në ndërhyrjet që kanë bërë në tubacionin kryesor të ujit të pijshëm, i cili gjithashtu është i thatë në të shumtën e kohës. Elektropompat e shumta të instaluara prej tyre në të janë kthyer në investime individuale a kolektive jorezultative. Banorët qëndrojnë në radhë, zihen me njëri-tjetrin për ujë, qajnë hallet, ndërsa qëndrojnë për orë e orë të tëra në pritje të rrjedhjes së ujit. Situata e krijuar në ish-kënetën e Durrësit ka rikthyer legjendën e kuçedrës që zapton burimet e krojet në këmbim të jetëve të reja, ndërsa ata, banorët e zonës së palegalizuar, shtrëngojnë duart në karrocat e vjetra të llaçit të mbushura plot e përplot me bidonë të madhësive të ndryshme. Nuk kanë jetë për të dhënë. E konsiderojnë të marrë jetën e tyre mes problemeve të shumta që kanë. Çështja e ujit i ka shndërruar në kafshë barre. Qëndrojnë në pritje të mirësisë së kuçedrës për t‘u lëshuar ujë të mjaftueshëm për të mbushur enët e tyre. Duan të lahen, të pijnë ujë, të gatuajnë, të kryejnë si të gjitha qeniet e tjera njerëzore nevojat e tyre. Janë lodhur prej pushtetarëve dhe kanë nisur rishtas t‘i qëndrojnë besnikë vetes. "Nuk kemi qeveri. Qeveritarët tanë janë për të mbushur xhepat e llogaritë e tyre bankare. Jemi vetëm se këtu s‘ka shtet", flet i irrituar Haxhiu 53-vjeçar, teksa mban radhën për të mbushur rreth 25 bidonë ujë. Ka ardhur bashkë me të shoqen dhe fëmijët. Dita u kalon në radhë, ashtu si dhe disa qindra banorëve të tjerë të zonës. Të gjitha deklarimet e ndërmarrjes së Ujësjellësit, gjermanëve të "Berlinvasser:-it që e menaxhojnë atë, kanë mbetur në ajër, pasi ujë nuk ka. Investimi i bërë disa muaj më parë nuk e ndryshoi situatën. "Kemi 2-3 muaj që s‘kemi ujë fare. I shtrinë tubat, po kanë vjedhë paret a ku e dimë ne çfarë kanë bërë me to. Shtrinë tubat, po ujë s‘ka. Drita s‘kemi, ujë jo. Jemi bërë si kafshët". Beteja për ujin në pikë të diellit i ka lodhur, por nuk jepen, pasi uji është jeta. Shumica e tyre shpesh kthehen duarbosh në shtëpi, pasi uji nuk mjafton për të gjithë. Disa shfrytëzojnë natën për të zënë radhën të parët dhe pritja shtrihet përgjatë të gjithë ditë-natës. Jeta ka mbetur e ngërthyer nën diell për një pikë ujë, jo larg Adriatikut që Kryeministri Berisha premtoi qoftë dhe ta shkripëzonte për t‘i siguruar ujë Durrësit dhe bregdetit të tij.

DURRES
30 minuta ujë

DIBER

PESHKOPIA 1 orë


BULQIZA 2-3 orë


BURRELI 3 orë


FIER


Fier, 30 minuta në dy ditë


Patos, 45 minuta në dy ditë


Ballsh, ka ndërprerje të shkurtra


Lushnjë, 70 minuta në ditë



GJIROKASTER


Gjirokastra 1-2 orë, por ka lagje që furnizohen 24 orë


Tepelena ka ndërprerje të shkurtra


Përmeti ka ndërprerje të shkurtra


SHKODER

8 orë në ditë


SARANDE

6 orë ujë në ditë


KSAMIL

30 minuta ujë në ditë


KUKES


Kukës, 30 min


Tropojë, 4 orë


Krumë, 4 orë


VLORE


24 orë ujë


Korçë

24 orë uji


Pogradec

24 orë ujë


ELBASAN

4 orë ujë


LIBRAZHD

24 orë ujë


GRAMSH

24 orë ujë
 

Mono

Forumium praecox
Re: Shqipëria digjet në etje

Ore se po me iken truri, me verte prap probleme me ujin andej mo?
 

regele

Forumium maestatis
Re: Shqipëria digjet në etje

Kjo me shume ngjan si teme ekonomike, se sa si teme politike...
 

Mono

Forumium praecox
Re: Shqipëria digjet në etje

Nese ka 20 vjet qe Shqiperia ka te njejtat probleme ekonomike, si mendon, eshte teme ekonomike akoma apo politike?
 

