Re: PRONAT
Flet zëvendësministri i parë i Rendit pas çlirimit, Nexhmi Ballka. "Çuditë e punës sime për urdhërat e papritur që më vinin dhe pse i kërkova Enver Hoxhës të m'i jepte me firmë"
"Enveri më urdhëroi të sekustroja vilat e pasanikëve"
--------------------------------------------------------------------------------
Nexhmi Ballka, një prej ish-kuadrove më të lartë të Ministrisë së Rendit, i cili kishte ardhur në detyrën e lartë që në ditët e para të çlirimit të vendit, rrëfen për gazetën ato që përjetoi kur mori detyrën e papritur. Çfarë ndodhi kur u takua me ministrin e parë të pasluftës, Haxhi Lleshin, dhe porositë e marra prej tij? Si e konceptoi strukturën e parë të kësaj ministrie menjëherë sa filloi punën dhe odiseja e gjatë që u ndoq nga funksionarët e parë për të gjetur ambientin në të cilin do të instalohej dikasteri, që më vonë "do të bënte hije" mbi popullin e thjeshtë? Përplasja e papritur e tij me njeriun e fuqishëm të Partisë Komuniste, Koçi Xoxen, për shkak të emrit që do të merrte organi i rendit në të ardhmen. Pse Koçi dha urdhrin e prerë për të pasur emrin "Milici popullore", ndërsa Ballka këmbëngulte për t'u quajtur "Polici popullore"? Si ndërhyri Enver Hoxha dhe pse ai i dha të drejtë funksionarit Ballka? Këto dhe shumë hollësi të tjera i lexuat në numrin e kaluar të intervistës së 90-vjeçarit Nexhmi Ballka. Ndërkohë, në vazhdimin e intervistës së tij në numrin e sotëm do të lexoni për situatën ekonomike në të cilën ndodhej shteti komunist i porsadalë nga lufta dhe si hanin bukë qeveritarët në restorantin e hotel "Dajtit", duke regjistruar emrat në listën e borxheve. Urdhri i Koçi Xoxes për të detyruar Nexhmi Ballkën që me forcat e policisë që zotëronte në atë kohë, të dëbonte nga shtëpitë njerëzit e thjeshtë, që kishin vila private, të përshtatshme për të banuar këshilltarët jugosllavë, të cilët po vinin kohët e fundit me shumicë në Tiranë. Kundërshtimi i prerë që i bëri Ballka një gjëje të tillë dhe si vijoi situata e mëtejshme pas këtij incidenti. Çfarë debati bëri ai me Enver Hoxhën ndërsa hanin drekë në restorantin "Vakëf" të hotel "Dajtit". Guximi e Nexhmi Ballkës, i cili atëherë ishte veç 30 vjeç, për t'i kërkuar kryeministrit Hoxha çdo urdhër me shkrim dhe asnjëherë verbal etj. Gjithçka do ta ndiqni në intervistën e mëposhtme të Ballkës, i cili ndonëse tashmë i ka kaluar 90 vjetët, gjithsesi ka një gjendje fizike të admirueshme.
(Vijon nga numri i kaluar)
Zoti Ballka, si e programonit kohën e punës, ndërkohë që shtetit i mungonin institucionet.
Ishin kohë shumë të vështira, kur e nisnim punën që në orën 05.00 dhe e përfundonim atë pas orës 24.00 apo edhe 01-02.00 pas mesnate. Kthehesha në shtëpi i sfilitur, haja ndonjë trahana me qepë apo ç'të gjeja tjetër, dhe binim të flinim si të vdekur, pasi na priste të nesërmen sërish një ditë plot ankth dhe tension, apo kushedi se çfarë peripecie e re ishte ruajtur, pasi çdo ditë nuk shpëtonim dot nga ndonjë e tillë.
Gjenit dëshirë për të punuar në atë mënyrë, me shpërblime minimale?
Kishim një gjë në atë kohë. Nuk e di, por kishim një besim të madh në të ardhmen e popullit dhe të fëmijëve tanë, pasi dinim se ajo do të bëhej me të vërtetë e bukur dhe e begatë. Ne në atë kohë vinim nga lufta dhe vendi kudo binte era barut, kështu që idealizmi nuk na lëshonte kollaj. Besimin se do të vinin ditë të lumtura nuk mund të na i hiqte kush. Kjo, dihej, kishte ardhur, pasi kishte zënë mirë vend në ndërgjegjen tonë propaganda komuniste për një të ardhme të lumtur. Duke u mbështetur mbi këtë ndërgjegje tonën, ne nuk pyetnim për oraret dhe as për veten tonë, në qoftë se na ndodhte gjë nga të papriturat e shumta me të cilat ndesheshim kudo në punën tonë.
