LIBERALIZMI SI ALTERNATIVE

liridashes

Primus registratum
LIBERALIZMI SI ALTERNATIVE

Supremacia e tregtisë së lirë
Adri Nurellari (drejtor i Institutit Liberal)
marre nga gazeta biznesi
Çështja e marrëveshjeve rajonale të tregtisë së lirë ka pasur goxha jehonë të madhe në opinionin publik shqiptar, por fatkeqësisht qeveria shqiptare nuk ka mundur të vërë në dukje siç duhet rëndësinë e tregtisë së lirë. Për pasojë është krijuar një bindje disfatiste, sipas së cilës tregtia e lirë është një barnë që na imponohet nga jashtë dhe ne, duke qenë të pafuqishëm dhe të varur nga ndihma ekonomike perëndimore, duhet ta kapërdijmë. Ndërkohë vlerat kurative të këtij ilaçi nuk guxon kush që t’i mbrojë pasi do të akuzohet menjëherë si nxitës i papunësisë dhe shkatërrimtar i ekonomisë vendase.
Historia e njerëzimit ka dhënë boll prova bindëse për supremacinë e tregut të lirë dhe të gjitha gjasat tregojnë se edhe Shqipëria ka për të përfituar nga marrëveshjet e tregtisë të lirë. Është e vërtetë që Bashkimi Europian është promovuesi i tregtisë së lirë në rajonin tonë, por kjo nuk vjen nga ndonjë interes i theksuar ekonomik. Pesha e Ballkanit në tregtinë e BE-së është e papërfillshme, prandaj impenjimi kryesor i BE-së në rajonin tonë është arritja e stabilitetit. Ideja është që tregtia e ndërsjellë në rajon do të risi ndërvarësinë mes vendeve të Ballkanit dhe për rrjedhojë do të zbutë klimën konfliktuale. Sic thotë edhe Frederic Bastiat, “kufijtë që nuk kalohen nga tregtarët, do të kalohen nga ushtritë”.
Me tregtinë e lirë rajonale nuk sigurohet vetëm paqja, por edhe prosperiteti dhe ekzistenca e Bashkimit Europian është prova më e dukshme e këtij pohimi. Duke qenë se ekonomitë e vendeve të Ballkanit të marra veçmas janë shumë të vogla, integrimi ekonomik dhe krijimi i zonës së tregtisë të lirë në rajon do të krijojë një treg me rreth 60 milionë konsumatorë dhe do ta bëjë rajonin joshës për investitorët e huaj, si dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
Tregtia e lirë pa dyshim që do t’i shërbejë shumë edhe Shqipërisë. Fillmisht nuk duhet të harrojmë që prodhimi vendas është jashtëzakonisht i vogël dhe ne tashmë e kemi bazën e ekonomisë tek tregtia dhe shërbimet, për rrjedhojë edhe sikur të dëmtohej disi prodhuesit vendas, impakti në gjithë ekonominë ka për të qenë i vogël.
Por ky dëm ka për t’u kompensuar nga joshja e investimeve të huaja që do të vinte si pasojë e aplikimit të tregtisë së lirë. Shqipëria gjatë gjithë tranzicionit ka pasur një thithje shumë të kufizuar të investimeve të huaja, por aplikimi i tregtisë së lirë ka për të joshur shumë më tepër investime (siç tregojnë edhe shembujt e tigrave të Azisë).
Mirëpo e vërteta është se ne nuk mund të themi që prodhimi vendas do të shkatërrohet me të vërtetë apo jo. Duke pasur parasysh evazionin a lartë fiskal në Shqipëri dhe dominimin e ekonomisë joformale, ne nuk mund ta masim normat reale të fitimit të prodhuesve dhe për rrjedhojë nuk mund të parashikojmë impaktin që do të ketë heqja e tarifave doganore. Prodhuesit vendas, për mendimin tim, nuk janë aq të brishtë sa hiqen pasi ata i kanë mbijetuar tashmë kontrabandës të zhvilluar shqiptare, arbitraritetit dhe korrupsionit të institucioneve të ndryshme shtetërore, nivelit të lartë të krimit, si dhe ekzistences së monopoleve në import. Në fakt, volumi i tregtisë me Maqedoninë nuk është rritur ndjeshëm nga marrëveshja e tregtisë së lirë, që do të thotë që ai pak prodhim vendas mbeti konkurrent e nuk u zhduk.
Nëse do të ruanim priviligjimin e prodhimit vendas me tarifa doganore, ne thjesht dëmtojmë konsumatorin, pasi eliminojmë mundësinë e konkurrencës. Ekzistenca e tarifave doganore u ka dhënë mundësi biznesmenëve të veçantë shqiptarë që të formojnë kartele ose monopole të ndryshme që e rrënojnë konsumatorin. Si pasojë ne kemi një indeks shumë të lartë çmimesh në krahasim me vendet e tjera të rajonit, si dhe kemi një fuqi blerëse minimale. Eliminimi i tarifave doganore do të sillte konkurrencën dhe do të ulte çmimet e mallrave të importuara. Kjo gjë do të përmiresonte buxhetet dhe mirëqenien e shqiptarëve, si dhe do të shtonte kursimin. Për rrjedhojë më shumë njerëz do të siguronin akumulimin fillestar të kapitalit të nevojshëm për më shumë investime në të ardhmen.
