Re: Refuzimi i Majkos per tu ulur ne tavoline me serbo-malazezet
Europa moderne, varri i vetvendosjes së kombit shqiptar
Xhinxhiçi, më perëndimori midis pushtetarëve serbë, edhe konceptin e vet-vendosjes në rastin e shqiptarëve e shpërfytyron kur shkruan: E drejta për vetvendosje është një e drejtë demokratike themelore për të përcaktuar lirisht jetën tënde në një shtet që ekziston. E drejta për të krijuar shtet nuk rrjedh nga e drejta demokratike për vetvendosje, por edhe shumë të drejta të tjera janë pasojë e saj. Me një fjalë shqiptarëve u mohohet e drejta për vetvendosje.
Asnjëherë politika zyrtare në Tiranë nuk i ka kundështuar fort e me themel arsyetime të tilla, madje më shpesh këto arsyetime janë pranuar haptazi ose në heshtje duke u mbuluar me formulën boshe të zgjidhejs së çështjes së Kosovës në kuadër të Europës së bashkuar moderne. Ndërsa të gjithë politikanët serbë (duke përfshirë edhe Zhivkoviçin, Çoviçin, Svilanoviçin e kolegët e tyre qeveritarë të tanishëm) këmbngulin që çështja e Kosovës të zgjidhet më parë në kuadër të Serbisë, shumica e politikanëve të Shqipërisë çirren se duhet të zgjidhet në kuadër të Europës, duke kapërcyer fazën e zgjidhjes si pjesë e çështjes kombëtare shqiptare. Një qëndrim të tillë mban tanië edhe Ali Ahmeti për çështjen e shqiptarëve në FYROM.
Kurse Pandeli Majko bëri një hap me shumë dobi gjatë sqarimeve të pozicionit të tij të fundit kur pohoi se ai është për pavarësinë e Kosovës si zgjidhje më e mirë midis dy kërkesave maksimaliste: asaj që Kosova të jetë pjesë e Serbisë dhe asaj për Shqipërinë e Madhe, domethëne për bashkimin e Kosovës e të Shqipërisë. Mënyra e të shprehurit të Majkos nuk është e paqortueshme, sepse përdorimi i termave Shqipëri e Madhe është pa vend kur flitet për bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Por rëndësi ka që një ministër i qeverisë së Shqipërisë e njeh publikisht se ka një kërkesë maksimaliste shqiptare për bashkim kombëtar dhe taktizon duke pranuar pavarësinë e Kosovës si zgjidhje të ndërmjetme.
Majko ka bërë kështu një veprim diplomatik me vlerë të madhe. Duan apo nuk duan serbofilët në Tiranë diplomacisë shqiptare i takon të mbajë pikërisht qëndrime të tilla dhe diplomacinë e vërtetë shqiptare e bëjnë ata që mbajnë qëndrime të tilla. U pëlqen apo nuk u pëlqen serbofilëve qëndrime të tilla janë shpalosur edhe para mekanizmash ndërkombëtarë. Kam përmendur edhe herë të tjeëa se delegacioni shqiptar, të cilin e kryesoja unë në dhjetor të vitit 1992 në selinë e NATO-s, është pyetur gjatë bisedave në Komitetin Politik të kësaj organizate se cila do të ishte zgjidhja më e mirë për problemin e Kosovës. Përgjigja ka qenë pa ngurim: bashkimi me Shqipërinë. Pra, ajo që Majko e përmend tani si kërkesë maksimaliste. Por, pas shtjellimit të argumenteve përse kjo do të ishte zgjidhja më e mirë është vijuar me arsyetimin se ka shumë vështirësi lokale e ndërkombëtare për të arritur menëjherë këtu dhe prandaj duhet kërkuar edhe një zgjdhje e ndërmjetme, e përkohëshme, kalimtare kompromisi, e cila nuk mund të jetë veçse Kosova si shtet i pavarur e sovran sepse çdo zgjdhje tjetër ka qenë e dështuar deri tani dhe do të jetë e dështuar edhe më pas po të tentohet.
Këto arsyetime janë dëgjuar në Komitetin Politik të NATO-s pa koment, por edhe pa ndonjë regim mospërfillës. Është gjë shumë e mirë që tani dëgjojmë nga një ish-kryeministër i Shqipërisë dhe njëri prej anëtarëve më të rëndësishëm të qeverisë së sotme, Ministër i Mbrojtjes që iu propozua kohët e fundit të merrte postin e Ministrit të Jashtëm, se zgjidhja e çështjes së Kosovës është njohja e pavarësisë së saj nga bota dhe se ekziston kërkesa për zgjidhje më të plotë e përfundimtare, bashkim me Shqipërinë.Është pikërisht ky arsyetim i Majkos që shqetëson Serbinë më shumë se mosvajtja në një takim të parëndësishëm ministarsh në Mal të Zi. Është ky arsyetim që i bën edhe serbofilët shqiptarë të vazhdojnë të sulmojnë qëndrimin e Majkos edhe pasi doli bllof qëndrimi i tyre fillestar.
Qëndrimi që ka mbajtur Majko nuk ka si të mos jetë rrjedhojë e një ndjeshmërie të veçantë për Kosovën, ndjeshmëri që nuk e honepsin dot sserbofilët e Shqipërisë. Por Majko u ka dhënë përgjigjen e duhur: Unë jam Pandeli Majko dhe sa të kem gjallë do të mbroj Kosovën. Kjo i ka tëbuar serbofilët. Prandaj pas këtyre fjalëve të Majkos...
Godo spekulon sërish duke trilluar mëkatin kosovar të Majkos
Ja si ka shkruar Godo në faqen 6 të gazetës Korrieri të datës 14 gusht 2003: Çështja me të cilën jemi marrë më tepër është deklarata e Z. Majko, që në të vërtetë është një ndodhi anësore. Ministri i Jashtëm i Malit të Zi po merret me organizimin e një konference mbi mbrojtjen e bregdetit të atij vendi. Kjo nuk na sjell ndonjë dëm. Janë të ftuar Italia, Sllovenia, OSBE etj...Ishte i ftuar edhe Z. Majko.Refuzimi i tij u bë jashtë vendit dhe në mënyrë të papërshtatshme. Kjo ka shpjegimet e veta. Zoti Majko është mjaft i ndjeshëm ndaj Kosovës....
