Re: Lufte ne Mitrovice
22 të vdekur në trazirat e së mërkurës, thotë policia
18 mars 2004 10:10 ET
PRISHTINË (KosovaLive) – Një zyrtar i lartë i informimit i UNMIK ka shprehur të enjten dyshimin nëse trazirat e djeshme anembanë Kosovës ishin spontane. Në të njëjtën kohë policia thotë se numri u të vdekurve është rreth 22, ndërkjohë që ka mbi 600 të lënduar.
“A ishte e organizuar e tëra që ndodhi dje? Nuk e di. Kosova është një vend i vogël, dhe kur kemi mijëra e mijëra njerëz, nga të gjitha anët e Kosovës, të cilët të gjithë janë të unifikuar dhe sulmojnë të njëjta caqet, gati në të njëjtën kohë dhe për arsye të njëjta, duhet të pyesesh vetën se a ishte kjo tërësisht një gjë spontane? Unë nuk kam përgjigje në këtë”, është prononcuar për KosovaLive të enjten Derek Chappell, shef i Zyrës së Informimit të Policisë së UNMIK-ut.
Sipas tij, policia disponon me numrin prej 10 vetave që besohet se kanë vdekur vetëm në Prishtinë deri më tani. Ndërsa numri i të vdekurve në të gjitha trazirat në Kosovë është rreth 22, kurse të lënduar mbi 600. “Tragjikisht dje nga këto trazira në Mitrovicë ka humbur jetën edhe një ushtar i KFOR-it, i kontingjentit francez”, thotë për KosovaLive Chappell.
Sipas tij, numri i atyre që pësuan gjatë trazirave të djeshme është në rritje pasi që familjet po i raportojnë të humburit e tyre, por edhe për shkak të shënimeve të pakëta nga ato vende dhe komuna ku policia kishte humbur kontrollin e sigurisë.
Të mërkurën mbrëma, rreth orës 22.00 është vrarë një person para selisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq në lagjen Ulpiana të Prishtinës, u plagos një polic ndërkombëtar, u dogjën 7 banesa dhe 22 makina të UNMIK-ut.
“Mbrëmë turma që kthehej prej Çagllavicës, rreth 500 njerëz, rreth orës 22.00 kanë sulmuar kompleksin e banesave të serbëve në Ulpianë. Shumë makina janë djegur, si private ashtu edhe të administratës së UNMIK-ut më vonë disa ndërtesave iu është vënë zjarri”, thotë Chappell.
Ai thotë se deri në orët e vona nuk është arritur të evakuohen serbët që ishin mbyllur në banesa, dhe të cilët kërkonin ndihmë. “Shkaku i të shtënave me armë zjarri, snajper, gurë dhe shishe të mbushura me benzinë, ndaj policisë deri në orën 01.00 pas mesnate, serbët nuk kanë mundur të evakuohen. Personi i vrarë pranë selisë së AAK-së është vështirë të thuhet se cilit komunitet i takon”, tha Chappell.