poker Spiunësh

Leopardii

Primus registratum
poker Spiunësh

PD, PS, LZHK, LSI, poker spiunësh në parlamentin e ri

Në fillim të kësaj fushate elektorale, midis dy partive të mëdha, nga njëra anë, PS dhe PD, si dhe dy rivaleve të tyre brenda llojit nga ana tjetër, LSI dhe LZHK, u vu re një aspekt mjaft intrigues i “luftës” elektorale, përdorimi i dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Ky aspekt i “luftës” konsistonte në akuza të ndërsjellta për kandidatët për deputetë të palëve si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Për shumëkënd ky qe aspekti më interesant i fushatës, pasi mund të pritej që, pa dashjen e partive politike, rezultati të qe transparenca e një prej aspekteve më të errta të trashëgimisë së diktaturës komuniste, spiunëve të Sigurimit të Shtetit në politikën pluraliste shqiptare.Por, gjatë përdorimit në fushatën elektorale të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, u vu re një fenomen i ngjashëm me atë që gjatë periudhës së “Luftës së Ftohtë”, kur ekzistonte rreziku i luftës së përgjithshme bërthamore quhej si “ekuilibri i frikës” i ardhur nga “shkatërrimi i sigurt i ndërsjelltë”.Sipas këtij koncepti, asnjëra nga superfuqitë, ose fuqitë bërthamore, aleate të tyre, nuk guxonte që t’ i përdorte armët bërthamore, pasi kjo do të çonte në përdorimin masiv të tyre, çka do të shkaktonte shkatërrimin e sigurt të të gjitha palëve të involvuara. Që të shmangej një situatë e tillë u krijua dhe i quajturi “teletajpi i kuq”, që lidhte direkt Shtëpinë e Bardhë me Kremlinin dhe që ishte një mënyrë e sigurt për komunikim me qëllim parandalimin e precipitimit të konflikteve.
Në politikën shqiptare “ekuilibri i frikës” vepron midis “superfuqive” (PS dhe PD), në rastin e përdorimit të “armëve bërthamore” të politikës shqiptare, që janë dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Me këto “armë” janë të pajisura si PS dhe PD, falë qenies në pushtet të lidershipit të tyre në kohë të ndryshme dhe mundësisë për akces në arkivat ku mbahen dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Por, të dy palët e dijnë se përdorimi i “armës” së dosjeve do të çonte në një precipitim të luftës politike, që do të çonte në shkatërrimin e sigurt të ndërsjelltë. Kështu, nëse PS do të sulmonte PD-n dhe aleatët e saj me dosjet “Këndesi”, “Gjeli”, “Çorapja”, “Sqepi”, “Masoviku”, “Çiklisti”, “Shishja e qumshtit”, “Naftëtari”, “Alfons Ballsha”, “Demoni”, “I Vogli”, “Qukapiku”, “Dizenjatorja”, “Inxhinieri”, “Medicina”, “Çiftelia”, “Nemërçka”, PD nga ana e saj do të përgjigjej me dosjet VIP të krerëve të PS-s dhe ministrave si “Cigarja”, “Anteu”, “Ylli”, “Serbi”, “Llulla”, “Financieri”, si dhe me akuzën e përjetshme se PS është trashëgimtare e partisë që krijoi dhe komandoi Sigurimin e Shtetit dhe se spiunët e rëndomtë vepronin sipas platformave të përgatitura nga Komiteti Qendror i PPSH-s dhe Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste ku kontribuonin dy nga drejtuesit kryesore të mazhorancës së sotme të majtë, pa përmendur këtu faktin se numri dy i PS-s është ish-shefi i Sigurimit të Shtetit. Prandaj, në këtë fushatë elektorale, dy “superfuqitë” e politikës shqiptare, PS dhe PD, evituan që ta përdorin “armën bërthamore” kundër njëra tjetrës dhe u kufizuan në përdorimin e “armëve konvencionale”, domethënë akuzat për korrupsion dhe për ngjarjet e 1997-s. Prandaj Berisha i kërkon Fatos Klosit që t’ ia publikojë rivalit të vet në Mallakastër, ministrit të jashtëm Kastriot Islami dosjen e Sigurimit të Shtetit, të cilën çuditërisht nuk e publikon vetë Berisha, që e zotëron sigurisht si ish-President, ndërsa Nano nuk i kujton