Fjalët vijuese në shkrimin e Godos janë po aq cinike sa këto që u cituan. Por mjafton edhe kaq për të kuptuar sesa shumë helm serbofil e vrer antishqiptar ka derdhur Godo në citatin e mësipërm. Godo do t'ia fshehë publikut shqiptar faktin se ai takim në Mal të Zi nuk është planifikuar për t'i bërë ballë kolektivisht ndonjë rreziku për bregdetin malazez, sepse është qesharake tani të dyshohet për ndonjë rrezik të tillë që u dashka ta shmangin Italia, Shqipëria, Sllovenia e OSBE-ja. Godo e kupton por hiqet sikur nuk e merr vesh se serbët e kanë planifikuar këtë veprimtari diplomatike me profilizm ushtarak që të paraqiten si kampionë të bashkëpunimit rajonal në një kohë që kurdisnin provokimin kushtetues me kushtetutën e konfliktit si për shqiptarët dhe Ballkanin, ashtu dhe për Europën e NATO-n.
Pse vallë Godo nuk e trajton çështjen nga një këndvështrim i tillë, por merret me ndjeshmërinë e veçantë të Majkos për Kosovën? Sepse do të qetësojë serbët e të mashtrojë botën se Majko është një zë i vetmuar midis pushtetarëve e politikanëve shqiptarë që i trajton mërrëdhëniet me Serbinë duke u nisur nga ndjesi të theksuara për Kosovën. Serbët dëshirojnë shumë që kështu të jetë. Serbët po bëjnë shantazh politik e diplomatik që të mos dalin më të tjerë pushtetarë e politikanë shqiptarë që të përcaktohen në këtë çështje nën ndikimin e ndjesive për Kosovën.
Nuk është e rastit që serbofilët shqiptarë qysh në reagimet e para i kërkuan qeverisë shqiptare të distancohej haptazi nga Majko, madje e trajtuan në mënyrë spekuluese edhe deklaratën e Ministrisë së Jashtme, sikur ajo ishte kundërvënie e prerë ndaj deklaratës së Majkos, ndonëse teksti i kësaj deklarate shumë të shpëlarë nuk ishte aq kundërvënës sae bëjnë, sepse ishte një tekst anemik. Por, serbofilia gazetareske e televizive u tregua shumë e zellshme të trumbetonte atë që donte, jo atë që shpaloste në fakt deklarata e Ministrisë së Jashtme, as atë që kërkonte interesi shtetëror e kombëtar. Prandaj duhet besuar se serbët kanë bërë gjithçka që kanë mundur të vinin në lëvizje serbofilinë shqiptare që ta mbyste me zhurmë qysh në fillim jehonë e ndikimit e veprimit të Majkos.
Godo e stërholloi poshtërsinë që bëri Milo, sepse emocionet shqiptare të Majkos i ngushtoi edhe më shumë në ndjesi kosovare. Me këtë praktikisht u thuhet shqiptarëve në Shqipëri se ai Pandeliu po e fut vendin në fesat me serbët, Ballkanin e Europën ngaqë ka ca ndjesi të veçanta kosovare, jo se këtë veprim e imponon natyrshëm logjika politike që duhet të ndjekë shteti shqiptar, apo e kërkojnë interesat madhore kombëtare. Argatët për kësi punësh i duhen Beogradit!
Akuzat e Godos për ndjesitë kosovare të Pandeli Majkos e përforcojnë bindjen që kemi shprehur kur Pandeli Majkon pa arsye serioze e larguan nga posti i kryeministrit se kjo gjë bëhej nën presionin e politikës së Beogradit dhe të serbofilisë shqiptare si hakmarrje për atë rol që, me dashje apo i detyruar nga rrethanat, Pandeliu e luajti gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Na përforcohet bindja se edhe ish-shefi i Shërbimit Sekret Shqiptar, Fatos Klosi u ndëshkua edhe sepse duheshin qetësuar disi pakënaqësitë serbe për atë rol që ai, me dashje ose i detyruar, ka luajtur gjatë asaj lufte.
Nuk duhet të harrojmë se Ilir Meta ka bërë disa vizita në Kosovë për të përçuar atje dëshirat politike të Beogradit, apo për të ndikuar që të zbatoheshin vendimet që merreshin në diplomacinë treshe Athinë-Tiranë-Beograd, sidomos pas takimit Meta-Nano nën kujdestarinë e Nikolas Geixhit në Korfuz. Të mos harrojmë se Meta është pritur në Beograd me ceremoni e protokoll kryeministror, edhe kur ishte vetëm një deputet. Edhe Milos asnjëherë nuk i ka munguar buzëqeshja e Beogradit. Edhe sikur të duam të harrojmë se diplomacia Meta-Milo ka punuar për përqafime të nxehta me Beogradin nuk na lejon më kryeministri i tanishëm socialist, Fatos Nano, i cili duket më shumë e gozhdoi Metën kur i tha se gjithë suksesi i tij diplomatik ishin vizitat në Beograd, Kiev e Moskë, pra diplomacia me drejtim sllav.
Mund edhe të gabojmë, por kemi arsye të shtrojmë hipotezën se Meta, përveç të tjerave, e dha dorëheqjen që e mohonte me kokëfortësi, edhe për shkak se e parandjeu që do ta kishte të pamundur të gjente pozicion ekulibri midis diplomacisë së tij shumë pro-Beogradit me diplomacinë që duhej bërë gjatë rrebeshevet që priteshin në marrëdhëniet shqiptaro-serbe për shkak të përgatitjes së kushtetutës së konfliktit. Kemi gjithashtu mjaft arsye të besojmë, jo thjesht të ngremë hipotezën, se acarimet politike që kanë ndodhur në gjirin e pushtetit e të politikës në Shqipëri këtë vit janë njëfarë përsëritje ciklike e atyre trazirave që shkakton Beogradi kur ka për të ndërmarrë ndonjë aksion provokues në Kosovë.
Të mos harrojmë se si ndodhi në Shqipëri me 2 korrik 1990 kur do të miratohej Deklarata për pavarësinë e Kosovës! Tani në Beograd po miratohet deklarata kundër pavarësisë së Kosovës, kur kjo pavarësi është bërë de facto pasi u shpall me kohë de jure dhe pret vetëm njohjen ndërkombëtare, si akt diplomatiko-ndërkombëtar konstatues (deklarativ) e jo krijues (konstituiv), pavarëisht se ende përdoret një terminologji e pakuptimtë e pa përmbajtje politiko-juridike ndërkombëtare të gjendet një status për Kosovën.