Çfarë quani të papritura?
Unë, deri sa do të më thërriste Koçi Xoxe, nuk dija gjë se si do të vinte saktësisht e ardhmja dhe as kisha idenë se çfarë planesh kishte në mendje udhëheqja më e lartë e shtetit, të cilat më vonë do t'i kthente në vendime qeverie dhe do të përcaktonte parimet mbi të cilat do të ecte shteti në të ardhmen. Këtë e mora vesh pikërisht kur më thanë se më kërkonte urgjentisht në zyrën e tij sekretari organizativ i Partisë dhe një nga njerëzit e fuqishëm të shtetit, Koçi Xoxe. Ishte vera e vitit 1945, kur mora njoftimin se më kërkonte urgjentisht në zyrën e tij Koçi Xoxe. Atje kuptova se Koçi ishte në dijeni të të gjitha reformave të ardhshme që do të ndërmerrte shteti komunist. Ai kishte kompetenca të atilla, saqë i imponohej kujtdo qoftë. Sa shkova në zyrën e tij, madje pa arritur as dhe të përshëndesja, ai, pa m'i drejtuar fare sytë, por duke vazhduar të lexonte, a thua do të jepte ndonjë urdhër për pastrim oborri dhe jo një urdhër që do të merrte në qafë dhjetëra e dhjetëra njerëz, më tha që të shikoja nëpër Tiranë për të verifikuar mbi 10 vila të mira. Sqaroi se vilat private, ku tashmë banonin pronarët e tyre, duhej të shikoheshin nga ana funksionale, paraqitja e jashtme, të kishin lule apo gjelbërim, të ishin me oborre dhe në pozicione të mira. Unë, pa e ditur se përse bëhej fjalë, më tej i them Koçit se këtë gjë e mbaroj unë që të nesërmen, dhe pa e zgjatur e pyeta nëse mund të largohesha. Ai ma bëri me kokë, duke dashur të thotë se nuk kishte gjë tjetër për të thënë, vetëm se ishte në pritje të zbatimit të urdhrit të dhënë.
E zbatuat?
Isha i detyruar. Por e çuditshmja ishte se as nuk e dija përse i donte Koçi këto evidentime dhe as e pyeta. Mua nuk më shkonte mendja kurrë se ato i donin për të futur funksionarët jugosllavë, që atë periudhë po vinin me shumicë në Tiranë si këshilltarë. Ishin, siç të shpjegova pak më parë, ditët e para, dhe nuk e kishim idenë se si kishte ndër mend të ecte shteti komunist. Kështu që të nesërmen thërrita në zyrën time drejtorin e përgjithshëm të policisë, Namik Xhafën, të cilit i dhashë urdhrin e marrë nga Xoxe. Unë, për të qenë më korrekt, i thashë drejtorit të policisë që të mos verifikonte dhjetë, por shumë, mbi tridhjetë apo edhe pesëdhjetë të tilla. Namiku, menjëherë sa mori urdhrin, shkoi të rreshtonte forcat dhe të zbatonte detyrën e ditës.
A i konstatoi?
Atëherë kishte vila shumë të bukura të tregtarëve të Tiranës apo të tiranasve të vjetër që kishin hyrë e dalë në shumë shtete. Por, kryesisht ata që ishin marrë me tregti, kishin bërë shumë vila të hijshme, të cilat ishin me oborre të bukura, mbjellë me portokalle apo limona. Kishin hijeshi të jashtëzakonshme dhe ndodheshin gjithashtu edhe pozicione të mira. Namik Xhafa u kishte vënë në dispozicion vartësve të vet dy makina tip "breshke", të cilat kishin ngelur nga gjermanët, dhe i kishte urdhëruar ata që t'i binin kryq e tërthor Tiranës për të zbatuar detyrën. Nga mbrëmja më thotë se ka evidentuar, me adresa shumë të sakta, jo dhjetë e njëzet vila, por plot 60 të tilla, që "janë shumë të mira, me ato kërkesa që na janë thënë". I mora adresat në dorë dhe, pasi pashë vendndodhjen e tyre dhe duke pyetur për sqarime dhe drejtorin, piketova dhjetë më të mirat, dhe shkova të nesërmen në zyrën e Koçit.
