Re: Moisiu zyrtarisht refuzon te shkarkoje Sollakun
Të nderuar albforumistë,
Për shkak të rëndësisë së çështjes, dhe premtimit që ju bëra rreth një muaj më parë, jam sot këtu përpara jush për të komunikuar vendimin tim kushtetues lidhur me çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Në respekt të komunikimit institucional vendimin tim mbi këtë çeshtje e kam dërguar zyrtarisht në Kryesinë e Kuvendit me 13 tetor, pra një ditë më parë.
Kushtetuta nuk më kërkon që të bëj sqarime publike dhe të jap arsyet mbi të cilat mbështetet vendimi që u mor, duke e njohur këtë si një kompetencë që Kushtetuta dhe jurisprudenca kushtetuese ia ka lënë në diskrecion Presidentit. Megjithatë, në respekt të vendimit të parlamentit dhe të opinionit publik, në materialin dërguar Kuvendit kam shënuar arsyet kushtetuese ku mbështetet vendimi im. Nevoja për transparencë, aq e madhe në sistemin demokratik, rëndësia e ceshtjes si dhe etika dhe morali institucional, më nxisin që sot këtu përpara jush të bëj publike vendimmarrjen dhe arsyet ku mbështetet ajo.
Çështja e Prokurorit të Përgjithshëm më ka preokupuar mjaft jo vetëm për shkak të përfshirjes time kushtetuese, por edhe si një çështje e marrëdhënieve ndërinstitucionale në një demokraci të re dhe të brishtë sikurse është edhe kjo e jona. Në pikëpamjen time mbi shtetin e së drejtës, megjithëse ai funksionon si një i tërë dhe institucionet kushtetuese janë të ndërvarur nga njëri – tjetri në veprimtarinë e tyre, brenda kësaj ndërvarësie dhe bashkëpunimi institucional, në thelb qëndron pavarësia dhe autonomia në kryerjen e funksioneve kushtetuese. Pavarësinë e pushteteve dhe të institucioneve kushtetuese nuk e shikoj si mundësi për të mbuluar funksionimin jo të mirë të tyre apo si përjashtim nga përgjegjësitë dhe kontrolli, por si një mundësi thelbësore për administrimin e shtetit mbi parimet mbi të cilat funksionon shteti i së drejtës. Nisur edhe nga ky këndvështrim, në bazë të kompetencës kushtetuese, vlerësova me impenjim maksimal, vendimin e Kuvendit të Republikës, tërë dokumentacionit mbi të cilin është mbështetur ky vendim.
Nga ana formale vendimi i Kuvendit nuk është paraqitur në formën e kërkuar nga neni 149, paragrafi 2 i Kushtetutës dhe procedurës së kërkuar nga neni 114 i Rregullores së Kuvendit. Ndryshe nga rregullimi kushtetues, vendimi i Kuvendit nuk është një propozim i drejtëpërdrejtë për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, por miratim i raportit të komisionit hetimor parlamentar. Gjithashtu ndryshe nga përcaktimet në rregulloren e Kuvendit, ky organ ka vendosur me një votim të vetëm miratimin e raportit të komisionit hetimor dhe kërkesën për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Pavarësisht nga ky aspekt, i cili gjithësesi ka rëndësinë e vet, unë i kushtova më shumë rëndësi përmbajtjes së raportit sesa procedurës së ndjekur. Pas shqyrtimit të hollësishëm të raportit, dhe konsultimit intensiv me një grup juristësh shqiptarë, europianë dhe amerikanë, si dhe me raste të ngjashme në Hungari, Lituani, etj, arrita në konkluzionin e mëposhtëm:
Raporti i Komisionit Hetimor ka konsideruar shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve nga Prokurori i Përgjithshëm, veprimet ose mosveprimet e tij për një sërë çeshtjesh të listuara në të. Komisioni mori përsipër të gjykojë nëse vendimet e marra nga prokurorët për çeshtje të caktuara penale janë ose jo të bazuara në ligj. Për secilin rast, komisioni ka vlerësuar të gabuara mosfillimet, pushimet apo pezullimet e çeshtjeve penale të analizuara. Në gjykimin tim ky qëndrim i komisionit, i miratuar më pas nga Kuvendi, është në kundërshtim me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, parashikuar nga neni 7 i saj, si dhe me ligjin për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore dhe Kodin e Procedurës Penale, sipas të cilave vendimmarrja për procedimin penal është kompetencë vetëm e organit të prokurorisë. Sipas legjislacionit shqiptar ushtrimi i këtij diskrecioni për të filluar, pezulluar apo pushuar një procedim penal është një e drejtë vetëm e Prokurorit të Përgjithshëm dhe e prokurorëve të tjerë. Duke qenë një parim thelbësor i një sistemi drejtësie në një vend demokratik, diskrecioni i prokurorëve në një vendimmarrje për proçedim penal nuk mund të zëvendësohet nga një pushtet tjetër. Mendimet e ndryshme të degëve të tjera të pushtetit mbi vendimet e prokurorëve janë pjesë e një realiteti politik, por ndërhyrja e politikës në vendimmarrjet e prokurorëve është e papërshtatshme dhe një preçedent i rrezikshëm për shtetin e së drejtës. Vendimet e marra lidhur me ushtrimin e funksioneve të prokurorëve mund të vlerësohen vetëm në rrugë hierarkike tek prokurori më i lartë deri tek Prokurori i Përgjithshëm. Funksionin kontrollues mbi këto vendime nuk mund ta marrë parlamenti, por vetëm Gjykata dhe kjo mbi bazën e ankimit të palëve të interesuara. Për këtë arsye, Gjykata jonë Kushtetuese, në një vendim të saj të vitit 2003, është shprehur se “kontrolli parlamentar duhet zhvilluar në mënyrë të atillë që të mos ndërhyjë në veprimtarinë e pushteteve të tjera. Komisioni hetimor, duke hetuar një fushë të caktuar brenda kompetencave që përfshihen në përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit, mund të arrije të gjejë të dhëna, të cilat përbëjnë shkak për t’u vlerësuar nga ana e tij, por, pa hyrë ne sferën e organeve hetimore dhe gjyqësore”.