PASIONE SERBOFILE KUNDËR EMOCIONEVE SHQIPTARE TË MAJKOS (4)
Serbëve u duhet kthyer kusuri me monedhën e Xhinxhiçit
Zoran Xhinxhiçi në vitin 1999 shprehej : Pyetja që duhet t'i bëjmë vetes nuk është si ta zgjidhim problemin e Kosovës, por si të ecim drejt zgjidhjes së tij ( Kosovo. Zëra kundërshtues... f.207). Duket një formulim shumë i rafinuar për të thënë se zgjidhja e problemit të Kosovës nga këndvështrimi serb dihet se cila është e cila duhet të jetë: Kosova-pjesë e Serbisë. Puna, sipas të ndjerit Zoran, ishte vetëm si do të ecej drejt vulosjes edhe një herë të kësaj zgjidhjeje.
Tani diplomacia shqiptare ka rastin më të mirë e më të përshtatshëm t'ia kthejë kusurin diplomacisë serbe me monedhën e Zoranit. Diplomacia shqiptare, jo vetëm ajo qeveritare, por edhe ajo intelektuale e deri diplomacia e qytetarit më të rëndomtë që bie në kontakt me të huaj, duhet të deklarojë se dihet cila është zgjidhja e problemit të Kosovës : njohja e pavarësisë së saj të shpallur e të bërë fakt edhe me ndërhyrjen e protektoratin ndërkombëtar. Puna është si të kryhen sa më shpejt e pa shumë telashe formalitet për këtë zgjidhje.
Por për fat të keq politika e jashtëme e Shqipërisë dhe veçanërisht burokracia diplomatike qeveritare e Tiranës, sikurse e treguan reagimet e ngathta e të çorientuara të Ministrisë së Jashtëme në rastin e deklaratës së Majkos, është shumë larg vendosmërisë për t'ia kthyer kusurin diplomacisë agresive serbe me monedhën e Xhinxhiçit. Politika dhe diplomacia shqiptare në Kosovë fatmirësisht u dukën me këtë rast se kanë lëvizur shumë më përpara se ajo e Tiranës në këtë drejtim.
Por përsëri diplomacia shqiptare si në Shqipëri dhe në Kosovë do të bënte mirë të nguliste në mendimin politik e praktikën e punës atë çka e ka thënë me njëfarë sarkazme të pahishme, por me shumë kuptim Veton Surroi në shkrimin : Në kërkim të ardhmërisë së kaluar ( Shekulli, 14 Gusht 2003) : Ai që ka menduar se Serbia do të bëjë platformë për Kosovën në të cilën do të shpallë se Kosova është vend i pavarur dhe që do krijuar me të marrëdhënie të fqinjësisë së mirë do të ketë pasur kapacitet të ngjashëm analitik me atë të dr. Rugovës kur mori telefaksin nga Dominioni i Melçizedekut, para pesë vitesh në të cilin shpallej vendimi për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur me të cilin do lidhur marrëdhënie diplomatike. Falet në këtë rast sarkazma ndaj Presidentit të Kosovës sepse ndihmon për të kuptuar më lehtë se shqiptarët nuk duhet të kenë iluzionin se Serbia do të heqë dorë formalisht nga pretendimi për një pushtim e ankesim të ri të Kosovës, edhe pse kjo duket një absurditet tanimë.
Megjithatë shqiptarët do të bënin gafën më të madhe historike nëse do të flinin mbi dafina e të mendonin se Serbia nuk do të tentojë të vejë në jetë ato kërkesat absurde që bën këto ditë për kthimin e ushtrisë e të forcave policore serbe në Kosovë gjoja për të mbrojtur serbët e rrezikuar; se Serbia do të heqë dorë nga intrigat për t'u nxjerrë shqiptarëve qumështin e nënës nga hundët për çdo hap që këta do të bëjnë drejt realizmit të aspiratave të tyre. Shqiptarët do të bënin një krim të rëndë ndaj vetes nëse nuk shqetësohen për çdo intrigë serbe, për çdo ngathtësi që do të tregojnë faktorët ndërkombëtarë në njohjen e statusit të Kosovës së pavarur. Udhëkryqi kosovar ku diplomacia ndërkombëtare qëndron e vetgozhduar me dashje duhet t'i shqetësojë shqiptarët orë e çast.
Shqiptarët nuk duhet të jenë gjithmonë kavie diplomatike ndërkombëtare
Në Kosovë ka katër vite që po bëhet një eksperiment i çuditshëm ndërkombëtar, një lloj alkimie për të zëvendësuar shtetin me shoqërinë multientike që askush nuk e ka të qartë si mund të jetë e si mund të funksionojë për të përmbushur fuksionet e shtetit kombëtar në një territor ku 95% i përket të njëjtit komb, në rastin e dhënë kombit shqiptar.
Është vështirë të mos pajtohesh me arsyetimet e Fromkin : Në qasjen tonë të parë ndaj Jugosllavisë rezultoi që ne (amerikanët) kishim dështuar: federata u shpërbë në 5 shtete të pavarura. Edhe në Kosovë, madje edhe pas fitores, SHBA mund të mos arrijnë pasojat që dëshirojnë në afat të gjatë, duke pasur parasysh se qeveria amerikane do një përfundim që nuk e dëshiron asnjëra nga palët në grindje (f.176). Fromkin ka shkruar me shumë skepticvizëm për atë që po bëhej në Kosovë pas dëbimit të ushtrive serbe: ''koncepti i kujdestarisë mbi Kosovën vjen në një kohë të gabuar në histori...Mbi të gjitha SHBA kundërshtojnë qëllimet politike të të dy palëve. Dhe malet e Jugosllavisë janë një vend ideal për luftë partizane, për kryengritësit kundër sundimit të çdo autoriteti ndërkobëtar (f.191)
Fromkin ka bërë dhe paralajmërimet shkurajuese dhe vlerësimet jo fort të këndshme për shqiptarët : Administrimi ushtarak nga aleatët në Kosovë dhe pasuesja e tij Administrata civile e përkohëshme e OKB-së në provincë do të përballen me çështjen se çfarë është e mirë në kontekstin e politikës ballkanike në tërësi. Ne mund të pajtohemi me atë se ajo që bëri regjimi i Milosheviçit, spastrimi etnik në Kosovë, ishte një e keqe dhe duhet të zhbëhet. Por nuk është aspak e qartë nëse duke ndihmuar kauzën e shqiptarëvet, të UÇK-së ose të ndonjë armiku tjetër të Milosheviçit do të jetë një gjë e mirë (f.187). Pikëpamje të kësaj natyre, madje dhe më të hapura kundër çështjes shqiptare janë shprehur nga shumë vëzhgues politikë, studiues dhe politikanë në Perëndim. Këtë e ka pasqyruar shumë mirë Uilliam Xhozef Bakli në përmbledhjen e teksteve Kosovo. Zëra kundërshtues...
