Sala,Sadami dhe BE me USA

kastriot

Primus registratum
Sala,Sadami dhe BE me USA

KRAHASIMET ÇALOJNË...POR EDHE TREGOJNË SHUMË



Gjatë këtyre ditëve duke ndjekur pamjet televizive apo duke lexuar shtypin kemi vënë re se bëhen gjithfarë krahasimesh midis zhvillimevet në Irak dhe zhvillimeve që kanë ndodhur në Shqipëri ose vende të tjera. Krahasime të tilla kemi vënë re edhe në deklaratat e pushtetarëve e të politikanëve kryesorë të Shqipërisë. Në disa raste këto krahasime të lënë një shije të hidhur për shkak të prirjeve për spekulim amatoresk nga ata që i bëjnë, apo edhe për paaftësi të gazetarëve e të politikanëve për të bërë krahasime me vend e në masën e duhur.

Por ka edhe krahasime dhe interpretime që mbajnë vula të vjetra të pashlyeshme mendësish staliniste-brezhnieviane, për përligjien e ndërhyrjes në emër të një ideali të lartë mbarëbotëror “ socializmit e revolucionit) dhe të “sovranitetit të kufizuar” ( teoria e Brezhnievit për të mos lejuar aleatët të dalin nga vatha e socializmit sovjetik). Këto mendësi të pudrosuara me pakëz ”demokratizëm perëndimor”, ( në emër të mbrojtjes së demokracisë) i gjejmë më të ekspozuara në fjalimin e mbajtur nga Sali Berisha kohët e fundit në Bruksel kur iu kundërvu qëndrimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për çështjen e Irakut. Berisha në këtë fjalim, të botuar të plotë më 6 prill 2003 në gazetën “55” nën titullin “Përse shqiptarët janë në krah të SHBA” ( “përjetë me Bashkimin Sovjetik” ishte parrulla e dikurshme e politikës shqiptare) dhe të pëmbledhur nën titullin “Këshilli i Sigurimit ka dështuar në misionin e tij” në gazetën “Albania” po më 6 prill 2003 të “mahnit” me arsyetimet prej skifteri të politikës imperiale në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Berisha as e ka çuar ndërmend të bëjë një analizë gjakftohtë të proceseve që po ndodhin, por është sulur me zellin e pasionin e tij të njohur delirant për të kërkuar efektet politike sipërfaqësore dhe të çastit dhe ka shpalosur mendësi e teza që duhet të shqetësojnë edhe amerikanët të cilëve u drejtohet servilizmi i Berishës. Praktikisht me ato që ka thënë Saliu të shtyn të kërkosh paralelizmin midis pozitave që po mban administrata e Bushit tani ndaj aleatëve në gjirin e “demokracisë perëndimore” me qëndrimin që mbante Brezhnievi ndaj aleatëve në gjirin e “intenacionalizmit socialist” lindor. Enver Hoxha të paktën shprehej kundër tezës së “eksportimit me dhunë të revolucionit socialist”. Kurse Sali Berisha del si ithtar i paepur i teorisë së “eksportimit me dhunë të demokracisë” kudo në botë nga SHBA dhe aleatët e saj. Sali Berisha synon t’i japë “përdorimit të dhunës për demokraci” një autoritet e legjitimim edhe më të madh sesa i jepnin teorikët e marksizëm-leninizmit “përdorimit të dhunës për socializëm” dhe misionit mesianik të komunistëve për t’u sjellë të gjithë njerëzve në botë”lumturinë e imponuar” pavarëisht sa gjak duhej derdhur e sa vuajtje duheshin duruar.



“Rrëzimi i diktatorëve” justifikim i ri kultit të politikës imperiale



Nuk besoj se në veprat e Enver Hoxhës mund të gjendet një mospërfillje kaq e madhe dhe brutale për normat e së drejtës ndërkombëtare dhe vlerat e drejtësisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, edhe kur Enveri ka kërkuar me këmbëngulje ndërhyrjen e BS në Hungari në vitin 1956 në emër të shpëtimit të fateve të revolucionit e të socializmit. Nuk di që Enver Hoxha ta ketë përkrahur ndonjëherë hegjemonizmin sovjetik në botë në emër të socializmit e të revolucionit sa e ka përkrahur Sali Berisha në këtë fjalim para Asamblesë Parlamentare të Europës të drejtën e SHBA-së për të parë e trajtuar botën vetëm si perandori amerikane, për të luajtur rolin e xhandarit ndërkombëtar.

Në emisionin”Fiks Fare” të datës 11 prill pamë Sali Berishën ta shpejtonte hapin e tij të gjatë për t’u larguar sa më shpejt kur “Paloma” i zgjati mikrofonin për t’i marrë ndonjë mendim. Por sapo “Paloma” shqiptoi fjalët se donte një mendim për rrëzimin e Sadam Hyseinit, Berisha frenoi në vend këmbët e tij, u kthye gjithë qejf nga intervistuesja dhe nisi të bënte deklaratën stereotipe me krahasime midis Sadamit e diktatorit Enver Hoxha, midis rënies së monumenteve të Sadamit në Irak dhe të Enverit para 12 vitesh në Tiranë. Edhe një numër deputetësh të tjerë të opozitës, madje dhe ndonjë socialist, për sëritën gati si citime mendimet që shprehu Berisha. Vetëm një deputet socialist e pati një mundësi më shumë për t’i dhënë larmi emisionit që përgatiste “Paloma”, sepse ai kishte qenë diplomat shqiptar në Bukuresht dhe kishte parë rrëzimin e monumenteve të Çausheskut. Kështu krahasimin e rënies së Sadamëve prej bronxi në Irak e bëri me rënien e diktatorit komunist rumun dhe jo të atij shqiptar në kohën e shembjes së diktaturave komuniste në Europën lindore dhe jug-lindore.