E mësuat përse i donte Koçi?
E mësova patjetër, se ajo për mua nuk ishte një gjë e thjeshtë, por gjëja më e pamundur që mund të më ndodhte në ato momente. I shpjegova Koçit se vilat luksoze ndodheshin në kodrat e Fuat Beut, te Shkolla e Kuqe, Rruga e Durrësit dhe Rruga e Dibrës. Ai, si dëgjoi me vëmendje, në mënyrë krejt të natyrshme më dha urdhrin e papritur. " Mirë, dakord për sa më the. Tani duhet të shkosh të marrësh forcat e policisë dhe t'i zbrazësh menjëherë, pasi na duhen të lira". Në atë kohë m'u rrotullua vendi dhe iu ktheva Koçit se ato ishin të pronarëve dhe nuk mund të na lejonte kush të bënim një gjë të tillë. Pronarët e tyre nuk do të kishin aspak dëshirë për të dalë nga ato shtëpi. "Ku mund t'i çojmë ata?" e pyeta. "Ku të duash, - ma ktheu. - Nuk dua të di për këtë gjë të vogël. Pronarët çoji po deshe në Myzeqe, apo po deshe në malësi. Mua deri nesër do të më raportosh që vilat janë gati, pasi është menduar që në to të banojnë këshilltarët jugosllavë". Toni i Xoxes për mënyrën e kundërshtimit tim këtë herë ishte bërë shumë i ashpër. Unë nuk dija çfarë të bëja. Këtë gjë, që mund të nxjerrësh tjetrin nga banesa dhe t'i thuash që "ik ti, se do të vijë ky tjetri", as e kisha parë dhe as e kisha dëgjuar. Nuk mund të kuptoja atëherë se mbi këtë bazë do të ecte rregullisht shteti.
Çfarë bëtë?
E çfarë mund të bëja, veçse në atë inat që më kishte kapur, s'më ngelej veç të mbërthehesha me Koçin, megjithëse e dija që ishte me rrezik për të ardhmen time. Megjithatë, u lëshova: "Dëgjo këtu, zoti Koçi, unë nuk mund ta zbatoj këtë urdhër, pasi nuk mund ta kuptoj se si mund të nxjerrësh tjetrin nga shtëpia dhe t'i thuash që 'nuk dua të di se ku do të shkosh këtej e tutje', kur ai për vite të tëra, madje edhe për breza, ka arritur të bëjë një shtëpi të tillë. "Me ç'të drejtë, shoku Koçi, - vijova më tej, - ato gra dhe fëmijë që jetojnë në shtëpitë e burrave dhe të prindërve të tyre t'i nxjerrim jashtë?". Ai, me një gjakftohtësi të habitshme dhe pa e humbur toruan, ma ktheu me një ton të qetë: "Me të drejtën e nevojës. Unë nuk dua të di se ku do të përfundojnë ata borgjezë, por mua më interesojnë vilat e tyre për misionarët jugosllavë që vijnë këtu për të mirën dhe progresin e vendit tonë. Unë po të them se së shpejti këtu do të jenë dhjetë familje të tilla, për të ndihmuar administratën më të lartë të shtetit dhe ata duhen sistemuar bashkë me familjet e tyre".
E zbatuat urdhrin?
Vijova akoma debatin, duke i thënë së fundmi Koçit: "Unë jam për zbatimin e ligjshmërisë së pushtetit popullor dhe jo për shkeljen e saj. Kështu, po ju them se këtë urdhër nuk do ta zbatoj". Atëherë Koçi, çuditërisht i nxehur për sa i fola, ma ktheu: "Unë po ju them se do ta çoj problemin deri te kryeministri". Pas kësaj dola, pa e kthyer më kokën, duke thënë me vete: "Të bëjnë çfarë të duan".
Shkoi çështja deri te Enveri?
Patjetër që shkoi, se unë isha i vendosur që të mos e zbatoja urdhrin. Por, nga sa kuptova, jo vetëm që Enveri u informua saktësisht për përgjigjen time, por ai ishte personi që i kishte dhënë direkt ato urdhra, por e kishte taktikë të vinte para Koçin.