Qerratai

Primus registratum
Re: Shqipëria digjet në etje

Eshte teme sociale.

Populli eshte ai qe nuk paguan taksat, qe vjedh ujin, qe vjedh dritat, qe VOTON TE NJEJTET POLITIKANE. Natyrisht s'mund ti fusim te gjithe pjestaret e popullit ne nje thes, por ama nje pjese e mire e tyre perfshihet ne kete "kanibalizem social" qe lartpermenda.

Eshte e kote qe t'a diskutojme kete problem kaq te gjere, nuk ka zgjidhje te mundshme sot per sot. Aty ku nuk ka shtet s'ka as bereqet dhe aty ku nuk ka KULTURE civile, s'ka as shtet.

Ne Shqiperi duhet nje "moderim i dhunshem" i interpretimit dhe zbatimit praktik te ligjeve. Duhet te kete masa te rrepta ndaj kujtdo qe vjedh, ben evazion fiskal, shperdoron apo abuzon me keto te drejta themelore te shtetasve siç jane dritat dhe uji (pa lene menjane pastertine inekzistente...).

Berisha premtoi 24 ore uje/drita dhe jo vetem qe nuk e mbajti premtimin, por e zhyti vendin tone ne nje krize kaq te tmerrshme. Ku eshte shoqeria civile ? Ku jane ata njerez te ndershem qe kane votuar PD ? Perse nuk e ngrene zerin, perse nuk protestojne ?

Vendet e tjera te Ballkanit, me perjashtim te Greqise, ne 17 vitet e fundit kane kaluar KRIZA te tmerrshme socialo-ekonomike. Disa prej ketyre shteteve madje, kane pesuar edhe lufte ne territorin e tyre, masakra, genocide, bombardime... POR, jane 100 here me lart sesa Shqiperia, si nga aspekti i kultures sociale si nga ai ekonomiku. A nuk eshte turp kjo ? TURP ESHTE!


Kur do fillojne shqiptaret te sillen si njerez ? Kur do fillojne te respektojne te mirat e perbashketa ? Kur te qethen viçat kam pershtypjen...

Nje ENVER tjeter ishallah!
 

99999

Primus registratum
Re: Shqipëria digjet në etje

Si ka mundesi qe ne Fier nuk ka uje dhe drita, atje te çan benx mercedezi.
Problemi i ujit dhe dritave nuk zgjidhet nga ata qe s'kane te hane. Vetem ata qe e kane vene lekun ne kurris te te tjereve duhet te paguajne. Me deshir ose me dhune. Ne te kundert rrini ashtu si gabel, me keq se ne kohen e komunizmit.
 

cufi_bardhit

Primus registratum
Re: Shqipëria digjet në etje

pikerisht 99999 sepse problemi zgjidhet nga benz mercedesi eshte ne kete gjendje Shqiperia. sepse nuk i intereson benzit qe te tjeret te krijojne bisnese e te behen te fuqishem, por duan te jen ata njishat gjithmon.
 

aristokratja

Forumium praecox
Re: Shqipëria digjet në etje

Uore, te gjithe duhet te paguajne per ate qe harxhojne. Ka forma te tjera kompesimi, per ata qe nuk kane. Ketu eshte e keqja e shqiptareve, se mendojne qe vetem te pasurit duhet te paguajne. Energji elektrike, uje harxhojne te gjithe.
Problemi eshte qe te gjithe e vuajne dhe nuk po ndihet njeri. Sepse vete e deshen nje qeveri te tille, qe nuk di nga lidhet gomari, e jo me te zgjidhe krizen. Turp, turp. Te mos kesh as gjerat me elementare per t'u ndier njeri...
 

dahlia

Grupi i të çmëndurve!
Re: Shqipëria digjet në etje

me fal po çfare duhet te paguajne fieraket kur kane 30 minuta uje ne dy dite?!!! Eshte vertete e dhimbshme gjendja dhe solucionet i kane ne dore ca copa hajvanesh qe dine vetem te fryjne barkun e vet
 

aristokratja

Forumium praecox
Re: Shqipëria digjet në etje

Dhe zgjidhja eshte mospagesa? Behet si nje rreth vicioz pastaj. Nuk paguaj- se nuk kam - Nuk kam - se nuk paguaj etj etj
 

dahlia

Grupi i të çmëndurve!
Re: Shqipëria digjet në etje

jo nuk eshte zgjidhje mospagesa, por duhet te jete shume e turpshme per nje shtet qe nuk ploteson nevojat me elementare, te te vije e te te kerkoje paret ne fund te muajit. As falas nuk ka si te jete as dritat e as uji...edhe komunizem te ishte eshte detyra e çdo individi te paguaje ate qe harxhon! Po eshte e tmerrshme se u bene nuk e di se sa vjet dhe asgje nuk ndryshon. Njerezit qe ankohen, qeveria qe nuk ka asnje zgjidhje...dhe hajde se po jetojme, po shtyjme dhe ca vite, po rrisim femijet me mund qe neser te na ikin jashte shtetit...dhe themi ne pse jane te keqinj shqiptaret...kane 1000 arsye te mos jene ne rregull nga trute!
 