Edhe më amatoreske ishin krahasimet e përsëritura që bënin folëset e “Top Channel” kur përkthenin e komentonin një program televiziv drejtpërsëdrejti nga sheshi qendror i Bagdatit në kohën që një grup i vogël njerëzish rrekeshin të rrëzonin një shtatore gjigande të Sadamit. Folëset e “Top Channel” herë pas here përsërisninn se “turma e kundërshtarëve të Sadamit” u kujtonte atë ditë të 20 shkurtit 1991 kur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë shqiptarët përmbysën shtatoren e diktatorit Enver Hoxha. Edhe pse komentuesi i huaj disa herë tha se ai grumbullim anemik njerëzish që vërtitej kot së koti rreth shtatores së Sadamit përbëhej më shumë nga fotoreporterë, sepse irakenët e frikësuar nuk dilnin nga shtëpitë, përsëri folëset shqiptare bënin krahasimin me atë turmë të stërmadhe njerëzore që më 20 shkurt 1991 hodhi monumentin e Enverit në një atmosferë krejt të ndryshme nga ajo që shihej në Bagdat.

Ishte një krahasim që me të vërtetë çalonte shumë. Më 20 shkurt 1991 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë kishte një atmosferë krejt tjetër. Atëherë në Tiranë pamë një shpërthim të vërtetë zemërimi dhe aspirate popullore. Një shesh i tejmbushur me demonstrues që kishin zbritur aty nga qyteti i studentëve ku zhvillohej greva e urisë, që tashmë ishin përleshur me forcat e policisë në një betejë për demokraci. Pamjet që kemi parë shumë herë në ekranet televizive tregojnë një atmosferë të acaruar midis demonstruesve dhe ruajtësve të rendit, tregojnë qentë e policisë që u vërsulen demonstruesve, tregojnë shqiptarët që arritën të rrëzonin monumentin. Kurse në Bagdat pamë një grup fare të vogël njerëzish që goditën disa herë me çekan bazamentin e monumentit dhe pastaj u tërhoqën si spektatorë të lodhur e të mërzitur deri sa erdhi një mjet i fuqishëm i ushtrisë amerikane dhe pasi një ushtar amerikan i mbuloi sytë Sadamit të bronxtë me një flamur amerikan në fillim, e pastaj me një iraken, e rrëzuan për tokë.

Kjo puna e flamurit amerikan mbi surratin e Sadamit të bronxtë paska ngjallur shqetësim në mbarë botën arabe se është interpretuar si shenjë e “imperializmit amerikan” dhe tani u duhet amerikanëve të gjejnë ca justifikime edhe për këtë. Do të çalonte tej mase krahasimi i mbulimit të fytyrës së Sadamit të bronxtë me flamurin amerikan me ngritjen nga një ushtar sovjetik i flamurit të kuq me drapër çekan në Berlin pas mbarimit të Hitlerit në bunkerin e tij! Sadami nuk kishte dërguar ushtritë pushtuese deri në brigjet e lumit Potomak në Uashington, siç i dërgoi Hitleri deri në portat e Moskës, Leningradit e Stalingradit, por shumë kohë kishte qenë pikëmbështje e SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Në Tiranë monumenti i Enverit më 20 shkurt 1991 u rrëzua në një atmosferë shpërthimi të pa përmbajtur gëzimi. Në Bagdat monumenti i Sadamit ra në një atmosferë të përzishme. Ishin shumë më të pakët banorët e kryeqytetit iraken prej 5 milionësh se banorët kryeqytetit shqiptar prej 300. 000 vetësh që u sulën të coptonin monumentin e diktatorit. Kjo nuk mund të ndodhte vetëm për shkak të luftës, sepse edhe në Tiranë luftë ishte ditën kur ra Enveri i bronxtë. Edhe pse shumë gazetarë e komentues në mediat e shtypin shqiptar janë përpjekur shumë të bëjnë një paralelizëm emocionues midis këtyre dy rrëzimeve simbolike të moumentëve të diktatorëve, krahasimet kanë qenë shumë të çala. Duke vënë në një rrafsh simbolik rrëzimin e monumentit të Sadam Hyseinit me të Enver Hoxhës zhvleftësohet shumë kuptimi i asaj që bënë shqiptarët më 20 shkurt 1991. Atëherë ishin shqiptarët që ndesheshin me policinë e diktaturës për të rrëzuar një simbol të diktaturës dhe jo ndonjë vinç i tankeve të ushtrisë amerikane.

Rrëzimi monumentit të Enverit ishte plotësisht simbolikë e vetçlirimit të një vendi nga një diktaturë. Në Bagdad rrëzimi Sadamit të bronxtë, kur nuk dihej se ku ishte Sadami i gjallë, ishte më shumë simbolikë paradoksale që i bënte njerëzit të mos dinin se çfarë të vlerësonin në radhë të parë, shpëtimin nga diktatori i tyre, apo rënien e vendit nën ushtritë e huaja pushtuese.



Berisha ngatërron ushtritë pushtuese me ato çlirimtare



Sado që në Shqipëri shumica e folësve në mjete të propagandës përdorin për anglo-amerikanët terminologjinë “ushtri çlirimtare” kjo mbetet një gjë e stisur. Ambasadori francez në Tiranë në një emision televiziv nuk nguroi aspak t’i quante ushtritë e huaja që gjenden tani në Irak “ushtri pushtuese”.

Në parim ka të drejtë. Kur një ushtri e huaj hyn në një vend, aq më tepër e paftuar nga një autoritet legjitim, ose makar nga një palë kryengritëse, ajo është çlirimtare nëse dëbon nga ky vend një ushtri tjetër të huaj që ishte pushtuese. Ushtritë anglo-amerikane ishin çlirimtare kur hynë në Kuvajt në vitin 1991 për të dëbuar ushtrinë e Sadamit që kishte pushtuar këtë vend. Ushtritë e NATO-s ishin çlirimtare kur hynë në Kosovë për të dëbuar prej andej ushtrinë serbe që masakronin në vitin 1999 një popull tjetër të pushtuar. Përdorimi i konceptit “ushtri çlirimtare” për një ushtri që hyn në një vend për të “shpëtuar” popullin e këtij vendi nga sunduesi i tij, jo vetëm është pa kuptim por edhe i rrezikshëm, sepse mund të kthehet në mbulojë të gjithfarë pushtimesh.