Vlerësimi im i dytë lidhet me përbërjen e komisionit hetimor dhe qendrimet e disa prej anëtarëve të tij. Duke i shqyrtuar ato arrij në përfundimin se kemi të bëjmë me një cënim të parimit të një procesi të rregullt ligjor dhe të prezumimit të pafajësisë. Kjo, pasi anëtarë të veçantë të komisionit kanë marrë përsipër të deklarojnë si të provuara të gjitha shkeljet dhe akuzat e pretenduara, të cilat nuk ishin verifikuar më parë nga Komisonit Hetimor. Në këtë mënyrë prokurori është konsideruar fajtor shumë kohë më përpara se komisioni të kryejë funksionin e verifikimit të akuzave dhe fakteve, duke i cënuar atij të drejtën kushtetuese për një proces të drejtë ligjor dhe të prezumimit të pafajësisë.
Mbështetur në argumentet e mësipërme, pas vlerësimit të procedurave për ngritjen dhe funksionimin e komisionit hetimor parlamentar, si dhe raportit të miratuar nga Kuvendi, referuar drejtpërdrejtë edhe vendimit nr. 75, datë 19.04.2002, të Gjykatës Kushtetuese, më rezulton se në veprimtarinë e Prokurorit të Përgjithshëm, nuk plotësohet asnjë prej kushteve të parashikuara nga neni 149, paragrafi 2 i Kushtetuese, për shkarkimin e tij. Konkretisht nuk më rezulton se Prokurori i Përgjithshëm ka shkelur Kushtetutën, ka bërë shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, ka paaftësi mendore a fizike apo ka bërë akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit. Për rrjedhojë, meqënëse propozimi për shkarkimin e tij nuk ka mbështetje në kriteret dhe proçedurat e parashikuara në Kushtetutë dhe në jurisprudencën kushtetuese, unë si President i Republikës nuk kam zgjidhje tjetër përveçse në respekt të Kushtetutës të shpall vendimin për të mos e shkarkuar Prokurorin e Përgjithshëm.
Ky vendim është në përputhje të plotë me betimin tim që në momentin e parë të marrjes së detyrës së lartë të Presidentit të Republikës, se gjatë gjithë veprimtarisë time do të udhëhiqem nga Kushtetuta dhe ligji, duke mos lejuar, për aq sa është në kompetencën time, shkelje të Kushtetutës së Republikës tonë.
Natyrisht që kam mirëkuptuar shqetësimet e disa partive politike, institucioneve dhe medias për luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, si një fenomen me pasoja të rënda për tërë shoqërinë. Unë e kam përkrahur dhe e përkrah këtë nismë, pasi ajo përputhet me bindjen time dhe interesin tonë kombëtar, por në çdo rast këshilla ime ka qenë e mbetet që beteja të tilla kërkojnë bashkëpunim dhe bashkëveprim të të gjitha institucioneve përgjegjëse, duke respektuar njëherësh funksionet dhe përgjegjësitë e gjithësecilit prej tyre.
Ashtu si deri më tani edhe në të ardhmen unë do të jem mbështetës aktiv për çdo nismë ligjore dhe kushtetuese kundër krimit të organizuar dhe në të mirë të zhvillimit të vendit dhe forcimit të institucioneve tona demokratike. Të njëjtin qëndrim të palëkundur shpreh edhe në vendosmërinë time për respektimin e institucioneve kushtetuese dhe të funksioneve të tyre, të cilat nuk mund të zëvendësohen nga institucione të tjera kushtetuese, qoftë ky edhe Kuvendi i Shqipërisë. Këshilla dhe ftesa ime është që vendin e akuzave politike dhe tendencave për spostim të përgjegjësive, ta zërë respekti dhe bashkëveprimi i qëndrueshëm e afatgjatë midis pushteteve dhe institucioneve kushtetuese në vendin tonë.
Së fundi, dëshiroj t’i kërkoj publikisht Prokurorit të Përgjithshëm të vazhdojë punën dhe të nxjerrë konkluzionet e duhura nga kritikat konstruktive të parlamentit dhe opinionit publik për të reformuar dhe ngritur në nivelin e kërkuar veprimtarinë e Prokurorisë.
Gjithashtu u bëj thirrje forcave politike dhe Kuvendit, që larg spekullimeve dhe interesave politike të ditës, të jenë në nivelin e kërkuar të etikës dhe kulturës demokratike në vlerësimin e vendimeve të Presidentit të Republikës, për të dëshmuar kështu se Shqipëria e ka lënë pas periudhën e tranzicionit konfliktual dhe se ka hyrë tashmë në rrugën e pakthyeshme të aplikimit të shtetit të së drejtës dhe të standardeve që na afrojnë me familjen e madhe europiane që është ëndrra e tij gjithë popullit tonë.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!