Berishës p.sh. se Genc Rulin, kandidat i PD-s në Gjirokastër, në mbledhjen e Këshillit kombëtar të PD-s në prill 1997 e ka quajtur bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Prandaj Nano nuk i kujton Berishës se jo më larg se vjet në tetor i ka quajtur “çekistë” deputetët e partive aleate që votuan pro kandidatit të së majtës për Kontrollin e Shtetit, edhe pse disa prej tyre sot janë kandidatë për deputetë të mbështetur nga PD, si p.sh., kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova. Por ato nuk hezituan që të provojnë ta përdorin “armën bërthamore” kundër rivalëve respektivë brenda llojit, LSI dhe LZHK, duke menduar se këtu rreziku qe më i vogël.
Lufta e dosjeve, filloi së pari midis PD-s dhe LZHK-s. Në fillim të fushatës, në ditoren praën PD-s “TemA” u botua shkrimi me autor Bedri Blloshmin “LZHK, ose sofra e spiunëve”. Në këtë shkrim denoncohej me emër një kandidat për deputet i LZHK-s në Korçë, si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe pjesëmarrës në cilësinë e ekspertit në një gjyq të montuar politik të kohës së diktaturës komuniste ku qenë dënuar me vdekje njerëz të pafajshëm. Nga vetë titulli i shkrimit dhe përmbajtja e tij, aludohej se LZHK qe një “sofër politike” ku qenë ulur këmbëkryq spiunët e Sigurimit të Shtetit. Shkrimi i Blloshmit mbështetej mbi një premisë të vërtetë, pasi tashmë në shtyp është botuar disa herë ekspertiza letraro-sigurimse e individit në fjalë (herën e fundit është botuar në prill të këtij vitit), gjë për të cilën nuk mundej mos të qe në dijeni kreu i LZHK-së, Leka I Zogu. Ishte e qartë se, PD dhe Berisha po kërcënonin LZHK-n dhe Leka Zogun se do t’ i shkatërronin me “armën” e dosjeve, në rast se nuk mbanin një profil të ulët të luftës politike kundër PD-s.
Në mjediset e LZHK ky sulm, që për më tepër paralajmëronte një sulm total, u prit me alarm dhe LZHK u kundërpërgjegj duke publikar dosjen penale në Itali të aleatit më të ngushtë të Berishës, Fatmir Mediut (ish-Mehdihoxha). PD reagoi duke e rritur presionin ndaj LZHK-s me “armën” e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe duke e kërcënuar me botim të dosjeve të kandidatëve të saj për deputetë. Në një editorial të njeriut më pranë Berishës në mediat opozitare, Mero Baze, që atakohej direkt në shkrimin e Thanasit, editorial të botuar në “TemA” të datës 11 qershor 2005, thuhej se:
“Në redaksinë tonë kanë ardhur jo gjysmë dosje, dhe jo vetëm kapakë, por dosje të plota të disa krerëve të LZHK-së, që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që nga ata që kanë denoncuar për pantallona kauboj e deri tek ata që kanë denoncuar dhe njerëzit e fisit të tyre të nderuar, nga Laçi në Kukës. Ato nuk janë gjysmë të vërteta, janë të vërteta të hidhura, por që kërkojnë shumë vullnet pozitiv për të mos i publikuar, sidomos në fushatë elektorale. Nëse do të vepronim siç veproi Shehi, të cilin zëdhënësi i Fatos Nanos e trajtoi njësoj si reporterin e kronikës tek një gazetë e përditshme, atëhere në këtë fushatë zor se do të dilte ndonjë kandidat i LZHK-së, pa dosje”.(“TemA”, 11 qershor 2005, f. 1.)
Ky qe një paralajmërim për luftë totale me dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit nga ana e PD-s kundër LZHK-s. Derisa akuzoheshin hapur të 100 kandidatët për deputetë të LZHK-së si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit, madje kërcënoheshin me publikim e dosjeve të tyre, për dy drejtuesit më të lartë të LZHK-së bëheshin aluzione të posaçme. Kur PD e bëri këtë kërcënim ajo besonte se kjo qe një lojë pa risk, pasi LZHK nuk qe një “fuqi bërthamore” në politikën shqiptare, pra nuk e zotëronte armën e dosjeve.