Por më e saktë duket dhe na pëlqen të dalë, sidomos përsa i përket efektit të parashikuar në rezolutën 1244, ajo që Fromkin e shpreh në fjalët : Ironia është temë e historisë. Politikat shpesh nuk arrijnë atë që ato kishin interes të arrinin; jo rrallë ato arrijnë të anasjelltën. Pra ka arsye të trembemi se ajo që do të sjellë ndërhyrja jonë do të jetë diçka që ne nuk e kishim ndërmend (f.187). Më e mira nga të gjitha është që diplomacia ndërkombëtare e përfshirë në problemin e Kosovës të përpiqet të bëjë jo atë që mund të kenë pasur ndërmend njëri e tjetri kur kanë krijuar kuadrin kontradiktor të zhvillimeve rreth çështjes së Kosovës e çështjes shqiptare deri tani, por të bëjnë atë që dikton realiteti, e drejta, logjika, historia dhe që është penguar padrejtësisht, arbitrarisht e përdhunisht deri tani.
Trashëgimia e keqe në drejtimin e diplomacisë shqiptare ka favorizuar serbofilinë
Edhe Paskal Milo, ish-ministër i jashtëm, u tërbua kundër qëndrimit të Majkos sepse është njëri nga arkitektët e përuljes diplomatike të Shqipërisë para Beogradit e Moskës. Edhe një pararendës i tij në të njëjtin post, ish-ministri i jashtëm në qeverinë e dytë të Meksit, Tritan Shehu, tërbohet kundër Majkos sepse ka koncepte politike e diplomatike identike me ato të Milos.
Tre ditë pasi Tritan Shehu bëri deklaratën për të demaskuar qëndrimin e Majkos, për të ushtruar presion mbi këtë që të shkonte ose të dërgonte zëvendësin e tij në takimin e Malit të Zi, shefi partiak i Tritan Shehut, kryetari i PD(r), Genc Pollo gjatë një takimi me ambasadorin e Gjermanisë, ku ishte i pranishëm dhe Tritani, në fakt mori anën e Majkos. Ja një provë konkrete e konfuzionit dhe diletantizmit politik e diplomatik midis politikanëve shqiptarë që pretendojnë të jenë balli i kazanit të politikës. Ja si u zhvleftësua dhe u bë qesharak në pak ditë qnëdrimi politik i i një ish-Ministri të Jashtëm.
Po kështu u skualifikua dhe u bë qesharak edhe qëndrimi anti-Majko i Paskal Milos kur shefi i tij partiak i deritanishëm, që e kishte ndihmuar Paskalin të bëhej Minsitër i Jashtëm në racionin e PSD-së në koalicionin Alenaca për Shtetin, kryetari i kësaj partie Skënder Gjinushi, mbajti qëndrim mbështeës për deklaratën e Majkos. Nuk kanë folur dy pararendës të Milos e Shehut, ish-Minstri i Jashtëm në qeverinë e parë të PD-së. Alfred Serreqi, as ish-Ministri i Jashtëm në qeverinë disamujore të pajtimit kombëtar në vitin 1997, Arjan Starova. I pari nga këta është në letargji politike dhe diplomacinë e pati një episod zbavitës për një mjek që hyri në politikë. I dyti ka zënë vendin që mbante Alfred Moisiu para se të bëhej president, si Kryetar i Shoqatës së Atlantikut të Veriut, dhe si duket ka pasur frikë të nxitohet në shprehjen e mendimit se mund t'i prishë vetes punë në diplomacinë euroatlantike.
Nuk janë shprehur edhe dy pasuesit e Milos në postin e Ministrit të Jashtëm, Arta Dade dhe Ilir Meta. Mësuese Artës ( që nuk u mor vesh pse e zuri për ca kohë postin e shefit të diplomacisë) nuk i merret për të madhe. Kurse Ilir Meta, që sapo është larguar nga kolltuku i Ministrit të Jashtëm dhe nuk është zëvendësuar ende, edhe pse ka heshtur në fakt është shprehur nëpërmjet deklaratave e qëndrimeve që ka mbajtur MPJ, sepse ata specialistët që formulojnë përgjigjet e deklaratat, që marrin notat e protestës të serbëve kur duhet t'i refuzojnë ato, si dhe vet titullarti ad interim i dikasterit, Luan Hajdaraga, ecin në gjurmët që ka lënë dhe mendojnë në frymën që ka krijuar Ilir Meta në diplomacinë shqiptare, në mënyrë të veçantë përsa u përket marrëdhënieve me Serbinë e qëndrimeve për Kosovën.
Për këtë pozitë të Ilir Metës më shumë janë sëkëlldisur miqtë e tij në radhët e opozitës së djathtë berishiane, të cilët tërthorazi janë munduar t'i vijnë në ndihmë duke i interpretuar gjërat allasojçe. Në ditët e para kur në shtyp kundër Majkos dilnin shkrime me titujt Emocionet diplomatike të Majkos ( Gazeta Shqiptare 10 gusht); Qeveria kundër deklaratës së Majkos ( Shekulli 10 gusht); Ministri që vepron me emocione; Ministri që ngre kështjella në rërë ( Dita 11 e12 Gusht); Përgjigja e Majkos shton konfliktin ( Dita 12 gusht); Majko bëri ngatërrim funksionesh (Dita 13 gusht); kur në ekranin e Top Channel shfaqej analisti Koço Danaj të ironizonte sipas orekseve serbe Majkon etj. gazeta e Temae Mero Bazes bënte një qasje mjaft origjinale ndaj këtij episodi në politikën e jashtëme e diplomacinë e Shqipërisë.
Më 12 Gusht në këtë gazetë u botua komenti pa autor me titull Deklarata e Majkos, lojë e Metës. Sipas këtij komenti deklarata ishte një kurth për kabinetin e Nanos ( pra nuk paska të bëjë me ndonjë problem delikat të politikës së jashtëme të Shqipërisë dhe as qenka diktuar nga dëshira për të mbrojtur ndonjë interes madhor shqiptar. Sipas komentit edhe kjo deklaratë ishte vetëm një hap përpara në krizën që ka përfshirë PS-në dhe bëhej që Meta të provonte se pa ministër të jashtëm qeveria futet në kaos. Këtë dëshirë të Metës ka marrë përsipër ta paraqesë si fakt të kryer politika dhe propaganda e PD-së.
