Meta: Do respektojmë vendimin e drejtësisë

Universal

AnonymouS
metaaa-fullani.jpg

Me rastin e 10-vjetorit të krijimit të forcës politike Lëvizja Socialiste për Integrim, kreu i saj Ilir Meta, i shoqëruar edhe nga përfaqësues të tjerë të LSI dhe Lëvizjes Rinore për Integrim, kanë vizituar shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” në kryeqytet, nga ku Meta ka dhënë një urim për të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e kësaj force politike, por duke komentuar edhe disa nga çështjet më të nxehta të aktualitetit në vend.

“Nga këtu ku ndodhemi, shtëpia e fëmijës Zyber Hallulli, do të doja të uroja të gjithë anëtarët e kësaj force politike dhe por edhe ata të LRI-së, që janë mbledhur jo vetëm këtu në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera, në një aksion të gjithanshëm, jo vetëm në mbështetje të shtresave në nevojë, por edhe për të treguar interesimin dhe përkujdesjen për të gjithë njerëzit nevojtarë. Jam i kënaqur që jam këtu mes tyre, me këta aktivistë të cilët janë përfshirë jo vetëm në një aksion pastrimi për ambiente të caktuara të kësaj shtëpie fëmijësh, por edhe në shumë hapësira të tjera në mbarë vendin duke i kthyer ato nga ambiente parazitare dhe problematike, në ambiente zhvillimi dhe shfrytëzimi për ngjarje të ndryshme. Do të jepet ndihmë kudo ku është mundësia, që disa terrene të kthehen në funksionale, si për shembull për terrene sportive. Ky është një aksion që do të vazhdojë për disa ditë dhe do të rikthehemi pas disa javësh për t’i parë këto në gjendje funksionale për grupet në vështirësi, me të cilët solidarizohemi të gjithë, por edhe për të interesuar të tjerë”.

Edhe pse doli të fliste me rastin e 10-vjetorit të krijimit të forcës së drejtuar prej tij dhe aksioneve ndaj komunitetit, zoti Meta nuk mund t’i shpëtonte dhe pyetjeve mbi një nga ngjarjet më aktuale në vend, vjedhjes së Bankës së Shqipërisë dhe arrestimit një ditë më parë të kreut të saj, zotit Ardian Fullani.

“Qëndrimi im, i forcës sime politike, por edhe i mazhorancës qeverisëse ka qenë dhe është i pandryshuar në lidhje me skandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, që do të thotë mbështetje për Prokurorinë dhe Gjyqësorin për të hetuar deri në fund skandalin dhe për të vendosur pikat mbi “i”. Ndërsa ne nuk do të bëjmë gjë tjetër, veçse do të respektojmë vendimin e drejtësisë mbi këtë çështje”, u shpreh zoti Meta.

I pyetur në lidhje me reagimin e qeverisë, nëse do të kërkojë apo jo shkarkimin e Fullanit nga posti i kreut të Bankës së Shqipërisë, Meta u shpreh:

“Mazhoranca do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit në këtë situatë, por edhe do të respektojë pavarësinë e Bankës së Shqipërisë dhe integritetin e saj. Ndaj do të lejojmë organet kompetente të hetojnë dhe të japin verdiktin e tyre, ndërkohë që do të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë nga ana tjetër, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Komisioni Europian për të forcuar integritetin e BSH”.

Në lidhje me reformën në drejtësi, për të cilën është paralajmëruar se do të jetë prioriteti kryesor i Kuvendit të Shqipërisë në këtë sesion të ri, i pyetur nëse mazhoranca do të kërkojë bashkëpunim me Presidentin e Republikës, Meta u përgjigj:

“Reforma në drejtësi është prioriteti kryesor dhe do të ecë përpara me vendosmëri, sigurisht që do të kërkohet edhe bashkëpunimi me të gjithë institucionet kushtetuese, gjë që është e rëndësishme”. / Top Channel
 
Top