Kondrapedali

Kondrapedali
Re: Shqipëria digjet në etje

Duhet të mblidhen e të demonstrojnë publikisht se nuk paguajnë deri sa të normalizohet furnizimi. Dhe këtë punë duhet ta bëjnë të gjithë shqiptarët. Bizneset duhet të refuzojnë të paguajnë taksat deri sa t'ju sigurohet uji e korenti, të dyja të domosdoshme për ecurinë normale të çdo biznesi.

Fronceze /ubb/images/%%GRAEMLIN_URL%%/kiss.gif /ubb/images/%%GRAEMLIN_URL%%/kiss.gif /ubb/images/%%GRAEMLIN_URL%%/kiss.gif /ubb/images/%%GRAEMLIN_URL%%/kiss.gif
 

regele

Forumium maestatis
Re: Shqipëria digjet në etje

Nuk është faji i Qiellit, por i Tokës, nuk është faji i Perëndisë, por i Qeverisë që shqiptarët dhe Shqipëria vuajnë krizën më të rëndë të energjisë në të gjithë rajonin e Ballkanit. Thatësirë ka edhe në shtetet fqinje, ka edhe në Maqedoni, në Mal të Zi, edhe në Kosovë e Greqi, por askund kjo thatësirë nuk është shndërruar në një krizë kaq të thellë energjetike si në Shqipëri. As qeveria dhe as ministri i Energjetikës, Ruli, nuk mund të justifikohen dot duke ia hedhur fajin Qiellit dhe Perëndisë. Ata nuk mund të justifikohen dot tani, edhe pse kanë bërë premtime të bujshme jo vetëm për 24 orë drita, por deri edhe për eksport të energjisë elektrike në vitin 2007! Dhe kur një Kryeministër nuk është në gjendje të mbajë premtimet e veta, aq më tepër kur bëhet fjalë për premtime të natyrës strategjike, duhet të largohet për t‘ia lënë vendin një tjetri. Eshtë skllavëri, nënshtrim dhe mungesë ekstreme emancipimi e përgjegjshmërie për fatet e veta, kur një popull pranon pa bërë zë lloj-lloj mundimesh, pranon kalvarin e errësirës, etjes dhe zhulit, duke toleruar habitshëm fajet e një Kryeministri vetëm dhe vetëm sepse ky i fundit, ia hedh fajin Zotit. Por, çfarëdo të thotë Berisha dhe ministrat e tij, vendi ndodhet sot i zhytur në krizën më të thellë energjetike të këtyre dy dekadave të fundit. Madje, as nuk mbahet mend që dritat të kenë munguar me 7 deri në 12 orë në ditë në stinën e verës. Kjo është e para herë! Ndaj, ky degjenerim i rrufeshëm, ky humnerim i krizës nuk lidhet thjesht me thatësirën, e cila ka qenë e paralajmëruar dhe nuk u shfaq befas këtë verë. Thellimi i krizës lidhet me keqqeverisjen dhe ndoshta akoma më keq, edhe me korruptimin e saj. Dhe shqiptarët nuk do të shpëtojnë asnjëherë nga këto kalvare katastrofash e vuajtjesh, nëse nuk do të çlirohen nga fanatizmat dhe simpatitë e verbra politike për t‘i dhënë Cezarit atë që i takon Cezarit dhe Zotit, atë që i takon Zotit.


