"Mos e vrisni Shkodrën time!"

genci

Primus registratum
"Mos e vrisni Shkodrën time!"

Artikulli reflekton gjendjen e Shkodres sot dhe eshte shume i vlefshem per NE rinine e saj
Lexoni artikullin e meposhtem dhe ju lutem jepni komentin tuaj


Mos e vrisni Shkodrën time!

Shkruan: Prof. Sami REPISHTI

Në gjysmën e dytë të prillit vizitova Shqipërinë, kryesisht qytetin tim të lindjes, Shkodrën. Nuk e kisha parë Shkodrën që nga viti l992, dhe pata mundësinë të çmallem me familjarët. Largimi për një kohë të gjatë shkakton vuajtje të mëdha shpirtërore, dhe takimi plotëson shumë nevojë emocionale. Rikujtimi i ditëve të kaluara në një rreth familjarë të lumtur dhe të lidhur ngushtësisht njeri me tjetrin më mbushi zemrën plot.

Natyrisht, familjarët e mi ishin plakë. Por bashkë me ata, edhe qyteti i Shkodrës kishte ndryshuar shumë në një drejtim të padëshirushëm. Shkodrën plakë e gjeta edhe më të lodhur, me zërin e humbur e shpresat e fikura. Shkodra, dukej sikur jetonte agoninë e shuarjes së saj, të një fundi që lë mbrapa vetëm kujtime për ata që e deshën dhe e duan. Dukej sikur ajo jetonte akoma tragjedinë që u imponua mbi qytetin nga një mospërfillje e qëllimshme politike gjysëm shekullore që vazhdon edhe sot nën sytë e hapur nga mosbesimi i një popullsie që pëson, por nuk është e përgatitur t'a besojë.

Sot, kam një lutje për të gjithë shqiptarët: "Vëllezër e motra kudo që jetoni! Ju lutëm, mos e vrisni Shkodrën time, Shkodrën tuaj, Shkodrën tremijë vjeçare!

Që nga aeroporti "Nënë Tereza", Rinas, e deri në Shkodër, udhëtimi ishte një torturë e vërtetë, e një aventurë e rrezikshme. Nga Jugu, rruga e shtruar shkonte për Tiranë; nga Veriu, rruga e prishur shkonte për Shkodër. Ajo ishte e pakalueshme: sipërfaqja e thyer, gropat e mëdha, balta deri në gjunj, e një çrregullim trafiku që rrezikonte jetën e udhëtarëve për çdo hap e në çdo rast. Udhëtimi nëpër fshatrat anës rrugës kryesore nuk mund të përshkruhet, ndërsa kafshë, njerëz dhe udhëtarë përpiqeshin të kalonin nëpër të njëjtën rrugë të prishur. Me përjashtim të një sektori të shtruar, çdo gjë ishte lënë në duar të fatit. E fati ishte treguar i pamëshirshëm për Shkodrën time!

Bukuria madhështore e hyrjes në qytet me kështjellën Rozafat e fushat magjepëse përreth, zbehej para vështirësive të kalimit, gjendjes së rrugëve dhe çrregullimit të trafikut, ndërsa qyteti vetë përshkohej nga "shtigje" që nuk mund të quhen "rrugë", sepse nuk kanë as shtresën, as kanalizimet, as trotuaret, as dritat. Në të gjithë qytetin nuk pashë asnjë punëtor mirëmbajtje. Në disa kryqëzime policia me uniformë nuk ishte në gjendje të kontrollonte trafikun, sepse nuk kishte asnjë shenjë, ose vijë të bardhë, për të orientuar shoferin. Semaforët e pakët të qytetit nuk funksiononin për mungesë energjie elektrike...!