Por, në këtë pikë PD pati një surprizë të pakëndshme pasi brenda asaj dite LZHK u shndrrua në një “fuqi bërthamore” në politikën shqiptare, duke u pajisur me “armën” e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe që të nesërmen e kërcënoi PD-n me “armën” e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Në një editorial me titull “Harabeli, bajga e lopës dhe skifteri” të botuar në gazetën “Atdheu”, organ i Partisë Lëvizja e Legalitetit, në datë 12 qershor 2005, me autor drejtorin e departamentit të marrëdhënieve publike në LZHK, Gjergj Thanasi, shkruhej:
“Në shkrimin e mësipërm janë përdorur teknika të marrëdhënieve me publikun të quajtura: Names Dropping Technique dhe Iceberg technique. Të interesuarit për përmbajtjen e këtyre teknikave le t’ i drejtohen firmës konsultuese BG&R, ku japin ndihmën e tyre ekspertë si Naftëtar, Ymer Çorapja apo këndezë e gjela plehrash e jo vetëm harabelë e kafshëza të tjera”. (“Atdheu”, 12 qershor 2005, f. 2.)
Të interesuarit ndoshta kanë pyetur në BG&R dhe atje u kanë thënë se teknikat në fjalë janë teknika shantazhi sipas të cilave një ose disa personave u përmenden detaje të papëlqyeshme për ata, por pa ua dhënë emrat, ose krejt të dhënat. Mënyra sesi procedon z. Thanasi është një model i përdorimit të këtyre teknikave, pasi atje përmenden pseudonimet në Sigurimin e Shtetit të disa figurave të rëndësishme të PD-s dhe partive aleate, si “Naftëtari”, “Çorapja”, “Këndezi”, “Gjeli”, si dhe aludohej për të tjerë me emra kafshësh. Vetë zgjedhja e z. Thanasi për ta përsjellë këtë mesazh për PD-n nuk qe e rastësishme, pasi ai u zgjodh për faktin se kishte qenë njeriu që ishte dëbuar pak kohë më parë nga PD, ku mbante të njëjtin post që ka sot në PLL, pasi i ofroi Doktorit prova të pakundërshtueshme se një drejtues i PD-s në durrës qe në komunikim të vazhdueshëm me drejtorin e SHISH në Durrës.
Pra, LZHK po e kërcënonte PD-n dhe aleatët e kësaj partie, se nëse PD do të bënte publike dosjet e Sigurimit të Shtetit të kandidatëve të LZHK-s, atëhere edhe LZHK do të bënte të njëjtën gjë me dosjet e kandidatëve të PD-s dhe të partive aleate të kësaj të fundit. Kjo çoi në stabilizimin e “ekuilibrit të frikës” midis PD-s dhe LZHK-s nga frika e shkatërrimit të sigurt të ndërsjelltë. PD dhe LZHK e ndërprenë luftën me dosjet e spiunëve të Sigurimit të Shtetit dhe kjo ndërprerje qe megjithatë po aq elokuente sa rasti kur këto dy subjekte elektorale do t’ i kishin publikuar dosjet, kushdo që do të kuptojë e kuptoi se të dy palët qenë zhytur deri në fyt në “halen” e Sigurimit të Shtetit dhe nëse kjo lojë do të vazhdonte, atëhere do të shikonim të botoheshin mbi 90 dosje spiunësh të kandidatëve të PD-s, mbi 90 dosje spiunësh të kandidatëve të LZHK-s, pa llogaritur partitë satelite të PD-s. Kështu u bë e qartë se edhe tek LZHK, që ka sloganin “Ne bëjmë shtet”, “NE” është Sigurimi i Shtetit dhe kjo