kush na e ka kapur shtetin?!

bsh

Primus registratum
kush na e ka kapur shtetin?!

Po lexoja nje artikull diku rreth katrahurres qe po gatuhet ne shqiperi pas refuzimit te shkarkimit te prokurorit te pergjithshem edhe me beri pershtypje nje paragraf qe personalisht mendoj eshte shume i goditur:

"Në këtë zallamahi të paparë a ka të drejtë një kriminel që ka vrarë gruan e vjehërrën për xhelozi të mos pranojë të gjykohet, sepse Prokurori i Përgjithshëm e të gjithë vartësit e tij, madje edhe Presidenti i Republikës, sipas kryeministrit aktual, kryetares së Kuvendit, ministrit të Drejtësisë dhe përfaqësuesve zëdhënës e zëmarrës të maxhorancës janë të lidhur me bandat dhe krimin e organizuar? Vrasësi në fjalë, a ka të drejtë të thotë se ai është vërtet një ëngjëll përpara një Prokurori të Përgjithshëm kapobandë të lidhur me mafien e krimin e organizuar?"

Dua mendimin e forumistave ketu:A duhet qe kryeministri ta lere "ndjekjen" e sollakut edhe te mbledh shtetin apo te ndjeke akuzat duke e zhveshur prokurorine nga cdo te drejte morale te ndjeke kriminelet ordinere? Ku po shkojme? kush po na e kap shtetin?
 

komino

Valoris scriptorum
Re: kush na e ka kapur shtetin?!