Origjinaliteti i qëndrimit të gazetës Tema është se deklaratën e Majkos e nxirrte plotësisht jashtë suazave të marrëdhënieve të jashtëme e jashtë sferës diplomatike të Shqipërisë dhe e shndrronte në një ngatërresë brenda PS-së. Komenti i Temës ishte shkruar për të mbështetur qëndrimin e Berishës, i cili nga dëshira për të qenë i pari në komentimin e deklaratë së Majkos, e shkëputi këtë deklaratë nga ato që po kurdiseshin në Serbi, sepse nuk tha asgjë nëse Majko kishte vepruar mirë apo keq, por dënoi synimet serbe dhe filloi të qortonte rrëmujën në qeverisjen shqiptare. Drejtuesi i Temës, Mero Baze, edhe pse reagimet e para negative ndaj deklaratës së Majkos filluan të ndryshonin me shpejtësi u tregua shumë këmbëngulës në përpjket për zhvleftësimin e qëndrimit të Majkos. Më 14 Gusht ai botoi editorialin e radhës ( një nga më të gjatët) në gazetën e tij me një titull ngacmues Shpërthimi i Majkos si bombë me telekomandë ku tenton të provojë se Majko ka spekuluar dhe me Majkon po spekulohet dhe sfidon pastaj patriotizmin e dyshimtë të Pandeli Majkos. Të tilla komente dashakeqe e denigruese e nxorrën më në pah anën negative të qëndrimit fillestar të Berishës. U desh që të ndërhynte shefi nominal i diplomacisë pëdëiste, sekretari për marrëdhëniet me jashtë, ish-ambasadori i Berishës në Paris, Besnik Mustafaj, që të ndreqej diçka në përshtypjen e keqe që krijonin qëndrimet e Berishë e të propagandistëve të tij. Më 14 Gusht në gazetën Albania u shfaq shkrimi me titull PD-ja merr në mbrojtje Majkon. Por edhe kjo mbështetje ishte me shumë rezerva dhe me mjaft hile përsa i përket qëndrimit parimor që duhet të ketë politika shqiptare.
Mustafaj e quajti ekzakte ( nuk tha nëse refuzimi i ftesës ishte i drejtë apo i gabuar) deklaratën e Majkos për Kushtetutën që hartohej në Beograd. Pastaj menjëherë kaloi në frymën e deklaratave të Ministrisë së Jashtëme dhe këshillonte se nuk është koha për të krijuar destabilitet të ri në rajon. Për më tepër Mustafaj tregonte një kujdes krejt të panevojshëm e të tepruar të jepte sigurime se Majko nuk merret me një problem nacionalist. Kështu edhe kandidati më i mundshëm i PD-së për në krye të dikasterit të punëve të jashtëme në rast se vjen në pushtet kjo parti në thelbin e arsyetimit e të shprehjeve të tij nuk ndryshon shumë nga ish minstrat t e jashtëm Tritan Shehu, Paskal Milo e Ilir Meta.
Gjatë gjithë kësaj kohe nuk janë shprehur dy institucionet e dy personalitetet që kanë rolin drejtues politik më të lartë në diplomacinë shetit, kryeministri Fatos Nano dhe presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu. Propaganda në ditët e para u përpoq të krijonte idenë se Majko kishte folur në kundërshtim me dëshirat e Nanos. Pastaj mbizotëroi ideja se Nano po mban heshtje enigmatike duke përfituar dhe nga fakti se nuk ndodhet në Shqipëri. Kjo e ka shtuar pasigurinë për atë që do të ndodhë më pas, do të kalojë qeveria zytarisht në mbështjetje të Majkos, apo do të distancohet nga deklarata e Makjos çka normalisht duhet ta shtyjë Majkon të japë dorëheqje pas asaj që bëri në rast se qeveria nuke mbështet. Serbët i kanë luajtur fort gurët me propgandë e shantazh diplomatik, me siguri dhe në rrugë më të padukshme, që të bëjnë qe verinë e Shqipërisë të disdtancohet nga qëndrimi i Majkos. Serbofilia shqiptare vazhdon të ushtrojë dhe ajo presion për izolimin e Majkos.
Mbledhjet e qeverisë, të drejtuara nga nënkryetarja Ermelinda Meksi, i kanë kaluar anash kësaj çështjeje në pritje të kthimit të Nanos që nuk dihet se ku ndodhet pas dasmës kryeministrore në Turqi.. Luan Hajdaraga nuk ka dhënë shpjegim tjetër në qeveri veç atij se dikasteri i Punëve të Jashtëme u zu në befasi nga ky zhvillim ngjarjesh. Kur zihesh në befasi nga një zhvillim i tillë dhe nuk orientohesh menjëherë e nuk sqaron dot opinionin menjëhrë do të thotë se je dikaster i falimentuar plotësisht. Kjo është rrjedhojë e punës që kanë bërë të gjthë ata që e kanë drejtuar MPJ-në gjatë 12 viteve të fundit.
Nga presidenca nuk ka dalë asgjë më shumë se një kërkesë që qeveria të përcaktohet qartë. Këtë thirrje fillimisht e bëri kryetari i Kuvendit, Pëllumbi, i cili nga ana e tij i shkoi punës deri në fund duke mbështetur Majkon. Këto qëndrime bëjnë që shtypi ende të këmbëngulë në komentet se Majko ka dështuar me qëndrimin e tij. Gazeta Dita që bie më shumë në sy për prirjen për t'i fryrë për keq punës më 15 Gusht ka botuar një koment të titulluar Nano e Moisiu lënë Majkon vetëm .
Heshtja kaq e zgjatur e presidencës përveç Moisiut ngarkon me një barrë të rëndë këshilltarin e tij diplomatik, Muhamed Kapllanin, i cili gjithashtu është një ish-Ministër i Jashtëm, madje në qeverinë e fundit të krijuar nga Partia e Punës nën kryesinë e Fatos Nanos dhe në qeverinë e stabilitetit të kryesuar nga Ylli Bufi në vitin 1991 në fazën kalimtare drejt përmbysjes së madhe demokratike më 22 mars 1992.
