Lajme të reja nga Fronti i Perëndimit

Albforumi

Primus registratum
Lajme të reja nga Fronti i Perëndimit

Po. Nga BE dhe nga Ballkani Perëndimor. Palët janë në një fazë të re. Ka dritë në fund të tunelit, edhe pse është akoma disa vite larg. Ama vendimi i fundit i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i dha Europës sinjalin se tashmë, duhet të përshpejtojë hapat në afrimin drejt saj të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Me një shtet të sapoformuar dhe të garantuar nga GJND se edhe ligjërisht pavarësia e tij qëndron (Kosova); me një shtet që është fare afër anëtarësimit, dy të tjerë me status kandidati, tre në pritje e një gati për aplikim (Kroaci, Mali i Zi, Maqedoni, Serbi, Shqipëri, Bosnje-Hercegovine, dhe sërish Kosovë), edhe vetë Ballkani Perëndimor duket se ka të drejtë më shumë se kurdo herë tjetër më parë të presë hapa më të shpejtë nga BE në procedurat e saj për anëtarësim.

Situata nuk duket më aq e komplikuar sa 10 apo 20 vjet më parë. Konfliktet e Ballkanit janë shndërruar në një shenjë të hidhur të historisë. Vendin e pakënaqësive e konflikteve etnike apo fetare, e ka zënë tashmë padurimi për të ecur përpara e për të qenë pjesë e Europës.

Duke parë hartën e BE-së të vjen edhe të buzëqeshësh nga zori tek sheh se Ballkani rrethohet nga vende që bëjnë pjesë në Bashkësisë Europiane dhe në NATO, e madje disa janë edhe vetë pjesë e Aleancës (fatlumët ne).

Vendimi i fundit i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ta shpallur ligjërisht të drejtë pavarësinë e Kosovës, shoi edhe mundësitë e fundit për ndonjë konflikt në pritje mes shqiptarëve dhe serbëve.

Ngërçi i fundit politik në Ballkan ngelet mes një vendi të tij dhe një të BE-së. Duket se me shtrëngimet e fundit në udhëzimet për të parë veprimet e saj në ekonomi, ligje për emigracionin e politika rajonale, Greqia do të marrë edhe ndonjë këshillë të detyrueshme që të ndajë mendjen brenda vitit të ardhshëm se si do ta quajë provincën në veri-lindje të saj. Sugjerimi është që njëra të jetë Maqedoni, e tjetra Maqedonia Veriore.

Ultimatumi po bie në veshët e Greqisë. BE dhe NATO duken të tejngopura me pritjen për zgjidhjen e çështjes së emrit, që përveç pasojës primare, (anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe progresin e saj drejt BE-së), sjell edhe rreziqe për prishjen e stabilitetit, jo vetëm brenda ish-republikës jugosllave.

Por, nëse politika evropiane po e humbet luftën e saj me ngadalësinë për ta zvarritur përjetë çështjen e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, mediat e vendeve të BE-së kanë filluar të ndryshojnë qëndrim. Analistët politikë po ashtu. Përherë e më tepër, në debatet politike, por edhe ato mediatike, vihet re një gjuhë shumë më e zbutur ndaj Ballkanit, dhe një skepticizëm që është dukshëm në ulje. E kur kjo vihet re edhe në mediat angleze apo ato gjermane, do të thotë se imazhi për Ballkanin (dhe Shqipërinë në veçanti), më në fund, ka hyrë në rrugë të mbarë.

Për syrin qytetar, meritën e kanë emigrantët e shumtë ballkanas që jetojnë, studiojnë e punojnë në perëndim. Komunitetet e tyre tashmë janë stabilizuar, integruar dhe bërë faktor pozitiv në vendet ku janë vendosur. Kështu shfaqen të paktën në artikujt pozitivë në rritje në mediat e huaja, apo edhe në deklaratat politike të Brukselit, që janë shumë të ndryshme nga ato disa viteve më parë.

Ballkani nuk ka problemin e prishjes se hegjemonisë fetare dhe kulturore që i faturohet Turqisë. As nuk ka dilemën Jemi, sjemi pjesë e Europës, siç e ka Gjeorgjia. As nuk është në listën e programeve të fqinjësisë së mirë, siç është Moldavia. Jo. Ballkani është një gropë e dukshme në mes të Europës, që duhet mbushur menjëherë.

