Me Enverin në Labinot, në shtator 1943

Albforumi

Primus registratum
Me Enverin në Labinot, në shtator 1943

Pas disa librave të botuar pas viteve ‘90, Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e ish-udhëheqësit komunist të Shqipërisë, i është rikthyer rrëfimit. Kësaj radhe për luftën, por edhe për veten dhe Enver Hoxhën.

Janë kujtime për shtatorin 1943, kur Italia e Musolinit kapitullonte, ndërsa vendin e italianëve do ta zinin gjermanët. Por ishte edhe koha kur Fronti Nacionalçlirimtar do të hidhte themelet e pushtetit të ardhshëm, nga strukturimi i forcave të armatosura partizane, deri te fuqizimi i këshillave popullorë si bërthama të pushtetit të ri komunist.

Në rrëfimet e Nexhmije Hoxhës vjen atmosfera e jetës partizane, marrëdhëniet e udhëheqjes së Frontit me ushtrinë e shpartalluar italiane dhe planet për të pritur pushtuesin e radhës.

Por një pjesë të rëndësishme në fund të këtyre rrëfimeve, është korrespondenca e fundshtatorit 1943 mes Nexhmije Xhuglinit dhe Enver Hoxhës. Përmes radhëve të letrave, të çiftit që do të bënte historinë e pasçlirimit, ka kritika për punën e partisë në Tiranë, tension për gjendjen, por nuk mungojnë edhe gjestet dhe fjalët e marrëdhënies intime.

Kthim pas në shtatorin 1943. 66 vite më parë, me kujtimet dhe fotot e ilegales Nexhmije Xhuglini (Hoxha), që do të bëhej më pas krahu i djathtë i njeriut që do të udhëhiqte Shqipërinë për katër dekada.

Kujtime nga Konferenca e Labinotit, kapitullimi i Italisë, letërkëmbimi dhe fotot intime që zbulohen për herë të parë

Më 4-9 shtator 1943 u mblodh në Labinot-mal të Elbasanit Konferenca e Dytë

Nacionalçlirimtare e vendit. Ishin rreth 50 delegatë të zgjedhur nga këshillat e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar të qarqeve, si dhe të ftuar nga personalitete të njohur si patriotë e intelektualë antifashistë.

Kjo pjesëmarrje ishte disafish më e gjerë se ajo në Konferencën e Pezës. Unë, në Konferencën e Labinotit, nuk isha më e vetmja delegate femër.

Tani, bashkë me mua ishte presidentja e Komitetit Iniciator për organizimin e Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë, Ollga Plumbi, publiciste e njohur që në vitet ‘30 për emancipimin e gruas shqiptare dhe Ela Gjikondi, arsimtare e zjarrtë antifashiste, e zgjedhur nga gratë antifashiste të Tiranës.

Gjatë datave 2 dhe 3 erdhën në Labinot delegatë në rrugë të ndryshme: ilegalët e qyteteve dhe kuadrot e njësive partizane erdhën më këmbë, duke kaluar shtigje malore, herë në zona të lira, po edhe në zona të paçliruara, duke udhëtuar natën, kurse të tjerët, të pakompromentuar nga forcat e rendit të pushtuesit fashist, erdhën me vetura dhe autobusë deri në Elbasan e që aty deri në Labinot më këmbë e ndonjë të moshuar me kalë të shoqëruar nga korrierë të caktuar, që e bënin shpesh këtë rrugë.

Unë, me një letërnjoftim fals, bashkë me Ollgën dhe Elën, udhëtuam me makinën e një antifashisti dhe ishim në Labinot nja tri ditë para mbledhjes.

Kishin kaluar nja pesë muaj nga takimi im i fundit me Enverin, po këtu në Labinot, në konferencën e parë të PKSH-së (mars 1943), por Enveri ishte aq i zënë me punë, me pritjen, takime e bisedime me shokët e delegatët e konferencës, saqë unë pata vetëm takime të rastit, vetëm në këmbë a në shoqëri me delegatët, si gjatë pushimeve, gjatë ngrënies etj., dhe pata vetëm një bisedë kokë më kokë pas përfundimit të mbledhjes që do të jetë objekt në letërkëmbimin tonë të muajit shtator.

Meqenëse ne, të tre shoqet delegate, erdhëm më shpejt dhe kishim mjaft kohë të lirë, u ofruam të ndihmojmë Sami Bahollin, të riun revolucionar dhe antifashist, që kish ndërprerë studimet në Itali dhe qe kthyer në atdhe e kish vënë në dispozicion të Frontit Nacionalçlirimtar, shtëpinë e madhe të familjes së tij në Labinot, ku do të zhvillohej Konferenca, ku ishin bërë edhe mbledhja të tjera me rëndësi historike, siç qe ajo e 10 korrikut 1943 për formimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Shqipërisë.

