PS: Shteti po tallet me banorët e Dibrës

Albforumi

Primus registratum
PS: Shteti po tallet me banorët e Dibrës

“Në një situatë alarmante pas tërmetit, qeveria indiferente”</p>


Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se po qëndron indiferente ndaj banorëve të zonës së Dibrës të goditur nga tërmeti para një jave. Në një deklaratë për shtyp, deputeti i kësaj zone, Qemal Minxhozi, theksoi se po bëhet gati një javë që banorët e zonës së Dibrës vazhdojnë të jetojnë jashtë dhe të përjetojnë çdo natë mungesën e dorës së shtetit. “Kanë kaluar 7 ditë dhe ende qeveria po tregohet e paaftë për të administruar këtë fatkeqësi natyrore”, u shpreh zyrtari i lartë i Partisë Socialiste, i cili nuk harroi të kritikojë edhe vetë Kryeministrin Berisha. “Shteti po tallet me këta banorë, pasi atje është dukur vetëm një javë më parë kur Kryeministri vizitoi zonën me helikopter duke u dërguar banorëve makarona, oriz dhe fasule”, u shpreh ai. Kaq, nënvizoi Minxhozi, ishte emergjenca e shtetit karshi këtyre banorëve. Deputeti i PS-së shtroi pyetjen sesi është e mundur, që në këtë situatë alarmante, qeveria po qëndron kaq indiferente. Ai sakaq, hodhi poshtë të gjitha deklaratat e bëra deri më tani nga zyrtarët e shtetit ku thuhet se në terren janë dërguar 400 çadra për banorët, të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë e tyre. Në vlerësimin e deputetit Minxhozi, kjo nuk është e vërtetë. Sipas tij maksimumi janë dërguar vetëm 10% e tyre, ndërkohë që 150 familje, përfshi këtu fëmijë, gra dhe pleq, po kalojnë natën në qiell të hapur. Ai sqaroi se edhe ato çadra, duhet thënë se janë çadra verore që nuk i mbrojnë të strehuarit nga shiu. “Përpara 2 kg fasule, makarona apo oriz, njerëzit në këto zona po kërkojnë bazë materiale për të rindërtuar shtëpitë e tyre”, konstatoi gjatë deklaratës për shtyp deputeti i PS-së, Minxhozi. Duke kritikuar shtetin për indiferencën e treguar ndaj kësaj fatkeqësie, Minxhozi theksoi se nëse kjo fatkeqësi do të kishte ndodhur një javë para zgjedhjeve, jam i bindur se i gjithë shteti do të ishte prezent aty dhe do të plotësoheshin kërkesat e banorëve. “Këtu kemi të bëjmë me një indiferencë që nuk po vret vetëm këta njerëz, por po vret edhe shpresat e tyre për të ardhmen”, theksoi Minxhozi. Një javë më parë, zona e Dibrës u trondit nga një tërmet i fortë me epiqendër në fshatin Gjoricë të këtij qarku. Për fat të mirë nuk pati viktima, por u shënuan vetëm dëme materiale. Gjatë netëve në vazhdim kjo zonë është tronditur pothuajse çdo natë nga lëvizjet sizmike, duke trembur banorët, të cilët për të shpëtuar familjet e tyre nuk janë futur ende në shtëpitë e tyre. Siç raportohet nga korrespodentët, ata flenë prej një jave jashtë në çadrat e improvizuara para oborreve të shtëpive të tyre. Pas lëkundjeve të para në zonën e Dibrës mbërriti Kryeministri Berisha, deputetë të zonës dhe drejtuesit e shtabit të emergjencës, të cilët premtuam për sistemimin e të gjithë banorëve që u janë dëmtuar shtëpitë nga tërmeti. Pas Kryeministrit, dy ditë më vonë, mbërriti atje kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili kritikoi qeverinë se i kishte mashtruar këta banorë duke mos iu përgjigjur kërkesave të tyre dhe premtoi se opozita do të ngrejë fort zërin derisa halli i banorëve të zonës së Dibrës të prekur nga tërmeti të zgjidhet. Banorët pretendojnë se ende nuk kanë marrë ndonjë ndihmë nga shteti për shtëpitë e dëmtuara, ndërkohë që krejt tjetër është pretendimi i shtetit dhe konkretisht i Ministrisë së Mbrojtjes.(Shqip)</p>
hbvd0zF3a04

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22278. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22278
 
Top