Nga e kuptuat këtë?
Një drekë, pasi kishin kaluar 4-5 ditë nga koha kur kisha debatuar me Koçin për problemin që fola, shkova në restorantin e hotel "Dajtit" për të drekuar, pasi aty haja edhe unë, si të gjithë kuadrot e larta, ndërsa regjistrimet e shpenzimeve bëheshin në një bllok të posaçëm. Sa hyra në restorant, pashë që së largu se diku në skaj të lokalit ishte ulur Sejfulla Malëshova dhe po hante bukë. Ai ishte vetëm dhe ma bëri me dorë. Në atë periudhë Sejfullai ishte anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë dhe ministër i Arsimit. U ula te miku im i vjetër, duke kthyer krahët nga dera. Nuk kishin kaluar veç pak çaste që isha ulur, kur një dorë më bie si me delikatesë mbi sup nga mbrapa. Kthej kokën, ndërsa shikoja Sejfullain që po qeshte me domethënie, dhe pashë që ishte vetë kryeministri Hoxha. Kishte ardhur të hante drekën së bashku me Koçin dhe Nakon, të cilët në ato momente kishin zënë vend diku në njërën nga tavolinat e rezervuara për udhëheqjen më të lartë. Ai, pasi më dha dorën, më tërhoqi disi, si për të më dhënë të kuptoja se kishte diçka me mua. Kur ishim spostuar disi, më foli si nën zë: "Ore Nexho, pse nuk e ke zbatuar atë urdhrin që të ka dhënë Koçi? Si mund ta bësh një gjë të tillë, kur një kuadër i lartë i Partisë ju lë një detyrë të tillë, dhe ju as që doni t'ia dini?". "Dëgjoni, shoku kryeministër, - ia ktheva. - Unë jo më kot nuk e zbatova. Ai ishte një urdhër që binte ndesh me të gjitha ligjet dhe normat e shtetit tonë që po ndërtojmë. Pastaj, në qoftë se ju jeni dakord që unë të zbatoj një urdhër që prek kaq shumë interesat e njerëzve, ma jepni me shkrim si kryeministër, dhe unë jam gati ta zbatoj me pikë e me presje". Ai, pas kësaj, qeshi dhe më ra krahëve si me qesëndi, por e pashë që nuk u ndje mirë nga përgjigjja ime.
Si vepruat pas kësaj?
Absolutisht s'bëra asgjë. Nuk ma mbante që unë të zbatoja një urdhër të tillë. Ku e dija unë se shteti do të bënte kërdinë në ditët që do të vinin, ndërsa unë mendoja se do të vinte një ditë që të përgjigjesha për atë që do të bëhej.
Pse, çfarë u bë?
Unë u shkarkova menjëherë nga detyra në rend dhe kalova zëvendësministër i Arsimit, ndërsa ministër ishte Sejfulla Malëshova. Në vendin tim u emërua Nesti Kerenxhi. U shkarkua edhe Haxhi Lleshi dhe në vendin e tij erdhi vetë Koçi Xoxe. Pas kësaj, ajo ministri u fuqizua dhe u konsolidua me ekipe speciale dhe me shumë kuadro, që Koçi më së shumti i solli nga Korça, dhe si përfundim u bë llahtar për popullin.
I sekuestroi vilat?
Jo 10 vila, por plot 80 të tilla, të cilat u bënë brenda 10 ditësh. Pas tyre, brenda një periudhe të shkurtër, u sekuestruan plot 360 vila. Shkonte makina te dera dhe, pa paralajmërim, i flisnin të zotit të shtëpisë që të hidhte shpejt plaçkat në makinë, se nuk kishte kohë për të humbur, pasi ishte në listën e të dëbuarve. Pastaj filloi faza e dytë e kësaj historie, kur në shtëpitë e shumë pronarëve u futën njerëz të thjeshtë dhe të zotit të shtëpisë i liheshin një ose dy dhoma, ndërsa në të shumtën e rasteve i lihej bodrumi.
Si e mbushi Enver Hoxha buxhetin e boshatisur të shtetit të pasluftës
Ishin vitet e para të çlirimit ku qeveria e Enver Hoxhës, e cila kishte pak kohë që kishte ardhur në pushtet, nuk trashëgonte nga administrata e qeverisë së vjetër asnjë fond financiar, përveç një sasie dokumentesh arkivore që gjithsesi do të përbënin bazën e pushtetit të ri.