U morëm me pajisjet e zbukurimin e sallës (që në fakt ishte ambienti më i gjerë (holli) në krye të shkallëve të katit të dytë ku ishin hyrjet në katër dhomat).

Vendosëm flamujt kombëtarë, të kuq me shqiponjën krenare të Skënderbeut, portrete te rilindasve tanë dhe të disa heronjve dëshmorë në luftën për çlirimin e Shqipërisë, si dhe parulla luftarake antifashiste e për bashkimin e popullit shqiptar.

Në mbledhje munguan Ndoc Çoba e Kamber Qafmolla, i pari anëtar, i dyti kryetar i Këshillit të zgjedhur në Konferencën e Pezës, por shpejt pas saj u shkëputën nga Fronti Nacionalçlirimtar dhe u bashkuan me Ballin.

Por mungoi edhe Abaz Kupi, i cili jo vetëm nuk ishte shkëputur (qoftë formalisht) nga Fronti, por ai, veç dy muaj më parë (10 korrik 1943), ishte zgjedhur anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe një muaj më vonë (gusht 1943) Fronti Nacionalçlirimtar e caktoi si anëtar të delegacionit të tij që mori pjesë në Mbledhjen e Mukjes. Ai nuk erdhi se gjoja ishte “I zënë me do punë” (cilat ishin “këto punë” do shiheshin shumë shpejt).

Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare filloi punimet në mëngjesin e 4 shtatorit 1943, që vazhduan gjatë 5-6 ditëve, herë-herë, duke punuar deri edhe në mesnatë. Mbledhja mori vendime me rëndësi historike për luftën nacionalçlirimtare dhe të ardhmen e popullit shqiptar.

Ajo miratoi krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, formimin e njësive të mëdha partizane, zgjerimin e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, shtrirjen e këshillave të Frontit Nacionalçlirimtar në gjithë vendin dhe ngritjen e rolit të tyre edhe si bërthama të pushtetit popullor.

Por unë, në këtë shkrim, nuk do të ndalem në këto vendime dhe temat e tjera, për të cilat u diskutua në Konferencë, si ajo e Mukjes, e Ballit, e Abaz Kupit etj., tema shumë të njohura e të debatuara nga publiku shqiptar, por do të përqendrohem në ngjarjen e shumëpritur, me rëndësi historike për zhvillimet e mëtejshme të Luftës së Dytë Botërore, por veçanërisht edhe për luftën çlirimtare të popullit tonë, siç qe kapitullimi i Italisë fashiste, që ndodhi në 8 shtator 1943, kur ishim në Labinot, pikërisht gati në përfundim të punimeve të konferencës.

Në 8 shtator ishte dita e pestë e mbledhjes dhe mendohej që patjetër të mbyllej, sepse delegatët duhej të ktheheshin sa më parë në vendet e tyre. Ishte kohë lufte.

Rezolucioni dhe thirrja e konferencës ishin përfunduar dhe po na lexoheshin në seancën e pasdites së asaj date, ndërkohë komisioni për zgjedhjen e këshillit ishte tërhequr për të përpiluar projektlistën e anëtarëve që do t’i paraqiste konferencës për diskutim e miratim.

Pasi na u lexua rezolucioni dhe thirrja, e u miratuan, u vendos që të bëhej pushim sa të mbaronte punë komisioni për zgjedhjet, që ishte pika e fundit e rendit të ditës. Zbrazëm sallën. Dolëm në ajrin e pastër e të freskët.

Delegatët u shpërndanë në lëndinën përreth, në grupe, duke biseduar me njëri-tjetrin, duke pirë cigare, duke qeshur e bërë shakara. Ishte afër mbrëmje, në perëndim të diellit. Pas pak zbritën e u bashkuan me ne edhe anëtarët e komisionit zgjedhor. Enveri bëri shaka: “dolëm edhe ne, sa të pimë ndonjë cigare, se ku na la doktori (Omer Nishani) të tymosnim në mbledhje”.

Brenda në shtëpi kishte mbetur vetëm Spiro Koleka dhe bashkë me të delegati i zgjedhur në sekretari, Dhimitër Vangjeli, djali a nipi i Pandeli Vangjelit, ish-deputet në regjimin e Zogut dhe Kryeministër (në qoftë se nuk gaboj). Ai ishte edhe shef i protokollit gjatë disa viteve kur Enveri ishte ministër i Jashtëm.