Faqja 23 - OPINION
Tetor 25, 2006





Drejtësia s’matet me pëllëmbën e Berishës




--------------------------------------------------------------------------------

Nga Ilir Dhima

Zakonisht, për të mohuar diçka të padrejtë, ne themi se ajo nuk matet me kutin e atij, ose asaj. Por, për t’a bërë më konkret titullin e këtij artikulli preferuam të bëjmë një perifrazim të lehtë, duke zëvendësuar fjalën ‘kut’ me ‘pëllëmbë’. Sepse tashmë është bërë praktikë që çfarëdo ‘novacioni’ të shpikë Kryeministri ynë edhe në fusha të tilla specifike siç është ajo e Drejtësisë, vartësit e tij - profanë, por edhe të diplomuar – rendin, përpiqen flakë për flakë t’i justifikojnë marrëzitë e tij me ca argumente të rreme dhe groteske, duke e ndërsyer shefin e tyre në sulme të tjera, sa të rrezikshme, aq edhe të pavlefshme. Ndryshe, le t’u paraqiten grave të tyre dhe mbarë publikut me fulltaka të kuqërremta dhe vurata të mavijosura, si ndoca paraardhës së tyre në P.D. dhe në ish Qeverinë e saj. Shfaqja më tipike e kësaj praktike është i tërë procesi ‘Sollaku’, i cili pas Dekretit të Presidentit Moisiu për mosshkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm ka marrë trajta të reja përpëlitëse, konvultive dhe krejtësisht shpërfytyruese. Ja çfarë ndodh.
Pas hedhjes në koshin e mbeturinave të një prej paçavureve më pasionante të Sali Berishës, së fundi ishte Zëvendëskryeministri Ilir Rusmajli ai që kërkoi pa sukses të tirrte dhe të tirrte në një “Opinion” televiziv të gjatë lëmshin e kësaj çështje, duke arritur deri atje sa, për të zhvlerësuar teksin e Dekretit të Kryetarit të Shtetit, s’e pati për gjë të thoshte, se “prezumimi i pafajsësisë” është parim i Kodit të Procedurës Penale dhe jo i Kushtetutës (?!). Ndërkohë që nuk dimë të jetë shfuqizuar dhe as amenduar Kreu i Dytë i Kushtetutës, posaçërisht neni 30, i cili shprehet prerazi: “Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”. Edhe më tej, juristi Rusmajli, për të cilin thuhet se është specializuar përpara viteve ’90 në Gjermani për konstitucionalizëm, si duke ngulur gozhdë nxjerr nga goja ca mufka, që e bëjnë me sa duket të pështyjë mbi veten.
Më pas nuk mbetet si gjithmonë as Ministri Aldo Bumçi. Pas udhëzimit kryeministror për të ngritur, pas situatës së krijuar, një komision hetimor me prokurorë të pavarur, ai del e kërcënon se çështjen do t’a çojmë në gjykatë dhe Sollaku do të dënohet, duke të kujtuar kështu atë gomarin, që midis kamzhikut dhe shkelmave përfiton të ndukë ndonjë gojë bar. Por, se në ç’mënyrë dhe mbi çfarë baze legjislative do të ngrihet ky komision, se cila mund të jetë ajo gjykatë që do të pranojë kallzimin e ngritur në vakuum procedurial, cili do të mund të zhvillojë hetime të plota, cila do të jetë ajo gjykatë që do të pranojë kallzime të tilla etj, etj, këto nuk do, ose nuk di, që t’i thotë titullari aktual i Dikasterit të Drejtësisë, duke ‘ ngritur moralin’ Sali Berishës që para pak ditëve të ulëriste në emfazë elektorale nja 300 kilometra në verilindje të kryeqytetit: “Aldo Bareja politik ndodhet në KLD (Artan Gjermeni – shënimi ynë), avokati i tij kryeson Prokurorinë e Përgjithshme, por asgjë nuk do të na pengojë ne, juve qytetarëve të Kukësit dhe qytetarëve të të gjithë Shqipërisë t’i vendosim para ligjit ata”.
Mirëpo, në kohët moderne, së paku të Europës kontinentale, as dëshirat personale të kryeministrit të ndonjë vendi dhe as vendimet gjyqësore nuk mund dhe nuk ka se si të jenë ose të bëhen burime të së drejtës. Nëse do t’i përmbaheshim një prej parimeve themelore të shtetit të së drejtës, pra atij të ndarjes së pushteteve, të pavarësisë dhe barazisë mes tyre, logjike dhe e kuptushme është që t’i referoheshim një legjislacioni të plotë dhe koherent. Konkretisht, Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 148/1 njeh vetëm Prokurorinë publike si të vetmin organ që ushtron ndjekjen penale, si edhe “përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit”. Por, edhe në Ligjin organik “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” (i azhornuar përmbi 3 vjet më parë) askund nuk haset ndonjë dispozitë evazive, që do të mund të justifikonte ndonjë interpretim personal fakultativ, përkundër shtjellimeve doktrinele. Përkundrazi, vetë sistemi inkuizitor, që zbatohet përgjithësisht në drejtësinë penale evropiane kontinentale ( së cilës i përket sot edhe ajo shqiptare, por me disa gjurmë të lehta veriatlantike) përfaqëson disa hapa më tej në rrugën e evolucionit social nga sistemi i hakmarrjes personale. Tiparet e tij kryesore