Në qendër të perandorisë Drejtësia në të shkuarën

Albforumi

Primus registratum
Në qendër të perandorisë Drejtësia në të shkuarën

Në qendër të perandorisë : kronika të konsensusit luftarak

* Orgest AZIZI *

Filozofia nuk është medoemos e papajtueshme me gazetarinë. Michel Foucault ëndërronte për një gazetari filozofike, në formën e reportazhit të ideve. Megjithatë, arkeologu i dijeve dhe gjenealogjisti i pushteteve nuk e kishte fjalën për idetë e rreshtuara në librat e teorisë por, përtej bibliotekës dhe katedrës, paralel me to, për atë tëhuajëzim të vetes dhe perceptimeve që mund të operojë mendimi në kontakt me plasaritjet e aktualitetit. Një trup i ri politik lind diku, diku belbëzon një barazi, një subjekt i padëgjuar dhe pa tagër institucional percepton të patolerueshmen, teksa ndeshet me rendin monoton të ligjërimeve dhe arsyetimeve shtetërore. Larg tautologjive të analistit që, i magjepsur nga spektakli i pushtetit, përherë shpjegon se ajo çka është përherë ajo që është, larg dhunës së ekspertit, që na urdhëron se ajo që është duhet të jetë,  për vështrimin filozofik hapet mundësia e një kartografimi alternativ të aktualitetit, nisur nga aksioma se njerëzit mendojnë. Kjo aksiomë është kushti i parë i politizimit të aktuales, dhe pyetja që gjithherë e thërret filozofin gazetar është : ku mendohet sot, cilat janë vendet aktuale te mendimit të njerëzve ? Zaten, Foucault e ndërtoi një pjesë të mirë të veprës së vet teorike si kontribut ndaj këtyre mendimeve, si mundësi takimi me këto zona ku konfigurohet një raport i ri i së mundurës dhe së pamundurës, së pranueshmes dhe së papranueshmes, si një punë në diapazon me të papriturën e ngjarjes.

Pasues në  të njëjtën vijë, Jacques Rancière, filozof i emancipimit dhe i politikës si afirmim i barazisë përkundër arsyeve të  dominimit, ka mbajtur për vite me rradhë një kronikë  të rregullt në njërën nga të përditshmet e mëdha braziliane, Folha de São Paolo, të përmbledhura nën titullin Kronika të kohëve konsensuale. « Por konsensusi nuk është qetimi i shpirtrave dhe trupave që na përshkruan ideologjia liberale. Konsensusi nuk është paqja. Është një hartë e operacioneve luftarake, një topografi së dukshmes, së mendueshmes dhe së mundshmes, ku shpërndahen e zënë vend lufta dhe paqja. Konsensusi që na qeveris sot është një makinë pushteti, për sa që është një makinë pamore », ravijëzimi i një territori, konfigurimi i  një kodi perceptueshmërie për atë çka ndodh, « një regjim i interpretimit që ndan çështë e re nga çështë e vjetër, çka rëndësi nga çnuk ka, çështë e mundur nga çnuk është ». « Kronika atëherë, për të analizuar lojërat e makinës konsensuale duhet të zhvendoset në të tjera terrene hulumtimi, të ndjekë gjurmë të tjera të së dukshmes dhe të shpikë të tjerë skenarë kohorë », për të mundur të restaurojë mundësinë e një konflikti, i cili lidhet para së gjithash me statusin polemik të vetë realitetit dhe mënyrat e ndryshme të lexueshmërisë së tij. Gjithmonë një e tashme mund ti kundërvihet një të tashmeje tjetër, një lexim dhe përshkrim i së dukshmes, një leximi dhe përshkrimi tjetër. Kjo mundësi konflikti ka një emër të vjetër, të cilin konsensusi synon ta zbrazë nga çdo domethënie. Quhet politikë.