Ky kuadër mjeran plotësohet nga grumbujt e plehrave, që mbushin çdo qoshe të rrugëve të hedhura nga qytetarë të pandërgjegjshëm, e që mbeteshin të pambledhura për ditë e javë të tëra, sepse nuk kishte shërbime bashkiake. Kanalizimet e mëparëshme ishin bllokuar, prishë, ose uzurpuar për ndërtim dyqanesh provizorë pa leje urbanistike, tenda e kioska. Edhe sasia më e vogël e shiut krijonte liqene uji që bënin të pamundur kalimin me këmbë të qytetarëve.

Në këtë gjendje të pabesueshme, "tregëtarët" shesin frutat, perimet, vezët, djathin, e sidomos mishin e invaduar nga mizat, e peshku që mbante erë disa qindra metra për rreth. Aty grumbulloheshin qindra dyqane që kishin uzurpuar trotuarin me shitje artikujsh të ndryshëm, të importuar me shumicë, të një kualiteti shumë të dobët e me çmime të përshtatëshme për varfërinë që kishte mbuluar qytetin, këtë qytet të braktisur nga kryeqyteti. Oh, ju lutem!! Mos e vrisni Shkodrën time!

Hyrja e dalja nga qyteti vështirësohej nga një rrjet "rrugësh" të pandrequra e plot baltë, e me ura në gjendje të mjeruar. Kjo gjendje rrugore bënte të pamundur tregëtinë me botën e jashtme. Për fat të mirë, ujë të pijshëm kishte mjaft. Por zgjeba, që mundonte qytetarët më shumë ishte energjia elektrike. Punishtet e qendrat e prodhimit detyroheshin të ndërprisnin punën, frigoriferët nuk punonin, mundësitë e një prodhimi të rregullt e të planifikuar nuk ekzistonin, e shanset për investime të jashtme ishin pothuajse zero. Industria lokale, e vogël dhe e pa perspektivë për mungesë tregjesh tradicional dhe mundësive për të gjetur tregje të reja, vuante nga mospërkrahja, e aftësia blerëse e kufizuar. Dukej sikur gjithçka sillej mbrenda një rrethi vicioz që nuk mundësonte asnjë dalje. Shkodra jetonte në agoni!

***

Në këtë skenë dëshpëruese luhej fati i popullsisë shkodrane. Ish-qendra e kulturës dhe jetës ekonomike për Shqipërinë e Veriut, Shkodra, kryeqyteti dhe qendra e "vilajetit" që në kohët e lavdishme të mbretërve ilirë, sot nuk është në gjendje të ushqejë 82 mijë banorët e saj. Fajtorë, sepse kultivuan frymën e një dashurie pa kompromis për liri, e vetëqeverisjen lokale, shqiptarët shkodranë po paguajnë sot rëndë pasionin e tyre fisnik. Në pragun e agonisë ku e sollën dyzetë e pesë vjet shtypje nga tirania komuniste, shkodranët e shohin vehtën të harruar, të lënë mbas dore, të dënuar për të vdekur - një vdekje e ngadalëshme, pa zhurmë, ndoshta e paevitueshme... Oh, ju lutem! Mos e vrisni Shkodrën time, Shkodrën tuaj, Shkodrën tremijë vjet shqiptare!

Në rrugët e prishura e të flliqura të qytetit historik sillet sot një rini e papunë, e varfëruar, e pa qëllime, që ka humbur busullën e udhëtimit, sepse nuk sheh asnjë rrugë dalje. Arsimi, për mungesë interesimi e fondesh, ka rënë në një nivel të papranushëm. Përgatitjet profesionale për të rinjtë nuk i tërheqin, sepse nuk kanë perspektivë. Shpirti i inisiativës individuale mbytet nga korrupsioni qeveritar e konkurrenca e pandershme në treg. Krijimtaria tradicionale në art e muzikë e gjenisë shkodrane është mbështjellë në rrobat e varfërisë, e nuk gjen fushë veprimi, as ajër të pastër për të mbijetuar. Çdo njeri ka heqë dorë nga përpjekja për të ecë përpara, të ngrejë nivelin e jetës në qytet, të përmirësojë kushtet ekzistuese, të dalë jashtë rrethit vicioz që po e mbytë...! Oh, ju lutem! Mos e vrisni Shkodrën time!

* * *

Olimpi i Shkodrës është sot kryeqyteti, atu ku prehen perënditë pa përgjegjësi, qendra qeveritare e pamend, gjykatorja dhe juria e pa ndërgjegjshme e fatit të rretheve të vendit, siç është Shkodra. Atje, grupet politike të interesuara për pushtetin qendror debatojnë vertikalisht, shahen, rrahen, për kontroll të levave kryesore që sundojnë vendin. Aty Zeusët e Tiranës, sundojnë mbi një popullsi pa mbrojtje ligjore, e që ka nevojë për bukë, paqe e liri! Shkodra ime është viktimë direkte e këtij makinacioni makiavelik, brutal, e të pandershëm, që mbushë xhepin e sundimtarit, e zbrazë barkun e një popullsie që vuan, sepse i janë vrarë shpresat për të nesërmen. Të rijtë e të rejat marrin rrugët e kurbetit të përhershëm, ndërsa prindërit mbeten, plaken e vdesin të dëshpëruar, e në vetmi.

Fondet e grumbulluara e ndihmat e jashtme janë kthyer në burime pasurimi të paligjshëm për piramidën udhëheqëse që trajton shtetin si një lopë qumshti, për një kompozicion grotesk elementësh të korruptuara deri në palcë. Fëmijët e uritur për bukë e arsim, prindër të dekurajuar nga mungesa e punës sot dhe e shpresës nesër, masa të gjëra të popullsisë që sillet vërdallë pa orientim, të gënjyera nga politika e ditës, e të zhgënjyera nga një autoritet që ka grabitur pushtetin e bashkë me të edhe shpresën e qytetarëve, janë sot brumi i mjerimit lugat që përpinë një popullsi dikur të lavdishme të një qyteti aktiv politikisht, ekonomikisht, e kulturalisht në ndërtim të një qytetarie me prirje europiane.

Shkodra ka nevojë për një lëkundje sizmike që të tundet nga vendi si me tërmetet e së kaluarës. Shkodra ka nevojë për bijtë e bijat e vet më të mirë! Shkodra duhet të zgjohet, të marrë në duart e veta fatin e qytetit e të popullsisë, të organizohet, të hapet për botën e jashtme, e sidomos të çlirohet nga grushti shtypës i organeve qendrore të kryeqytetit, e te levave politike e ekonomike që përdoren kundër saj. Shkodra, duhet të ndërgjegjësohet për gjendjen e rëndë ku ka rënë. Shkodra, duhet të varrosë njëherë e përgjithëmonë mentalitetin anadollak, paragjykimet shkatërrimtare e ndasitë vdekje-pruese që e dëmtojnë aq shumë. Shkodra, duhet të rikthehet në mentalitetin modern që drejton sytë nga Perëndimi, e ndërgjegjshme për të kaluarën e saj të ndritur, e vendosur të ringjallë atë, dhe ta avancojë edhe më tej.

Shkodra ka nevojë për shkodrane e shkodranë të dedikuar për të ndërtuar Shkodrën e lirë, aktivisht të bashkuar, demokratike, moderne, europiane. Ku janë shkodranët? Shikoni rreth e rrotull! Ata dhe ato janë në mesin tonë. Kërkoni e do t'i gjeni. Bota ndihmon vetëm ata që ndihmojnë vehten. Por hapi i parë e guximtar duhet të bëhet nga vetë qytetarët e qytetit të lavdishëm të Shkodrës.
Baldwin, New York

Maj, 2003
 

Oliver/Andi

Forumium praecox
Re: "Mos e vrisni Shkodrën time!"