Kështu që sëmundja në kupolën e diplomacisë shqiptare nuk është e njërit apo e disave, por e të gjithëve dhe gjatë gjithë kohës pavarëisht se kanë ndryshuar regjimet, sistemet, partitë në pushtet, apo kabinetet qeveritare. Kjo të bën të mendosh se edhe serbofilia ka ndikim shumë të fuqishëm e të pandërprerë në politikën e jashtëme e diplomacinë e Shqipërisë
A ndikon mafia për forcimin e serbofilisë në politikën jashtëme të Shqipërisë?
Tritan Shehu para se të bëhej Ministër i Jashtëm ishte në drejtim të asaj ndërmarrjes së dyshimtë që ngriti PD-ja për tregtimin e karburanteve në kohën që bëhej kontrabanda e madhe e naftës nga Greqia në Serbi e Mal të Zi nëpërmjet Shqipërisë gjatë luftës në Bosnje. Tani po shkruhet shumë ( me plot teprime sigurisht) për veprimtaritë e mafias shqiptare në Europë e në Ballkan. Gazeta e Tiranës Dita po boton një cikël shkrimesh për këtë problem duke u mbështetur në të dhëna nga arkivat e shërbimeve sekrete. Më 12 Gusht kjo gazetë botonte shkrimin Lufta në Kosovë, Sllobodanin e ndihmoi mafia europiane. Në këtë shkrim thuhen edhe këto : Mafia shqiptare tashmë e konsoliduar pasi kishte nxjerrë fitime të mëdha u bashkua me strategjinë e mafias ndërkombëtare me investime në logjistikë, për komprometimin e strukturave shtetërore, zyrtarëve të lartë për lidhjen e gërshetimin e saj me faktorët politikë dhe vendimarrës.
Të dhëna,vëzhgime e analiza edhe më alarmuese për lidhjet e mafias ekonomike e politike të Shqipërisë me atë të vendeve fqinje gjejmë në librin e gazetarit grek Takis Mikas Aleanca e mallkuar.Greqia dhe Serbia e Milosheviçit ( botim në anglisht në SHBA në vitin 2002) ku tregohet se si bëhej kontrabanda e naftës nga Greqia nëpërmjet Shqipërisë për në Serbi me ndihmën e politikanëve e të autoriteteve të Shqipërisë. Për të organizuar e drejtuar këtë kontrabandë qysh në vitin 1992 kishte mbërritur në Athinë i dërguari i Milosheviçit, një djalosh serb me emrin Vladimir Bokan që u bë shumë i pasur edhe për vete.
Është folur mjaft edhe për lidhjet e biznesit kriminal që kishte në Shqipëri Arkani, për ndikimet serbe në ngritjen e piramidave financiare që rrënuan Shqipërinë në vitin 1997; për ndikimet nga Serbia në tregtimin e drogës, të prostitutave, klandestinëve. Të gjitha këto nuk kanë mbetur pa ndikime në sferat e politikës e të propagandës në Shqipëri, deri në veprimtaritë agjenturore. Kuptohet pra se nëpërmjet sa shumë kanalesh ushqehet e nxitet edhe serbofilia në sferën e politikës, apo të diplomacisë. Po të hyhet thellë në ngjarjet e njohura (ato të panjohurat janë dhe më të llahtarshme) atëherë mund të hamendësohet edhe më shumë se përse disa politikanë e komentues shqiptarë shpërthyen me vrull serbofilinë e tyre në rastin e deklaratës së Majkos dhe përse zhurmohet me fjalë e qëndrime çoroditëse. Përse disa tentojnë të merren më shumë me patriotizmin e dyshimtë të Majkos se me vlerat atdhetare e kombëtare që objetivisht përfaqëon qëndrimi i fundit i Majkos
Shkrimi i Godos i datës 14 gusht është një tekst e rast tipik që dëshmon se si vazhdon taktika e përpunuar në kohën e Enverit për të batërdisur Serbinë me flalë sa për propagandë, por duke i bërë shërbime në lëvizjet politike e diplomatike. Serbinë tani nuk e bezdis aspak nëse i thua se po kërkon të përmbysë vendimet ndërkombëtare për Kosovën, se po kërkon të bëjë revanshizëm ndaj ndryshimeve që solli NATO në Ballkan sepse vet Serbia është e interesuar që kjo të trumbetohet sa më shumë. Qeveritarët e Beogradit nuk i bezdis aspak nëse u thua se ata duan të kthehen tek kërkesat e Milosheviçit sepse vet ata duan të bindin serbët se Milosheviçin e dërguan në Hagë për të zbutur zemërimin ndërkombëtar, por nuk heqin dorë nga ato kërkesa që kishte edhe Milosheviçi për Kosovën.
Serbët lumturohen kur qortohen e kundërshtohen në atë mënyrë e deri në ato masa e caqe sa e bën këtë Sabri Godo në shkrimin mbi Aventurizmin e Beogradit, apo protestat e tyre priten merren me aq mirësjellje e kundërshtohen me aq ndrojtje sa e bën këtë Ministria e Jashtëme e Shqipërisë. Serbët janë të intersuar që pas disa fjalëve bombastike ose sigurimeve parimore që thonë Godo apo Ministria e Jashtëme politika e diplomacia e Shqipërisë të mbeten në bisht të situatave kur duhet vepruar konkretisht në marrëdhëniet dypalëshe apo edhe në arenën diplomatike ndërkombëtare.
Serbëve më shumë u duhet të bindin opinionin e tyre e atë ndërkombëtar me deklarata politike nga Tirana se ai Ministri Majko nuk ka shprehur qëndrim zyrtar, por nuk paska frenuar dot emocionet e tij kosovare''. Dhe këtë shëbim serbëve ua bëjnë Sabri Godo e Paskal Milo me shokë. A nu kemi të drejtë të themi se kjo është të bësh punën e argatit të Serbisë? A nuk kemi të drejtë t'u drejtohemi disa vëllezëreve tanë në Kosovë me qortimin : njiheni më në fund atë politikanin e Tiranës Sabri Godo që ju ka pëlqyer! Kemi të drejtë ta pyesim edhe një herë Qosjen: a mendon ende se Paskal Milo është diplomati më i mirë i Shqipërisë sikurse je shprehur dikur? Edhe më shumë kemi të drejtë t'u kujtojmë atyre enveristëve të Kosovës që harbonin pas Koço Danajt e librave të të tij të shpëlarë për Kosovën në Zicërr të shohin se si ai tani merr qëndrim kundër veprimeve të Majkos, etj.etj.
