Një ditë në Haiti

Albforumi

Primus registratum
Një ditë në Haiti

Male me plehra, shkolla të shkatërruara dhe spitale të mbipopulluara. Rrugët e Port-au-Prince reflektojnë situatën e një vendi që është drejt shkatërrimit, ku edhe OKB-ja është e pafuqishme për të vepruar

Petionville është një nga të paktat zona akoma jeshile në këtë vend me male dhe savana pa bimësi. Port-au-Prince, kryeqyteti i vendit nuk është shumë larg prej aty. Që nga lart dallohen shtëpitë-kasolle të vendosura në mënyrë të çrregullt. Autobusët që ngjajnë me mjete transporti të shërbimeve funerale, i gjen gjithmonë të tejmbushur. Panorama që të ofron Port-au-Prince është e llahtarshme. Banorët e zonës thonë se ajo për të cilën shpenzojnë më shumë është shkollimi i fëmijëve. Një prind tregon se shpenzon rreth 1200 gourde në muaj (rreth 25 euro), një pjesë e mirë e rrogës së tij. Në vend ka shumë shkolla private që administrohen nga laikë, misione fetare apo kisha protestante. Prindërit investojnë gjithçka që kanë në shkollimin e fëmijëve, pasi e shohin si dritën e vetme në tunelin e varfërisë dhe mizerjes. Por për haitianët që jetojnë me më pak se një dollar në ditë, rreth 60 për qind e popullsisë – edhe taksat e shkollave publike janë shumë të larta. Pavarësisht kësaj, nëpër rrugët e fshatit të ndodh shpesh të shohësh fëmijë që edhe pse të paushqyer, ecin me orë të tëra për të shkuar në shkollë. Të tjerë më pak të pafat përfundojnë duke bërë shërbëtorin në Port-au-Prince: shkojnë të punojnë për familjet më pak të varfra se ato, si në kohët e kolonive për të bërë punët më të rënda të shtëpisë në shkëmbin të një kothereje buke dhe një vendi për të fjetur. Në lagjen e madhe periferike “La Saline”, afër portit ku vijnë anijet tregtare, ka edhe shkolla publike që përbëhen nga një sallë e vetme, të vendosura mes plehrave, baltës dhe shpeshherë kanaleve të ujërave të zeza. Ato që kanë fatin të konsiderohen shkolla të mira janë të mbuluara nga llamarina, madje kanë edhe një derë. Klasat zakonisht përbëhen nga më shumë se 80 fëmijë të të gjitha moshave. Në kryeqytetin e vendit, më të varfrit përbëjnë edhe pjesën më të madhe të dy milionë e gjysmë banorëve. Vetëm në lagjet “Martissant” dhe “Carrefour” jetojnë gjysmë milion njerëz.

“Mjekët pa kufij”