***

Nuk mund të bëhet fajtore qeveria e sotme, për faktin se në Shqipëri, gjatë 20 viteve të fundit, nuk janë bërë fare investime në vepra energjetike. Ky ishte një nga justifikimet e ministrit të Energjetikës, Genc Ruli, për krizën e rëndë që po kalon vendi. Por, çështja shtrohet se mungesa e investimeve nuk është një fakt i njohur vetëm këto ditë nga Ruli apo edhe nga vetë Kryeministri Berisha. Kjo është një gjendje që dihej që në momentet kur Berisha ngjiste për të dytën herë shkallët e pushtetit. Dhe premtimet e bëra në atë kohë, por edhe më vonë, afërmendsh merrnin parasysh edhe situatën e varfër të investimeve në sektorin energjetik. Ndryshe do të ishte ose injorancë, ose papërgjegjshmëri, ose sharlatanizëm dhe aventurizëm populist për t‘i premtuar popullit ato ca gjëra të parealizueshme, thjesht për faktin që ai ka qejf t‘i dëgjojë. Pra, Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij në qeveri duhet të pranojë ose injorancën e vet në çështjet e energjisë ose dinakërinë dhe mashtrimin që e ka shtyrë të punojë me moton, të marrim pushtetin, "të marrim frenat, pastaj e gjejmë". Pikërisht pse në kohën kur Berisha erdhi në pushtet Shqipëria trashëgonte ende probleme të furnizimit me energji, një nga prioritetet e strategjisë qeveritare do të ishte edhe "energji e mjaftueshme, e lirë dhe e garantuar". Në fjalën e tij të parë në Kuvendin e Shqipërisë (që mund të komentohet edhe si një betim apo angazhim para popullit) Kryeministri Berisha premtoi se "mazhoranca e re dhe qeveria e saj shpallin 4 vitet e ardhshme si vite të luftës kundër errësirës dhe pasigurisë energjetike". Janë bërë thuajse dy vjet që nga shpallja e këtij premtimi. Dhe mjerisht është fare e qartë se kjo luftë "kundër errësirës dhe pasigurisë energjetike" është e humbur. Vendi, bizneset dhe çdo familje, nuk kanë qenë më të pasigurt, pra edhe më të stresuar se sot, për shkak të "pasigurisë energjetike". Askujt, besojmë, nuk i shkonte mendja në atë kohë se do të vinte kjo ditë që qeveria dhe Kryeministri Berisha do të fajësonin jo veten për mosrealizimin e premtimit, por Zotin. Kjo mungesë ndershmërie të shtyn t‘ia bësh, siç e kanë zakon shqiptarët pavarësisht nga besimi fetar, Allah!


***

Ajo që po ndodh sot në Shqipëri është kronikë e një krize të paralajmëruar prej thuajse dy dekadash. Të thuash të kundërtën (gjë e pafalshme për politikanë që marrin në dorë fatet e vendit) është si të mos kesh jetuar në Shqipëri. Kryeministri Berisha i ka ditur të gjitha, edhe mungesën e investimeve, edhe nevojat urgjente të ekonomisë për energji, prandaj që në vitin 2005 premtonte:

"Energjia elektrike do të jetë një fushë prioritare e qeverisë, e cila angazhohet se kjo energji nuk do t‘i mungojë asnjë familjeje dhe asnjë biznesi kudo qofshin ato… Do të synohet që brenda vitit 2007 të garantohet furnizimi i pandërprerë i energjisë elektrike, objektiv ky që do të sigurohet nëpërmjet kryerjes së reformave të thella dhe investimeve prioritare në këtë sektor". Viti 2007 po hyn në vjeshtën e vet dhe krejt në kundërshtim me premtimet e Kryeministrit Berisha, energjia elektrike i mungon çdo familjeje, çdo biznesi kudo ku ata janë. Përse? Për faj të Qiellit, për faj të Perëndisë? Jo, për faj të Qeverisë. Sepse, nuk është realizuar objektivi i saj për 2007-ën, objektiv që do të sigurohej nëpërmjet "reformave të thella dhe investimeve prioritare". Prandaj, ministri i Energjetikës, Ruli, në vend që të fshihet pas statistikave që barazojnë Drinin me Lanën, në vend që të ankohet për mungesën e investimeve, duhet t‘i shpjegojë publikut që heq e vuan, biznesit që po rrënohet se përse nuk janë bërë ato "reforma të thella dhe investime prioritare" në sektorin energjetik? Përse nuk janë realizuar ato reforma dhe investime ku do të bazohej (sipas premtimit të Berishës) edhe ndryshimi i situatës energjetike në vend? Sepse, justifikimi me të kaluarën, dihet që tashmë është bërë një nga mjeshtëritë e politikanëve dhe qeveritarëve shqiptarë. Por, kjo bën pjesë në atë që mund të quhet pa frikë strategjia e lojës me publikun dhe vuajtjet e tij, është si një "larje" e duarve nga qeveritarët me ujin e ndyrë të pellgjeve të së djeshmes. Dhe nuk besojmë se kjo duhet të ishte një mënyrë e të sjelluri e qeverisë "me duar të pastra". Në të kundërt, aftësia dhe merita publike e një qeverie duket te shkëputja nga thonjtë e së kaluarës dhe jo e gjetjes strehë për dështimet në të. Të metat e të kaluarës mund të të ndihmojnë të vish në pushtet, por nuk mund të shërbejnë si justifikim për të qëndruar në pushtet. Ajo qeveri që nuk është në gjendje të kurojë pasojat e së kaluarës (dhe ky është qëllimi për të cilin thirret me votë nga populli të marrë pushtetin), është e dënuar t‘i përkasë të kaluarës. Një qeveri tjetër duhet të vijë për t‘i shërbyer të sotmes. Kështu funksionon demokracia. Qeveri që nuk tunden, edhe pse dështojnë duke i sjellë vuajtje ekstreme popullit, qeveri që nuk paguajnë kosto politike, vetëm sepse për dështimet e veta ia hedhin fajin ose "rrethimit imperialist" ose "motit", janë qeveri të shoqërive diktatoriale, të shoqërive të mbyllura, ku populli është i lejuar vetëm ta duartrokasë dhe jo ta rrëzojë me votë qeverinë, ku populli nuk është i lirë, por skllav. Ndërkaq, një popull që e quan veten të lirë, por refuzon t‘i kërkojë llogari qeverisë për dështimet e saj, është një popull që nuk dëshiron të marrë fatet e tij në duart e veta.