përfshijnë së pari dobësimin dhe eleminimin e figurës së akuzuesit privat dhe përvetësimin e këtij roli nga nëpunësit publikë. Vetëm një ‘racionalizëm’ i shfrenuar, thënë ndryshe për rastin tonë, një populizëm anakronik mund të jetë për ndonjë, si puna e Berishës, faktor i besimit se, tradita dhe e drejta do të asgjësoheshin me një ose disa dispozita shfuqizuese, duke i lidhur këto me situatën faktike politike, për të bekuar zgjidhjen e dëshiruar prej kreut të pushtetit ekzekutiv. Sidoqoftë, duke vënë në dukje citimin e famshëm gjyqësor: “Kodet që injorojnë të drejtën zakonore duhen interpretuar me saktësinë më të madhe”, të përforcohet mendimi se, nuk mund të matet kurrsesi Drejtësia te ne me gjatësinë dhe fortësinë e pëllëmbës së një njeriu, që quhet Sali Berisha.
Eshtë e vërtetë që përvoja e 15 viteve të tranzicionit në Shqipëri ka në fillimet e veta një precedent. Një precedent që rezultoi krejtësisht i pavlerë dhe punëprishës. Shumë lexuesve besoj se ju kujtohet zhvillimi i gjyqit për vrasjen e katër të rinjve gjatë protestave masive shkodrane të prillit 1991, të cilët u quajtën “Dëshmorë të Demokracisë”. Procedura që u ndoq në këtë tribunal vendosi në bankën e prokurorit, nëpërmjet figurës së Nazif Bezhanit, një akuzues privat, në emër të familjeve të viktimave. Çfarë ngjau? Megjithë hetimet e vetmuara dhe pretencën personale të të ndjerit, si edhe me gjithë gatishmërinë konformiste të trupit gjykues për t’iu bindur politikisht kërkesave të opozitës së asaj kohe, si përfundim mali që u mbars nuk polli as edhe një mi. Më pas një gafë e tillë procedurialo-penale nuk u përsërit. Dhe, megjithëse praktika e vendit aleat më të fuqishëm - Shteteve të Bashkuara të Amerikës - ka përshëndetur disa shembuj analogë efikasë, hartimi gjatë vitit 1995 i Kodit tonë të Procedurës Penale, ashtu sikurse edhe i kodeve të tjera i është përmbajtur përgjithësisht frymës së të drejtës kontinentale dhe jo asaj që thirret tashmë gjerësisht edhe te ne si ‘common law’. Dhe s’kishte qysh të ndodhte ndryshe.
Në këtë kuadër, duke iu përmbajtur kësaj procedure të kodifikuar, me gjithë ndryshimet e pësuara të saj, nëse dikush i interesuar për një çështje penale të caktuar do të dyshonte se Prokuroria ka manipuluar provat dhe ka mbyllur dosjen, duke e pushuar atë çështje, mund t’i drejtohet gjykatës, e cila ka të drejtë të urdhërojë organin e akuzës që të plotësojë hetimet dhe t’a përcjellë çështjen për gjykim. Ndoshta këtë ka parasysh i shkreti Ministër, kur përmend gjykatën, por ngatërrohet aq keq në arësyetim, sa që e gjen më të udhës t’i paragjykojë dhe urdhërojë gjykatat në favor të paranojave të shefit të vet. Në një vend tjetër, një i tillë do të qe flakur pa një pa dy nga kabineti qeveritar. Sepse, cilido politikan që pretendon të administrojë drejtësinë duhet t’a dijë, qoftë edhe në mënyrë të përgjithshme, se progresi kryesor drejt një procedure penale në Evropë, që prej një shekulli përpara ka ardhur përmes reformave në etapat hetuese dhe ekzaminuese, nëpërmjet dy llojesh kryesore. Pra, jo vetëm në përpunimin e një numri masash sigurimi proceduriale për të ndihmuar të akuzuarin që të mbrojë interesat e tij, por së pari, në bërjen e çdo përpjekjeje për të përpunuar një bërthamë përfaqësuesish të akuzës publike, që do të vepronin në mënyrë të paanëshme dhe objektive. Madje, për shembull, në Itali përfaqësuesit e akuzës publike janë tani anëtarë të trupës së gjyqtarëve, kanë siguri në ushtrimin e detyrës dhe liri konsekuente nga ndikime të ngjashme me ato që gëzojnë gjykatësit.
Ndërkaq, edhe në Shtetet e Bashkuara nga koha në kohë ‘akullnaja’ ka lëvizur në këtë drejtim. Qysh prej sulmit të gjithanshëm që iu bë botimit të asaj që u titullua “Rideklarimi i së drejtës”, theksi në arsimin dhe formimin juridik ka vijuar të ndërrojë vend deri diku. Rastet gjyqësore përgjithësisht dhe ato proceduriale veçanërisht, vërtet që vazhdojnë të studiohen, por jo më si të dhëna të shkencës së të drejtës. Ndryshe nga më parë, ato vështrohen më së shumti si shembuj të operacioneve të procesit juridik. Ndryshimi themelor i këtyre optikave ka gjetur mishërimin më të mirë te thënia e shkencëtarit gjerman të së drejtës, Rudolf Sohm: “Një rregull i së drejtës mund të përpunohet: ose duke zhvilluar pasojat që implikohen në të, ose duke zhvilluar parimet më të gjera që ai presupozon...”. Nga të dyja këto metoda, siç shkruajnë studiues aktualë të kësaj fushe, shumica e juristëve evropianë, kryesisht të së drejtës kontinentale, edhe sot do të zgjidhnin të dytën.