Kur përkrahet një politikan përkrahet çështja që ai përfaqëson e mbron
Ndaj qëndrimeve politike të Pandeli Majkos kam qenë gjithnjë shumë kritik, pikësëpari për shkak të politikës partiake që ai ka zbatuar dhe të disa mënyrave të veprimit. Duke vepruar nga pozicioni i Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë Pandeli Majko ka bërë gjatë vitit në vazhdim një sërë veprimesh me karakter të përgjithëshëm politik e diplomatik që kanë krijuar situata të pakëndëshme për Shqipërinë dhe ndaj të cilave na është dashur të reagojmë me kundërshtim e zemërim. Në gazetat Rimëkëmbja dhe Bota Sot kam botuar disa shkrime fshikulluese për veprimtarinë e Pandeli Majkos, sidmos për lëshimet që i ka bërë politikës greke e sllavomaqedonase në Shqipëri ( Mos u turpëro ministri Majko, Shqiptarët e FYROM-it burgosen e vriten Majko e Buçkovski zgërdhihen, Tuneli i Majkos pas zgafellës së Meksit).
Ndoshta Veton Surroi ka pasur parasysh edhe këtë skrimin tim të fundit kur artikullin e vet Atdhetar, pakica e re kombëtare, të botuar në Shekulli më 13 gusht e ka nisur me konstatimin shpotitës : Pandeli Majkon, Ministrin e tanishëm të Mbrojtjes në Shqipëri opozita e përqesh si Pandi Tuneli për shkak të idesë së tij që të ndërtohet një tunel nën ujë midis Italisë e Shqipërisë. Ndërsa brenda vet familjes së tij politike socialiste nuk janë të rrallë ata që e quajnë një axhami politik.
Jo për ta përqeshur, por për të vënë në dukje disa veprime të dëmshme ose të pamatura që ka bërë Pandeli Majko disa herë gjatë vitit 2003 në diplomacinë e tij më shumë politike se ushtarake në marrëdhëniet me Greqinë, Italinë e Maqedoninë kemi bërë një numër kritikash ndaj tij. Veçse kjo nuk na pengon aspak tani që gjestin diplomatik që bëri Majko ndaj Serbisë ta vlerësojmë shumë dhe ta quajmë një shembull veprimtarie diplomatike për qeverinë e qeveritarët shqiptarë.
Kur Arben Imami para disa vitesh deklaroi për ndonjë arsye që ka mbetur sekret ose i shkau goja se Kosova e Shqipëria duhet të bashkohen dhe kundër tij u ngritën stuhi qortimesh ne të Rimëkëmbjes e kemi përshëndetur edhe pse Arben Imami për ne përfaqëson njërin nga politikanët më negativë në Shqipëri, jo si Pandeli Majko thjesht një kundërshtar politik i yni. Atëherë ne thamë se na vinte keq që këto fjalë të shenjta po dilnin dhe nga një gojë e papërshtashme, por nuk mund t'i përbuznim për këtë fakt fjalët e shenjta. Kurse në ratsin e tanishëm fjalët e Pandeli Majkos kanë për autor një politikan që megjithë kritikat që i drejtojmë e respektojmë më së shumti në atë mjedis politik ku ai vepron.
Duhet të jemi të kënaqur që një ish-ministër i Jashtëm dhe tani anëtar i Komisionit parlamntar pë marrëdhëniet me jashtë, Arian Starova, mbështet Majkon, ndonëse me vonesë, duke deklaruar për gazetën Panorama të datës 16 Gusht 2003 se veprimi i Majkos mbetet i vetmi qëndrim zyrtar dhe duhet mbështetur. Po ashtu është gjë pozitive që edhe kryetari i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes më në fund doli nga heshtja dhe mbështeti Majkon ( Dita 16 Gussht 2003).
Prandaj do të ishte një qëndrim i pahishëm dhe antikombëtar që për shkak të disa qëndrimve të mëparshme të dëmshme të mos pranohet merita e Pandeli Majkos në ato që tha lidhur me çështjen e Kosovës dhe të mos mbështetet hapi i tij i fundit. Në këtë rast nuk ka vend as për të kërkuar elegancë diplomatike, sikurse bëjnë disa që pak marrin vesh nga diplomacia, as për ndrojtje se mos shqiptarëve Kosovës u vjen ndonjë dëm më i madh nga veprimi i prerë i Majkos.
Por ka rëndësi të mbahet parasysh se zhvillimin më pozitiv pas shpërthimit të erërave serbofile kundër qëndrimit të Majkos, që hapi dhe rrugën për ndryshime në reagimet politike e partiake e shënoi deklarata e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, zotëri Servet Pëllumbit, i cili ishte i pari nga pushtetarët e lartë që i vlerësoi dhe i mbështeti refuzimin e Majkos për të shkuar në takimin e Malit të Zi dhe shpjegimet e dhëna nga Majko rreth rrezikut që krijon për shqiptarët kushtetuta e re e Serbisë. Pëllumbi e cilësoi qëndrimin e Majkos korrekt dhe të përshtatshëm për momentin dhe i kërkoi qeverisë të bëjë analizën e duhur ( gazeta Panorama 13 Gusht 2003). Reagimi i Servet Pëllumbit nuk ishte një reagim personal si ato të politikanëve të tjerë, por një reagim institucional, madje i njërit nga institucionet më të rëndësishme në vend. Për më tepër ky reagim është i qartë dhe jo një reagim i mjegullt si ai që kishte bërë më parë Ministria e Punëve të Jashtëme e Shqipërisë, që la shumë shtigje për keqpërdorim e spekulim nga propagnistët serbofilë.
Ishte qëndrimi i Servet Pëllumbit që pastaj u pasua nga Skënder Gjinushi nga disa partikaë të tjerë nga parti të ndryshme dhe u përforcua më vonë nga deputetët Arian Starova, Dashamir Shehi që krijoi sfondin politik zyrtar për të të dalë në pah vlera e qëndrimit të Majkos. Është spekulim provokues për të gjithë ata që i ndjekin ngjarjet ai vlerësimi që ka bërë më datën 16 Gusht gazeta e pavarur berishiane 55 se : Tirana zyrtare, si gjithnjë e paqartë! E vetmja deklaratë serioze, e plotë dhe e qartë, është ajo e liderit të opozitës Sali Berisha. Nëse do të bëhej një vlerësim objektiv me nota, siç bëhet për futbollistët pas një ndeshjeje të rëndësishme, deklaratave e qëndrimeve të Berishës u duhet vënë nota më negative, sepse ai i kishte mundësitë dhe i takonte t'i jepte i pari meritën e rëndësinë e duhur veprimit të Majkos dhe bëri të kundërtën, u tregua ngurues, dredharak, sikurse bëjnë edhe propagandistët e tij deri tani.