Sali Berisha bën gafë e mëkat të rëndë edhe nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, edhe e së drejtës njerëzore, edhe e fakteve e kushteve konkrete historike e reale kur përpiqet të vendosë në të njëjtin rrafsh gjykimi ndërhyrjen për të dëbuar ushtritë serbe të Milosheviçit nga Kosova me ndërhyrjen anglo-amerikane për të rrëzuar Sadam Hyseinin në Irak. Ushtritë e NATO-s në Kosovë kishte vite që i kërkonin shqiptarët e Kosovës, i kërkonin autoritetet e ligjëshme të Republikës së Kosovës, pavarsisht se nuk ishte njohur ende ndërkombëtarisht kjo republikë, e cila faktikisht po përfillej në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ishte populli i Kosovës që i priste si çlirimtarë jo nga një sundues despot, por nga një agresion dhe pushtim i huaj. Krahasimi midis ndërhyrjes anglo-amerikane në Irak me veprimet e NATO-s kundër Serbisë mund të bëhej në rast se NATO do të kishte ndërhyrë për të rëzuar Milosheviçin. Këtë duhet ta mbajë mirë parasysh Sali Berisha.



Berisha ka qenë vet në pozitën e Mulla Omarit



Ndërhyrja e jashtëme për të rrëzuar Mulla Omarin në Afganistan apo Sadam Hyseinin në Irak mund të krahasohet sipas parametarve juridiko-ndërkombëtar dhe natyrës së veprimeve agjenturore apo ushtarake me ndërhyrjet e huaja për rrëzimin e Sali Berishës e të Aleksandër Meksit nga pushteti në Shqipëri në vitin 1997 dhe jo me mdërhyrjen për dëbimin e ushtrive pushtuese serbe nga Koosva në vitin 1999.

Me atë mënyrë si ka folur Sali Berisha në Asamblenë Parlamentare të Europës për t’u treguar skifter amerikan më shumë se Ceni, Ramsfeldi, Volfovici apo Krauthameri atëherë ai duhet të pranojë se në vitin 1997 qenka rrëzuar si diktator në Shqipëri. Ka harruar Berisha se në vitin 1997 një pjesë e mirë e popullsisë së Shqipërisë e kishte shpallur atë diktator që duhej rrëzuar me forcën e armëve dhe se faktorët ndërkombëtarë ia kishin lidhur duart të mbronte pushtetin kushtetues dhe shtetin shqiptar, i cili u rrënua? A nuk e shpallën atëherë ndërkombëtarët Berishën si të padëshiruar që duhej të ikte nga froni? Edhe ai bëri si Sadam Hyseini, nuk iku derisa forcat e jashtëme ndezën zjarrin e luftës në Shqipëri, ku pati më shumë viktima se nga sa është njoftuar deri tani në Irak.

Kujt ia bën atë leksion-sallatë pa vaj, pa kripë e pa uthull Berisha kur shprehet para parlamentarëve europianë : “Së pari mendoj se nuk ka diktaturë dhe diktatura legjitime kështu që çdo individ e komb në tërësi, por në mënyrë të veçantë për ata popuj që kanë përjetuar diktaturat përmbysja e tyre ia vlen çdo sakrificë dhe legjitimon çdo mjet”. Këta janë arsyetime dhe fjalë të turpshme prej të papërgjegjshmi në kuptimin e normave të së drejtës ndërkombëtare, të moralit politik ndërkombëtar, të drejtësisë e të logjikës së zakonshme njerëzore.

A nuk është ky Berishë që pa pushim ka theksuar se pushteti i sotëm në Shqipëri, që u vendos me rebelim të armatosur, është i paligjshëm, është diktaturë, por megjithatë gjithnjë është mburrur se Berisha e PD nuk duan të rrëzojnë një diktaturë me çdo mjet, por vetëm nëpërmjet votës së lirë?! Ai del tani dhe i jep leksion mbarë botës se diktaturat e paligjshme duhen përmbysur me çdo mjet. Po cili është ai autoritet ndërkombëbtar, ai mekanizëm i “drejtësisë hyjnore” në tokë që do të ketë të drejtën dhe aftësinë të përcaktojë se cilët regjime duhet shpallur diktaturë dhe cilët udhheqës apo sundues duhen etiketuar si diktatorë? Kur ka ndërmend ta zgjidhë Berisha këtë punë? Apo ua lë vetëm amerikanëve të zgjidhin?!

Berisha me atë që u citua më lart po del si i pari “teoricien” e përligjies i “ të drejtës për ndërhyje ushtarke globale e arbitare në botë”, në emër të rrëzimit të diktaturave. Pra, për të drejtën e më të fortit të bëjë si i do qejfi. E dimë se të fortit në fund të fundit kanë bërë e do të bëjnë si ua do qejfi. Po përse u dashka të legjitimohet kjo arrogancë si një e drejtë ambicioze e tyre? Përse u dashka të dalë një shqiptar që ta bëjë këtë legjitimin në një forum europian me shumë rëndësi?! Nuk i mjaftoi Shqipërisë ajo shije keqe që la Fan Noli me fjalimin arrogant në Lidhjen e Kombeve në vitin 1924? Nuk i ka mjaftuar Shqipërisë që u mburr për dekada si “fener ndriçues i socilaizmit” në Europë, kur embulonte errësira për vete? Tani u dashka që edhe flamurin e “ndërhyrjes globale” ta ngrejë po një shqiptar,bash në kohën kur Shqipëria është bërë shesh ndërhyrje ( han pa porta) edhe nga më padenjët për të ndërhyrë në një vend tjetër?! Çudi e madhe me këtë Saliun!!!