Besoj se ske cti shtosh ose ti heqesh ketij komenti. Por ne vend qe te qajme hall dhe te ankojme se si eshte katandisur qyteti jone duhet qe ne shkodranet te kthejme koken nga ky qytet dhe te mundohemi qe ta sherojme nga kjo semundje dhejtravjecare qe po e qon drejt vdekjes ashtu sic e ka shkruar edhe autori ne fund.
Por qe te ndodhe kjo ne rradhe te pare duhet te bindemi ne Shkodranet se keshtu s kalohet me, dhe ne duhet te jemi ato qe do te marrim fatin tone ne dore, jo politikanet qe losin me ne me premtime boshe cdo prag fuashate elektorale.
 

genci

Primus registratum
Re: "Mos e vrisni Shkodrën time!"

Ramiz Rama aktor i Teatrit “Migjeni”.

Shkodra, më vjen keq për të!



Intervista: Jeni artist profesionist, domosdo bota e letrave të tërheq. E di se cila gazetë prej vitesh evidenton vlera të veçanta të individëve të veçantë?

R. Rama: - Sinqerisht që simpatizoj gazetën tuaj. Mbetet më e veçanta në këndvështrime origjinale, e pa ngarkuar me politikën lodhëse, marramendëse që shumë gazeta e trumbetojnë. Bëhen sa të pa besueshëm aq edhe qesharake. Ju trumbetoni hera-herë politikanë, por gjithnjë duke ruajtur humorin therës ndaj burokracisë shtetërore. Gazeta “Shkodra” më kënaq vërtet, kur shoh miq, kolegë, në faqet e saj.

Intervista: - Si dhe kur hytë në botën e artit?

R. Rama: - Që herët, qysh 8 vjeç. I ndjeri, i mirënjohuri Tofik Gjyli (një ish shkrimtar i talentuar për fëmijë) i kërkon mësueses time Gjyliana Kçira, një fëmijë për një emission në Radio Shkodra për recitime vjersha e monologje. Interpretimi qe aq i mirë, sa qysh at’here e mbrapa nuk m’u ndanë interpretimet në Radio si dhe në shkollë.

Intervista: - Rritet Ramizi, rriten rrolet, miq e shokë profesorë që të dhanë udhë?

R. Rama: - Unë kisha shumë ëndra e dëshira si të gjithë. Dëshiroja të bëhesha aviator, të lundroja në det, të shetisja kudo, por ja që jeta është ndryshe. Miqtë e mi, profesorët e mi Sadete Vigani, Gjosha Çarkaxhija, Jup Kastrati, Nuri Çaushi, Xhemal Broja etj më rrinin mjaft afër dhe më aktivizonin në çfaqjet e ndryshme.

Intervista: - Kur filloi jeta e vërtetë artistike? Rolet e para që ke luajtur?

R. Rama: - Në Liceun Artistik Tiranë. Kisha fatin por edhe se dija që nesër shokët e mi: Bexhet Nelku, Serafin Fanko, Viktor Bruçeti etj, etj sëbashku me mua do të bëheshin artistë të vërtetë në sallat e teatrove dhe ekranet e kinemave apo edhe të televizionit. Ëndra që në atë moshë shumë pak i vlerëson, por sot ç’krenari që ndjen. Roli i parë serioz që unë dola me mjaft sukses ka qenë ai i Xhindit (një hyjni keqbërëse) në qytetin e Kukësit. Trajtohej martesa e një plaku me një vajzë të re. Kaq mbresëlënës ka qenë ai rol sa që për 3 vjet jetova në Kukës nuk më thirrnin me emër por më flisnin Xhindi!...(qesh)

Instituti i Lartë i Arteve qe një shkollë tepër e fuqishme, u rrita si shtat por edhe si actor. Më kujtohet mbrojtja e Diplomës me pjesën “E bardha dhe e zeza” të Fadil Paçramit, si dhe pjesa tjetër “Dy zotni nga Verona”. U cilësova ndër më të mirët. Në vitin 1966, në Korrik fillova punë pranë tetrit “Migjeni”, një ëndër që e prisja prej vitesh. Regjizori i madh i at’hershëm Mihallaq Luarasi, që drejtonte trupën e Shkodrës, më caktoi një rol tek drama “Cuca e maleve” e Loni Papës, rolin e Pjetër Zekës, që e keni parë edhe në film, komentet kanë dhënë vlerësime optimale.

