Reformat Institucionale dhe Sfidat e te Ardhmes

Leksus

Primus registratum
Reformat Institucionale dhe Sfidat e te Ardhmes

SHËRBIMIT INFORMATIV NË SHQIPËRI DHE PROCESI I REFORMËS


1. Shërbimi Informativ i Shtetit deri më sot.

Reformimi i Shërbimit Informativ në Shqipëri ka kaluar në etapa të ndryshme historike, qysh pas krijimit të tij si një organizatë e vetme në vitin 1991 – Shërbimi Informativ Kombëtar. Rezultatet e kësaj reforme ende dhe sot, nuk kanë arritur qëllimet për të cilat janë krijuar. Reforma është kufizuar prej mungesës së provojës demokratike dhe dobësisë së ligjit në fushën e sigurisë kombëtare. Mungon një vizion i qartë për rreziqet dhe kërcënimet e jashtme e të brendëshme, duke e vënë vendin përballë “prioriteteve” të rreziqeve të jashtëme apo të brendëshme të paqarta, kushtëzuar kjo edhe nga mungesa e njohurive civile dhe të provojës në fushën e Shërbimeve Informative bashkohore.
Si rrjedhojë e keqreformimit, Shërbimi Informativ ka qenë për vite një pengesë për zhvillimin politk dhe të sigurisë në vend. Kjo ka sjellë ekspozimin ndaj shpërdorimit prej politikanëve për të mbajtur pushtetin e tyre. Në mjaft raste shmangia nga përgjegjësitë është justifikuar për hir te mbrojtjes së “sigurisë” apo “interesave kombëtare”, duke fshehur veprimet me justifikimin e ruajtjes së “parimit” të “shenjtë” të sekretit. Opozita, në shumicën e rasteve, është identifikuar me armiqtë e jashëm, duke venë fokusin më teper drejt saj sesa kërcënimit të jashtëm apo të brendëshëm.
Niveli i lartë i politizimit, dëshira për të ruajtur një farë pavarsie e linjë veprimi të brendëshme të vetën, mungesë e plotë e transparencës në mardhëniet me publikun, ka bërë që ky institucion të jetë i panjohur ose, deri diku, i errët për një kohë të gjatë. Jo rrallë herë janë ngritur pretendime mbi origjinën dhe lidhjet “shpirtërore” me shërbimet paraardhëse duke lenë të mendohet se ai nuk është gjë tjetër veçse një organizatë e modelit te vjeter e cila, në kushtet e tranzicionit, serviret nën një mbulesë të re.
Shërbimi Informativ ka patur një mungesë të theksuar të formatit modern, standartet dhe efikasiteti operativ jo rrallë herë dëmtohen nga mbivendosja e fushave dhe kompetencave me agjensi të tjera ( Ish SHIR-i sot SHKB-ja, SHIU etj.). Profesionalizmi i personelit është shumë i ulët, aftësitë analitike janë larg prioriteteve strategjike, nivel i pamjaftueshëm dhe shpesh herë i dobët i bashkrendimit dhe bashkpunimit me agjensi të tjera informative dhe ato të zbatimit të ligjit në vend.
Po kështu një pjesë e klasës politike, aq më pak dhe publiku i gjere, nuk janë të informuar sa dhe si duhet mbi natyrën dhe punën e Sherbimit Informativ për të patur një shkallë njohje të tij. Qeverisja e dobët, mungesa e vullnetit të ekzekutivit, joefektiviteti dhe joefiçenca kanë rritur riskun për ndikimin e korrupsionin dhe te krimit te organizuar. Në raste të caktuara Shërbimi Informaiv është anatemuar për përfshirje drejtpërsedrejtë ose tërthorazi në veprimtari te paligjeshme apo korrupsioni. Në raste të tjerë ai është përdorur edhe si shënjëstër apo instrument për përfitime politike.
Tejzgjatja artificiale e reformës ose për shakak të paaftësisë, do të rrisë presionin duke e identifikuar Shërbimin si të ngadaltë, të paaftë për ringritur dhe për t’u pershtatur ndaj rreziqeve dhe kërcenimeve të reja si dhe nën një këndvështrim tjetër, si “rrezik” për stabilitetin e brendëshëm në vend.

2. Çfarë duhet bërë ?