***

Por çfarë ka premtuar edhe më qeveria "Berisha"? Ka premtuar se "do të instalohen matësit në të gjithë konsumatorët e për rrjedhojë do të marrë fund brenda vitit 2006 faturimi aforfe". Jemi në 2007-ën dhe matësit nuk janë instaluar. Ky është një fakt që denoncon papërgjegjshmërinë ekstreme të qeverisjes. Instalimi i matësve, që duhen për të matur konsumin e energjisë, është minimumi që duhet të bëjë një qeveri për të ndalur vjedhjen e energjisë. Çfarë ka penguar? Pse qeveria nuk ka treguar fare energji në instalimin e matësve të energjisë? Shkaqet mund të jenë disa, por më i padyshimti, është korrupsioni i rrënjosur në vetë sistemin. Eshtë po ai korrupsion i zyrtarëve të mëdhenj e të vegjël që ka penguar të realizohej premtimi tjetër publik i Berishës, instalimi i kasave të regjistrimit në biznesin e madh dhe të vogël. Prandaj, mosinstalimi i matësve shërben si për ironi, për të matur jo vetëm papërgjegjshmërinë, paaftësinë, por edhe korruptimin e qeverisjes në sektorin energjetik. Kryeministri Berisha, ndër shumë të tjera, ka premtuar se "Praktikat korruptive të energjisë do të marrin fund… Do të rregullohet kuadri ligjor dhe praktikat për importin e energjisë elektrike, duke e bërë atë transparent dhe të aftë të sigurojë energji të importuar në sasi të mjaftueshme dhe me çmim më të leverdishëm… KESH-i do të përdorë metodën e depozitimit të përkohshëm të energjisë". Ku janë të gjitha këto? Ku janë premtimet për termocentrale në Jug të vendit, për integrimin e Shqipërisë me rrjetet e transmetimit rajonal dhe evropian, ku janë "mënyrat alternative të prodhimit, përdorimit të burimeve të energjisë dhe konservimit të saj"? Askund. Importet e energjisë janë shfaqur jo vetëm më të paafta për të kënaqur kërkesën konsumatore për energji në vend, por edhe atë energji që sjellin, e sjellin me çmime deri pesëfish më të larta se ato që Berisha i mallkonte me ulërima si "qeverisjet e korruptuara socialiste". Mos vallë qeverisja e sotme e "antikorrupsionit" është bërë pesë herë më e korruptuar se ato socialiste, që Berisha i përmbysi në emër të antikorrupsionit? Gjithçka është e mundur. Ilir Meta, para pak ditësh, formuloi një akuzë për korrupsion në importimin e energjisë, një akuzë në formë hipoteze, që të kujton spekulimet e dikurshme të kompanisë famëkeqe "Enron" në tregun energjetik të Kalifornisë. Pra, çdo gjë është e mundur me qeverisjet. Aq më tepër kur populli, pasi hedh votën, mbyllet në shtëpi të vet, duke hequr fare dorë nga qeverisja. Dhe qeveria duke parë "dorëheqjen" e popullit, nis të ndihet jo më shërbëtore, por Zot i popullit. Prandaj, edhe nis e bën edhe marrëzi të tilla sa për të justifikuar paaftësinë dhe korruptimin e vet, fajëson para popullit, Zotin! Dhe mos thuaj po deshe: Allah!

Nga Andrea Stefani
gazeta Shqip
 
Top