www.gazetashqiptare.com

-------------------------------------------

ky robi jo vetem qe desheron ta kape shtetin po duket se edhe kerkon ta mbarse ne menyre qe te garantojne permiresimin e rraces
 

receli

Primus registratum
Re: kush na e ka kapur shtetin?!

doli dhe ilir dhima, gazetari i gsh se karlo bolinos, antar konsulent i bandes hakmarrja.
sic duket ky e ka ndihmuar orik shytin te ike jashte shteti edhe se kishte bere mbi 20 vrasje te dokumentuara.
e flet per drejtesi dhima.
 

komino

Valoris scriptorum
Re: kush na e ka kapur shtetin?!

www.gazetashqiptare.com
Faqja 12 - AKTUALITET Tetor 26, 2006


Ilirjan Xhixha: Gjithçka e kam të rregullt, vendimi i Apelit nuk u zbatua

Denoncimi: Njerëzit e Pal Dajçit më bllokuan biznesin

Pronari i inerteve: 8 muaj që s’hyj në pronën time



--------------------------------------------------------------------------------

LAÇ

Një biznesmen nga Mamurrasi ankohet për bllokimin e lavatriçes së tij të zhavorrit në lumen Mat, jo shumë larg Urës së Zogut. Megjithëse disponon të gjitha dokumentet, licencën, lejen e shfrytëzimin deri në vitin 2008, certifikatën e pronësisë së tokës, Ilirjan Xhixha, pronar i firmës "Jonix" sh.p.k, ka 8 muaj që nuk hyn dot në pronën e tij. Shkak për këtë, sipas tij, është bërë një pronar tjetër i një lavatriçeje ngjitur me të tijën, me emrin Astrit Dajçi. Sipas të dëmtuarit Xhixha, ai është i afërm i deputetit të PD-së për Laçin, Pal Dajçi. Pronari i "Jonix" ka bërë kallëzim në Prokurori për odisenë me pronën e tij, për Astrit Dajçin dhe tre persona të tjerë, njëri prej të cilëve, i biri i atij që i kishte shitur tokën, pasi e kanë rrahur për vdekje teksa po shkonte në pronën e tij, në fshatin Shet-Skuraj.
"Me datën 3 maj 2006, në mesditë, në lokalin e karburant "Eri" në Fushë-Mamurras, është synuar vrasja ime nga Astrit Dajçi e Berti Lepuri, të cilët me goditjet me qytat e pistoletave TT që mbanin me vete, më kanë masakruar dhe më kanë lënë për të vdekur. Organizatori i këtij akti është Aleksandër Marku, i ngarkuar për zbatimin e ligjshmërisë në komisariatin e Laçit, i cili në lëvizje operative me makinën BMW X5, me targa LA 6808 A organizoi masakrimin tim. Suporti politik i vrasjes së mbetur në tentativë ndaj meje, është deputeti Pal Dajçi". Kështu thuhet në kallëzimin penal të bërë nga Ilirjan Xhixha më 12 maj 2006, të cilin ai ia ka vënë në dispozicion "Gazetës Shqiptare". Xhixha ka treguar të gjithë kalvarin e historisë së tij me pronën, qëkur e ka ngritur e deri tani që e ka të bllokuar, megjithëse kundër kësaj ka një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit në Tiranë. "Prona ime përbëhet nga nyja e inerteve dhe karriera e grumbullimit të inerteve. Montimi i saj është bërë në pronën time, të blerë nga Mark dhe Pal Biba. Pjetër Bibës i kam blerë një sipërfaqe toke prej 8 mijë metrash katror, gjë që vërtetohet nga certifikatat për vërtetim pronësie numër 3469, datë 16.10.2001 dhe numër 3469, datë 16.10.2001, në emër të Pjetër Bibës, si dhe pas shitjes me kontratat noteriale, kontratën e shitjes numër 6990, Rep 609 Kol, datë 16.10.2001 dhe kontratën e shitjes numër 6991, datë 16.10.2001 para noterit Nikoll Kola, kemi blerë gjithsej 8 mijë metra katror tokë arë", - thuhet në dokumentet e pronarit të "Jonix".
Konfliktet
Por pas fillimit të aktivitetit, atëherë kur gjithçka e kishte në rregull, nisin dhe problemet për biznesmenin. Kishte nxjerrë licencën, kishte lejen e ndërtimit, të shfrytëzimit deri në vitin 2008, kur një pretendet i ri për pronësinë e tokës del në skenë. Pjetër Biba, sipas Xhixhës, i shet fiktivisht tokën djalit të tij, Frrokut. "Nga ky i fundit unë paditem në gjyq. Gjykata e Apelit në Tiranë, me vendim të formës së prerë numër 175, datë 16.2.2006, përfundimisht prish vendimin numër 171, të datës 18.4.2005 të Gjykatës së Rrethit të Kurbinit, dhe rrëzimin e kërkesë-padisë së ngritur nga Frrok Biba për të përfituar pronën time", - thotë Xhixha, sipas të cilit, "para këtij vendimi, më 27 dhjetor 2005, rruga hyrëse për në