Ndenjën të dëgjojnë lajmet e agjencive të huaja mbi zhvillimet e fundit në frontet e luftës. Kur, në qetësinë relative të asaj hapësire malore, të trazuar vetëm nga zërat e delegatëve, dëgjojmë Kolekën që nga ballkoni në mes të katit të dytë, thërriste me të madhe: “Ej, shokë, Italia fashiste kapitulloi!”. Koleka, shumë i emocionuar dhe i ekzaltuar, vazhdonte të bërtiste: “Kapitulloi, shokë, kapitulloi!

E dha vetë radioja italiane…”. Në fillim ne mbetëm të hutuar në vend nga thirrjet e tij, me zë e duar, që kërkonte t’afroheshim e të dëgjonim. Radioja, një radio e vogël “Philips”, që e kishte nxjerrë në ballkon, buçiste…

Kur kuptuan se ç’kish ndodhur, delegatë, partizanë dhe fshatarë vendas të armatosur që bënin roje përreth, shpërthyen në një gëzim të papërshkrueshëm, me thirrje për çlirimin e Shqipërisë, për vdekjen e fashizmit dhe lirinë e popullit, disa përqafoheshin, të tjerë partizanë e fshatarë ua morën këngëve patriotike e partizane në kor, kokë më kokë, ose në valle vendase, u zbraz në ajër edhe ndonjë pushkë, automatik e pistoletë, sipas zakonit shqiptar në gëzime, por kjo menjëherë u ndalua se zhurma e tyre mund të tërhiqte vëmendjen e armiqve.

Natyrshëm, delegatët u afruan rreth Enverit e, ca ulur mbi gurë e ca në lëndinën me bar të freskët mali, pyesnin, shkëmbenin mendime të çastit, se çdo të ngjasë pas kësaj. Meqenëse disa po tregoheshin shumë euforikë dhe optimistë, Enveri ndërhyri e tha: “Po gjermanët?

Ata s’kanë kapitulluar, përkundrazi, janë në kulmin e egërsisë së tyre naziste, se po e ndjejnë se janë në prag të dështimit përfundimtar të ëndrrës naziste e planeve të çmendura të Hitlerit për të sunduar botën.

Vërtet kapitullimi i Italisë fashiste-u tha Enveri bashkëbiseduesve që e kishin rrethuar-është një fitore për luftën tonë, por ai krijon situata të reja, të cilat kërkojnë nga ne që të jemi të mirëpërgatitur, pasi armiku i ri është më i egër, ndaj lufta që duhet bërë kundër tij do të jetë edhe më e ashpër.

Nazistët, tha ai, për t’u ruajtur nga kërcënimi i pozicioneve të tyre në Greqi e në vende të tjera të Ballkanit, do t’i sulen edhe Shqipërisë, pra, udha e luftës për liri, është ende e gjatë”.

Në mes të diskutimeve të ndezura nga lajmi i shumëdëshiruar, ngjitëm shkallët e shtëpisë për të vazhduar punimet me diskutimet që ishin në rendin e ditës, por u shtua edhe një pikë lidhur me ngjarjen e orës së fundit, kapitullimin e Italisë fashiste.

Në mbledhje Enveri mori fjalën dhe në bazë të disa shënimeve që kish hedhur në disa copa letre, tërhoqi vëmendjen mbi situatën që do të krijohej në frontin e luftës në Europë, po veçanërisht në Ballkan e Shqipëri, pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe që dilnin para Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, si në planin e brendshëm për t’u përgatitur si ushtarakisht edhe politikisht për të përballuar ndeshjen me pushtuesin e ri, Gjermaninë naziste dhe lakejt reaksionarë që do ta mbështesin, por edhe në planin e jashtëm lidhur me mundësinë e zbarkimit të aleatëve anglo-amerikanë në Ballkan, ndoshta, konkretisht, edhe në Shqipëri.

Si detyrë imediate u shtrua çfarë do të bëjmë me forcat ushtarake pushtuese italiane në Shqipëri. Lidhur me këtë çështje, dr. Omer Nishani paraqiti propozimin dhe Konferenca e Dytë NÇL vendosi t’u drejtojë një thirrje oficerëve e ushtarakëve italianë që të dorëzohen tek ne.

“Ne jemi një fuqi aleate e anglo-sovjeto-amerikanëve-u tha në fjalët e Enverit. -Në rast se ato vazhdojnë qëndrimin e mëparshëm kundër nesh, ne gjithashtu do të vazhdojmë qëndrimin e mëparshëm.

Por duhet të marrim parasysh se armiku ynë kryesor sot është Gjermania hitleriane dhe se ushtari italian do me çdo mënyrë të shkojë në shtëpinë e tij, prandaj ne duhet t’i drejtohemi atij që të bashkohet me ne kundër nazistëve gjermanë, si dhe të na japë armët.

Konferenca u ndal me diskutime se si do të procedohej me këtë çështje, si do të vepronin njësitë tona partizane, sidomos repartet e mëdha që po krijoheshin, si Brigada e Parë Partizane e të tjera që do të vinin pas saj e që kishin aq nevojë për armë, si do të punonin këshillat nacionalçlirimtare, por edhe në qytete, e mjaft probleme të tjera që dilnin nga situata e re që u krijua.

Në konferencë u diskutua deri në orën 4 të mëngjesit, duke synuar që mbledhja të mbyllej, siç qe vendosur në 8 shtator, aq më shumë që kthimi i delegatëve në bazat e tyre ishte bërë edhe më i domosdoshëm.

Duke parë se të gjithë ndiheshim të lodhur, u vendos të mbyllej seanca, për të fjetur disa orë dhe të hapej nga ora 10 për një seancë të fundit, që menjëherë pas drekës, delegatët legalë të pakompromentuar të hynin pjesë-pjesë në qytetin e Elbasanit e andej me makina të posaçme ose edhe me autobusë, të ktheheshin në qytetet a krahinat e tyre.

Kurse ilegalët të niseshin me këmbë e të udhëtonin natën nëpër shtigjet e njohura nga to, për t’u bashkuar me repartet e tyre ose për t’u futur me kujdes në qytetet ku vepronin.

Është e njohur në kronikat e asaj kohe dhe në tekstet e Historisë së Shqipërisë për atë periudhë se si vajti fati i ushtrisë italiane në Shqipëri, pas pushtimit të kësaj nga forcat e Gjermanisë hitleriane: oficerët e lartë të saj u dorëzuan te ata, ushtarë të braktisur te komandantët e tyre u masakruan, ca të tjerë, më trimat, u bashkuan me njësitë tona partizane dhe luftuan mirë, ca të tjerë vendosën të fshiheshin në kasollet e kullat e fshatarëve tanë zemërgjerë, duke punuar në pritje që të ktheheshin gjallë në familjet e tyre.

Në dorëzimin e forcave ushtarake italiane, më i rëndësishmi qe ai i divizionit “Firenze”, i komanduar nga gjeneral Azzi (Aci). Forcat tona morën në dorëzim gjithë efektivin dhe gjithë armatimin e divizionit dhe gjeneral Azzin, sipas urdhrit që morën, e dërguan në Shtabin e Përgjithshëm në Arbanë të Pezës, ku kishte arritur rreth datës 15 shtator edhe Enveri, për të qenë sa më afër kryeqytetit lidhur me situatat e reja.

Enver Hoxha, në shënimet e tij që ka lënë, e përshkruan pritjen që i bëri gjeneral Azzit dhe zëvendësit të tij që e shoqëronte.

Ndër të tjera ai shkruan: “Pas përshëndetjeve të rastit u fola për ndryshimet dhe gjendjen në qeverinë musoliniane, të cilën e kishte marrë në dorë Badaglio, si dhe për situatën e ushtrisë dhe të komandës italiane në Shqipëri.

Theksova se dorëzimi i forcave italiane ishte rruga e nderit, duke marrë pjesë tok me ne në luftë kundër gjermanëve. Ne, – u thashë – mund të firmosim së bashku një deklaratë, ku t’u bëjmë thirrje edhe forcave të tjera italiane që nuk janë dorëzuar akoma, të bashkohen me ne.

Pas kësaj t’i pyesim një nga një dhe kush dëshiron të luftojë le t’i mbajë pushkët, kush nuk dëshiron të luftojë të dorëzojë armën, por të qëndrojë në thellësi të zonave tona të çliruara dhe atje të punojë tok me fshatarët për të nxjerrë bukën për veten e vet, për të ndihmuar edhe luftën. Ramë dakord me Azzin për këtë gjë”.

Siç është e njohur, Azzi u ndihmua nga ne që nëpërmjet Vlorës, me mjetet e aleatëve anglo-amerikanë, që lëviznin ilegalisht në mes dy brigjeve tona, të rikthehet në atdhe, kurse ushtarë e nënoficerë, sidomos specialistë të disa armëve të divizionit “Firenze” të gjeneral Azzit, morën pjesë e luftuan mirë në atë që u quajt beteja e parë me gjermanët, ku dështuan dhe mbeti peng nipi i Geringut, ndërsa disa prej tyre vazhduan të luftojnë si partizanë.(Shekulli)

9XGn-Pi4zMM

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22426. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22426

Top