Intervista: - Do të donim të denim disa nga rolet më të spikatura, për një njohje më të gjerë nga lexuesi ynë.

R. Rama: - Të flasësh për vete ndjehesh disi ngushtë. Role janë shumë, drama, filma, komedi e plot gjini të tjera, por unë do të veçoja: rolin e Mbretit Blu, tek drama “Gjaku i Arbërit” (F. Krajës), rolin e Prêkës, tek drama “Shpartallimi” (F. Krajës), rolin e Bektash Shkozës, tek “Fytyra e dytë” e D. Agollit, rolin e shefit administratës, tek “Luani i shtëpisë”(Komedi), rolin e Alush agës tek “Fundi i një komedie”, rolin e Niqiforit, tek komedia “Shoku Niqifor” e P. Kullës etj, etj. Te filmat, që në filmin e parë shqiptar “Fortuna” e më pas “Ditë që sollën pranverën”, “Flaka e maleve”, “Prilli i thyer” etj. Kam pasur ndërë dhe marrë përvojë nga të mëdhenjtë Tinka Kurti, Adem Kastrati, Ndrel Luca, Bep Shiroka, Elez Kadrija, Lec Shllaku, Ymer Bala, Agron Dizdari e deri tek regjizori Fanko.

Intervista: - Si ndjehet artisti sot, drmaturgjia, kinematografia ishin apo janë sor më lart?!

R. Rama: - Dobët, dobët vërtet për mendimin tim. Ka një degradim. S’dua të ul vlerat e të rinjve, por sot “paraja po shpon detin”. Arti është art dhe nuk bëhet për para, por ama as nuk bëhet pa para. Dje kishim vërtetë shumë politikë, por sot janë shumë të pakta në arritje figurat me ato që kishim. Vinire: teatrot gjithnjë janë thuajse bosh!

Intervista: - Pak thyerje në koncept, për një pushim të vogël, a të pëlqen politika?

R. Rama: - As të them po e as jo, por është fatkeqsi që të gjithë duam të bëhemi politikanë. Në fakt nuk bëjnë asgjë. Tash 13 vjet tranzicion, s’kalohet vetëm me mise bingo! I vetmi film që na dha shkëndija të një realiteti të vërtetë tonin ishte filmi “Njerëz dhe Fate”. U kënaqëm e ishalla vazhdon.

Intervista: - Shkodra është thirrur dikur “Djepi i kulturës shqiptare”, por sot sa i përmbahet kjo thënie asaj?

R. Rama: - Më vjen keq, jo. Ka mbetur si një fëmijë në djep. Dobësitë e sponsorizuesve dhe niveli kulturor i mjaft mediave lokale është shumë larg kërkesave të kohës. Mungon impulsi i vërtetë. Të vjen keq.

Intervista: - Si të duket teatri “Migjeni”, si aktor së fundi pensionist,ç’ndjen për të?!

R. Rama: - Sot në media shohim shumë filma, ka edhe shumë cilësorë, por ka edhe mjaft abstrakt. Dhe këtu është një pjesë e qenies sime, sidomos vitet e fundit e kërkon këtë rrymë në interpretim. Port a quash art abstraksionin , kur s’kupton asgjë, për mua nuk është art. Ndoshta e kam gabim, por se si mpihesh duke parë artistë të tillë si Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, të ndjerët Sandër Prosi, Lazër Filipi, Prokop Mima, Sulejman Pitarka, e plot e plot të tjerë, që janë figura aq edhe personalitete të kulturës sonë kombëtare. Artin e lam për zemër, si futbollin, si Vllazninë time e brazilianët e mi Ronaldon e madh që më kënaq me golat spektakolarë.

