Mitrovica ose premtimi per moscopëtimin e Kosoves

AIPR

Primus registratum
Mitrovica ose premtimi per moscopëtimin e Kosoves

Gerald KNAUS, president i ESI-t (Iniciativa Evropiane për Stabilitet)

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Knaus sa e rrezikshme është gjendja në Mitrovicë dhe cilat janë kërcënimet kryesore?

GERALD KNAUS
Mendoj se aktualisht përballemi me dy kërcënime. Kërcënimi i parë që ka qenë i pranishëm gjatë pesë viteve të shkuara është shpërthimi i dhunës, siç e kemi parë në 1999, 2000 dhe në 2004. Shpërthimi i dhunës është i paparashikueshëm dhe ka gjasa të ndodhë nëse nuk kemi një zgjidhje të kënaqshme për statusin e qytetit. Është shumë e rëndësishme që kjo zgjidhje të marrë parasysh drojën e shqiptarëve dhe serbëve. Kërcënimi i dytë është dhe më i madh pasi kërcënon mbijetesën e qytetit në afat të mesëm. Kjo ka të bëjë me faktin se Mitrovica është qyteti i një kompanie, e cila aktualisht nuk ekziston çfarë sjell papunësi, humbje të popullësisë mungesën e së ardhmes.

RADIO EVROPA E LIRË
Mitrovica do të jetë prova për parimet e caktuara nga bashkësia ndërkombëtare, siç janë moscopëtimi dhe mosbashkimi me ndonjë shtet tjetër. Ky është një nga përfundimet e raportit më të fundit të organizatës suaj. Përse?

GERALD KNAUS
Mitrovica është sfida më e komplikuar me të cilën përballet bashkësia ndërkombëtare në Kosovë në këtë periudhë të negociatatave për statusin. Premtimi për moscopëtimin e Kosovës duhet të realizohet në Mitrovicë. Në të njëjtën kohë Mitrovica është i vetmi vend në Kosovë ku ka mbetur një bashkësi e madhe e serbëve urbanë. Për të mbijetuar në mënyrë të qëndrueshme komuniteti serb në Kosovë, i cili nuk përbëhet vetëm nga bujqë, Mitrovica është shumë e rëndësishme. Në këtë mënyrë sfida për ndërmjetësuesit është që të gjejnë një zgjidhje, ku veriu i Mitrovicës dhe veriu i Kosovës në përgjithësi mbeten pjesë e Kosovës, duke përjashtuar copëtimin, i cili në rast se ndodh ka ndikim rajonal, por një zgjidhje që do të thotë edhe të ardhme për serbët. Duhet të adresohet frika e serbëve se pas zgjidhjes së statusit ata mund të dëbohen. Dhe nëse këto sfida do të zgjidhen si duhet në Mitrovicë atëherë shumica e vështirësive dhe sfidave të tjera me të cilat përballet Kosova mund të zgjidhen më lehtësisht.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të themi se statusi i Kosovës do vendoset në Mitrovicë?

GERALD KNAUS
Nuk do të shkoja kaq larg, por do të thosha se tre nga shqetësimet kryesore të bashkësisë ndërkombëtare siç janë ato që kanë të bëjnë me një periudhë paqësore tranzicioni drejt statusit përfundimtar, me krijimin e mjedisit që serbët e Kosovës të mbeten në Kosovë si dhe të krijohet një Kosovë e qëndrueshme brenda kufijve të saj aktualë, janë të rrezikuara në Mitrovicë. Kjo është arsyeja që ne kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që t'i kushtojë më shumë vëmendje tensioneve ekonomiko-sociale në Mitrovicë. Ka pasur shumë pak mbështetje për një zhvillim të qëndrueshëm të Mitroivcës. Janë dhënë fonde të shumta për Mitrovicën, por ato nuk kanë shkuar për krijimin e vendeve të punës. Rëndësia që paraqet Mitrovica në axhendën e përgjithshme të Kosovës e justifikon një vëmendje të shtuar të bashkësisë ndërkombëtare, pasi problemi nuk do të ikë vetvetiu.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush kush është përgjegjës që fondet nuk kanë shkuar në drejtimin e duhur?