Në kohën kur logjika policore e EULEX-it në Kosovë vendos të  rihapë një proces politik ndaj udhëheqësit të Vetëvendosjes, për rrezikshmëri publike dhe dëme materiale, duke dashur të imponojnë një përshkrim të rrugëve të Prishtinës si vend absolut i qarkullimit të Jeep-ave dhe pazarit të njerëzve, por kurrsesi si vend i shprehjes së vullnetit politik ; në kohën kur pavarësia negative e Kosovës pranohet me kushtin e leximit të saj si vend multietnik dhe jo si popull politik qytetarësh, si zonë krize dhe jo si hapësire sovraniteti, në kohën e fabulave mbi mbulimin biometrik të popujve të Ballkanit si kusht për hyrjen e tyre pa viza në Evropë, në përvjetorin e datës kur shteti shqiptar, nga roja e polici deri te ministri iu sul me inat një shkolle kinemaje për ta zëvendësuar kopshtin e saj të gjelbër me parkingun e një televizioni sa privat dhe voyeurist, ndërkohë që opinionistët e verbër ndaj çdo subjektivimi politik flisnin njëzëri si nëpunës përmbarimi, dhe, last but not least, në kohën kur funksionarët spektakolarë të opinionit nxjerrin nga xhepi, në vend të pistoletës apo kamxhikut, statusin e filozofit-ekspert (jo më pak të dëmshëm), në shumëfishësinë monotone të një kohe të tillë pra, na duket se ka gjasa të forta që kronikat e filozofit tonë gazetar të gjejnë jehonë në mendjet e disave.

Drejtësia në të shkuarën

* Jacques RANCIERE *

(Prill 1998)

Për rreth gjashtë muaj me radhë, Franca zyrtare dukej e preokupuar nga një ngjarje e vetme : procesi gjyqësor ndaj Maurice Papon-it, ish funksionar i lartë i shtetit francez të marshallit Pétain, i akuzuar si përgjegjës, nga 1942-shi në 1944-ën, për arrestimin e burrave, grave dhe fëmijëve çifutë, të cilët përfunduan të zhdukur në kampet e vdekjes. Një proces i tillë mund të kishte qenë një ballafaqim i thjeshtë. Nga njëra anë familjet e të deportuarve kërkonin riparim për krimin e kryer ndaj të afërmve të tyre. Në anën tjetër, qëndronte një funksionar, që kishte ushtruar rolin e vet si funksionar i një shteti kolaboracionist, pa vrarje ndërgjegje dhe pa zell të tepruar. I pandehuri kishte firmosur urdhrat e arrestit dhe të deportimit që i përkisnin autoritetit të tij, pa u përzier personalisht me organizimin e gjuetisë së çifutëve dhe pa u merakosur të dijë se çndodhte më pas me viktimat. Një dënim me dhjetë vjet burgim sanksionoi përgjegjësinë e pamohueshme në këtë rast dhe të vërtetuar me imtësi.

Megjithatë, në këtë pikë, thjeshtësia e gjërave nis e turbullohet. Çraport krahasueshmërie mund të ekzistojë mes dënimit me dhjetë vjet burgim, dyzet e pesë vjet pas fakteve, të një burri tetëdhjetë e shtatë vjeç, dhe martirit që hoqën ata që u vranë në masë në kampet e vdekjes ? Dhe, për më tepër, përse mori një rëndësi të tillë një proces që smund të jepte asnjë gjykim ku faji i një individi të mund të bëhej i krahasueshëm me krimin në nivel mase ?

Kjo mungesë  krahasueshmërie tregon, para së gjithash, funksionin e veçantë  që merr sot instanca gjyqësore. Çdo çështje politike mbi të  drejtën apo fajin, drejtësinë apo padrejtësinë merr formën e një procesi të zhvilluar para një gjyqi real ose imagjinar. Ndërkohë që francezët, dita me ditë, informoheshin mbi zhvillimet e të ashtuquajturit procesit Papon, ishin të ftuar të sodisnin me kureshtje, në të gjitha vitrinat e librarive Le livre noir du communisme (« Librin e zi të komunizmit »), të mbështjellë me një shirit të kuq publicitar që lajmëronte : 85 milionë te vdekur. Disa i vunë shifrat në dyshim : si mund të shifrohen me saktësi viktimat e urisë në Kinë dhe a mund të numërohen ato si viktima të komunizmit në të njëtin rang me të pushkatuarit apo të vdekurit e kampeve ? Por, themeli i problemit nuk qëndron këtu. Funksioni i shifrave është më shumë gjyqësor sesa thjesht statistik. Që nga Volini (autori i « Revolucionit të panjohur »), deri te Solzhenicini, ka pasur gjithmonë nga ata që kanë shpallur e denoncuar krimet e regjimeve komuniste. Por, këtë gjë e bënin sipas mënyrës politike. Dëshmonin s
Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://saktivista.com/?p=781

Top