Re: kush na e ka kapur shtetin?!
www.gazetashqiptare.com
Faqja 12 - AKTUALITET Tetor 26, 2006
Ilirjan Xhixha: Gjithçka e kam të rregullt, vendimi i Apelit nuk u zbatua
Denoncimi: Njerëzit e Pal Dajçit më bllokuan biznesin
Pronari i inerteve: 8 muaj që s’hyj në pronën time
--------------------------------------------------------------------------------
LAÇ
Një biznesmen nga Mamurrasi ankohet për bllokimin e lavatriçes së tij të zhavorrit në lumen Mat, jo shumë larg Urës së Zogut. Megjithëse disponon të gjitha dokumentet, licencën, lejen e shfrytëzimin deri në vitin 2008, certifikatën e pronësisë së tokës, Ilirjan Xhixha, pronar i firmës "Jonix" sh.p.k, ka 8 muaj që nuk hyn dot në pronën e tij. Shkak për këtë, sipas tij, është bërë një pronar tjetër i një lavatriçeje ngjitur me të tijën, me emrin Astrit Dajçi. Sipas të dëmtuarit Xhixha, ai është i afërm i deputetit të PD-së për Laçin, Pal Dajçi. Pronari i "Jonix" ka bërë kallëzim në Prokurori për odisenë me pronën e tij, për Astrit Dajçin dhe tre persona të tjerë, njëri prej të cilëve, i biri i atij që i kishte shitur tokën, pasi e kanë rrahur për vdekje teksa po shkonte në pronën e tij, në fshatin Shet-Skuraj.
"Me datën 3 maj 2006, në mesditë, në lokalin e karburant "Eri" në Fushë-Mamurras, është synuar vrasja ime nga Astrit Dajçi e Berti Lepuri, të cilët me goditjet me qytat e pistoletave TT që mbanin me vete, më kanë masakruar dhe më kanë lënë për të vdekur. Organizatori i këtij akti është Aleksandër Marku, i ngarkuar për zbatimin e ligjshmërisë në komisariatin e Laçit, i cili në lëvizje operative me makinën BMW X5, me targa LA 6808 A organizoi masakrimin tim. Suporti politik i vrasjes së mbetur në tentativë ndaj meje, është deputeti Pal Dajçi". Kështu thuhet në kallëzimin penal të bërë nga Ilirjan Xhixha më 12 maj 2006, të cilin ai ia ka vënë në dispozicion "Gazetës Shqiptare". Xhixha ka treguar të gjithë kalvarin e historisë së tij me pronën, qëkur e ka ngritur e deri tani që e ka të bllokuar, megjithëse kundër kësaj ka një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit në Tiranë. "Prona ime përbëhet nga nyja e inerteve dhe karriera e grumbullimit të inerteve. Montimi i saj është bërë në pronën time, të blerë nga Mark dhe Pal Biba. Pjetër Bibës i kam blerë një sipërfaqe toke prej 8 mijë metrash katror, gjë që vërtetohet nga certifikatat për vërtetim pronësie numër 3469, datë 16.10.2001 dhe numër 3469, datë 16.10.2001, në emër të Pjetër Bibës, si dhe pas shitjes me kontratat noteriale, kontratën e shitjes numër 6990, Rep 609 Kol, datë 16.10.2001 dhe kontratën e shitjes numër 6991, datë 16.10.2001 para noterit Nikoll Kola, kemi blerë gjithsej 8 mijë metra katror tokë arë", - thuhet në dokumentet e pronarit të "Jonix".
Konfliktet
Por pas fillimit të aktivitetit, atëherë kur gjithçka e kishte në rregull, nisin dhe problemet për biznesmenin. Kishte nxjerrë licencën, kishte lejen e ndërtimit, të shfrytëzimit deri në vitin 2008, kur një pretendet i ri për pronësinë e tokës del në skenë. Pjetër Biba, sipas Xhixhës, i shet fiktivisht tokën djalit të tij, Frrokut. "Nga ky i fundit unë paditem në gjyq. Gjykata e Apelit në Tiranë, me vendim të formës së prerë numër 175, datë 16.2.2006, përfundimisht prish vendimin numër 171, të datës 18.4.2005 të Gjykatës së Rrethit të Kurbinit, dhe rrëzimin e kërkesë-padisë së ngritur nga Frrok Biba për të përfituar pronën time", - thotë Xhixha, sipas të cilit, "para këtij vendimi, më 27 dhjetor 2005, rruga hyrëse për në kantierin e tij është prishur e bllokuar me pretendime joligjore nga Frrok Biba dhe Astrit Dajçi, i cili ka ngritur pa leje një pikë inertesh ngjitur me timen, si dhe në zonën që unë e kam në shfrytëzim me koncesion dhe ai nuk ka asnjë leje për të ushtruar këtë aktivitet dhe për të shfrytëzuar zonën". Institucionet lokale dhe Policia Ndërtimore kanë tentuar të zhbllokojnë rrugën për pronarin e "Jonix", por nuk ia ka arritur. Ndaj Xhixhës ishte regjistruar një tjetër proces gjyqësor në gjykatën e Kurbinit. "Policia Ndërtimore në Tiranë i kërkoi asaj të Lezhës që të ndërhynte. Këshilli i komunës Milot, me vendim numër 12, datë 28.3.2006 vendosi lirimin e rrugës. Prefekti i Qarkut të Lezhës, me shkresën numër 381/4, datë 8.4.2006 konfirmoi vendimin e Këshillit të Komunës së Milotit. Në shkresën numër 35 protokoll, datë 26.04.2006, 'kërkesë për Zbatim vendimi', kryetari i komunës Milot ju drejtua Komisariatit të Policisë së Kurbinit për të zbatuar vendimin për lirimin e rrugës", - tregon Xhixha, për të cilin duket se problemet nuk kanë të sosur dhe prej disa muajsh, ai nuk shkel dot në pronën e tij.