Berisha e percepton dhe e trajton botën vetëm si “domen amerikan”



Berisha para parlamentarëve europianë ka hedhur dhe idenë “fantastike” deri në absurditet se “rënia e perdes së hekurt e paska zhdukur kuptimin e nocionit të multilateralitetit në botë ( nuk thotë as multipolaritetin të paktën A.B.) dhe unilateralitetit” ( fjalët shumëpalëshe e një palëshe Berisha nuk i di). E ka thënë këtë absurditet që të përligjë një mendim tejet anakronik e të rrezikshëm (nëse do ta pelqente dikush me peshë në botë) se : “ për rrjedhojë nuk mund të pranohet që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, për shkak të përbërjes së tij, të jetë institucioni që përcakton karakterin e drejtë ose të padrejtë të luftrave”. E kush duhet ta bëjë këtë përcaktim? Mos vallë ka qejf që këtë t’ia lënë Sali Berishës ta vendosë?! Ha, ha, haaaa ç’politikan e diplomat nxorri Shqipëria që me siguri do të ketë tromaksur parlamentarët europianë! As Indonezia, e cila para disa dekadash nën nxitjene Kinës u tërhoq nga OKB-ja dhe u kthye përsëri pa kaluar një vit, nuk ka pas bërë zhvleftësim të tillë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nuk besoj se intelektuali- skifter amerikan, Krauthamer, që këshilloi puiblikisht Bushin të largohej nga seancat e Këshillit të Sigurimit e të niste luftën në Irak do të bashkohet me këtë propozim të Sali Berishës.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk është një mekanizëm i përkryer dhe ka dështuar shpesh në misionin që i ngarkon Karta e OKB-së, si organ për ruajtjen e vendosjen e paqës në botë. Por Karta e OKB-së këtij Këshilli i ka ngarkura misionin të ndërhyjë në marrëdhëniet midis shteteve, jo në çështje të brendëshme të vendeve anëtarë. Parimi themelor i Kartës së OKB-së dhe i tërë sistemit që u ndërtua sipas saj, pas LDB, është pavarësia e barazia e shteteve, mosndërhyrja në punët e brendshme. Janë bërë shpesh ankesa për mangësitë e sistemit të OKB-së dhe për nevojën e reformave edhe në Këshillin e Sigurimit. Por askush nuk ka qenë i zoti të paraqesë diçka më të mirë nga ajo që u vendos në vitin 1945 e që vazhdon të jetë në këmbë edhe sot.

Edhe presidenti rus, Vladimir Putin, këto ditë pas takimit me Shrëderin e Shirakun në San-Petersburg ka kërkuar “reformim të OKB-së”. Por, nuk besoj se e ka në të njëjtin këndvështrim si Berisha. Pastaj Berisha harron se në rastin e Kosovës u gjet edhe njëfarë mënyre për të anashkaluar me lezet Këshillin e Sigurimit, nëpërmjet grupit të vendve të zhvilluar të quajtur “(7+1 (Rusia)”. Në kët grup zunë vend Gjermania e Japonia që synojnë të jenë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, por mbetën jashtë Kina, India që janë shtete-kontinente dhe do të kenë një peshë të jashtëzakonshme në t’ardhmen e botës. Let t’ua lërë atyre që u takon këto probleme Berisha e të mos bëhet “pishtarmbajtës shqiptar” më estravagant se Enveri!. Mjaft me karagjozllëqe politikanësh fodullë! Mjaft ua mbajtëm pishën punëve të pista të politikave të huaja politinaët shqiptarë, vetëm që t’u dalë edhe këtyre emri!

Kur krahason Irakun me Kosovën Berisha ia fut si “kau pelës”. Berisha po keqpërdor çështjen e Kosovës për të përligjur të tilla fantazira të tij. Po a nuk është ky Berishë që disa herë ka kërkuar që çështja e Kosovës të zgjidhet vetëm në bazë të rezolutës së Këshillit të Sigurimit, ndonëse është një rezoltë e ndërtuar me shumë padrejtësi e të meta në dëm të shqiptarëve.

Është e qartë se Berisha duke bërë krahasimet e tanishme ka dashur t’ua kalojë rivalëve të tij politikë në Shqipëri, Nanos e të tjerëve në deklaratat e mbushura me servilizëm ndaj administratës amerikane që të përfitojë më shumë në luftën për pushtet në Shqipëri. Por as amerikanët nuk mund të shkojnë ndonjëherë aq larg sa i këshillon Berisha në trajtimin absurd të problemeve ndërkombëtare. Berisha përpiqet të krahasojë të pakrahasueshmen që të mbështesë mrapshtitë e arsyetimeve të tij. Berisha jo vetëm ka humbur mbështetjen europiane me këto absurditete, por me siguri nuk ka fituar as ndonjë simpati amerikane.



A kishin dëgjuar irakenët dhe Berisha i ynë për “qytetarin e mallkuar” të Karamzinit



Pra njerëzit nuk dinin se çfarë po sillte në Irak ajo ditë : gëzimin e çlirimit prej diktaturës apo hidhërimin për një pushtim të huaj.

Besoj se kjo ka qenë arsyeja kryesore dhe jo frika që i ka mbajtur banorët e Bagdatit të mos bashkoheshin me atë turmën e vogël të fotoreporterëve e disa të zemëruarve ( ose të shtirakëve të rekrutuar) që vërdalliseshin rreth monumentit të Sadamit. Mjerisht shumë nga komentuesit e ngjarjeve në Irak në shtypin e mediat tona nuk kanë dashur të mbajnë parasysh këto specifika që i bëjnë të ndryshme rrëzimet e monumenteve të diktatorëve në Tiranë e Bagdat.

Nuk mund të thotë askush se sa irakenë mund të kenë dëgjuar për dy mendime të arta të thëna shumë kohë më parë nga rusët Jakubovski dhe Karamzin, që kanë të bëjnë me pozitën që duhet të zerë qytetari i një vendi kur i bie barra të jetë kundër tiranisë e tiranit në vendin e tij dhe rrezikut nga jashtë për vendin e tij.

Jakubovski thoshte : “Askush nuk ka të drejtë të sakrifikojë të tashmen për t’ardhmen, të prishë drejtësinë e vërtetë për një të mirë eventuale false”. Irakenëve po u premtohet parajsa në vend të ferrit që u kishte kurdisur diktatori Sadam Hysein. A do t’u dalë kështu? Ata instiktivisht janë mbërthyer nda dilema se a duhet të pajtohen me sakrifikimin e të tashmes kombëtare për “të mirën eventuale” të të ardhmes. Prandaj nuk u ngritën ashtu sikurse shpresonin amerikanët e britanikët qysh kur nisën të binin bombat e para në Irak për të rrëruar tiraninë e Sadamit. Shqiptarëve u kërkohet të sakrifikojnë të tashmen e tyre kombëtare në emër të një “të ardhmje të lumtur eventuale” europiane, apo panballkanike. A duhet të besojnë shqiptarët këto premtime, që nuk janë më shumë se përralla të bukura?!