kantierin e tij është prishur e bllokuar me pretendime joligjore nga Frrok Biba dhe Astrit Dajçi, i cili ka ngritur pa leje një pikë inertesh ngjitur me timen, si dhe në zonën që unë e kam në shfrytëzim me koncesion dhe ai nuk ka asnjë leje për të ushtruar këtë aktivitet dhe për të shfrytëzuar zonën". Institucionet lokale dhe Policia Ndërtimore kanë tentuar të zhbllokojnë rrugën për pronarin e "Jonix", por nuk ia ka arritur. Ndaj Xhixhës ishte regjistruar një tjetër proces gjyqësor në gjykatën e Kurbinit. "Policia Ndërtimore në Tiranë i kërkoi asaj të Lezhës që të ndërhynte. Këshilli i komunës Milot, me vendim numër 12, datë 28.3.2006 vendosi lirimin e rrugës. Prefekti i Qarkut të Lezhës, me shkresën numër 381/4, datë 8.4.2006 konfirmoi vendimin e Këshillit të Komunës së Milotit. Në shkresën numër 35 protokoll, datë 26.04.2006, 'kërkesë për Zbatim vendimi', kryetari i komunës Milot ju drejtua Komisariatit të Policisë së Kurbinit për të zbatuar vendimin për lirimin e rrugës", - tregon Xhixha, për të cilin duket se problemet nuk kanë të sosur dhe prej disa muajsh, ai nuk shkel dot në pronën e tij.
Padia e dytë
Në momentin që policia duhej të ndërhynte, është mësuar shkelja e dytë e Gjykatës, pasi të parën e kishte bërë me vendimin numër 171, të datës 18.4.2005. Ajo kishte pranuar një padi nga ish-pronari i tokës, Pjetër Biba, i cili ia kishte shitur në mënyrën më të rregullte sipërfaqen prej 8 dynymësh xhixhës. "Komisariati i policisë së Laçit, në shkresën numër 112/1 prot. datë 2.5.2006, i kthen përgjigje Komunës Milot dhe Prefektit të Qarkut për moszbatim vendimi, me arsyetimin se, 'në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin është regjistruar një çështje civile me paditës Pjetër Biba, i paditur Ilirjan Xhixha, me objekt pavlefshmërinë e kontratave të shitjes së tokës me datën 16.10.2001 dhe për pasojë, rruga e bllokuar dhe e shkatërruar nga Frrok Biba nuk mund të hapet", - bën të ditur Xhixha. Por meqë për çështjen e parë kishte një vendim të formës së prerë të Apelit, që firma "Jonix" të vazhdonte punën dhe çështja e dytë sapo ishte regjistruar, ligjërisht Xhixha duhet të vazhdonte aktivitetin. Por kjo nuk ka ndodhur për arsye që nuk dihen, por që administratori i firmës së inerteve i konsideron me suport politik, "pasi gjithandej, në shumicën e institucioneve, ndihej ndërhyrja e Pal Dajçit, i cili kishte emëruar njerëz nëpër detyra të ndryshme".
Rrahja
"Unë njoftohem për të qenë prezente në zhbllokimin e rrugës me datën 3.5.2005. Kontaktoj me Aleksandër Markun, i cili u shpreh se 'sa të jem unë këtu, kjo rrugë nuk hapet'. Shefi i komisariatit më tha; unë e kam firmosur urdhrin, rruga të zhbllokohet. Së bashku me Markun shkuam në komunën Milot. Juristi i këtij institucioni i kërkoi për zbatimin e vendimit të Këshillit të Komunës. Shefi i komisariatit, Sabri Jaca më këshilloi se, 'duhen shmangur incidentet'. Pas kërcënimit që të largohesha nga Laçi dhe të mos kthehesha më te prona ime, Astrit Dajçi dhe Berti Lepuri erdhën te lokali i karburantit 'Eri' dhe më masakruan me armë në dorë", - sqaron pronari, prona e të cilit duket "peng" nga moszbatimi i ligjit. Të gjitha ankesat e tij duket se kanë shkuar kot, pasi edhe nga Prokuroria e Përgjithshme i është kthyer përgjigja se "për këtë çështje nuk ndërhyjnë dot".
Kështu, pronari i impiantit të inerteve në lumen Mat, nuk shkon dot aty ku ka investuar. Rruga e parë që kishte hapur për të shkuar aty, është shembur nga Bibajt. Pas kësaj, ka hapur një tjetër rrugë, por ngjitur me impiantin e tij ka ndërtuar impiantin e vet Astrit Dajçi, i cili nuk e lejon të kalojë andej. Ilirjan Xhixha ka plot 8 muaj që nuk shkel në pronën e tij, edhe pse për të ka investuar. Asnjë nga institucionet ligjore nuk ka detyruar qoftë dhe forcërisht ata që e kanë penguar. Veç të tjerash, një vendim i formës së prerë i Gjykatës së Apelit, ka mbetur në letër dhe askush nuk ka marrë mundimin për ta zbatuar. re.kro

.....................................

perpiqen te kapin nga nje cope shtet
 
Top