Intervista: - Ç’dëshiron të thuash së fundi?

R. Rama: - Faleminderit “Shkodrës” që di të botojë intervista të vërteta, të plota, të bukura e tërheqëse, për botën e artit që i falëm jetën. Më vjen keq për Shkodrën, qytetin tim ku u linda e u rrita, ku po plakem e do të vdes. Uroj që ajo në art e kulturë të marrë vrull e të dalë në krye ashtu siç ka qenë kurdoherë në shekuj e para. Por sa na keni, hidhini sytë nganjëherë edhe nga ne, për hajër do të na keni. Edhe pleqtë kanë rolet e tyre ne jetë edhe në skenë e filma, apo jo…qesh.


Intervistoi Bujar Ferhati, Korrik 2003.
 

genci

Primus registratum
Re: "Mos e vrisni Shkodrën time!"

LENGIMI I SHKODRES



Eugjen Merlika



“ Shkodrën plakë e gjeta edhe më të lodhur, me zërin e humbur e shpresat e fikura. Shkodra dukej sikur jetonte agoninë e shuarjes së saj, të një fundi që le mbrapa vetëm kujtime për ata që e deshën dhe e duan...”

Kjo pjesëz, nga një shkrim i të nderuarit profesor Sami Repishtit, të ngjall njëherësh trishtim e zemërim, habi e dhimbje. Duket sikur ky shkrim bën fjalë për një epokë të largët, një çast të zhytur në terrin e kohëve, kur turmat e fiseve barbare kthenin në tym Evropën romake, duke shkatërruar një qytetërim të plakur që kishte humbur aftësinë të mbrohej e të luftonte.

Një qytet pa shpresa është si një njeri pa shpresa, një qënie që humbet buzëqeshjen, gjallërinë e syve, që endet si një skelet pa formë në një hapësirë të pacaktuar e që të ngjall trishtim. “Shpresa është e fundit që vdes” thotë një proverb italian, por në rastin tonë, në rastin e Shkodrës, vdekja duket se ka pllakosur më parë shpresat. Ndjen dhimbje kur mendon se një qyteti i janë fikur shpresat, aqë më tepër kur me atë qytet kanë qenë lidhur shpresat e një populli të tërë. Në netë të gjata të errësirës së kohëve ai qytet, me humorin e tij, mbante gjallë shpirtërat e shqiptarëve, të cilëve historia e shorti ju rezervuan pak, shumë pak çaste të bukura, në të cilat të mund të ëndërrohej. Një nga këto çaste ishte 14 janari 1990, kur demostrata e parë e madhe e Shkodrës loce lajmëronte agimin e afërt të një kohe pa diktaturë.

Sot, mbas trembëdhjetë vitesh, një hapësirë kohe e papërfillshme për moshën e qytetit më në zë të historisë së Vendit të Shqipeve, në fillimin e një qindvjetori që premton paqe e harmoni në vend të luftrave e urrejtjes të trashëguara nga paraardhësit e tij, Shkodra lëngon. Ajo, qyteti i historisë e i legjendës, i shqiptarizmit e i kulturës, i njerëzve gazmorë e të çiltër, është sot e topitur e në pritje. Duket se era e re e globalizimit i ka kaluar anash e nuk don që t’a përfshijë. E dëshmojnë këtë udhët e trotuaret e prishura, pellgjet e ujit kur bie shi, mungesa e korrentit, gangrena e pashërueshme e Shqipërisë “moderne”, turmat e të rinjve pa punë që bredhin rrugëve të saj, ftohtësia e mungesa e besimit ndaj Shtetit, politikës e përfaqësuesve të tyre. Shkodra ndihet e braktisur, e lënë mënjanë, e harruar edhe se ishte mësuar të kishte kryet e vendit në të gjitha sofrat e mëdha të historisë së shqiptarëve. E kishte fituar këtë nderim në sajë të përkushtimit të bijve të saj ndaj çështjes së kombit e formimit të vetëdijes së tij e meritave të tyre në kulturën e këtij populli.

