Lejet e ndërtimit, pranga ish-deputetit

Albforumi

Primus registratum
Lejet e ndërtimit, pranga ish-deputetit

Pranga për ish-deputetin e Partisë Demokratike në legjislaturën e kaluar, Florian Bajramaj, dhe bashkëpunëtorin e tij Pasho Beqiri. Kaosi urbanistik në zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës ka emra të rinj përgjegjësish, që kanë dalë gjatë punës së Prokurorisë së Durrësit për të hedhur dritë mbi masakrën bregdetare. Burime nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës bënë të ditur se prej më shumë se një viti, organi i akuzës kishte nisur hetimet mbi veprimtarinë e Bajramajt në periudhën përpara se të fitonte imunitetin e deputetit dhe mbi veprimtarinë e zyrtarit Beqiri, për të mbërritur deri te dita e djeshme, kur me prova të mjaftueshme për të siguruar vazhdimin e hetimit në kushte të tjera ka kërkuar nga gjykata arrestimin e tyre. Abuzimet me pronat publike dhe dhënia e lejeve të ndërtimit personave pa tituj pronësie rëndojnë mbi njeriun që mbajti për katër vjet radhazi mandatin e deputetit të zonës elektorale nr.27 dhe përfaqësoi komunitetin e saj në Parlament. Bajramaj dhe Beqiri janë prangosur mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 19:00, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë së Durrësit në bashkëpunim me Task Forcën e prokurorisë dhe sektorin operacional në Drejtorinë e Policisë së Qarkut në zbatim të dy vendimeve të marra dje nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, mbështetur në kërkesën e prokurorisë për shpërdorim detyre. Gjykata ka vendosur paraprakisht masën e sigurisë “arrest në burg” për të dy ish-funksionarët publikë. Hetimet kanë nisur ndërsa Bajramaj gëzonte atributet e të mandatarit nga vota e popullit në zgjedhjet e 3 korrikut të vitit 2005. Por akuza ngrihet për periudhën kur të dy të arrestuarit kryenin funksione në Këshillin Teknik të Komunës së Rrashbullit. Bëhet fjalë kryesisht për periudhën që përfshin vitin 2004 dhe verën e vitit 2005, kur Bajramaj u përzgjodh si kandidaturë e PD-së për zgjedhjet parlamentare të korrikut. 38- vjeçari nga Durrësi, Flori Bajramaj, dhe Pasho Beqiri 50 vjeç nga Shkallnuri akuzohen për abuzime në dhënien e lejeve për sheshe ndërtimi dhe leje ndërtimi në zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës dhe zona të tjera të komunës, duke favorizuar persona që nuk zotëronin titull pronësie. Shpërdorimi i detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, nga dy të arrestuarit është kryer gjatë kohës kur ushtronin funksione publike në Këshillin Teknik të KRRT-së së Komunës Rrashbull, ku Beqiri ka qenë kryetar i Këshillit dhe relatues në KRRT-në e komunës, ndërsa ish-deputeti Bajramaj, anëtar i këtij këshilli. Të dy, në bashkëpunim, kanë kaluar për shqyrtim dhe miratuar njëkohësisht në KRRT-në e kësaj komune disa kërkesa për sheshe ndërtimi dhe leje ndërtimi në prona publike, pa vërtetime pronësie, në kundërshtim me ligjin për urbanistikën. Ndonëse e ndaluar të kalohen ndërtimet me më shumë se 2-3 kate në këtë zonë bregdetare, të gjithë janë dëshmitarë të ndërtimeve shumëkatëshe. Bajramaj dhe Beqiri janë dy nga përgjegjësit e legalizimit të ndërtesave pesë apo gjashtëkatëshe, duke vënë një tullë ligjërimi në katrahurën e përgjithshme urbanistike që karakterizon zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës dhe të gjithë plazhin e Durrësit, të Golemit e Malit të Robit. Në vitin 2006 drejtues të Komunës Rrashbull pohonin për “Shqip” se shumica e ndërtimeve te Shkëmbi i Kavajës kanë kaluar në gjykimin e KRRT-së së komunës. Moria e ndërtimeve në pjesën bregdetare të komunës është financuesja më e madhe e ndërhyrjeve që bëhen në ambientet dhe objektet publike të komunës.(Shqip)</p>
D1Mj4VVwwjk

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22450. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22450
 
Top