A u ka besuar “presidenti konsensual” i vendosur nga grindavecët Berisha e Nano këtyre premtimeve kur në takimin e para pak ditëve në Beograd u lumturua shumë me perspektivat e një “Ballkani të integruar” sikurse duan Nano, grekët e serbët? Moisiu duke pasur në krah Metën nënshkroi deklaratën panballkanike që mbështet qëndrimin e Europës në çështjen e Irakut, pra bëri një veprim që nuk harmonizohet as me deklaratat megallomane të Nanos në mbështetje të Amerikës, as me fjalimin e Berishës në Bruksel. Për konseguencë qëndrimi e serioziteti politiko-diplomatik Moisiu në Beograd nuk do duhet ta nëshkrfuante deklaratën. Po a mund të dëshpëronte ai deri nëkëtë masë grekët?! A mund të dëshpëronte deri në këtë masë Meta miqtë e tij të mirë serbë?!

Me pamje të ngrysur Meta u detyrua menjëherë pas kthimit në Tiranë të deklaronte se nuk ishte ndryshuar qëndrimi shqiptar. E kush mund ta besojë këtë! Moisiu e pa veten ngushtë dhe të detyruar thërriste ambasadorin amerikan e të betohej para tij e para kamerave televizive se qëndrimi shqiptyar pro- Amerikës nuk kishte ndryshuar. Pelivanllëqe bajate! Por ambasadori francez nga ekrani i “Top Channel” u dha një dush të ftohtë duke thën se zyrtare janë fjalët që nënshkruhen, ato mbeten, se ato që llapen me gojë me gojë i merr era. Kjo ka kuptimin se tani e tutje Shqipërtia do të jetë e detyruar të ndjekë hapin e Europës, jo aq shumë atë të Amerikës. Një mish mash-i vërtetë në politikën e diplomacinë shqiptare, ngaqë të papërgjegjëshmit që i drejtojën politikëne diplomacinë kuislinge në Tiarnë veprojnë për hesap të grindjeve të tyre pushtetore e nuk marrin fare vesh nga parimet e politiës e të drejtësisë në botë.

Karamzini ka lënë fjalët e famshme drejtuar një tradhtari rus që shkoi dhe u bashkua me polakët që të rrëzonte Carin : “Mallkuar qoftë qytetari që hakmerret ndaj tiranit në kurriz të ardheut të vet” ( citatet janë marrë nga revista “Kohët e reja”, botim në gjuhën frenge në Moskë nr.36 viti 1990, f.38). Kam bindjen se shumë irakenë me instiktin nacionalist janë ndikuar nga ndiesi e përjetime të tilla të ngjarjeve në vendin e tyre që mbajtën atë qëndrim që dëshpëroi amerikanët dhe nuk u ngritën në masë kundër tiranit të tyre, ndërsa tani shprehin shqetësim për “pushtimin e huaj”. Por Sali Berisha dha leksion nëpëmjet fjalimit tëtij në Asamblenë Parlamentare të Europës mbi një psikologji krejt tjetër. Sipas tij mjafton që të drejtohesh kundër tiranit të vendit tënd dhe nuk ka rëndësi se çfarë bëhet me vendin tënd dhe me cilin po bashkëpunon, se kush ndërhyn e kush e sjell luftën në vvendin tënd.

Përsëri duhet thënë se me këto mendësi Berisha i pëligj veprimet e atyre që në vitin 1997 u ngritën në rebelim me armë për të djegur Shqipërinë dhe bashkëpunuan me intervencionistët grekë sepse u ishte mbushur mednja, apo spekulonin, me idenë që Berisha ishte “tirani i Shqipërisë”. Berisha tani është përqafuar dhe është bërë “bythë e brekë” me gjeneralin andart Arben Imami, i cili ashtu si rusi që mallkohet nga Karamzini shkoi tek grekët që të vinte pastaj të përmbyste “Tiranin ( Carin maloko-shpellor) Berisha”. Tani është Berisha që pranon nëpërmjet përqafimit me Imamin idenë se mund të kërkosh ta përmbysësh “Tiranin tënd” edhe kur kjo shkon në dëm të “Atdheut tënd”. Ky është morali imamian-berishian që na transmetohet këto ditë, kur Imami, Pashko, Zogaj e Berisha vendosin të bëjnë bashkë beteja politike zgjedhore. Mjerë ai xhemat që shkon pas imamëve e priftërinjve të tillë të apolitikës shqiptare. Mjerë ata zgjedhës që do të përlyjenë votën e tyre në koshin e mbeturinave të politikës.

Berisha e vë kështu veten në pozitën e “qytetarit të mallkuar” nga Karamzini. Turp! Pështirosje! Kurse buurat me mend të Shqipërisë kurrë nuk kanë pranuar të vihen në pozitën e “qytetarit të mallkuar” nga Karamzini edhe pse mund të kenë pasur motive personale dhe politike shumë më të fuqishme se Berisha për të vepruar kështu. Në “Kujtime. Mbreti Zog rrëfen”, shkruar nga Hysen Selmani dhe botuar në 50 numra radhazi nga gazeta “Korrieri” pjesa e 44--ërt, botuar më 7 mars 2003, është titulluar : “Mbreti Zog tregon se pse nuk deshi të përmbysen komunistët”. Atje thuhet se “Ai (Mbreti Zog I) është kundër hedhjes poshtë të qeverisë së Tiranës, sepse kjo do të shkaktojë një ngacmim në kufinjt jugorë të saj. Ai ishte për të mos bërë asnjë veprim që do t’i jepte dorë të lirë intersave greke në Jug të Shqipërisë”. Kurse më datën 8 mars janë shkruar këto kujtime : “Grekët kanë kohë që e shikojnë potencën e mbretit Zog.Ata shkojnë vazhdimisht në familjen mbretërore dhe i bëjnë oferta mbretit. Ky i fundit është i qartë në rrugën e tij, se më mirë komunistët se të ndahet Shqipëria. Kështu grekët janë të alarmuar me prishjen e marërdhënieve me Zogun”.Pastaj flitet për një mision të kryesuar nga gjenerali grek Zerva ( kasapi i çamëve ) që shkon tek mbreti të marrë miratimin e tij për aksionet greke që “... këtë radhë t’i zhdukë krejtësisht çerdhet komuniste në Shqipëri”. Mbreti refuzon ndihmën që i kërkonin grekët sepse”...për të shqiptarët dhe komunistë janë më të vlefshëm se ata”.