E veçanta ishte se në një situatë të tillë ekonomike, zyrtarët e asaj periudhe gjenin kurajo dhe optimizëm për të marrë iniciativa të pabesueshme, të cilat kishin kosto të jashtëzakonshme financiare për mundësitë e kohës. Bëhet fjalë për një periudhë kur jo vetëm zyrtarët e lartë të shtetit, por deri te ministrat, madje edhe vetë Enver Hoxha, hanin bukë pa paguar në hotel "Dajti", në të cilin mbahej vetëm bordero"TIP".
Megjithatë, mes bujës dhe propagandës së jashtëzakonshme me të cilën vazhdonte të instalohej, pavarësisht buxhetit krejt të zbrazur që zotëronte në ato momente, pushteti i ri komunist vazhdonte të bënte premtime dhe të merrte masa, të cilat kërkonin përditë rritje të konsiderueshme shpenzimesh. Mësohet se financierët e paktë të trashëguar nga koha e mëparshme ishin krejt të paorientuar dhe madje të shokuar me atë çka shikonin në realitet.
Por gjithçka ishte parashikuar për më vonë, kur me një sulm të fuqishëm nën një propagandë dhe presion të jashtëzakonshëm, filloi të plotësohej në mënyrë të rrufeshme dificiti financiar i trashëguar i shtetit komunist,
duke filluar nga vitet 1945 dhe deri në '70-n, madje edhe më vonë. Filluan sekuestrimet mbi tregtarët shqiptarë që mbanin në magazinat e tyre stofra, metrazhe të ndryshme, pije, ilaçe e të tjera, të cilat ishin përcaktuar në një buletin qeveritar. Ndërkohë, filluan tatimet mbi baza abstrakte, por këto veprime ushtroheshin bazuar mbi një presion ligjor ekstrem, i cili sanksiononte me nene deri dhe dënime me vdekje. Më e veçanta dhe më pikantja qe se për njerëzit me mirëqenie nuk do të përbënte kurrfarë problemi ajo që po bënte qeveria e re mbi ta, në qoftë se në fund nuk do t'u sekuestronte edhe shtëpitë e tyre luksoze, të cilat i kishin bërë me shkathtësinë dhe mundin e tyre, pas një pune shumëvjeçare në tregti. Pas kësaj ata do të akuzoheshin edhe si armiq apo bashkëpunëtorë të pushtuesit të fundit të Shqipërisë, apo diçka tjetër, derisa të përfundonin në burg apo edhe në pushkatim.
Komunistët sekuestruan në vitin 1947 mbi 360 vila private
Që në vitin 1945, nga qeveria shqiptare e porsaardhur në pushtet pas luftës, doli urdhri i parë verbal për të dëbuar 10 familje nga vilat e tyre personale, ku do të hynin specialistët sovjetikë, të cilët po vinin atë periudhë me shumicë. Deri në fund të vitit 1947 u arrit të sekuestroheshin deri në 360 vila. Pas kësaj, familjarët e tyre dëboheshin në rrethe të ndryshme të vendit. Paralelisht me këtë veprim, nga fillimi i vitit 1946 po përdorej edhe metoda tjetër për të strehuar bashkë me pronarët ekzistues të shtëpive private edhe familje të tjera. Në këtë rast, nuk ka të dhëna krejt të sakta, por llogariten qindra familje që u strehuan nga pushteti i ri brenda banesave private, dhe në jo pak raste pronarëve u caktohej si vendbanim bodrumi i shtëpisë që kishin ndërtuar vetë. Më pas u ngrit komisioni qendror i tatimit të tregtarëve, kryetar i të cilit u caktua Abdyl Këllezi dhe nënkryetar nënkoloneli Beqir Balluku. U sekuestruan dhjetëra kilogramë flori, si dhe stofrat e ndryshme, që llogariteshin në qindra tonë. U sekuestruan gjithashtu pije dhe barna të ndryshme mjekësore të ndryshme, të cilat ishin përcaktuar në buletinin e qeverisë si të sekuestrueshme, siç ishin pijet: "Kulmek", "Dopiokumelk", "Fjoralpin", "Vermut", "Brand" etj. Pas këtyre veprimeve ekstreme, magazinat e shtetit filluan të kishin mbingarkesë furnizimi