Këto zhvillime plot zigazake, përshkallëzimi i ofensivës e agresivitetit politik e diplomatik të Beogradit që kulmoi me notën e protestës për shantazh, të paraqitur më 13 Gusht në Minstrinë e Jashtëme të Shqipërisë dhe me kërkesat për t'u ngritur në këmbë OKB-ja se shqiptarët po përgatitkan një luftë të shenjtë të Myslimanizmit kundër Ortodoksisë në Ballkan i përgënjeshtruan përfundimisht pohimet e serbolfilëve të Shqipërisë për Serbinë demokratike dhe shpresat e tyre që diplomacia e Ministrit të Mbrojtjes Majko të mbetet si një veprim thjesht me karakter individual që nuk paska të bëjë me politikën zyrtare shqiptare, as me zhvillimet në rajonin e Ballkanit.
Majko bëri diplomaci të mirëfilltë qeveritare, jo kapriçio individuale
Politikanët e komentuesit që iu kundërvunë hapit të Ministrit të Mbrojtjes në fillim zgjodhen si rrugë më të përshtatshme për të zhvlefëtsuar këtë hap trillimet se Majko ka shprehur vetëm një qëndrim personal që nuk angazhon aspak politikën e qeverisë, se ajo deklarata e zgërlaqur ( e tredhur e cilëson Andrea Stefani) e Ministrisë së Jashtëme të Shqipërisë e hidhte poshtë qëndrimin e deklaratën e Majkos. Zelltarët e frymës serbofile filluan t'i bënëin leksion të vonuar Majkos se ai nuk duhej të vepronte vet, por t'ia kishte lënë Ministrisë së Jashtëme të përgjigjej në vend të tij për ftesën që i kishte ardhur. Madje disa e paraqitën si gjë të sigurtë se Majko kishte bërë dhe gabimin e rëndë që nuk ishte këshilluar fare me kryeministrin Nano, i cili në fakt nuk ishte në Shqipëri dhe gazetat bënin gallatë se ministrat nuk dinë ku e kanë kryeministrin. ( më 17 Gusht mësuan m nga shtypi se ai gjendet në Turqi ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale)
Pavarësisht nga mangësitë në koordinimin e mirë të veprimeve që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me jashtë midis hallkave të ndryshme të pushtetit e të administratës në Shqipëri qortimet dashakeqe në adresë të Majkos nuk e ulnin dot veprimin e Ministrit të Mbrojtjes në nivelin e një veprimi personal që nuk angazhon as shtetin, as qeverinë. Askujt nuk mund t'i lejohej në rrethanat që veproi Majko në dobi të Shqipërisë ta degjeneronte diskutimin në të tilla teknicizma spekuluese e meskine, kur shihej qartë se Serbia po zbatonte një plan të pabesë e shumë agresiv kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Qortuesve të Majkos do t'u përshtatej shumë pas asaj që bënë përgjigja me shprehjen e urtë popullore Stambolli digjet e kurva krihet.
Rrëmuja në bashkërendimin qeveritar ia rrit vlerën veprimit të Majkos
Për fat të keq ka vite që në veprimtaritë diplomatike të shtetit shqiptar ka rrëmujë. Shpesh janë bërë veprime që krijojnë përshtypjen sikur Shqipëria ka shumë politika të jashtëme e shumë diplomaci të ndryshme. Duket sikur ka një politikë e diplomaci të Presidentit, të Kryeministrit, të Ministrit të Jashtëm, të ministrave të tjerë kur hyjnë në marrdhënie të shpeshta me homologë të vendeve të tjera e mekanizma ndërkombëtare dhe veprojnë më shumë sipas tekave të tyre.
Më e arsyeshme do të ishte të pyesnim : a ka politikë të jashtëme e diplomaci të sajën Shqipëria?! Për të pasur diplomaci nuk mjafton të kesh formalisht shërbimin tënd diplomatik. Duhen edhe funksione të mirëfillta të pavarura, të përgjithëshme e specifike që t'i përmbushë ky shërbim si mekanizëm përfaqësues i një subjekti të të drejtës e të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kushti i parë për të pasur diplomacinë tënde shtetërore është të kesh politikën tënde të jashtëme shtetërore të pavarur. Për fat të keq ajo që quhet politikë e jashtëme e Shqipërisë ka vite që është vetëm një hije e vetvetes, një rendje në bisht të politikave të vendeve të tjera, sidomos të Greqisë dhe të mekanizmave ndërkombëtarë. Prandaj edhe nuk merret vesh ka apo jo diplomaci të sajën, shqiptare Shqipëria?!
Prandaj dikasteri i diplomacisë shqiptare u gjend tani në pozitën më mjerane që mund të bëhet. Prandaj nga ata që quhen diplomatë, që hiqen si diplomatë, edhe pa pasur lidhje me politikën e jashtëme, ose ish-diplomatë i kanë rënë njëri gozhdës e tjetri patkoit qysh ku filloi çështja Majko. Paskal Milo i etiketon veprimet e Pandeliut si emocione. Sabri Godo i shpall si ndjeshmëri kosovare. Tritan Shehu i mallkon si prishje të qetësisë së Ballkanit dhe si paternalizëm mbi Kosovën. Këta e plot të tjerë bërtasin se Majko duhej të kishte shkuar pa gëk pa mëk atje ku e kishin ftuar e të mos vinte fare në punë mendjen e vullnetin e tij. Këta e të tjerë pretendojnë se në këtë rast qenka bërë hataja që përgjigja nuk është lënë ta jepte MPJ, por ka vepruar vet Majko, që është anëtar i qeverisë etj. etj.
Ministri Majko dhe ministra të tjerë të mbrojtjes të Shqipërisë kanë kryer shumë herë misione e veprime me karakter të përgjithëshëm diplomatik sa që është krijuar me kohë përshtypja se ekziston dhe një diplomaci gjysmë e pavarur ushtarake në Shqipëri. Majko refuzoi një ftesë që i ishte drejtuar atij. Në mungesë të një rregulli të fortë të brendshëm që asnjë ministër, përveç të jashtëmit, nuk është i autorizuar të japë përgjigje për ftesa të kësaj natyre, Majko ka vepruar drejt dhe nuk ka shkelur asnjë rregull të brendshëm administrativ.
Vijon