GERALD KNAUS
Problemi është i thjeshtë. Nëse shpenzoni fonde të shumta për një mision të madh ndërkombëtar, siç janë zyra e UNMIK-ut në Mitrovicë, apo për atë të OSBE-së, për policinë e UNMIK-ut dhe KFOR-in, do të ishte më mirë që këto fonde të shkonin për të paguar punëtorët e Trepçës, natyrisht me rroga të arsyeshme. Është bërë shumë pak që të jepen fonde për pjesët e kompanisë Trepça që mund të ringjallen. Nëse shpenzoni shumë fonde për misione atëherë është e natyrshme që të mos kesh rezultate konkrete në fushat jetike.
Për këto arsye ne rekomandojmë që duhet menduar të investohet në fusha që do të krijonin vende pune, që do mbanin të rinjtë në Mitrovicë dhe do t'i kthenin qytetit shpresën.
Në këtë kuadër ne propozojmë ngritjen e një universiteti të ngjashëm me atë të Evropës Juglindore në Tetovë, në kuptimin e cilësisë, që do të ishte në shqip, serbisht dhe anglisht. Kjo do krijonte një ringjallje të qytetit, derisa merr një rëndësi të veçantë kur dihet kriza e thellë në të cilën gjendet arsimi universitar kosovar. Por njëherësh do ishte dhe një simbol i fuqishëm që do të ruante dhe karakterin shumëetnik të qytetit.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendet zhvillimin ekonomik si shumë më efikas se sa krijimi i një misioni të ri ndërkombëtar në Mitrovicë pas largimit të UNMIK-ut. Por si mund të investohet në Mitrovicë kur dihet se qyteti përballet me një morri sfidash politike dhe sigurie?

GERALD KNAUS
Jam dakord dhe kjo ka qenë arsyeja që dy vjet më parë kemi kërkuar gjetjen e një zgjidhje për Mitrovicën përpara zgjidhjes së statusit. Kjo nuk është bërë, por mendoj se duhet bërë tani, në dy muajt e ardhshme. Investitorët mund të vijnë nëse e dinë se së paku cila do jetë zgjidhja përfundimtare për qytetin. Njëherësh nuk mund të themi le të presim zgjidhjen e statusit, pasi kjo do zgjidhë dhe problemet sociale e ekonomike. Duhet të mendojmë në dy drejtime, na duhet zgidhja e statusit për Mitrovicën dhe Kosovën në përgjithësi, por duhet të mendojmë shumë për rrugët që i japin zgjidhje tensioneve të thella që ekzistojnë aktualisht në qytet për shkak të problemeve ekonomike. Për këtë duhen zgjidhje të besueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Udhëheqësit e serbëve të Kosovës e kanë bërë të qartë se Beogradi vendos për ta. Në këto kishte cilat janë garancitë që në rast të krijimit të një komune apo njësie komunale në veri të Mitrovicës, siç keni rekomanduar dhe ju, kjo e fundit do funksionojë si pjesë e Kosovës?

GERALD KNAUS
Këtu kemi disa çështje. E para është së në çfarë shkalle institucionet në Kosovë, përfshi këtu spitalin në veri të Mitrovicës apo shkollat në gjuhën serbe duhet të financohen nga Beogradi. Kjo është një çështje që ka ngjallur shumë debate, që nuk prek vetëm Mitrovicën dhe për këtë kemi disa propozime në Vjenë. Kjo nuk është thjesht një çështje vetëm e Mitrovicës dhe është e qartë se Universiteti në veri të Mitrovicës do mbijetojë vetëm me financimet nga Beogradi, të paktën për momentin. Unë nuk shoh asgjë të gabuar e madje dhe shumica e udhëhqësve shqiptarë të Kosovës nuk kanë probleme me këto financime, derisa ato të jenë transparente.
Çështja tjetër ka të bëjë me atë që ndiejnë njerëzit në Mitrovicë se kujt i takojnë. Është e qartë se identiteti i tyre në rastin më të mirë, do jetë një identitet i dyfishtë. Ata do ndihen qytetarë të Kosovës, por njëherësh ndihen dhe serbë. Ky nuk është kërcënim. Sfida më e madhe në dy vitet e ardhshme për shumicën shqiptare, nëse duan një Kosovë shumëetnike, është të mirëpresin pakicën serbe, që në fund të fundit është një komunitet i vogël.
Serbët e Kosovës nuk janë kërcënim për Kosovën. Sa i përket marrëdhënieve me Serbinë ky është dhe thelbi i bisedimeve për statusin që përthyehen në Mitrovicë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni për planin e paraqitur nga pala kosovare për Mitrovicën?

GERALD KNAUS
Çështja kryesore për të cilën ne do sugjeronim të mendohej dhe një herë është krijimi i një administrimi të përkohshëm ndërkombëtar. E kemi pasur një administrim të tillë në Mitrovicë gjatë viteve të fundit dhe nuk ka ndryshuar asgjë. Nga ana tjetër një administrim i tillë do të thotë se nuk keni zgjidhur asgjë, por i linin çështjet e hapura. Gjëja më e keqe për Mitrovicën, duke pasur parasysh problemet ekonomomike si dhe mundësinë për një shpërthim të sërishëm të dhunës atje, është të lësh paqartësi për një kohë shumë të gjatë.

Intervistoi: Iliriana BAJO
 
Top