Në vitin 1967 kur tërë politika greke, propaganda e kisha greke u mobilizuan në një aksion të madh ndërkombëatr për të siguruar pëlqimin e botës për pushtimin e Epirit të Veriut, një tjetër intelektual shqiptar i përndjekur nga komunizmi, Tahir Kolgjini, ka shkruar një material të shkëlqyer që demaskonte grekët. Edhe ai thotë se detyrë e gjithë mërgimatërve anti-komunistë ishte të radhiteshin pranë regjimit komunist të Enver Hoxhës për të mbrojtur Shqipërinë nga grekët. Në vitin 1960, kur kryeministri i Shqipërtisë Memet Sheu ishte në sesionin e OKB-së në Nju Jork, kundër tij u organizuan demonstrata edhe nga mërgimtarët politikë shqiptarë, edhe nga “vorio-epirotët”. Por anti-komunistët shqiptarë kur dëgjuan parrullat e” vorio-epirotëve” kundër Shqipërisë lanë atë protestë që kishin nisur dhe u përleshën me antishqiptarët grekë.

Kurse në vitin 1997 shumë shqiptarë dhe politikanë me rëndësi bënë të kundërtën. U bashkuan me intervencionin, spiunazhin e propagandën greke të rrëzonin “tiraninë maloke“ të Sali Berishës dhe të copëtonin Shqipërinë siç donin grekët. Tani Sali Berisha bën politikë të përbashkët me disa prej këtyre shqiptarëve. Mallkimi i Karamzinit rëntë mbi kokat e të gjithë atyre, duke përfshirë edhe Berishën që i rihabiliton. Respekt për ata kundërshtarë të Sadam Hyseinit në Irak që nuk ranë në pozitat eArben Imamit e të shqiptarëve të tjerë që bënë rebelimin e vitit 1997 për llogari të grekëve, serbëve, mafias italiane dhe të shërbimeve sekrete të huaja që kursdisën ngjarjet. Haram i qoftë Berishës përkrahja që i dhanë shqiptarët e sinqertë e atdhetarë në ato ditë të ëvshtira.





Sali Berisha apologjet e panagjerist i “lumturisë nën pushtim amerikan”



Sado që vet ushtritë që shembën pushtetin diktatorial të Sadamit paraqiten me flamurin e çlirimtarit të irakenëve, janë të shumtë irakenët që nuk e kanë pranuar deri tani këtë arsyetim, që kanë dëshmuar ndienja të forta nacionalizmi në vend që të vepronin kryesisht sipas ndiesive të urrjetjes për diktaturën. Madje dhe opozitarët irakenë që kemi dëgjuar të flasin kanë thënë se ushtritë e huaja duhet të largohen të nesërmen e fitores. Megjithë propagandën e madhe që është bërë për misionin çlirimtar të ushtrive anglo-amerikane përsëri irakenët në masën më të madhe duket se nuk e besojnë këtë dhe i përjetojnë zhvillimet si pushtim të huaj. Një gjë e tillë në një farë mënyre është pranuar nga vet amerikanët që kanë shprehur zhgënjim që irakenët, madje edhe ato pjesë të popullsisë që kanë qenë keqtrajtuar shumë për arsye etnike e fetare nga regjimi diktatorial i Sadam Hyseinit, nuk u ngritën në revoltë e nuk përshëndetën ushtarët e huaj si çirimtarë qysh në ditën e parë, sikurse ishte kujtuar në Uashington apo në Londër.

Kjo është shpjeguar nga propagandistët amerikanë e britanikë të luftës si rrjedhojë e frikës së tmerrshme që kishte ngulitur në zemrat e njerëzve diktatura e Sadamit. Por është një shpjegim shumë i përciptë. Shitët e persekutuar nga Sadami i bënë rezistencë ushtrisë “ pushtuese-çlirimtare ” më shumë se sunitët e përkëdhelur nga Sadami. Pjesa jugore e Irakut rezistoi edhe më shumë se Bagadati ku Sadami e zëdhënësit e tij betoheshin se amerikanët do të gjenin rezistencë në çdo shtëpi e nuk do të dilnin të gjallë prej andej. Prandaj edhe atmosfera e gëzimit të shtirur që përpiqeshin të krijonin mjete të propagandës televizive kur rrëzoheshin monumentet e Sadamit është më shumë dëshmi e pezmatimit që ndjenin irakenët që vendi i tyre po katandisej në atë gjendje. Në Shqipëri në vitin 1991 kishte atmosferë të kundërt, kishte vërtetë festë popullore.

Sali Berisha ka bërë një leksion me të vërtetë të neveritshëm në Bruksel për t’ua mbushur mendjen irakenëve se duhet të jenë të lumtur që u futën me luftë në territorin e tyre ushtritë e huaja për të rrëzuar Sadamin. Sali Berisha duket ka medësinë e atyre që vajtojnë pse SHBA nuk bëri një luftë në Shqipëri për të rrëzuar Enver Hoxhën, pavarësisht nga çmimi që mund të kishte për shqiptarët kjo luftë që mund të sillte edhe ndërhyrje sovjetike dikur.

Sali Berisha duket si njeriu që ka mbetur më gjatë pa vënë gjumë në sy që të gjente krahasime nga e kaluara për ti bërë irakenët të besojnë në “lumturinë e pushtimit amerikan”. Berisha është shprehur në Bruksel për t’u dhënë mësim qortues edhe europianëve : “ Unë besoj se japonezët e sotëm nuk kanë keqardhje pse McArturi i sundoi për një kohë dhe as për kushtetutën që ai ua vendosi. Prandaj dhe japonezët janë në anën e koalicionit. Shpreh bindjen se kjo do të jetë e vërtetë edhe për Irakun e nesërm”.

