Re: mustafai duket te ike...
Kreu i Kuvendit të Kosovës në Tiranë. Topalli: Kosova e pavarur, nuk ka ndryshim kufijsh
Kolë Berisha: Nuk ka siguri për mosndryshimin e kufijve
Shekulli
TIRANE - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, tha dje në Tiranë se, nëse kufijtë ndryshojnë në pjesë të tjera, duke kuptuar rajonin, nuk do të ketë siguri se nuk do të ndryshojnë edhe këtu. Berisha u përgjigj pas takimit me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, mbi deklaratën e ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj për mosgaranci për kufijtë po të ndahej Kosova. "Po, shikoni! Dua të them se është kuptuar shumë drejt deklarata e zotit Mustafaj në Kosovë, është interpretuar shumë bukur. Nëse kufijtë ndryshojnë në pjesë tjetër, nuk mund të sigurojmë se nuk ndryshojnë edhe këtu. Nuk kemi pretendime territoriale për momentin". Në këtë moment, kryetarja e parlamentit, Topalli, ndërhyri disa herë duke thënë se deklarata e Mustafajt ishte keqkuptuar dhe se Kosova do të jetë e pavarur. “Lidhja jonë është e veçantë, tha Topalli, ndaj bashkëpunimi mes të gjitha institucioneve tona, veçanërisht mes dy Kuvendeve do të thellohet më tej. Ne vlerësojmë seriozitetin e përfaqësuesve tuaj në negociatat për statusin përfundimtar që padyshim do të jetë pavarësia përmes garantimit të të drejtave të pakicave dhe mosndryshimit të kufijve”, -shtoi ajo. “Është e rëndësishme, tha Kolë Berisha pas takimit me Topallin, që në negociatat për statusin e Kosovës shkojmë si Kosovë dhe jo si parti politike. Kemi garantuar dhe vazhdojmë të garantojmë të drejtat e pakicave dhe këtë e kemi shprehur në të gjitha dokumentet dhe deklaratat tona. Gjithashtu do të donim, dhe mbetemi të angazhuar, që edhe përfaqësuesit serbë të vijnë në Kuvend. Jemi të vendosur në angazhimet tona të cilat do të realizohen me një Kosovë të pavarur”, -tha Kolë Berisha. Në takimin me partitë e opozitës, PS-në, PSD-në, LSI-në dhe PAD-në, është dhënë përsëri mbështetja për Kosovën e pavarur. Por opozita ka gjykuar si të pavend ndarjen e takimeve në këtë cilësi opozitë dhe pozitë me delegacionin nga Kosova. Në takimet e delegacionit nga parlamenti i Kosovës është folur edhe me Topallin edhe me opozitën edhe me kryeministrin Berisha për bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve. Delegacionet diskutuan për të gjitha fushat, veçmas për rrugën Durrës-Prishtinë që mundëson lidhjen e Kosovës me detin dhe zhvillimin e verilindjes së Shqipërisë. Sakaq, kryeministri Sali Berisha ka ritheksuar pa më të voglin dyshim „mbështetjen e qeverisë shqiptare për një Kosovë të pavarur, demokratike, të zhvilluar, respektuese të të drejtave dhe lirive të serbëve dhe pakicave të tjera, si dhe një vend të qytetarëve të barabartë përpara ligjit duke theksuar gjithashtu se pavarësia e Kosovës do të jetë një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit“. Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Kolë Berisha, në takim me kryeministrin ka vlerësuar gjithashtu rëndësinë që ka Kosova e pavarur, ndërsa ka shtuar se „prania ushtarake në Kosovë do të jetë e nevojshme edhe pas përfundimit të procesit të statusit si një garanci jo vetëm për Kosovën, por edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon, ndërsa prania civile është gjithashtu e nevojshme, por me një status të ndryshëm nga ai i tanishmi“.
09/04/2006
KATEGORIA: Politike
www.shekulli.com.al