Padia e dytë
Në momentin që policia duhej të ndërhynte, është mësuar shkelja e dytë e Gjykatës, pasi të parën e kishte bërë me vendimin numër 171, të datës 18.4.2005. Ajo kishte pranuar një padi nga ish-pronari i tokës, Pjetër Biba, i cili ia kishte shitur në mënyrën më të rregullte sipërfaqen prej 8 dynymësh xhixhës. "Komisariati i policisë së Laçit, në shkresën numër 112/1 prot. datë 2.5.2006, i kthen përgjigje Komunës Milot dhe Prefektit të Qarkut për moszbatim vendimi, me arsyetimin se, 'në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin është regjistruar një çështje civile me paditës Pjetër Biba, i paditur Ilirjan Xhixha, me objekt pavlefshmërinë e kontratave të shitjes së tokës me datën 16.10.2001 dhe për pasojë, rruga e bllokuar dhe e shkatërruar nga Frrok Biba nuk mund të hapet", - bën të ditur Xhixha. Por meqë për çështjen e parë kishte një vendim të formës së prerë të Apelit, që firma "Jonix" të vazhdonte punën dhe çështja e dytë sapo ishte regjistruar, ligjërisht Xhixha duhet të vazhdonte aktivitetin. Por kjo nuk ka ndodhur për arsye që nuk dihen, por që administratori i firmës së inerteve i konsideron me suport politik, "pasi gjithandej, në shumicën e institucioneve, ndihej ndërhyrja e Pal Dajçit, i cili kishte emëruar njerëz nëpër detyra të ndryshme".
Rrahja
"Unë njoftohem për të qenë prezente në zhbllokimin e rrugës me datën 3.5.2005. Kontaktoj me Aleksandër Markun, i cili u shpreh se 'sa të jem unë këtu, kjo rrugë nuk hapet'. Shefi i komisariatit më tha; unë e kam firmosur urdhrin, rruga të zhbllokohet. Së bashku me Markun shkuam në komunën Milot. Juristi i këtij institucioni i kërkoi për zbatimin e vendimit të Këshillit të Komunës. Shefi i komisariatit, Sabri Jaca më këshilloi se, 'duhen shmangur incidentet'. Pas kërcënimit që të largohesha nga Laçi dhe të mos kthehesha më te prona ime, Astrit Dajçi dhe Berti Lepuri erdhën te lokali i karburantit 'Eri' dhe më masakruan me armë në dorë", - sqaron pronari, prona e të cilit duket "peng" nga moszbatimi i ligjit. Të gjitha ankesat e tij duket se kanë shkuar kot, pasi edhe nga Prokuroria e Përgjithshme i është kthyer përgjigja se "për këtë çështje nuk ndërhyjnë dot".
Kështu, pronari i impiantit të inerteve në lumen Mat, nuk shkon dot aty ku ka investuar. Rruga e parë që kishte hapur për të shkuar aty, është shembur nga Bibajt. Pas kësaj, ka hapur një tjetër rrugë, por ngjitur me impiantin e tij ka ndërtuar impiantin e vet Astrit Dajçi, i cili nuk e lejon të kalojë andej. Ilirjan Xhixha ka plot 8 muaj që nuk shkel në pronën e tij, edhe pse për të ka investuar. Asnjë nga institucionet ligjore nuk ka detyruar qoftë dhe forcërisht ata që e kanë penguar. Veç të tjerash, një vendim i formës së prerë i Gjykatës së Apelit, ka mbetur në letër dhe askush nuk ka marrë mundimin për ta zbatuar. re.kro
.....................................
perpiqen te kapin nga nje cope shtet