Mos vallë kur shprehet kështu Berisha ka menduar se edhe shqiptarët duhej të ishin të lumtur për një kohë kur i pushtoi Italia fashiste, e cila kur sulmoi Shqipërinë përdori pretekstin se :”vinte ushtarakisht të shpëtonte popullin shqiptar nga tirania e Mbretit Zog I”? Deri në vitin 1994 Sali Berisha është shprehur me fjalët më armiqësore kundër Mbretit Zog. Berisha edhe Leka Zogun e cilësonte si “kandidat të Serbisë për të vendosur diktaturën e djathtë në Shqipëri”. Pjetër Arbnori, bashkëpuntor i ngushtë i Berishës, në gusht të vitit 1994, kur policia e Meksit dhe e Musarajt shtypi me dhunë grevën e urisë e bashkëvuajtësve politikë të Pjetrit, akuzonte Leka Zogun në Johanesburg si fajtor e rrezik për demokracinë në Shqipëri.

Mos vallë Berisha, kur foli ashtu në Bruksel, donte të jepte garanci se po miraton me vonesë edhe pretendimet e politikës e të propagandës greke se duhej shpëtuar Shqipëria nga diktatura e Berishës kur grekët ndihmuan në përgatitjen e rebelimit të vitit 1997 në Jug të Shqipërisë? Mos Berisha gjykon tani se nuk ka ndonjë të keqe që Shqipëria është bërë koloni greke, meqenëse grekët nëpërmjet Likurezosit, Cacosit, Janullatosit na imponuan, si amerikanët japonezëve nëpërmjet McArturit, “kushtetutën” që kemi sot në Shqipëri?! Berisha nuk e pranoi këtë “kushtetutë” në vitin 1998. Por tani është bërë mbrojtësi më i madh i kësaj “kushtetute” që Greqia ia imponoi Shqipërisë pas rebelimit e intervencionit grek të vitit 1997. Berisha tani akuzon Nanon se nuk po mbron atë “kushtetutë” që në fakt populli shqiptar e refuzoi nëpërmjet referndumit.

Por Berisha tashmë mendon se “kushtetutat e imponuara nga një pushtim i huaj, nga një vend demokratik janë të mira”. Për Berishën Greqia është vend demokratik meqenëse është anëtar i BE-së e NATO-s dhe pushtimi prej saj nuk mund të jetë i keq, por i mirë, sipas shembullit japonez, që duket Saliu e paska zbuluar ose ia kanë shtënë në mendje tani vonë. Berishae duket se po përpiqet që vetëm ai, të bëhet kuislingu grek, më i preferuar edhe se Nano e të tjerë në Shqipoëtri dhe prandaj ka vendos të bashkëpunojë ngushtë me Immain e Pashkon, të risjellë në politikë Meksin? Mos vallë duke predikuar për “lumturinë nën pushtimin e huaj” që të shpëtuaka nga diktatura vendase Berisha ka gjetur një mënyrë të rafinuar ( më saktë rrufjanizuar) për të mbështetur lakmitë grekë në Shqipëri më hapur se Nano, në shkëmbin të një përkrahjejje greke për të ardhuredhe jjë herë në pushtet në Shqipëri, siç erdhi me ndihmën e Micotaqisit në vitin 1992? Mos..mos...etj.

Duhet të kenë qenë shumë të durueshëm parlamentarët europianë nëse e kanë dëgjuar pa reaguar leksionin fyes nga Berisha. Japonezët asnjëherë nuk kanë qenë të lumtur me sundimin e McArturit. Por japonezët dinin se ishin një vend i mundur në Luftën e Dytë Botërore, për shpërthimin dhe tmerret e të cilës vendi i tyre mbante përgjëgjësi të rëndë. Japonëzët e pranonin pushtimin amerikan sepse ai erdhi nëpërmjet hedhjes së bombave atomike në Hiroshima e Nagasaki dhe japonezët nuk kishin çfarë të bënin kundër kësaj. Japonezët më të moderuar e duronin pushtimin sepse mbi ta qëndronte faji për shkatërrimin e flotës amerikane në Perl Harbër. Pushtimi Japonisë nga SHBA nuk u bë spese deshën të çlironin popullin japonez nga Perandori, por sepse ishte një luftë e përbotshme, sepe militarizmi japonez kishte pushtuar një pjesë të nadhe të Azisë. Japonezët edhe sot protestojnë çdo vit kundër bombardimeve atomike amerikane. Në anën e Amerikës ka qëndruar politika zyrtare japoneze dhe jo gjithë japonëzët, një pjesë emadhe e të cilëve kanë protestuar kundër luftës në Irak. Politika zyrtare japoneze ka shumë arsye pragmatiste që të qëndrojë përkrah SHBA., Një ndër kryesoret është sigurimi i racionit të naftës nga nafta irakene, sepse Japonia më shpejt nga çdo vend mund ta ndiejë etjen për naftë në rats se rrallohen tankerat që hyjnë në portet japoneze.



“Fundamentalizmi imperial” nga Roma antike në kohët moderne



Berisha ka bërë në Bruksel një spekullim shumë vulgar me shembullin japonez për të argumentuar teorinë e tij mbi “lumturinë nga pushtimi amerikan” dhe për të zbukuruar “poltikën imperiale” në epokën moderne të integrimit e të globalizmit, pas një gjysmë shekulli jete ndërkombëtare të mbështetur në parimete OKB-së, në barazinë e pavarësinë e shteteve, numri i të cilëve në botë është katërfishuar që nga themelimi i OKB-së.

Për fat tëkeq tani po duken shenjat e ”politikës së reduktimit” të numrit të shteteve sovranë, duke kaluar në një fazë të ngritjes në botë të shteteve kuklla nën kolonizim në emër të OKB-së, ose të “unipolaritetit”. Hans Bliks që është ende formalisht kryekontrollori i OKB-së për armët e shkatërrimit në masë në Irak me qortimet e fundit ndaj SHBA-së se nuk gjetën gjë dhe se puna e arnëve ishte pretekst për të shpërthyer një luftë të përgatitur me kohë, më shumë ka dashur të tërheqë vemendjen për këtë fazë të rrezikishme ku po hyn bota.