Për t’ju përgjigjur dhe luftuar me efikasitet kërcenimet e reja si krimi i organizuar dhe terrorizmi, duke mos lënë pas dore edhe funksionet e tjera tradicionale, është e nevovjshme të ndërtohet një Shërbim Informativ i qëndrueshëm që të mirëfunksionojë. Tashmë është i nevojshem zhvillimi i një strategjie për të rikonceptuar modelin e vjetër duke implementuar një format të ri dhe bashkohor. Por për këtë është e domosdoshme së pari të rivijzohet një kuptim i qartë i vizionit për të ardhmen i interesave kombëtarë dhe së dyti, ndërrmarrja e një analize të plotë dhe të detajuar të rreziqeve dhe kërcënimeve në fushën e sigurisë kombëtare të cilat do të jenë objekt i punës së Shërbimit Informativ.
Një nga rezultatet e pritura të reformës në vend, është ai i ndërtimit të institucioneve të bazuara në interesat kombëtarë, mbi interesat e aktorëve të paqëndrueshëm politikë, duke siguruar një vlerësim të qëndrueshëm mbi rreziqet që i kanosen sigurisë. Në këtë këndvështrim, roli i Shërbimit Informativ në funksion të mbledhjes dhe grumbullimit të informacionit, mund të ndihmojë për të krijuar një tabllo të qartë të situatës dhe sigurisht, të ndihmojë në evidentimin e kërcënimeve të cilat cënojnë interesin kombëtar. Në këtë kontekst, ai do të ndihmojë në ecjen e procesit të reformës në vend.
Kjo do të ndihmojë veçanërisht Kryeministrin, me rastin e konceptimit, dhe Këshillin e Ministrave në përcaktimin e drejtimeve të përgjithshme të politikës shtetërore.

3. A i përgjigjet struktura akuale sfidave të së ardhmes ?

Roli i shërbimit informativ në funksiont të mbrojtjes së sigurisë kombëtare npm sigurimit të informacionit objektiv, mund të realizohet me një trupë të përzgjedhur personeli, të aftë, të përshtatshme ndaj ndryshimeve dhe të mirëdrejtuar. Struktura aktuale duket se është e stërmadhe gjë e cila nuk garanton përqasjen me tendencat bashkohore. Nga ana tjetër, presionet e panevojshme do të cënonin qëndrueshmërinë e brendëshme dhe idea e shkurtimit të personelit duhet të trajtohet me kujdes. Nuk duhet të riskohet me faktin, nëse do të ndodhë, që eksperienca e personelit të Shërbimit Informativ të shfrytëzohet nga krimi i organizuar apo qarqet antishqiptare. Provoja në shumë vende të EJL e ka treguar një gjë të tillë.
Një tjetër tendencë është dilema e konturimit strukturor në të jashtëm dhe të brendshëm. Tashmë, fenomenet e reja si terrorizmi dhe krimi i organizuar nuk janë çështje vetëm të karakterit të brendshëm. Natyra e tyre po bëhet gjithnjë dhe më shumë ndërkombëtare duke mos respektuar kështu ndarjet kufitare mes shteteve. Pra, edhe ndarjet, në shërbime të jashtme dhe të brendshme do të ishte në disfavorin e luftës ndaj këtyre kërcënimeve. Do të kishte mbivendosje ndërmjet drejtimeve duke rritur mundësine e moskoordinimit dhe dualitetit të panevojshëm. Gjithashtu, në vleresim të rreziqeve dhe të pozitës gjeopolitike të faktorit shqiptar, ka një tendencë të përputhjeve të krimit të organizuar dhe terrorizmit me veprimtarinë e spiunazhit. Procesi i globalizimit do të rrisë riskun për fenomenet e reja, ndarjet në shërbim të jashtëm apo të brendshëm do të ishin jo funksionale dhe aspak efikase. Në këtë kuadër, shërbimet e ndara do të kërkonin trajtime të tilla si bashkrendimi, bashkpunimi, me tepër fonde, mbivendosje dhe forma të shpërndara kontrolli.
Ndërkohë, një Shërbim Informativ unik do të ishte me elastik ndaj këtyre rreziqeve, do të siguronte një ndërinformacion më të shpejtë me partnerët, më tepër lehtësi për nënështrimin ndaj kontrollit parlamentar, ekzekutiv dhe të publikut si dhe më pak burokraci në mardhëniet me agjensitë e tjera të zbatimit të ligjit në vend si dhe njësitë ekzekutive.

4. Kuadri ligjor.

Zbatimi i një strategjie e cila do të zvendësojë modelin e vjetër me një format të ri në funksion edhe të vizionit të ri në interesat kombëtarë, do të kërkojë ndryshime ligjore të qarta dhe pa konsiderata politike. Përcaktimet e duhura ligjore do të kenë efekt vetëm nëse ato të respektohen dhe do të jetë vullneti i duhur për t’i zbatuar. Faktori ligjor dhe ai politik duhet të ngrihen mbi prapambetjen konceptuale të firkës nga “kërcënimi” që sjell Shërbimi Informativ, si dhe nga interesat afat shkurtër të spektrit politik.
Nga ana tjetër, vendosja e korrnizave ligjorë dhe miratimi i tyre nuk do të garantojë rezultatin e kërkuar. Është tepër e rendësishme t’i lihet vend debatit publik mbi tiparet e legjislacionit që do të krijohet. Vetë Shërbimi Informativ duhet të përfshihet në këtë proces, me ekspertët e tij, jo vetëm në bazë të “dekadave” në Shërbim por edhe të profesionistëve më të rinj e me ide më bashkohore.
Reforma ligjore duhet të jetë e orientuar në bazë e për zbatim të kushtetutës, duke vendosur kufij të qartë dhe garanci të nevojshme ndaj mekanizmave të kontrollit , balancë të qëndrueshme ndërmjet lirive dhe të drejtave të njëriut nga njëra anë veprimtarisë informative dhe sekretit nga ana tjetër.