kuptohet dhe nga fakti se z. Thanasi që u dëbua nga PD se denoncoi bashkëpunimin me SHISH të një drejtuesi lokal të saj, u hoq nga lista e kandidatëve të LZHK-s në Durrës. Dhe këtë nuk e them vetëm unë, por e ka thënë p.sh. kandidati i sotëm i LZHK-s në një nga zonat elektorale në veri, E.P., i cili në një shkrim në një të përditshme vitin e kaluar përmendte pseudonimin sigurims “Lëngaraqi” dhe disa detaje nga aktiviteti i tij në burgun e Spaçit në kohën e diktaturës. A mund t’ u thotë sot E. P. mbështetësve të LZHK-s se kush është “Lëngaraqi” që sot kandidon për LZHK-n, në një zonë elektorale pak më në jug se ajo e E.P?
Lufta e ftohtë me armën e dosjeve të Sigurimit të Shtetit filloi edhe midis dy rivaleve të majta, PS dhe LSI. Në prag të fushatës elektorale dhe në fillim të saj, në gazetën e PS-s “Zëri i Popullit” emrat e disa prej kandidatëve dhe krerëve të LSI, sipas një teknike të njohur shantazhi u përmendën në fjali ku qe futur dhe fjala që u atribuohej si pseudonimi në Sigurimin e Shtetit. E ndodhur në këtë situatë shantazhi, LSI, me gojën e Dritan Priftit reagoi fuqishëm duke akuzuar një nga drejtuesit e PS-s dhe njeriun që shihet si kandidat për numrin 2 të saj, Petro Koçin, si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit dhe duke përhapur fjalë se ai ka pasur pseudonimin “Korabi”. Petro Koçi u kundërpërgjegj duke thënë se kaq rëndë nuk e kishte fyer as Berisha që i paskësh qethur kokën në vitin 1997, duke ia bërë të ndrijë si tas, si maja e Korabit kur e mbulon bora.
Për një moment u duk se lufta e dosjeve brenda së majtës do të precipitonte dhe të dy palët do të t’ ia çirrnin “gjethen e fikut” njëra tjetrës, pasi LSI është një “fuqi bërthamore” në politikën shqiptare, e pajisur me “armën” e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, për shkak se në lidershipin e kësaj partie është dhe ish-kryetari i SHISH, Fatos Klosi dhe ish-kryetari i komisionit të verifikimit të figurave, Nafiz Bezhani, një tjetër ish-pjestar i lidershipit të LSI-s, që vdiq para pak kohësh, thuhet se i ka lënë me “testament” Ilir Metës disa thaës me dosje të fotokopjuara. “Zëri i Popullit”, duke e ndjerë rrezikun që vinte nga lufta e dosjeve brenda së majtës, e akuzoi drejtpërdrejt Fatos Klosin se qe ai që e furnizonte Priftin (më saktë Murgun, siç e quan “ZP”) me të dhëna nga dosjet sekrete dhe kërcënoi krerët e LSI se ata do të dilnin më të humbur nga kjo luftë, pasi veç një tufe bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit kishin në rradhët e tyre dhe mjaft bashkëpunëtorë të SHIK-ut të Berishës.
