Oburra gra, erdhi 8 marsi...

  • Thread starter Anxhela Çikopano
  • Data e fillimit
A

Anxhela Çikopano

Guest
Gati? Oburra se erdhi... Kush????!!!! 8 marsi, dita e harbimit të grave. Dalin gratë nga binarët sot, lyer e zhgërryer me parfum e buzëkuq dhe duke hedhur flokët phë! u bëjnë karshillik burrave: ne po dalim të gjitha gra! Edhe pasi punojnë në mos 8, të paktën 4 orë (madje mbaj mend një herë ca femra gazetare, që i nxirrnin kronikë në lajme, se medemek një ditë në vit u kishin lënë në dorë redaksinë), shkojnë hanë ndonjë drekë, që u bie si gur në stomak se domosdo, është 8 marsi, që në gjuhën e restorantit do të thotë: "yyyyyy mencë, ha e ik!", madje "ha shpejt e shpejt e ik!", pijnë edhe ndonjë gotë verë, që u bie në kokë se e dini ju punën e maces me uthullën dhe shkojnë në shtëpi e fillojnë: gatuaj, laj enë, hekuros, bëj drekën për nesër, ngrihu që në mëngjes bëj gati fëmijët, sajohu për vete, pastaj prapë në punë (ku është si moto: jepi një detyrë një burri, hë se e mbaron edhe nesër; jepja një gruaje, do e gdhijë dhe do e dorëzojë ashtu siç duhet). Edhe pa më thoni pak ju, për çfarë u vranë ato gra në 8 mars? Që gratë të punojnë barabar me burrat dhe të fitojnë më pak? Që të jenë të detyruara (!) të mbajnë mbi shpatulla gjithë barrën e shtëpisë, se nuk po ia hyj fare stresit të kullandrisjes ekonomike në këto kohë krize? A ndalojnë ndonjëherë gratë shqiptare për një çast dhe të mendojnë se ç'bëjnë burrat kur trupi i tyre për plot 9 muaj punon për dy; që zemra, stomaku, mëlçia, veshkat e gjithçka tjetër punojnë për to e për fëmijën? E cili është bekimi në fund? Ju siguroj që dhimbjet e lindjes janë një hiç, krahasuar me frikën e skajshme që lind në shpirtin e gruas, sapo fëmija vjen në jetë: frika e humbjes (po edhe ndjenja e fajit kur shijon ca orë pushim vetëm apo pse po punonte kur fëmija tha për herë të parë "baba", ironi e keqe kjo e fundit...) Dhe e gjithë kjo u shpërblekërka veç me një ditë "përkujtimore" në vit? Epo të pirdhen të gjithë ata që u bie në mend për gratë veç një ditë në vit!
Megjithatë, ka një faj edhe më të madh që gjer më sot asnjë prej qeverive që hahen si macja me miun për 28-29 nëntorin s'e ka çuar kurrë ndërmend ta riparojë: është krimi i madh që na e la trashëgimi Partia me të Dhjerin në krye. Si stalinist i thekur që ishte na e bëri njësh ditën e gruas e të nënës, se gruaja nuk mund të konceptohet jashtë figurës së nënës. Për ta ujdisur muhabetin me beqaret pak "të mbetura në derë" e bëri dita e "nënave dhe motrave". Gruaja është "e emancipuar", po larg qoftë një grua e pavarur, ambicioze (citoj nga Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe: AMBICIE. keq. Dëshirë e fortë për lavdi personale, për pozitë ose për pushtet; synim për të dalë me çdo mënyrë mbi të tjerët në përpjekjet për të arritur një qëllim. Ambicie e sëmurë. Ngjall (përkëdhel) ambicien. Kënaq ambiciet e dikujt) apo karrieriste (citoj nga Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe: KARRIERIST m. sh. keq. Ai që mendon dhe synon të bëjë karrierë; ai që i vë vetes si qëllim kryesor e përpiqet të zërë poste sa më të larta shtetërore e shoqërore, për përfitime e mirëqenie vetjake, pa marrë parasysh të mirën e përgjithshme. Ishte karrierist.). E "emancipuam" gruan se na duhej krahu i punës të shtronim hekurudhat, ta fusnim në torno e në tezgjah me 3 turne, pa të vinte të lante edhe rrobat me dorë, të ndërronte edhe fitilat e furnellës me vajguri, të kruante edhe tenxheret mos ia shihnin komshinjtë që i ishin nxirë nga bloza, të mbante edhe shpirtin e familjes gjallë me 10 kokrra vezë e një tallon mish në javë (madje modeli i femrës në qeverinë e Enverit ishte Loqja Shenka, më falni, Shoqja Lenka - se gafa frojdiane lind natyrshëm - që erdhi nga kooperativat e Lushnjës të na mësonte kulturën, por që një konsull francez asokohe e cilësoi si "ministrja e pakulturë e kulturës"). Ndërkohë, burrat barabar 8 orë në punë, pastaj nënë hije lozin, kuvendojnë.... pjesën tjetër e dini vetë...
Tani unë moj shoqe kam një hall të madh, që prej vitesh nuk e zgjidh dot. Nuk kam ndërmend ta festoj 8 marsin, se jam shumë feministe për t'u harbuar në një ditë kur femra të tjera, që s'u rrinte goja ja kshu si puna ime, u vranë pse donin të thoshin atë që mendonin, barabar me burrat. Hallin e parë e kam kur më vijnë zogjtë në mëngjes edhe më thonë: "Mami, gëzuar!" edhe fytyra ime shndërrohet në një përzierje të çuditshme ndjenjash: po si dreqin t'ua them që nuk festohet kur vdesin gratë...? Pastaj vjen radha ime, duhet të bëj diçka për time më, për gjyshen time, edhe vesh një buzëqeshje në fytyrë dhe "festoj" me to. E pra sot kam vendosur të dal, në një darkë të përkorë veç për t'i thënë mamasë sime që e dua shumë dhe për të falenderuar atë dhe Zotin që më bënë femër.

Si përvit ju përshëndes me këto dy bishat, këngë më të mirë se kjo për 8 mars nuk ka...

Blogun dhe aktivitetet e Tiranës mund t'i ndiqni edhe tek TiranaXXL http://tiranaxxl.com/


Continue reading...
 

Sahit Rexhepi Keca

Valoris scriptorum
8 marsi larg është por gratë sot qysh ka ardh koha ato përdit e kanë 8.mars
por tash ne burrat është mir me caktu ni datë përveti ne.për drejtat tona
 
Top