Gajtan Drossart është sociologu i ri belg që drejton projektin e qendrës së emergjencës shëndetësore të “Mjekëve pa kufij” në Martissant. Struktura është vendosur në një vend ku dikur ka qenë një lavash makinash dhe një diskotekë. Sot, mbi pistën e vallëzimit është një sallë ku mbahen nën vëzhgim gratë që sapo kanë lindur. Përveç asistencës për lindjen, qendra merret edhe me viktimat e agresioneve seksuale dhe të plagosurve nga armët e zjarrit në përleshjet mes grupeve rivale të rrugës. Kjo qendër është krijuar në vitin 2006 për të ndihmuar viktimat e përleshjeve mes bandave Minustah. Këtu bandat rivale të të rinjve janë krijuar si milici popullore për të mbështetur qeverinë e Aristides. Pas largimit të Presidentit më 2004-n vazhduan të organizonin veprime të armatosura nëpër lagjet më të populluara të kryeqytetit për të kërkuar rikthimin e tij nga emigrimi. Nëpër rrugë sheh gra dhe fëmijë që mbushin ujë nëpër pellgjet e ndotura apo lahen në to. Dhitë dhe derrat hanë plehrat e hedhura gjithandej për tokë, ndërsa shitësit ambulantë, kryesisht gra, të shpërndara nëpër rrugë bërtasin me megafon duke treguar virtytet e mallrave që ofrojnë. Në shpatulla u rëndon barra e familjeve të mëdha dhe burrave që përveçse nuk punojnë i rrahin pa mëshirë. Gratë shesin gjithçka: bimë mjekësore, domate gjysmë të prishura, gjellë që i gatuajnë në çast mbi furnela. Pa harruar këtu tortat apo biskotat me baltë, kripë dhe margarinë për një çmim prej 5 eurosh secila. Çdo vit në vend, gjatë festimeve të së martës së shenjtë mijëra gra mbeten shtatzënë. Ky është një ritual i përvitshëm. Një numër i madh lindjesh në vend bëhen nga vajzat e vogla, si pasojë e përdhunimeve. Kjo është një nga arsyet që shtëpitë e lindjes janë gjithmonë të populluara. “Presim rreth 400 lindje në muaj. Kemi pasur raste kur gratë kanë lindur në korridore apo banjë për shkak të mbipopullimit”, tregon një doktoreshë kanadeze, pjesë e “Mjekëve pa kufij” të vendeve të ulëta. Përveç lindjeve të shumta, Haiti është një nga vendet ku vdekshmëria gjatë lindjes arrin shifrat më të larta në botë: 600 gra në 100 mijë lindje. Spitalet e “Mjekëve pa kufij” ofrojnë kura fals, por ashtu siç ndodh me edukimin në Haiti 90 për qind e shërbimeve të asistencës mjekësore administrohet nga privatët, madje ka klinika të çdo dimensioni dhe çmimi. Regjisori haitian, Arnold Antonin, tregon se para se të vinte në pushtet Duvalier, Port-au-Prince ishte një kryeqytet i bukur, jo shumë i populluar me lugina të mëdha dhe ndërtesa publike ku yjet e Hollivudit vinin shpesh. Sot kanë ngelur vetëm fotot e tyre të vendosura në baret e hoteleve të vjetra që kanë humbur shkëlqimin. Rritja e varfërisë që i ka detyruar fshatarët të braktisnin vendbanimet e tyre, ka çuar në rritjen e pakontrolluar të popullsisë në qytet.

Varfëria

Ajo që të bën më shumë përshtypje, përveç varfërisë është normaliteti me të cilën njerëzit jetojnë mes maleve me plehra që grumbullohen muaj pas muaji, vit pas viti dhe askush nuk e merr mundimin ti pastrojë. Të gjithë në vend janë të bindur se pasi të mbarojë misioni i OKB-së vendi do të përfundojë në anarki.

Pak histori

Haiti është vendi më i varfër i Amerikës Latine që varet thuajse tërësisht nga ndihmat ndërkombëtare dhe të ardhurat e emigrantëve. 80 për qind e popullsisë jeton nën pragun e varfërisë, ndërsa produkti i brendshëm bruto është 1300 dollarë. Pas fundit të diktaturës së familjes Duvalie (1957-1986) në vitin 1990 u zhvilluan zgjedhjet e para të lira që sollën në krye të vendit Presidentin Jean-Bertrand Arisitide, i rrëzuar menjëherë nga një grusht shteti. Pas tre vitesh qeverisjeje të ushtarakëve në vitin 1994 ndërhyra e SHBA-së e risolli Arisitiden në pushtet. Në vitin 1996 u zgjodh President Rene Preval. Më 2000-in Arisitide u rikthye në pushtet, por më 2004-n një revoltë popullore e mbështetur nga Franca dhe SHBA-ja solli largimin e tij. Në të njëjtin vit OKB vendosi misionin e stabilizimit në Munustah. Në vitin 2006 Preval u rizgjodh President. Treguesit ekonomikë dhe socialë tregojnë se si Haiti, duke nisur që nga vitet 80-të, ka akumuluar një ndryshim të madh në krahasim me vendet e tjera në zhvillim. Shumica e popullsisë aty jeton me 2.25 dollarë në ditë. Aktualisht, Haiti renditet në vendin e 153-të, nga 177-të vendet e klasifikuara në bazë të treguesit të zhvillimit njerëzor. Rreth 80 për qind e popullsisë jeton në varfëri absolute, duke e renditur këtë vend si të parafundit në botë, sepse ai i përket varfërisë. Rreth 70 për qind e haitianëve merren me bujqësi dhe në dhjetëvjeçarin e fundit njihet një rritje e vogël e vendeve të punës. Një tjetër pengesë për zhvillimin ekonomik ka qenë edhe dhuna që për 20 vjet ka trazuar jetën politike dhe sociale në vend.(Shqip)

IiPRAMpaYoI

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22465. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22465

Top