#PërDhuratën

  • Thread starter Anxhela Çikopano
  • Data e fillimit
A

Anxhela Çikopano

Guest
Fjalën ta jep Zoti, po ta merr dhimbja. Dje humbëm Dhuratën, një nënë nga ato pa zë, nga ato që vrapojnë gjithë ditën pas fëmijëve, nga ato që ngrenë dru e gur, që fëmijëve të mos u mungojë buka e shkolla, që fëmijëve të mos u mungojë dashuria e kujdesi i prindit. U nisa disa herë të shkruaja, po aq herë e fshiva, se nuk di në mund të them fjalët e duhura në këtë hidhërim, po nuk mund të rri pa folur për Dhuratën e për gjithë ato nëna të këtij vendi, që s'kursejnë as veten për fëmijët, duke shpresuar veç me sytë nga e ardhmja.
Djalin e vogël e vinte Dhurata në gjumë, po ç't'i thoshin mbrëmë? Pse s'ishte mami? Se një pjellë e shtetit të qelbësirave bënte gangsterin në mes të ditës me diell, mu në mes të Tiranës? Si t'u mësosh djemve, siç u mësonte Dhurata të ishin të mbarë, të dëgjuar e të sjellshëm, në një vend ku maskarenjtë s'kanë frikë as dreqin me të birin, se punë e madhe, në mos me një tufë, me dy tufa para do t'ia hedhin? Si t'u thuash djemve se në këtë vend njerëzit punëtorë e kokëulur si nëna e tyre, nuk janë veç mish për top?
Dhurata ishte vetëm një prej nënave të pazëshme të këtij vendi, që lënë shpirtin të rrisin fëmijë në një "shtet", që jo vetëm nuk u premton të ardhme, por edhe ua rrëmben atë. Në një vend, që për 25 vjet është qeverisur sipas oreksit të qelbësirave, të vetmit fëmijë që do të bëjnë hajër janë ata që fshijnë djersë me kartmonedha 500 euroshe, që bredhin me makina luksoze, që blejnë kuaj e syze dielli 60 000 euro.

Fëmijët tanë, o Dhurata, mbetet veç t'i ruajë Zoti dhe nënat si ty nga qielli...


Continue reading...
 
Top