Cilido që njeh sado pak të shkuarën e këtij qyteti, madhështinë e shkëlqimin e tij në kohë të ndryshme të historisë si kryeqendër mbretërish, pashallëqesh e vilajetesh që shtriheshin deri në zemër të Ballkanit, dritarja nga hynte sado pak qytetërimi Perëndimor, habitet se si kjo periudhë, që solli demokracinë mbas rrëzimit të diktaturës së fundit komuniste në Evropë, qe aqë e kursyer me të. Habia kthehet shpejt në zemërim e ky shtohet kur shikon ndryshimet mes Shkodrës e bregdetit jugor të Shqipërisë ose mes saj e kryeqytetit. Éshtë e vërtetë se në këtë sistem ekonomik që po mundohemi të sendërtojmë është nisma vetiake ajo që duhet t’i paraprijë zhvillimit ekonomik, është ajo që duhet të krijojë pasurinë, një pjesë të së cilës e administron Shteti që duhet të mendojë njësoj për të gjithë qytetarët e tij. Tek ne Shteti aktual, pra Qeveria socialiste ka vepruar në bazë të një mendësie të trashëguar “klasore”, duke derdhur paratë në ato pjesë të Vendit, ndaj të cilave ishte në borxh për pushtetin që ato i kishin dhënë në atë vit të mbrapshtë1997.

Zemërimi i kalon përmasat e zakonshme kur kuptohet haptas se Shkodra po paguan pasojat e shpirtit të saj demokratik, të dashurisë për lirinë, të antikomunizmit të saj të njohur. Populli i Shkodrës, i cili gjatë gjysëm shekulli komunizmi zyrtar, qe ai që u komunistizua më pak se të tjerët, që i bëri qëndresë diktaturës e ligjeve të saj më shumë se të tjerët, nuk e meriton një trajtim të tillë. Ky fakt duhet të shqetësojëtë gjithë ata që e duan Shqipërinë demokratike një vend të lirë e të zhvilluar, sepse agonia e sotme e Shkodrës është pasqyrë e asaj të Shqipërisë, që nuk mund të njehsohet vetëm me pamjet që bujarisht na ofron TV shqiptar, për të na bindur se gjithshka shkon në rregull, sepse takohemi me përfaqësuesit e ndryshëm të Evropës apo ShBAsë, se gjoja po luftojmë trafiqet e se kemi marrë pjesë në koalicionin kundër Sadamit.

“Mos e vrisni Shkodrën time!” lutet me zë të lartë, nga thellësia e zemrës së lënduar, zoti Repishti. Të lënduara nuk janë vetëm zemrat e shkodranëve, të tilla duhet të ndihen dhe ato të gjithë shqiptarëve dashamirës të përparimit të vendit të tyre. Për më tepër ajo thirrje duhet të prekë qeveritarët e sotëm, por edhe përfaqësuesit e institucioneve të Evropës, në të cilën duam të hyjmë. Apo në heshtje dhe ata mendojnë se antikomunizmi duhet të ketë një çmim për t’u paguar ende sot?

Shkodra sot më sjell ndërmend Berlinin, e rrethuar me mure e tela me gjemba, dyzet vite më parë. Ishte ai avanposti i Botës së lirë në trupin e “Perandorisë të së keqes”, e si i tillë i dënuar nga kjo e fundit me një veçim të detyruar nga ajo Botë. Atëhere një President i ri e guximtar i asaj Bote, para gjysëm miljoni berlinezësh pohonte se ishte krenar të thonte “Jam qytetar berlinez”.

Sot më duket e udhës të thuhet : “Jena të gjithë shkodranë.”

Korrik 2003
 
Top