Pas fjalëve të Hans Bliks bëhet edhe më e qartë se ndërhyrja ushtarake në Irak është bërë vetëm sipas asaj filozofisë që shrehet në thëien e urtë franceze “ Quand on veut tuer son chien, on l‘accuse d’avoir la rage”. ( Kur i zoti vendos të vrasë qenin, e akuzopn se e ka kapur sëmundja e tërbimit). Tashmë dihet se Sadami ka qenë shumë kohë i lidhur në zinxhirin amerikan. Të gjitha argumentet e rreshtuar për të sulmuar Irakun dalin tani më shumë si sebepe, jo shkaqe të vërteta, për të shpërthyer luftën. Madje janë sebepe klasike.

Mehdi Frashëri në “Probleme shqiptare”, shkruar qysh në vitin 1940 shpjegon arsyet pse Perandoria Romake sulmoi Ilirinë :” Meqenëse Shqpëria, siç thamë më sipër, formon bregun e detit perëndimor të Ballkanit është rrahur gjithnjë prej valëve të shkeljeve, jo vetëm nga toka, por edhe nga ana e detit...romanët pasi siguruan bashkimin e sirrethujëzës Italike, për të zhvilluar veprimtarinë e tyre politike, ushtarake dhe ekonomike, pikë sëpari u hodhën përtej detit edhe erdhën në Shqipëri si pushtonjës me armë. Faqeza qitën bishtra kusërinë e detit që ushtronin ilirët në Adriatik, por e vërteta ishte se erdhën si një trup organik që rritet mjaft në vendin e vet dhe kërkon që të përhapet edhe përtej detit në vendet e huaja. Si shkak të dytë për të pushtuar Shqipërinë, romanët qitën nevojën për të mbrojtur kolonitë greke që ndodheshin në brigjet e detit të Shqipërisë...në gjirin e popullsisë së këtyre qyteteve si në viset e tjera të Greqisë kishin dalë dy parti: partia e aristokratëve që përfshinte të pasurit dhe partia popullore që përfshinte me vete të vobegëtit...Këto dy parti haheshin me njëra tjetrën...Këto luftra kishin arritur në një shkallë sa të rrezikonin edhe të qenët e tyre, prandaj kishin nevojë për një mbrojtje të madhe e të fortë. Romanët këtë mbrojtje e dhanë menjëherë dhe këtë mbrojtje gjetën si shkak për të pushtuar Shqipërinë”.

Nga këto shpjegime të Medi Frashërit vëmë re se në thelb asgjë nuk ka ndryshuar në politikat imperiale qysh nga kohët e lashta e deri sot. “Kusaria në det” ose pirateria e ilirëve që zinin sebep romakët, sot është zëvëndësuar me “terrorizmin ndërkonbëtar”. “Mbrojtja e kolonive greke” tani po zëvëndësohet me “mbrojtjen e aletave” të rrezikuar nga “shtetet e së keqes”. Përkrahja për njërën nga palët në grindje brenda një vendi tani quhet “përkrahje e demokracisë” kundër “diktaturës”. E kemi parë këtë edhe në Shqipëri në vitin 1997, ndonëse në mënyrë më demokratike ishte vendosur regjimi që ndërkombëtarët pranuan të rrëzohej me dhunë të armatosur nga pala tjetër kryengritëse.



Ushtrimet në paralelet e shkallëzuara “Enver- Sadam”



Është krahasim i padrejtë dhe fyes për ne shqiptarët që të barazohet regjimi i Enverit me atë të Sadamit. Edhe midis diktaturave ka ndryshime. Enveri me pushtetin e tij e futi vendin në një luftë të egër klasash që i solli shumë të këqija popullit shqiptar dhe ndërtoi një sistem ekonomik që solli varfëri e mjerim. Por kjo ishte dukuri e përgjithëshme historike europiane botërore në mbarim të Luftës së Dytë Botërore dhe nuk ishte vetëm një trill i Enverit, apo i komunizmit në Shqipëri.

Ndërsa diktatori Sadam shumë të këqija irakenëve ua solli në radhë të parë për trillet e tij. Sadami në 23 vite sundim i solli popullit iraken tri luftra shkatërruese për kapriçiot e tij diktatoriale (8 vite luftë me Iranin fqinj, pushtimi i Kuvajtit 1991 dhe lufta e tanishme) dhe për të shërbyer politikën anglo-amerikane në rajon që tani e rrëzoi me dhunë nga pushteti duke i sjellë fatkeqësi të reja popullit iraken. Enver Hoxha në Shqipëri nuk e ka futur vendin në luftra të tilla.

Regjimi diktatorial i Enverit e bëri me egërsi luftën e klasave, ka burgosur, ka bërë raprezalje në krahina të caktuara si në veri të Shqipërisë, por nuk ka bërë luftë me armë kimike si Sadami në Kurdistanin iraken. Nuk kemi asnjë arsye të shëndoshë që urrejten për regjimin e Sadamit ta shprehim duke vënë shumë shenja barazimi midis regjimit të tij dhe diktaturës komuniste në Shqipëri, që në fund të fundit ishte pjesë e një gjendjeje botërore që shqiptarëve ua imponuan nga jashtë më shumë se nga brenda, madje ua imponoi edhe Perëndimi demokratik, sikurse ndihmoi Sadamin për shumë kohë të mbante pushtetin mbi irakenët.

Tani arkitektët politikë e ushtarakë të luftës për rrëzimin e regjimit diktatorial të Sadamit mund të thonë me mburrje se ata duan në Irak, sipas “ZP” të datës 8 prill 2003 “ një qeveri të irakenëve, nga irakenët dhe për irakenët”, ( një perifrazim pakëz hipokrit dhe teatral i formulës së famshme demagogjike të demokracisë “qeveri e popullit, nga populli për popullin”). Por këtë kishin rastin ta bënin më mirë e më me lezet qysh në vitin 1991. Pse nuk e bënë atëherë, po tani, që po ndizet urrejtja anti-amerikane në botën arabe” ( shih “Panorama” 6 prill 2003)? Sepse lufta në Irak u bë më shumë për motive të gjeopolitikës rajonale e globale ndërkombëtare se sa për të çliruar popullin iraken nga regjimi i Sadam Hyseinit.



14. 04. 2003 Abdi Baleta
 
Top