Lufta e dosjeve mes PS-s dhe LSI-s përfundoi njëlloj si lufta e dosjeve mes PD-s dhe LZHK-s, pra u mbyll me vendosjen e ekuilibrit të frikës, për shkak të shkatërrimit të sigurt të ndërsjelltë, gjë që, ashtu si në rastin e dy partive të djathta, është po aq elokuente sa rasti kur dosjet e kandidatëve do të ishin publikuar. Përfundimisht mund të thuhet se lufta me “armën” e dosjeve të të Sigurimit të Shtetit u mbyll për partitë që konkurojnë në zgjedhje, pa u hapur mirë. E megjithatë dosjet e Sigurimit të Shtetit vazhdojnë të rrijnë si “Shpata e Damokleut” mbi kryet e politikanëve shqiptarë dhe në një mënyrë ose në një tjetër, ato vazhdojnë të përdoren.
Për këtë gjë po jap dy shembuj:
1)Para disa ditësh, në një debat në “Ringun elektoral” në “Top channel”, kryeekzekutivi i LZHK-s pati një incident sinjifikativ retorik me kandidaten e PS-s në Tiranë, Majlinda Keta (Shaqiri). Kryeekzekutivi lzhkist, duke dashur të tregohej sa më perëndimor i tha kandidates së PS-së se, derisa ajo qe motra e drejtorit të përgjithshëm të SHISH, këtu kishte një problem dhe në Perëndim në këtë rast do të kishte dhënë dorëheqjen ose ajo, ose i vëllai. Por, zonja Keta u kundërpërgjegj se ajo nuk sheh asnjë problem këtu dhe se ajo nuk ka ndonjë gjë për të fshehur. Tjetri si duket kapi ndonjë aluzion këtu për kushedi ç’ “mizë” që e kishte nën “kësulë” dhe iu pre zëri dhe e mbylli këtë temë.
2)Ministri i Rendit Publik disa herë e ka paraqitur si shqetësim kandidimin në zgjedhje të disa ish-funksionarëve të lartë të policisë, që ai i konsideron si të larguar nga policia për inkriminim, duke aluduar për kandidatë të LSI. Por ky zotëri, që ka marrë përsipër këtë aspekt të fushatës së PS, heziton që të shprehet për kandidimin e ndonjë funksionari të lartë të SHISH, po nga kjo parti. Pse?
Mbyllja e luftës së dosjeve të spiunëve të Sigurimit të Shtetit nga ana e partive të mëdha pjesëmarrse në këto zgjedhje është tregues i një pakti të pashkruar etik, që të gjitha palët po e respektojnë, ndryshe nga kodin e etikës që nënshkruan në Presidencë. Veçse ky kod i pashkruar etike që po respektohet, është një kod i etikës mafioze, i llojit të Kodit “Omerta”, pra të kodit të heshtjes për krimet e të tjerëve, në këmbim të heshtjes së tyre për krimet e tua. Inteligjenca, në kuptimin e aferave të shërbimeve sekrete të instrumentalizuara në politikë dhe jo të njerëzve të dijes, mbetet pasioni i madh i krerëve të partive, në pushtet, ose në opozitë qofshin. “Dija është pushtet” thotë një sentencë e vjetër dhe kjo vlen më tepër se për çdo gjë për dijen në fushën e shërbimeve sekrete. Duke ndjekur këtë sentencë Kryeministri Nano, në 23 janar 2004, në një takim zyrtar që pati në selinë qendrore të SHISH deklaroi: “Ka mundësi, t’ ju lajmëroj zyrtarisht, se kryeagjenti më i madh i të gjitha shërbimeve të shtetit në Shqipëri jam unë Kryeministri”. (“Zëri i Popullit”, 24 janar 2004, f. 3.) Në mënyrë më modeste por me persistencë, Berisha, Meta, Shehi (Zogu) përpiqen që mos të mbeten pas në këtë linjë, duke krijuar konmbinacione nga më të habitshmet.
 

Leopardii

Primus registratum
Re: poker Spiunësh

kush eshte Medicina ??
po "Nemercka" kush eshte ??
po ato kafshet e pyllit kush jane ??
 
Top