Duhet mbushur me lëshimet që BE-ja duhet të bëjë për të, gjithmonë duke mbajtur të tendosura kërkesat për plotësimin e kushteve dhe standardeve të vendosura. Ama këto nuk janë të pa-arritshme. Politika e Jashtme Europiane bën mirë ta shndërrojë sa më shpejt në problem të brendshëm Ballkanin Perëndimor, dhe Zonja Ashton ta drejtojë politikën e jashtme drejt problemeve të vërteta që ekzistojnë në Lindjen e Mesme apo në Afganaistan. Se Ballkani nuk ka më shanse të shihet tani si një problem madhor apo i pazgjidhshëm.

Vendet e Ballkanit e treguan se dinë të progresojnë shumë shpejt, nëse marrin shpërblim për progresin e bërë. Plotësimi i kushteve teknike nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia për liberalizmin e vizave ishte tregues shumë i mirë. Të tria vendet kanë tashmë databaze të sigurt me të dhëna për qytetarët e tyre, kanë kontroll të integruar kufiri dhe nuk ka rrjedhje emigratore. Rastet e pakta që u shënuan muajin e parë pas heqjes së vizave, pothuajse janë zeruar. Qytetarët e këtyre shteteve lëvizin lirshëm, por janë edhe të ndërgjegjshëm se nuk kanë asnjë privilegj ekonomik.

Shqiptarët dhe Boshnjakët do të bëjnë të njëjtën gjë; si për kushtet teknike, ashtu edhe për ndërgjegjësimin e shtetasve për  të drejtat dhe kufizimet e lëvizjes së lirë.

Nga 22 milionë banorë që ka i gjithë Ballkani, 15 milionë tashmë lëvizin lirshëm. Kanë ngelur vetëm shqiptarët (e Shqipërisë e të Kosovës) dhe Boshnjakët) që presin heqjen e vizave këtë Dhjetor.

Një e përditshme gjermane deklaronte para pak ditësh se përveç Kroacisë, asnjë vend tjetër i Ballkanit Perëndimor nuk duket se është gati për tu pranuar në BE përpara vitit 2020. Ama mbështetja dhe nxitja evropiane për progresin e rajonit nuk duhet të ndalë; përkundrazi, duhet të jetë shumë më intensive deri në atë vit.

Rajoni pra ka 10 vjet kohë që me ndihmën e BE-së, pas kapërcimit me sukses të fazës së konflikteve etnike e territoriale, të fitojë edhe betejën për vendosjes e stabilitetit dhe shtetit të së drejtës në secilin prej vendeve të tij. Pa to, Ballkani do ngelej vatër e mungesës së stabilitetit dhe krimit të organizuar. E këtë, Europa nuk e përballon dot. Prandaj në horizont duken disa lëvizje politike që pritet të marrin udhë në përpjekjet për ta mbushur gropën e Ballkanit.

Së pari, Politika e Jashtme Europiane pritet të tregohet më aktive dhe më e prerë në veprimet e saj pro Kosovës. Territori dhe sovraniteti nuk janë probleme që kontinenti plak i pa për herë të parë në Ballkan, ndaj pritet që shefja e politikës së jashtme, Zonja Ashton, të jetë më agresive dhe të luajë një rol vendimtar në bisedimet Beograd-Prishtinë, por edhe në bindjen e 5 shteteve anëtarë të BE-së që të njohin pavarësinë e shtetit të ri. Tek e fundit,- tha ajo javën e kaluar,- edhe pse këshillimor, vendimi i GJND-se për pavarësinë nuk është më i diskutueshëm.

Nxitje të tjera për progresin e Ballkanit do të jenë edhe dhënia e statusit për vende kandidate si për Serbinë e Maqedoninë, ashtu edhe për Shqipërinë dhe Bosnjën. Madje Maqedonia pritet të marrë së shpejti sinjale për datën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim.

Me sa duket pra, problemet e Ballkanit Perëndimor kanë hyrë në një fazë të re zgjidhjeje. Edhe pse akoma disa vite larg, gropa e gadishullit nuk do të jetë më gangrena e kontinentit. Ajo do jetë thjesht, njëra nga pjesët më interesante të tij. Në çdo aspekt!

gjedlira@yahoo.co.uk

507
507
507
507
507

Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://edliragjoni.wordpress.com/?p=507

Top