5. Pjesmarrësit në procesin e reformës.

Grupet e punës duhet të kenë një natyrë të pavarur, për kryerjen e rishikimit të reformës së deritansishme e me qëllim së pari, për të përcaktuar arsyet dhe shkaqet të cilat janë të nevojshme për kryerjen e ndryshimeve në procesin e reformës së deritanishme, para marrjes së nismave të reformave ligjore, duke i raportuar përfundimet të drejtuesit e shtetit dhe publikut e, së dyti, nënështimi i përfundimeve ndaj debateve publike, vlersimeve të ekzekutivit dhe të legjislativit.
Nuk duhet harruar që, me ndërmarrjen e hapave të nevojshëm në procesin e ndryshimeve lijgore, duhet të përcaktohen qartë prioritetet në fushën e sigurisë kombëtare, njohja e tyre me publikun dhe grupet e interesit si dhe nënështrimi ndaj një vlerësimi dhe bashkpjesmarrje brenda vetë organizatës, pra Shërbimit Informativ.

6. Shërbimi Informativ nën një format të ri dhe bashkohor.

Shërbimi Informativ i një format të ri dhe bashkohor duhet të ketë më tepër profesionalizëm, të krijojë besueshmëri te publiku dhe të ruajë demokracinë. Ai duhet të jetë i aftë të sigurojë informacionin e duhur për mbrojtjen e sigurisë dhe interesave shtetërorë, duke patur një sistem ndërveprimi të bazuar në një kuadër të përshtatshëm ligjor dhe respektuar të drejtat dhe liritë themelore te individit. Nga ana tjetër, duhet të ketë një sistem drejtimi të bazuar mbi përgjegjësine dhe përgjegjshmërinë që t’i bindet rendit të ligjit.
Të krijohet një mënyrë e re në mardhëniet me sistemet mbikqyrëse të ekzekutivit, presidentit dhe kuvendit. Roli i publikut dhe i medias duhet të zërë vendin që i takon në performancën e një Shërbimi Informativ i cili ndërton demokracinë, për të siguruar që pushteti i tij nuk keqpërdoret.
Një vend të rendësishëm, përpos “eksperiencës” demode të parardhësve, duhet të zërë profesionalizmi i personelit. Një nga elementët bazë duhet të jetë rekrutimi i burimeve njerzore mbi kritere dhe standarte të larta si në nivelin arsimor edhe intelektual. Është e udhës të themi se, është koha që Shërbimi informativ të jetë një shërbim ELITAR sa i përket nivelit të burimeve të inteligjencës që ai disponon, shoqëruar nga trainimi i personelit si dhe një karrierë e garantuar.
Më tepër vend duhet t’u lihet drejtuesëve të rinj por që demostrojnë profesionalizëm dhe që janë të aftë të marrin përsipër përgjegjësi në punën në grup, që kanë aftësine e duhur për të motivuar personelin, për të shtuar aksionin e përbashkët ndaj arritjes së interesasve kombëtarë dhe që zhvillojnë standarte të reja për kryerjen e detyrave, që respektojnë e zhvillojnë etikën dhe disiplinën si vlera dhe jo si relike të kohrave të së shkuarës.

Në një kohë që, zhvillimet e shoqërisë shqiptare po ecin me ritme tejet e të shpejta dhe drejt një emancipimi me cilësor, Shërbimi Informativ do të duhet t’u përgjigjet sigurisht dhe kërkesave të zhvillimit, për t’u vënë në krye e jo mbrapa tij. Është i nevojshëm krijimi i një dimensioni të ri në mardhëniet me publikun, nëse mendojmë se interesat kombëtare shqiptarë në fund të fundit lidhen me të.
Në vend të modelit të “kermillit” që fshihet nën guackën e tij, krijimi i një tradite të re për kryejren e raportimeve të Shërbimit Informativ, e kur është e domosdoshme edhe hollësi të veprimtarisë operatvie, është i domosdoshëm, parë edhe si një sfidë e re në krijimin e mardhënie besueshmërie me publikun.
 
Top