Kjo çështje ka edhe implikime etike dhe morale. Konsumatori duhet të ketë të drejtë të zgjedhë në mënyrë të lirshme mes një produkti vendas dhe një të huaj pa qenë i ndikuar nga arbitrariteti shtetëror, që kushtëzon këtë zgjedhje me anën e barrierave proteksioniste. Personalisht nuk dua që të më imponohet ky lloj patriotizmi ekonomik, por të kem të drejtën që ta zgjedh vetë nëse dua apo jo të blej një prodhim shqiptar. Fundja si mund të flitet për një prodhim të pastër shqiptar ku pothuaj në çdo industri të vendit lënda e parë vjen nga jashtë. Biznesi prodhues vendas në fakt duhet të ishte entuziast për uljen e kostos së lëndë së parë që do të vinte nga heqja e tarifave doganore.
Gjithsesi, edhe nëse ato që thashë me sipër do të ishin të gabuara dhe impakti i tregtisë së lirë në Shqipëri të dilte negativ, duhet të pranojmë që procesi i globalizimit është një proces i pakthyeshëm. Kufijtë shtetërorë vlejnë gjithnjë e më pak dhe volumi i tregtisë ndërkombëtare sa vjen e rritet. Për rrjedhojë rënia e barrierave proteksioniste është i pashmangshëm. Edhe bastionet e fundit të ekonomisë së planifikuar dhe proteksioniste po bien pak e nga pak. Vende si Vietnami dhe Kina ka kohë që e kanë kuptuar dobinë e tregut te lirë dhe janë përfshirë në marrëveshje rajonale të tregtisë, si dhe përpiqen që të futen në Organizatën Botërore të Tregtisë. Në rastin e Shqipërisë na takon të gjithëve që ta kuptojme se tregu i lirë është një e ardhme e pashmangshme, prandaj duhet që të përgatitemi sa më mirë për të ardhmen. Ashtu siç po bëjnë vendet e fundit komuniste (përjashto Korenë e Veriut, ku kokëfortësia e diktatorit po shkakton miliona të vdekur nga skamja) edhe neve na duhet që herët a vonë të bëhemi konkurrent në tregun botëror. Përderisa e dimë që do ballafaqohemi në mënyrë të domosdoshme me konkurrencën e BE-së dhe atë ndërkombëtare në përgjithësi, atëherë përse të mos e nisim udhëtimin tonë drejt konkurrencës botërore tani. Nuk është më herët për ta bërë këtë gjë pasi tani jemi futur në dekadën e dytë të tranzicionit dhe jemi prapa shumë vendeve të tjera që e kanë nisur rrugën e tranzicionit me ne.
Ne duhet të mos ushqejmë më iluzionin që ekonomia proteksioniste merkantiliste është zgjidhja për vendin tonë apo për çfarëdo vendi tjetër. Pervoja botërore na dëshmon të kundërtën. Nje studim bërë nga fondacioni “Heritage” kohët e fundit, nxjerr në pah se shtetasit e vendeve që i kanë tarifat doganore mesatarisht 4% ose më pak, i kanë mesatarisht të ardhurat për frymë 17000 USD, krahasuar me vetëm rreth 2000 dollarë amerikan që marrin në vit shtetasit e atyre vendeve ku tarifat doganore janë më të larta se 20%. Gjithashtu, vlen të përmendet një studim i kryer nga Universiteti prestigjoz i Harvardit, që ka studiuar të dhënat e ardhura nga vendet në zhvillim gjatë periudhës 1970-1990. Ky studim zbulon se ato vende që kishin politika të inkurajimit të tregtisë së lirë kanë pasur një rritje ekonomike rreth 4.5% çdo vit ndërkohë që rritja e vendeve me kufij të mbyllur vërtitej tek rreth 1% në vit.
Ato që kam shkruajtur më sipër nuk janë aspak ide të reja, por thjesht një miniagregat i përvojës ekonomike botërore. Aq më pak nuk pretendoj që të kem mbrojtur siç duhet supremacinë e tregut të lirë pasi për të mbetet për t’u thënë shumë herë më shumë. Thjesht dëshiroj që të inkurajoj partizanët e tregtisë të lirë për t’i thënë gjërat hapur e për të mbrojtur të vërtetën.
 

ilirjan

Primus registratum
Re: LIBERALIZMI SI ALTERNATIVE

Danimarka

Suedia

Zvicra

Shtetet me te pasura te botes (me kufij te mbyllur <img src="/pf/images/graemlins/wink.gif" alt="" />
 

ilirjan

Primus registratum
Re: LIBERALIZMI SI ALTERNATIVE

E vetmja ALTERNATIVE shpetuse e shqipnise dhe shqiptareve eshte politika PRAGMATISTE e Mbretit.

Aty ku ka rezultat, ku intereson ajo zbatohet.

Pse jo, po nuk me interesoi nuk futem ne BE.
 

rosen

Primus registratum
Re: LIBERALIZMI SI ALTERNATIVE

alternative ndaj cilit sistem ekonomik. Definoni sistemin ekonomik aktual shqiptar. Per ta mbyllur pyetja ime eshte: "sistemi ekonomik" aktual eshte frut i nje zgjedhje politike apo conseguence e kaosit shqiptar?
 
Top