Re: ligji nuk eshte i njejte per te gjithe!!!!!!!!!!!!
VENDIM
PËR
MJETET MOTORIKE LUNDRUESE, QË LEJOHEN TË QARKULLOJNË NË ZBATIM TË MORATORIUMIT “PËR MJETET MOTORIKE LUNDRUESE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 1 e 3, të ligjit nr.9509, datë 3.4.2006, “Për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lejohen të qarkullojnë në ujërat, territoriale dhe të brendshme, të Republikës së Shqipërisë, si dhe të transportohen në rrugë tokësore mjetet e mëposhtme:
a) Të gjitha mjetet motorike lundruese në përdorim të:
i. Zyrës së Presidentit të Republikës;
ii. Këshillit të Ministrave;
iii. Ministrisë së Mbrojtjes;
iv. Ministrisë së Brendshme;
v. Ministrisë së Financave;
vi. Ministrive të tjera dhe institucioneve në varësi të tyre, kur këto mjete përdoren brenda veprimtarive të lejuara në Kodin Detar, marrëveshjeve detare dy dhe shumëpalëshe, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.
b) Mjetet motorike lundruese në pronësi ose në përdorim të Ndërmarrjes së Mjeteve të Shërbimeve Detare dhe të subjekteve private, të pajisura me leje për shërbimet portuale nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
c) Mjetet në pronësi ose në përdorim të kapitenerive të porteve.
ç) Mjetet në përdorim të porteve.
d) Mjetet e shoqërive të pilotimit, të përdorura vetëm për veprimtarinë e pilotimit.
dh) Mjetet motorike lundruese, të cilat kanë fituar klasin si mjete peshkimi, nëpërmjet Regjistrit Detar Shqiptar, dhe që janë të regjistruara si të tilla në Regjistrin e Mjeteve të Peshkimit, në mbështetje të ligjit nr.7908, datë 5.4.1995, “Për peshkimin dhe akuakulturën”.
e) Mjetet motorike lundruese me fuqi motorike mbi 20 NT, që kanë fituar klasin për transport detar mallrash, nëpërmjet Regjistrit Detar Shqiptar, dhe që janë pajisur me leje nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
ë) Mjetet motorike lundruese të klasifikuara nga Regjistri Detar Shqiptar për transport pasagjerësh dhe të licencuara për këtë veprimtari nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
f) Mjetet motorike lundruese të klasifikuara nga Regjistri Detar Shqiptar si mjete për qëllime turistike, me fuqi motorike më të vogël se 20 NT, dhe të pajisura me leje për ushtrimin e veprimtarisë nga Drejtoria e Tatim-Taksave.
2. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Roja Bregdetare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA