Kriza e një demokracie të privatizuar.

atman

Forumium maestatis
Kriza e një demokracie të privatizuar.

“Mjaft herë e kemi shkruajtur fjalën demokraci. Megjithatë nuk lodhem së përsërituri se përmbajtja reale e demokracisë po vazhdon të flerë, nuk është zgjuar ende...Është fjalë e madhe, historia e të cilës, hamendësoj, nuk është shkruajtur akoma sepse ajo histori duhet të ndodhë”.
Walt Whitman, Perspektiva demokratike.

Gjasat. Ishin për një lindje të zakonëshme, në krye të nëntë muajve. Erdhi një qenie shtatanike, mes shtërzimesh të dhunëshme, që lanë përshtypje lindjeje. Kështu hyri në jetën e shqiptarëve çka u pagëzua demokraci. Gjasat. Qenë për krijesë të mençur, trashëgimtare e inteligjencës, elitë në përgjithësi e përgatitur profesionalisht që në një renditje të re të shoqërisë synonte të tejbartej në një hapësirë tjetër duke braktisur rolin e saj përshkrues, soditës, sepse e palosur mbi veteveten qe e xhveshur nga dhënia e vizionit, për të marrë në shoqërinë e ardhme pozitën dominuese të përcakuesit, gjë që dikur ishte në dorën e oligarkisë proletare, pra, kjo krijesë do të vinte në jetë duke u mbarsur në Anin e një mase popullore të arsimuar. Demokracia nuk lindi si Athinaja nga truri, ajo doli si Dhionisi nga gjuri. Ndaj. S’qe mbarsje por hibrid i shëmtuar që s’kishte lidhje farefisnie me Kuazimodon përndryshe nuk do të fshihej, por kishte trashëguar të gjitha të metat e tij; ishte shurdhe nga tamtamtamet dhe zulma, memece e belbake sepse nuk ra në kontakt me demokracitë e tjera, të vjetra e të reja, për të mësuar gjuhën. U fsheh, sepse ndihej e kërcënuar jo aq nga pamja se sa nga një vetvete e përbindëshme. Sepse. E pritën të tjera duar dhe u përkujdes tjetër mëndeshë që u ngutën ta ndryshojnë gjenetikisht duke e katandisur parasegjithash një realitet politik e jo pasojë - fryt i një sjelljeje inteligjente e qendrimi moral që do të shërbente si udhrrëfyes për ndërtimin e një shoqërie më të mirë.
Zhgënjimi.
Shënoi kalimin nga utopia e shoqërisë së mëparëshme, drejt iluzionit. Pra, nga një botë idealesh në një tjetër ëndrash të zbrazëta, përfytyrimesh të shtrembëruara, mendimesh të gabuara sepse nuk e ndiejnë të nevojëshme të shpëlahen në ujrat e vërtetësisë. Sepse...
“...do të ngrihen Krishtër të rremë e profetër të rremë që do të bëjnë shenja e çudira, që tu gënjejnë...Ungjilli pas Markut, 13/22”. Kalim nga një sistem diktatorial, ku për një kohë të gjatë u shpresua të ngrihej një shoqëri thuajse e pamundur, por që kjo pamundësi mbante gjallë shpresën, te një tjetër, të ashtuquajtur demokratike, që nuk e pati të vështirë spekullimin nën lenten e pakënaqësisë e të varfërisë së trashëguar, t’i paraqitë pamjet përmbys dhe shtrembërimin si realitet i sëadhmes më të mirë. Duke iu drejtuar përherë të kaluarës e bëjnë të sotmen viktimë të demagogjisë. Çfarë i shtohet të sotmes është një mohim në gjithë hapësirën e tij. Ndoshta këtë nënkupton edhe Dewey te vepra e tij “Konceptimi i filozofisë në ndryshimin e tyre”, kur thotë se “natyrisht ne kujtojmë atë që na intereson sepse na intereson. E kaluara thirret jo sepse është e tillë, por për çfarë i shton të tashmes”. Citoj “ndoshta” sepse mendimi mbetet sidoqoftë i hapur për spekullime pikërisht ngaqë frymëmarrja e tij është e shëndetëshme dhe në mungesë të plotë të paragjykimeve lejon edhe mundësinë e përzgjedhjes duke përjashtuar njëherësh të gjitha garancitë se kjo (përzgjedhja) do të jetë vetëm për qëllime të mira e jo të mbrapshta. Fatkeqësisht, historikisht, jemi çapitur në rrugën e mohimeve të plota, përfundim i të cilave është olizmi (trupëzimi) i mallkimit, ndërkohë vetë trashëgiminë synojmë ta atomizojmë duke e konsideruar diçka mekanike. Sistemi i mëparshëm mohoi en bloc, ashtu edhe sot, mohojmë në të njëjtën mënyrë e për të njëjtin qëllim. S’kemi bërë e nuk bëjmë gjë tjetër veç thërmijëzojmë të kaluarën duke e privuar veten nga shkalla e duhur që do të na ndihmojë të ngjitemi lart. (pasoja më e lehtë edhe mund të themi se sharrojmë degën ku kemi hipur). Shkalla hamendëson të ngjitesh lart apo jo, sepse të zbresësh posht duhet më parë ta kesh ndërtuar? Mbetemi në vend, përherë të ngujuar te sheshi me disa pllaka guri që i shtruan të parët e hershëm në histori duke menduar se pasardhësit do të dinë të shkojnë përpjetë, duke u lartuar. Jo. Të tjerët, përfshi indiferencën tonë, pllakat i shndëruan në rrasa varri. Këtu u del kallaji përpjekjeve për të lënë mbresën e shkëputjes nga sistemi i mëparshëm. Kjo lloj trashëgimie ndikon mjaft në përcaktimin e llojit të demokracisë. Është vazhdimësi hipokrite, ndryshe përkufizohet edhe si stalinizëm berishian. Për ta ka rëndësi jo etiketimi por mashtrimi; kaloi si miu nën mustaqe. Kur, arkitektët e kësaj fasade, në dukje demokratike, e kuptuan se miu lëviz i patrazuar, shtegun e mustaqeve e shndëruan në rrugë, madje i gjetën edhe një emër të madh, Autostrada e kombit. Nën hijen kombëtare mund të thahet çdo gjë thuajse natyrshëm, si puna e bimëve mjekësore. Janë më të çmuara ato të nën hijes. Flas për qindra milionë euro që te e fundit edhe... “sikur të jenë vjedhur, është bërë një punë e mirë”, do të thoshte Meta ministër pasi ia futi kokën Ilirit në kapistër. Flas për miliarda euro që bankat e ndryshme ndërkombëtare, FMN, Europa, në këta njëzet vjet, kanë livruar për qeveritë shqiptare. Vetëm flas, jo të pyes, përndryshe detyron edhe një përgjigje nga përgjegjësi. Këtu ndeshemi te një mur gome që hibridi demokratik shqiptar ta ve përballë: “Cuius regio, eius religio’” më thuaj ku mbahesh të të them se ç’pyetje je i lejuar të bësh. Kështu, nga barazia në varfëri dikur, barazia në pasuri sot, (ide e pandryshuar që nga “Politika” e Aristotelit) është mundësi e refuzuar nga çdo lloj hamendësie. Shumë shpejt u veçua një shtresë e panjohur deri atëhere me prejardhje të dyshimtë; pakicë që grumbulloi pasuri të jashtzakonëshme në duart e veta, nëpërmjet rrugës së kriminalitetit të drejtpërdrejtë, drogës dhe tregëtisë së armëve si dhe duke shfrytëzuar pushtetin në e për një grabitje me përmasa kombëtare të gjithçkaje sa populli krijoi në dyzet vjet me mund, djersë e gjak. Madje. Vjedhjen e pasurisë që çdo shoqëri e krijon ditë për ditë instiktivisht; sepse duhet të ekzistojë, e shndëroi në një program të rregullt e skrupoloz detajesh të lyera me bojën e një morali të dyshimtë që, nën buzëqeshje tridhjetedydhëmbëshe përcjell kumt kërcënimi dhe arrogance ndaj çdo forme kundërshtie apo pakënaqësie. (për një masë të katandisur në pragun e ekzistencës; “të jesh apo të mos jesh” nuk është dilema e gomarit që kishte etje dhe uri njëherësh. I cili, kur mbrriti para kashtës dhe ujit duke mos vendosur se çfarë duhej bërë më parë; të pinte apo hante, ngordhi, “të jesh a të mos jesh”, përmban në pasthënie darvinizin social e që Marksi e shkoqiti duke e kaluar në parathënie: I urituri nuk pyet për formën estetike të ushqimit – për aq kohë sa mund të sigurojë për të ngrënë, shtojmë për të mos e lënë bosh pasthënien.
I turbulluar nga një vazhdimësi rrjedhëse pyes: Ç’mund të ndodhë në të kundërt? Ç’mund të ndodhë nëse shikon se si nxirren në ankand ujrat territoriale të vendit duke u munduar t’i kalosh nën rrogozin e popullit? Ç’mund...ka mjaft pyetje. Them se “krijuesit” e gjendjes, dua të them, duart që e pritën pjellën dhe mëndesha, flejnë të qetë ngaqë mendojnë se kanë makinën shtetërore për çdo rast. Flejnë ngaqë mendojnë. Disi e çuditëshme kjo bashkjetesë, sepse nga çasti që fle, nuk mendohet më dhe e anasjellta. Sidoqoftë ky krijues quhet Plutokraci. Qendron mbi partitë politike sepse pas rrinë lobet. Me të njëjtin shkop drejton e ndëshkon. Nëse dikur mendimin duhej ta përshkonte si një fill i kuq ideologjia, qe e majftueshme të futje; “kështu na mëson Partia” dhe dilje përtej, sot: “Ja ligji, ja dhe Maliqi”, është metamorfoza që shkopi i Moisiut e pësoi dhe solli në jetë Kimerën, përbindëshin mitologjik me kokë luani, trup dhije e bisht gjarpri. Hibrid. Sintaksë e lirisë së fjalës. Je i lirë të lehësh e lehësh sa të duash... (nënkupto... derisa të të lodhen nofullat dhe të mos kesh fuqi të kafshosh). Liri të foluri e katandisur në thashethemnajë individësh, pra, pa zarar. Përkundrazi. Dëfryese. Shtyp i paaftë të analizojë morfologjinë e fjalës “liri” përsa kohë rri në shoqërinë e saj si vaji në ujë. Për të kuptuar gjendjen e mjeruar mjafton të shohim të dhënat e “Freedom Hous”, organizatë jo shtetërore amerikane, me qendër në Washington. Istitut kërkimi që ka si objektiv përhapjen e demokracisë në botë. Statistika e vitit 2009 e rendit, hibridin demokratik shqiptar, përsa i përket lirisë së shtypit, në vendin e 101 në botë. Madje në grupin e vendeve të Europës qendrore e lindore, është e ngjyrosur me të verdhë, vetëm dy shkallë më lart se Danger zone - zona e rrezikëshme, e mbushur me të kuqe.
“Je i lirë të mendosh si unë, sikurse je po aq i lirë të mos mendosh si unë”. Piruetë krokodiliane. Stërhollim pasoje. Gjymtyrët i ngjesh pas trupit, bishtin e harkon për të mundësuar serinë e rrotullimeve marramendëse rreth vetes sikundër bën toka çdo 24 orë dhe kështu e topit shpejt e shpejt viktimën e shkretë e, në një lidhëse tjetër, zbulojmë se në vetvete është një gjest keqardhës përderisa nuk e zgjat agoninë. Rit, me prenë e mbërthyer midis dhëmbëve, rrotullime mahnitëse që do t’i kishte zili çdo dervish ngaqë ky vetë bëhet viktimë e ekstazës ndërkohë që krokodili ruan qetësinë. Ndonjë mund të thotë; ka gjak të ftohtë. Pikërisht është çështje gjaku. Gjakftohtësi. Sidoqoftë, prej “keqardhjes” o quajeni si të doni qëllimin që vesh rrotullimet e krokodilit, raca njerëzore mësoi mjaft. E shndëroi në zanat. Kemi mjekët anestezistë, të domosdoshëm për të zhdukur çdo ndjeshmëri në rastin e ndërhyrjeve kirurgjikale duke futur në trup sasinë e duhur të narkozës të përbërë nga katër lloj helmesh vdekjeprurës, por kemi edhe politikanë që e përdorin me mjeshtëri të rrallë për të trullosur dhe mpirë masat popullore, (Nano dhe viti 1997). Të gjitha këto ballafaqime janë shkak edhe për shumllojshmërinë e formës së marrdhënieve. Psh: Nga çasti kur ti nuk mendon si “unë”, je jashtë meje, jashtë pushtetit që unë përfaqësoj me hirin apo jo të masave që ma ka “dhënë” ose ia kam vjedhur votën, pra, je i huaj për mua e si pasojë edhe për pushtetin. Më thjeshtë. Është e ashtuquajtur demokraci ku opozita ndihet e çrrënjosur, unheimlich (jo në shtëpi – pa atdhe) në një anasjelltësi që largon gjithmonë e më shumë prej rrënjëve, ose më saktë, origjinës së përbashkët e ngjizur te një piksynim që duhet të vërtetohet si ndërtues i sëardhmes vetëm në rast se kuptohet se nuk është kjo bota që dëshirojmë. Nga çastin kur kjo është bota që dëshiron njëri, demokracia krijon vetiu mundësinë për të mashtruar tjetrin. Mendoj se është një shqyerje jo e vogël që fut ujë në anijen e demokracisë.
Ti mendon si unë, ai po ashtu, pra “Ne” përbëjmë një shumicë. E nëse kjo shumicë e shfrytëzon lirinë e saj për të sjellë në krye një sharlatan, një atdheshitës, një shtetshkatërrues, plaçkitës, çfarë qeverie prisni, përveç antidemokratike? Pra, vullneti i shumicës duke zgjedhur në mënyrë demokratike një qeveri jo demokratike, gropos vetë demokracinë. Çdo përpjekje për t’iu kundërvenë kësaj tiranie nga pakica, etiketohet sërish si jodemokratike sepse shkon kundër vullnetit të shumicës. Sërish kemi fundin e demokracisë përderisa të privon nga e drejta për të kundërshtuar. (ju kujtohet letra e të ashtuquajturve intelektualë?) Tepër paradoksale apo jo? Çështja është se kush fiton megjithatë në rastin e kësaj aporie (vështirësi logjike përballë dy argumentave të kundërt, e njëherësh të mundshëm).


* * *

Antisteni - ose “djali i njerkës” - ose “Plutokracia” dhe ... shqiptarët.

Antisteni i jepte mësim privat djalit të një aristokrati. Kur mbaroi koha e mësimdhënies, para se të largohej, filozofi, kërkoi shumën e të hollave që i takonte sipas marrveshjes. Djali i aristokratit nuk pranoi duke thënë:
- Unë do të të hedh në gjyq. Nëse fitoj, paratë i meriton sepse do të thotë se më ke mësuar mirë. Po humba, paratë nuk i meriton sepse nuk më ke mësuar aq mirë sa të fitoj.
- Mirë, - tha filozofi, - pas kësaj edhe unë do të të hedh në gjyq. Nëse fitoj, paratë do t’i marr si fitues i gjyqit, po humba, paratë do t’i marr sepse do të thotë se të kam mësuar mirë. Sido që ta vërtitësh, unë paratë do t’i marr.
(Sidoqë të vërtiten ndodhitë, plutokracia shqiptare del gjithmonë fitimtare, ndërsa populli kurrë. Ja çfarë duhet ndëshkuar të dashur intelektualë partiakë)

* * *
 

atman

Forumium maestatis
Re: Kriza e një demokracie të privatizuar.

(......)
Lëvizja e lirë.

Madje kryeministri thotë se ishte dëshirë e rilindasve. Nuk dihet për cilën Rilindje e ka fjalën sepse faktikisht ajo shqiptare, në atë kohë kur errësira e pushtimit dukej pa fund, kërkonte ta nxirrte vendin në dritën e diellit. Kështu, rrëmoj në kujtesë për të gjetur një pohim të tillë. Nëse ekziston, është i mundur vetëm te vepra “Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të bëhet” e Sami Frashërit. Në këtë rast e vetmja mënyrë për të kapur qoftë edhe sëlargu ndonjë nuancë mbetet t’ia lëshosh frerët fantazisë, të kapërcejë kufinj pa pasur nevojën e vizës, jo aq për tu ndierë sa më afër me idetë e Rilindjes se sa për të dalë prej tyre te Berisha. Përfundimi nuk le mbresën e hidhur të zhgënjimit, por atë hokatare të një budallallëku të përpunuar aq sa ngrihet në cilësinë e artit pa qenë art, i përvetësuar dhe shndëruar në veti personale e që bëhet ontologjik kur ia pason masës si një tejkalim mase. Duhet pranuar se Berisha është kampion, shembull i qartë i shfrytëzimit të lirisë së fjalës deri në atë masë sa e shndëron në qëllim në vetvete, në gojën e tij, liria e fjalës humbet të qenët zbuluese idesh apo nxitëse duke u katandisur një thashethem i mirëfilltë mejhanesh. (vlera e politikanit shfaqet e plotë kur; ndërsa i zhduk ato, krijon shthurrjen; habitatin ku ai vegjeton. Mjafton të kujtojmë paradokohe sharjet e ulëta në parlament drejtuar një deputeti socialist përzierë me kërcënimin, gjë që zbulon natyrën e plebeut që nuk del dot jashtë vetes sepse në çdo rast është një parveny) Berisha si kurdoherë edhe tashmë ka një arsye që trillon kaq paturpësisht, duke u veshur rilindasve ide e mendime në të cilat ata nuk njihen nga ne, por as edhe njohin vetveten. Nuk i vinin anës një ideje të tillë, jo për mungesë imagjinate, për paaftësi apo nivel të ulët kulturor, përkundrazi ishin burra të mençur e të urtë, por, qe e pamenduar, e pa mundur, jashtë çdo logjike të ndodhte, marrëzi. Rilindasit, nëse do t’i vendosim në një emërues të përbashkët me Berishën (sepse ai duke e spostuar mbrapa në kohë dëshirën e tij për të lëvizur pa viza, kërkon t’i japë një ngarkesë e frymëmarrje të tillë përmasore sa vetiu bëhet pjestar) pra, në një emërues të përbashkët me Berishën, rilindasit janë si ajo kurva që krihet ndërsa Stambolli digjet.
Asnjë iluzion nuk duhet ushqyer. Gjithçka ishte e pamundur në këtë drejtim dhe është krim fallsifikimi për qëllime personale i historisë. Ndryshe privatizimi i saj. Pse ishte e pamundur? Arsyeja është ndërlikë, ndërthurrje kushtesh të brendëshme me të jashtmet në një mënyrë të tillë që edhe nyja gordiane dukej lojë kalamajsh. Hapësira jetike e shqiptarëve e pushtuar prej shekujsh shtronte si detyrë të parë çlirimin e vendit e njëherësh me të, mbrojtjen e saj nga kërcënimi i shovinizmit fqinj. Përsa i përket ndërtimit apo rindërtimit, ishte vetëm një afërmenç. E vetmja qartësi mbetet një përputhje e përgjithëshme me idealet e iluminizmit, ndërkohë që trashëgimia në këtë drejtim ndihmonte dhe ndikonte pak ose aspak. Kishim humbur rrjedhën kronike si dhe intuitën sepse për gati pesë shekuj i ishim nënështruar një regjimi të imponuar, të ardhur nga jashtë, regjim si nga pikpamja ushtarake, organizative, politike dhe administrativo - shtetërore ashtu edhe shpirtërore (feja islame) i ndryshëm nga ai i trashëguari. Pra, trashëgimia afronte pak me anakronizmin e saj në fushën politike e natyrisht s’mund të fajësohet përderisa qëllimisht ishte lë e pa angazhuar. Nuk mund të rifillonim që aty ku e kishim lënë, dmth para pushtimit turk sepse kjo do të na kushtonte tepër rëndë, si një kthim mbrapa. (ja pse thënia e të ashtuquajturve intelektualë, është ideologji e pastër dhe jo vërtetësi historike)
Faktor i dytë, ai ndërkombëtar paraqitej tepër i coptuar për nga interesat e qëllimet. Kjo për faktin se kapitalizmi ishte në përhapje në shumicë vendesh por në lulëzim në pak prej tyre. Në këtë mozaik ndërkombëtar edhe popuj të tjrë kishin të njëjtin problem me atë shqiptar, psh Italia e veriut, detyrë e të cilit mbetej çlirimi dhe bashkimi i vendit. As ideatori i një shteti Italian të bashkuar, konti Kavur dhe as realizatori; Garibaldi, nuk mendonin për një Europë ku të lëvizej lirë. Natyrisht, nuk është përpjestim i drejtë: meqë s’mendonin ata, nuk mendonin as rilindasit tanë, por një mendim i tillë i lëvizjes së lirë ishte tepër jashtë kohe. Ishte po aq e pamundur sa edhe mbarsja e një femre dhe lindja e një fëmije, në mungesë të një spermatozoidi. Nuk gjendet në asnjë nga ideatorët, sado largpamës, të hapësirës europiane. Flasim për lindje kapitalizmi, për lulëzim kapitalizmi dhe për krijimin e sistemit kolonial. Si mund të flasim për një Europë ku të lëvizej lirë, në një periudhë që, sikundër dihet mirëfilli, është periudha edhe e lindjes së identitetit kombëtar, pra e kombeve? E komb do të thotë dallim që, i përfshirë brenda një shteti njëherësh ka shënuar edhe çfarë i përket si e drejtë fizike e kuptuar si territor. Si mund të flasim për një vizion kaq të gjerë, në një kohë kur vendet europiane luftonin njëri tjetrin, për një ndarje dhe rindarje të botës?
Si mund të thuash se para rilindasve mbetej ëndër të shëtitej Europës së lirë, kur Europa ishte hapësira e paragjykimeve më të mëdha, i pogromeve më të mëdha dhe burimi i luftrave që përgjakën botën? Një imagjinatë të tillë nuk e pati as Klement Meterniku, arktitekti i Aleancës së Shenjtë ku ideja e një Europe postnapoleonike synonte të ruante një ekulibër të pesë fuqive të mëdha të kohës, ndërsa fati i popujve të tjerë mbetej një inerci(plogëti), të cilët do të ruanin status - quonë lidhur me interesat e pesë vendeve të marra në grup dhe me zonat e influencës në veçanti. Kontekst që e përjashtonte popullin shqiptar e që shumë shpejt do ta provonte mbi kurriz se kjo Europë, që sipas Berishës mbetej pika më e lartë e referimit rilindas, e reduktuar në banalitetin e lëvizjes së lirë, pra kjo Europë, do të tregohej mizore, arrogante dhe e padrejtë sepse që në shekullin e nëntëmbëdhjetë do të plazmonte një Ballkan sipas interesave të saj dhe të popujve grekë, bullgarë, sërbë, rumunë, malazez, etj, veç shqiptarët jo, nuk bënin pjesë në këto interesa. Përkundrazi. E gjithë bamirësia do të mbështetej në coptimin pak e nga pak të vendit të bazuar te shprehja gangrenë e Bismarkut që e quan popullin shqiptar në Kongresin e Berlinit: “Një shprehje gjeografike”. U përjashtua çdo mundësi trajtimi në hatër të tij, e pamenduar, as edhe si njohje minimale e ekzistencës. Ndryshe, s’mund të përligjej një masakër e pa të parë ndonjëherë në histori (përveç fatit të indianëve të Amerikës së Veriut) kur një popull që jeton në tokat e tij prej mijëra vjetësh, coptohet me lehtësinë më të madhe për të kënaqur epshet perverse të pansllavizmit e të shovinzimit grek. Dhe rilindasit e panë me syrin e tyre gjithçka, e përjetuan këtë mizori, ndërkohë që ne sot vuajmë pasojat. Ende kjo Europë nuk ka gjetur kurajën ta pranojë botërisht padrejtësinë. Të paktën politikisht, sepse historikisht duhet të jesh magjistar për ta ndryshuar.
Ndoshta Berishës i duket vetja i tillë; magjistar.
Ndokush mund të pyesë:
Përse na duhet të rrëmojmë në histori ngjarje që janë vërtet të dhimbëshme për kombin?
Përgjigja është:
Kujtoni ujrat territoriale që do t’i jepeshin Greqisë dhe aty e kini përgjigjen.
Roli i Berishës në këtë tragjedi të paralajmëruar është kryesor. Ai dhe qeveria e tij e kishin firmosur kartabythjen për dhurimin e ujrave territoriale para zgjedhjeve të fundit por e mbajtën të fshehur faktin sepse i trembeshin zemërimit popullor dhe ndëshkimit. I trembeshin se mos urrejtja popullore atë dokument e shndëronte në qefin për ta.
Duhet uruar që në Shqipëri ka ende burra që e duan Atdheun.
Ai e di shumë mirë që akti i tij lidhur me ujrat territoriale është tradhëti e lartë, kështuqë shpejton ta sistemojë në harresë duke e kaluar vemendjen gjetiu, duke hiperbolizuar vlera të paqena, si rasti i lëvizjes së lirë, ose pa viza dhe këtu fshihet një marifet tjetër, akoma më i madh që, sipas mendjes së tij do ta shpëtojë njëherë e mirë, e do ta vendosë në panteonin e burrave të ndritur.
Berisha i drejtohet Rilindjes dhe i ngatërron kartat keq në tavolinë kur deklaron një fallsitet historik duke thënë se kjo ishte “ëndër” e tyre, por që mbeti e tillë. Në këtë mënyrë, Berisha me një gur vret dy e më shumë zogj.
Nxjerr tërthorazi rilindasit të paaftë për ta realizuar ëndrën.
Nxjerr veten njeriu që e bëri të mundur.
Pra Berishës in takon vendi ndër njerzit e shquar.

* * *
Të rrosh sa malet e Myzeqesë kryeministri ynë!
Po, ku ka male Myzeqeja?!
S’ka, e di. Më thuaj, po në programin e Rilindjes ku gjendet dalja e shqiptarëve pa viza?!
 

u74

Primus registratum
Re: Kriza e një demokracie të privatizuar.

Se ke te drejte kur thu se demokracija nuk funksinon apo Berisha nuk duhej te ishte ma ne politike dhe drejtim ... ke shum te drejt.
Ama se mund ti kishe cek me 10 rreshta tan ato ca ke than ma siper kjo esht e sigurt .
Se je njeri qe lexon shum edhe kjo duket ama se je prej atyne qe lexon e nuk merr vesht edhe kjo duket . Edhe se ka shum shqiptar si puna jote qe jane "te kenduar" por s'marrin vesht edhe ky esht fakt . Se pse ala vazhdojm ne ket gjendje , kte nuk e marr vesht !?
 

atman

Forumium maestatis
Re: Kriza e një demokracie të privatizuar.

Autenticitet i deformuar.

Pa i dhënë një qëllim, themi të dalësh jashtë vendit kur të duash dhe ku të duash, për hall e për mall. Edhe pse ka pika kufitare ku pyetja: “Përse vjen?” bëhet hapur dhe në të tjera jo, sërish nënkuptohet e ndihesh jo mirë. Duhet marrë një përgjigje për të imagjinuar një “mirseardhët”. Tepër e pabesueshme. Luks. Çoroditëse ta dëgjojmë ne shqiptarët pas kaq kohe, njëzet vjetësh, ku kalimi i kufijve normalisht edhe kur ishe e je i rregullt, shoqërohet me një sërë kontrollesh të imta, deri edhe cepa pasaportash të përthyer në kushedipsenë e një pakujdesie që tashmë mund të të kthehet kundër, që pasi drejtohen kontrollohen me vështrime mikroskopike sikur të flitet për mikrorganizma, bartëse të ndonjë virusi të panjohur për njerëzimin, kërcënim i hamendësuar pandemie, me pëshpëritje, përtej xhameve blind, midis policësh, ndërkohë ti mundohesh të kuptosh çfarë thonë. Por lëvizja e buzëve nuk të ndihmon sepse nuk je i përgatitur si një 007, edhe gjuha për aq sa e zotëron duket se vuan dhimbje kafshimi (gjyshja ime, ato rrallherë që kafshoja gjuhën ndërsa haja, e kishte ilaçin te fjalët ngushëlluese: Do hash mish) sepse lëpin vetveten në mungesë sekrecionesh; tepër e vështirë, aq sa edhe lehtësia e maceve të zileps. Pastaj i thua vetes se nuk po flet për gjuhën që e ke brenda gojës, por për çfarë lidhet me një mënyrë komunikimi. Gëlltitesh. Nuk thua asgjë. Asgjë që të ndihmon sepse s’ka diçka të tillë. Madje as ai apo ajo, në rradhë pas teje, i panjohuri me të cilin në avion, ndërsa fluturoje, nuk iu përgjigje dëshirës për të shkëmbyer kotësinë: Nga je? Ku shkon?(e ku përveçse ku më çon avioni!?) etj, tashmë pret i qetë, më i qetë se ty, e duket sikur dallon një keqardhje disi që ty të duket qesëndi. Kur e përplas vështrimin me inat, ai ngre supet dhe ty të duket sikur të thotë: “Të kisha paralajmëruar.”. Parlajmëruar për çfarë?! Asnjë paralajmërim. Ai vetëm se është mësuar me trajtimin. Kështuqë e kanalizon në planin personal qendrimin e tij. Si hakmarrje ngaqë ti edhe pse e ruajte mirësjelljen u zhyte brenda vetes duke u përpjekur të kuptosh se çfarë ndodh me ty. Përse je ftohur aq papritur. Pse bashkatdhetari tënd, bëhet i padëshiruar, thuajse armik. Duhet ta shmangesh me çdo mënyrë. Ndërkohë. Jo, nuk ka ndër – kohë, është kapje padashur e një vështrimi të beftë i një vajze të bukur ulur diku përballë, jo tamam, diagonal, por mjaftueshëm për shkëmbim vështrimi. Nëse nuk shpërqendrohesh. Kur i rikthehesh, tashmë ajo e ka humbur interesin dhe ti shquan frikën që mbush sytë e saj. Dy duar të pleksura duket sikur e kanë ngatërruar gjithçka. Dora e saj me atë të tjetrit në krah. Ai tjetri duket i rrahur me vaj e uthull. Ka një varëse flriri në qafë, por çfarë bie në sy është byzyzlyku. Ajo duket se udhëton për herë të parë, ai jo. Pasi përcakton pozitën gjeografike të njërit e tjetrit shkëputesh prej tyre si prej diçkaje që e humbet interesin kur nuk i mbetet asnjë e panjohur. Dikush, më tej, shikon i përhumbur retë posht, e kuptoj ngaqë koka i rri paksa e përkulur. Kushedi ç’mendon? Kur avioni fillon e dridhet papritur i tëri, dëgjoj një zë që mundohet të bëjë shaka, thotë se kjo copë autostrade është prishur nga kamionat ...(dhe ty të kujtohet autostrada e kombit e gropat e hapura menjëherë pas përfundimit, si dhe çudia; fajtor janë kamionat e rëndë...) Aty këtu vështrimi ndalet te ndonjë fytyrë e zverdhur. Mendon se është prej frikës dhe kujton një udhëtim të shumë viteve më parë, kthim nga Budapesti. Gati në mesnatë. Errësirë e madhe në lartësi. Nuk shquhet gjë edhe pse je më “afër” diellit, të duket sikur t’i kanë lidhur sytë me një fasho të zezë. Fqinjët e mij, M. Qirjaqi me të shoqen. Filluam të shkëmbejmë sërish biseda brenda avionit. Njohjen e kishim bërë më parë gjatë pritjes në Ferinxhi, i thonë aeroportit në gjuhën hungareze, nëse nuk gaboj, dukej sikur i trazonte diçka. E lexoja në fytyrë atë njollë që nuk merrte formë. Më kujtonte pikën e madhe të bojës kur binte papritur mbi faqen e fletores së detyrave të shtëpisë, duke e djallosur gjithçka. Shpesh e grisnim faqen. Andej nga fundi i udhëtimit e shoqja tha: Uf, u mërzitëm. Mesnatë; nuk flemë, por as edhe flasim. Çfarë duhet bërë? “Këndojmë”, thashë. Këndojmë? Pse jo? Këndojmë. Ok. Kështu nisi: “O vemi o s’vemi...disi e druajtur e më pas një korçarçe në ngjyra të plota. Stjuardesat na shikonin dhe buzëqeshnin. “Mjaft, tha një grua se po na ndillni keq! O vemi o s’vemi! S’kini këngë tjetër?”. Atë natë, dritat e aeroportit të Rinasit ishin fikur befas pas një shkarkimi rrufeje dhe kur dolëm, jashtë naprisnin njerëz, shumë njerëz, zjarrfikëse ushtarë, aq shumë sa na dukej vetja si ndonjë delegacion. Mungonin vetëm lulet. Na thanë se shpëtuam për qime. Piloti kishte gabuar gjatësinë e pistës, qe duke u ulur nga fundi i saj, por e ngriti avionin në sekondën e fundit dhe ne të gjithë e kishim ndjerë troshitjen e beftë që na i risolli zorrët te barku... e atë rreth të madh që përfshinte një copëz të Adriatikut brenda dhe stjuardesat që nuk na linin të lëviznim vendit...e... Ndaj, e kam besdi të shikoj fytyra të trembura në avion sepse rijetoj, por është e pashmangëshme. Ai përtej. Merret me fëmijën që e shoqja ia plasi në prehër duke i thënë se e kanë bërë të dy. Ishte përshtypje, ose një interpretimi im për ta bërë lidhjen burrë-grua më të fortë. Kishim filluar të kemi familjaritet me avionët. Nuk bëra asnjë përpjekje për të kuptuar diçka nga lëvizja e buzëve. Ah po...Lëvizja e buzëve tashmë u përket policëve. Tepër e rëndësishme. Kaplohesh nga shqetësimi. Madje je gati të pyesësh, të thuash me droje, nëse ka ndonjë problem sepse vizën e ke të rregullt, garancinë ta ka bërë një familjari tënd që jeton prej vitesh aty, por sërish ke frikë sepse ndoshta të shpëton ndonjë fjalë që mund të bëhet shkak për ndonjë dyshim të kotë dhe për të mos ngadalësuar rradhën, të heqin mënjanë. Paskësaj, mallkon veten dhe betohesh të mos shkelësh më në atë vend, me policë që dëfrehen kur shikojnë ngjyrën e fytyrës tënde të ndryshojë herë pas here, kur shikojnë tronditjen që të pushton dhe nuk u kërcet fare se si ndihesh ti, atë thuajse revoltë të brendëshme që e dominon me kaq vështirësi duke menduar “hë se do të marrë fund” dhe kur orët zgjaten, në fakt janë minuta, atëhere shpresa tënde fillon e lëkundet dhe ndoshta për herë të parë ndihesh edhe i penduar, sepse nuk të pëlqen të trajtohesh ashtu, qenie e dorës së dytë, i një dore të dytë që nuk dihet sa larg të parës është, sa posht është. Je gati të thuash se mund të kthehesh mbrapa, ma jepni pasaportën, por kjo do ta shtonte më shumë dyshimin e ndoshta do ta keqësonte gjendjen. Mendimi nuk të shpëton nga belatë, ndaj pret i ulur mbi gjemba, në stolin e lëmuar e gati të ndritshëm dhe ti e fërkon me dorë sepse gjymtyra tënde nuk i ka besuar mendjes, sinjaleve të gabuara që përcjell shpirti i trazuar. Nuk ka asnjë gjemb, e shikon? Paskësaj antidoti fillon të veprojë. Mësohesh njësoj si me një dhimbje të beftë, therrëse që, duke u përsëritur të nesërmen e më pas bëhet e përditëshme. Ardhja e orës kur kthetrat e saj të ngërthejnë nuk është më ankth, është thjesht dhimbje e ti plot zymti, shikon se si shpresat shuhen. Kishte qenë thjesht një qetësues. Morfinë. Nga përdorimi e humbi veprimin Një çift pleqsh, aty te tetëdhjetat, që shkojnë te djali. Nuk dinë asnjë fjalë të gjuhës tjetër dhe pyetjes së policit i përgjigjen me një shqipe shatrapatra, qyqarët mendojnë se një shqipe e ngatërruar, midis gjesteve, është më e kuptueshme për të huajt. Plaku bën me gisht duke treguar mat-anë, përtej portave që hapen e mbyllen me ndieshmëri qenieje, pret djali. Askush nuk e ndihmon... Je gati tu thuash policëve se ç’rrezik sjellin dy pleq për shtetin e tyre? Por hesht. Policët mund ta marrin me ty. Një tjetri i rekomandohet të bëjë një telefonatë konsullatë. Ide që i kundërvihet një kor zërash. Konsulli është një ish punonjës i gjendjes civile. Partiak. Nuk merr vesh, ose bën sikur ... Mos prit ndihmë. Atë çast ti ndihesh më i braktisur se kurrë.
Zotëri, Zonjushe...! Ë? Kaloni ju lutem. Gjithçka në rregull!... Gjithçka në rregull? Përsërit thuajse me keqardhje. Nuk ka një ripohim, ngulm: Po, gjithçka në rregull! Të kanë bërë veshët. Polici tashmë ka një pasaportë tjetër në dorë dhe rifillon nga e para. Fytyrat shqiptarësh që njëjtësohen befas. Presin se mos polici nxjerr ndonjë bela. Ndërsa ti atë çast dëshiron të thuash: “Mesiguri ka diçka që s’vete te unë, ndaj shikoni mirë. Të gëzohem që nuk paska te unë diçka që nuk shkon? Jo, përkundrazi nuk është aspak kënaqësi. Më mirë e kundërta sepse më bën të ndihem i gjallë, qenie me vlerë, thuajse hero, epiqendër bisedash, e kushedi, ndonjë lajm disa rradhësh nëpër gazeta. Gjithnjë më mirë se sa një shterpësi që grryen vetveten ... Sterilitet.”. Cinizëm drejtuar vetes. Më kishte ndodhur njëherë kur do të zbrisja nga trageti në Igumenicë. Isha në krye të rradhës që po lëmshohej para daljes, dola shpejt sepse do të bëja me makinë gjithë Greqinë e veriut. Kur vjen një nga të anijes dhe thotë: Nxirrni pasaportat. Të parët do të zbresin qytetarët e komunitetit. Mënjanohu. E lëshuam vendin për të privilegjuarit. Komuniteti europian. Fjalë magjike; por ti ndihesh keq. Ndoshta më keq nga një kontroll dokumentash sepse këtu flitej vetëm për të zbritur...Nejse. Ndërkohë asgjë nuk kam shqiptuar, kam vetëm kaluar nga ana tjetër duke u përpjekur të mos shpreh asnjëlloj ngutje përderisa nuk jam në qendër të vemendjes. Asnjë dyshim përcjellës, do të thotë mosrënie në sy. Mendoj, jo pa keqardhje, se ndihesha i rëndësishëm kur pengoja rradhën, kur të gjithë më shikonin, natyrisht ndonjë me nervozizëm, por sidoqoftë nuk më kishte shqetësuar aspak çfarë mendonin ata, përkundrazi. Isha vërtet i lumtur, - them me vete dhe për herë të parë pata zili atë çiftin e të fejuarve që kaluan me kaq lehtësi. Vajza ishte vërtet e bukur, por edhe mjaft e hutuar. Ndërsa i “fejuari” jo. Sjellja e tij, njëlloj arrogance, të linte përshtypjen e diçkaje të zakontë. Nuk di pse, por përfundimin e nxora nga varësja e floririt dhe nga byzylyku që varej në dorën e majtë. Ngjan me atë që emta ime e mban te kyçi, edhe ajo në dorën e majtë sepse i kishin thënë përkujdes tensionin. Veçse ajo e kishte një lidhje të bakrit me kushedi çdreq metali tjetër. Nganjëherë mendoja një lidhje të bakrit me kallajin, dmth bronx dhe menjëherë i vëzhgoja tiparet sikur të gjeja pohimin e një epoke tjetër dhe kur më shpëtonte ndonjë buzëqeshje tallëse, ajo më pyeste se çfarë mendoja... shejtan...! Përqasja do të qe përputhje sikur byzylyku i tjetrit të mos qe flori. Ai kishte kaluar para meje dhe para tij e fejuara. Doza a pasigurisë rritej me hap të njëjtë me nurin. Mjaft e tronditur (tashmë kisha kohë të rikthehesha mbrapa për të kuptuar më mirë gjendjen) dukej nga purpuri në fytyrë, ngjyrë që të fejuarit nuk i pëlqente, e më duket se në një çast, vetëtimthi vura re një thuajse të shtyrë ose një pickim të lehtë në trupin e saj, diku mbrapa, në lartësinë e mëlçisë ... Ciao! E fejuara ime, tha, sapo polici mori në duar pasaportën e saj. Vjen për herë të parë...Kaluan shpejt e shpejt. Më kujtohet mirë. Një vështrim rrëshqitës, një bëj sikur nuk vë re e fund trallisjesh. Për dikë ishte kaq e thjeshtë.
“Me të thatin digjet edhe i njomi”, thashë me vete pa bërë ndonjë përcaktim pozicionesh të detyruara.

* * *

Gjatë gjithë kësaj kohe kur po lakohet “lëvizja e lirë” mbarë e prapë, mes ngazëllimesh e mërzish, prisja dikë që të thoshte se e vetmja vlerë, bashkatdhetarë, është të ndihemi si të tjerët, të paktën në një diçka, ndaj mos i dëgjoni dokrrat e kryeministrit e aq më shumë çoroditjen e një grupi intelektualësh dhe letra e tyre që thuajse e quajnë një të drejtë të mohuar të një ëndre të parealizuar prej ç’kohe...? Njëzet vjetësh? Jo, aspak. Nga Rilindja? Tha kryeministri. Që nga koha e arbërit ... thanë intelektualët. Për të venë kujen. Aq më shumë kur fillojnë dhe i kërkojnë fajtorët aty ku nuk duhet. Fillon stina e pa stinë e gjuetisë së shtrigave.
Përse?
 

atman

Forumium maestatis
Re: Kriza e një demokracie të privatizuar.

Në pritje të Godosë.

Estragoni: - Të kënaqur jemi. (heshtje). E çdo të bëjmë tashmë që të kënaqur jemi?
Vladimiri: - Presim Godonë.
Estragoni: - Ah po, ke të drejtë.
Nuk ndodhi gjë, askush nuk vjen, askush nuk shkon, është e tmerrëshme. (Duke pritur Godonë - dramë e Samuel Beket)
Duket se shqiptari nuk mund të bëjë tjetër veç të rrijë nën hijen e pemës në pritje të Godosë. I ngujuar më shumë se i dënuar. Në vetdijen e tij. Nuk lëviz vendit, ndërsa Beket duke njohur plogështinë e personazheve paralajmëron pasojat dhe e kumton lëvizjen e kohës te çelja e rënia e gjetheve, me shpresë se diçka e tillë do të bjerë në sy. Të vihet re prej dy qyqarëve që llomotitin nën kurorën e saj. Tërheq vëmendjen ndonjë ankesë që është pak të quhet e çuditëshme. Thuhet diku: “Ankohet për këpucët, kur duhet të qahet për këmbët”, më shqip: S’ke ç’i bën gomarit i bie samarit. Sëfundi hapet një shteg aty ku ngrihet një mur absurd, një e çarë në hapësirë si një derë që çon kurkund: “Lindin të gjithë të çmendur, disa mbeten”. Pas kësaj vjen çasti; e që vetëm kur shpëton nga dora mësohet se ka qenë i shumprituri. Duhet të kalojë mjaft kohë për të sjellë një tjetër, nga ata që mbartin ndryshimin, dmth, “ata që mbeten” bëhen pasqyra ku pjesa tjetër të shikojë vetveten. Ndihmon të shquash lëvizjen e kohës, ndryshe do të thotë të kuptosh çfarë je duke humbur në vazhdimësi si diçka e pakthyeshme. E vetmja mënyrë që grah drejt përpjekjeve të duhura për të dalë nga ajo gjendje thuajse letargjie e apatie ku zhyt demokracia formale e që, duke marrë padrejtësisht vlerë eskatologjike nuk mund të shndërohet në shpresë por në të kundërt, mpin forcën, thith energjitë jetësore dhe e xhvesh qenien nga dëshira për liri ngaqë e quan të mbrritur, të kryer. (gabimi më i rëndomtë që vihet re është vendosja e demokracisë në përpjestim të drejtë me lirinë, kur citon njërën vetiu nënkupton tjetrën. Nuk janë sinonime. Tashmë dihet se edhe një diktaturë e djathtë apo e majtë, është demokraci = pushtet i popullit). Në ndarjen e frazës “Lindin të gjithë të çmendur – disa mbeten” kemi shembullin e qartë se si këta që mbeten janë disa prej të gjithëve, diferencim që nuk të jep në përfytyrim ndonjë përmasë, përveç faktit të dhimbshëm që mund ta ndiejnë vetëm ata që mbeten, si një ndëshkim për atë humbje të pavetëdijshme të vetëdijes sepse sikundër thotë edhe Tocqueville, populli “më shumë priret nga intuita se nga arsyeja” e se për këtë veçanti apo tipar, nuk është në gjendje të dallojë të këqiat në rrënjët e saj. Citojmë nga “Demokracia në Amerikë”: “Nëse të këqiat e së tashmes janë të mëdha, ka të ngjarë t’i shpëtojnë vemendjes të këqia akoma më të mëdha që ndoshta i kanë zenë pritë në rast humbjeje”. Pra, shohim se e tashmja mund të ndëshkojë të ardhmen. Ndodh gjithmonë kur kritika që i bëhet të tashmes nuk shoqërohet me zgjidhje ose përzgjedhje. Pikërisht çfarë vërtetohet në Shqipëri. Nëse bëjmë një kthim mbrapa ose hedhim një vështrim qoftë edhe shkarazi në kohën e para njëzet vjetëve shohim se shkaku i përmbysjes nuk ishte mungesa e lirisë por rënia ekonomike. Askush, as shtypi, as opinionistët,, historianët, filozofët, politikanët jo e jo, nuk kanë bërë përpjekjen më të vogël, për të pohuar një të vërtetë që muet. Përkundrazi duket sikur janë venë në garë kush e kush ta fshehë e mbulojë më parë. I mshojnë fjalës liri duke e groposur të vërtetën. Përsa kohë sistemi i mëparshëm e siguronte “koromanen” nuk ndihej nevoja e lirisë. Nga çasti kur ekzistenca vuri në pikpyetje vetveten, u bë e luhatëshme, domethënie e dilemës hamletiane, rrugdalja e vetme mbetej rivlerësimi i dinjitetit. Kjo nënkupton të kërkosh të të kthehet liria e njëherësh zbulon se nuk është gjë tjetër veç lloj malli i lënë peng. Në fund të fundit në çdo shoqëri veprohet kështu. Fundi i utopisë, i socializmit, shënoi kalimin në një gjendje tjetër ku populli edhe pse e mori mbrapsh lirinë, u gjend përballë së tretës së përjashtuar nga dilema; nuk dinte çfarë të bënte me një liri të tillë që edhe vetë anarkia do ta kishte zili. (kujtoni 1997 dhe mijëra të vrarët) Duke humbur çdo vlerë shkëmbimi, kjo liri vërtetoi edhe njëherë më shumë se ishte pjellë e dështuar, jo e lindur nga shkak – pasoja i bashkveprimit të rrethanave, qe thjesht përplasje midis gjësë së menduar dhe asaj pak të menduar. Ndaj nuk është për tu çuditur përse shqiptari ende nuk ka një përfytyrim të saktë për lirinë. Madje kjo krijon mundësi edhe për spekullime të rënda që vazhdojnë ta futin në qorrsokak. Kujtojmë letrën e grupit intelektual që e banalizon lirinë te thjesht mundësia për të dalë pa viza. Demokracia formale nuk të afron lirinë, por mundësinë për ta tregëtuar atë me këdo, e drejta për t’ia afruar atij që jep më shumë. Kjo liri e zhvleftësuar shpjegon përherësinë e krizës shpirtërore. Me një liri të tillë nëpër duar vërdalloset pa mundur të gjejë një mall shkëmbimi. (Kujtoni mëngjesin kur shqiptarët u gdhinë me kuç e maç në lidhjen islamike. Kujtoni servilizmin pasiv ndaj Beogradit, kujtoni servilizmin aktiv karshi Athinës... kujtoni. Më mirë jo.) Populli i tredhur, ra në një kalfëtirë pasionesh të zbehta dhe u katandis në eunuk, kujdestar haremi. Shterpësia mendore zhduku çdo mundësi përfytyrimi i të ardhmes. Carpe diem. Kështu, nga UTOPIA u kalua te DISTOPIA. U nisëm nga gjendja “zero”, dhe shumica absolute mbeti në të njëjtën gjendje “zero”. “Lindin të gjithë të...”. Njëzet vjet për këtë shumicë ka vlerën e një progresioni aritmetik, ndërkohë që “evolucioni” u tregua zemërgjerë me një pakicë spekulluese që përfitimet e angazhimit në politikë i shndëroi në progresion gjeometrik. Kjo pakicë brenda një kohe të shkurtër filloi të njohë vetëm rritje grafiku dhe asnjë përkulje kurbe. Nga rradhët e saj u bë një përzgjedhje e dytë prej të cilës u veçua plutokracia. Nga ky çast, gjithçka filloi të kthehej nga kishte ardhur, jo si kusur, as si dëmshpërblim, thjesht si një zbaticë, tërheqje e plotë, pa kushte dhe vendin e meritokracisë e zuri nepotizmi në të gjitha llojet e mundëshme. Mbritur në këtë pikë demokracia është tashmë e privatizuar. Pa asnjë shpresë të jetë shprehëse e përmbajtjes që i jep etimologjia, përveç emrit. Mbetet kapistall. Ndaj duhet pasqyra sepse ndihmon për të dalluar, veten në rradhë të parë. Nga çasti kur e ke përcaktuar vendin tënd në hapësirë, do të thotë se je shkëputur dhe ke krijuar largësinë e mjaftueshme për të vrojtuar, për të qenë i vetdijshëm. Pra përcakton kufij. Të dalluarit do të thotë të njohësh. Gjë që të afron edhe mjetet e nevojëshme për të vepruar. Të jep guximin, shtytjen dhe nxitjen e duhur të reagimit e të kundërshtimit ose të pajtimit. Marrveshjen si mundësi, mosmarrveshjen për natyrë. E dyta do ta shtynte filozofin (Tocqueville) të vëzhgonte në thellësi demokracinë amerikane, e të zbulonte që në momentet e para dobësi të pariparueshme, të mbartura për veti. Kritika e ashpër që i bëri demokracisë s’kishte asnjë lidhje me të qenët përfaqësues i aristokracisë, (prej saj vinte), i “ancien regime”, si gjë që hamendëson më shumë se kushtëzon ngjizjen dhe prirjen e mendimeve, ose përpunon ndjenjën e urrejtjes, përderisa nuk kishte asnjë qëllim asgjesues. Kjo kritikë çohej mbi bindjen e fortë se ligjet e demokracisë nuk janë të mira ngaqë i harton shumica, por janë të mira sepse ato respektojnë drejtësinë. Në këtë pikë ne shohim se demokracia nuk ka të bëjë aspak me dy të tretat e parrullës që borgjezia franceze hodhi në revolucion: Liri - Barazi - Vëllazëri. Në këtë pikë përvijohet tipari kryesor i demokracisë, dmth e kuptuar si barazi kushtesh. Barazi kushtesh? Për të kuptuar veshim edhe njëherë tunikën e Djallit dhe pyesim: Përderisa u nisëm të gjithë nga zero, si është e mundur që sot, brenda një periudhe kurrë të mjaftueshme, të një periudhe që ndershmërisë nuk i mjafton për të pohuar veten në rrethanat e një morali tjetër, kemi politikanë që notojnë apo janë të krimbur në pasuri? Çvlerë ka ndërshmëria? Cili është çmimi i saj? A mund të jetë më ndërshmëri nëse ka një vlerë shkëmbimi? Si është e mundur që populli u nda në Pozzo e Lucky duke pasur midis një humnerë marramendëse, brenda një të nesërmeje? (personazhë të dramës “Në pritje të Godosë”. I pari pronar dhe i dyti thuajse kafshë, shërbëtor). Këto pyetje e të tjera, arsyetime rrjedhojë, duhen ballafaquar me ligjet për të shtrydhur prej tyre përgjigjet e duhura. Ne duhet t’ia nënështrojmë gjykimit dhe dënimit përsa meriton pakica e lumpenborgjezëve që po rrjep nga pasuritë, vendin, që barazinë e kushteve e xhveshi nga të qenët e dëshiruar, shkurt, duke e lënë jetime, qe më lehtë edhe braktisja; braktisje që çon detyrimisht në zhdukje të çdo dallimi midis moralit dhe imorales, një përzierje e mbivenie, shtresa, mbishtresa e nënshtresa, që fshehin shqyerjen e mëngëve të demokracisë dhe krijojnë një hapësirë të tillë marramendëse, përpunuese e qëllimëshme shqisash që synon një perceptim të gabuar të realitetit për t’i dhënë të drejtë qytetarie, vlerë dhe përligjje mashtrimit të çdo ngjyre. Sepse e thjeshton ose e kthen në parim mbylljen në guackën e një individualizmi bosh, të painteresuar për mbarëvajtjen e shoqërisë që e shikon të qenët e vet në një jehonë hiçësie të paargumentuar ku vetvrasja masive kalon nëpërmjet një përditshmërie individuale ndaj edhe bëhet e papërfillëshme.
Një qen në kuzhinë shkoi
E pranë zjarrit ndaloi
Atëhere Kuzhinieri
me thikë e therri
Parë këtë qentë e tjerë
E hapën varrin vetë.
(duke pritur Godonë)
Godo’ për shqiptarin ka vlerën e burrave të rrallë që i kanë ardhur në histori, në disa shekuj një. Burra që kanë ditur ta venë në lëvizje tërë qenien e tij duke e motivuar, përndryshe nuk ka si shpjegohet përgjumja dhe mosreagimi i sotëm përveçse si shkak i një mungese të tillë.
Ja përse ngurron Europa në çdo gjë që lidhet me ne e për ne. Sepse nuk meritojmë asgjë ngaqë nuk bëjmë diçka merituese. E kemi lëshuar dinjitetin nëpërkëmbë dhe jemi katandisur në lipsarë, në endacakë pa lëng e plëng dhe kërkojmë duke zgjatur dorën për mëshirë. (ministri i financave në vjeshtën e vitit të kaluar kishte bërë një plan financiar për vitin 2010 të mbështetur vetëm mbi huamarrjen dhe nëse kjo nuk do të dështonte, atëhere do të vazhdohej në rrugën e privatizimeve të mëtejshme!!!) Nuk bëjmë absolutisht asgjë që të ketë vulën e një vepre që të na japë dinjitet, që të lerë përshtypjen se mundohemi, se përpiqemi. Jo! Asgjë. Ne vetëm presim nga të tjerët. Presim që këta të tjerë të vlerësojnë veprën tonë në atë hapësirë që ata na i krijojnë dhe jo në atë që ne vetë sajojmë. Harrojmë kështu se guri rëndon në vendin e vet.
(Duke pritur Godonë, do të jetë për ne një gjendje gjithmonë vonë sepse sikundër tha Beket kur e pyetën se kush është Godoja, u përgjigj: Sikur ta kisha ditur do ta kisha sjellë në dramë.)
 

atman

Forumium maestatis
Re: Kriza e një demokracie të privatizuar.

Pa koment.

Democracy Index.
Është një matëse, ose shkallë që gazeta e njohur britanike “The Economist” e përdor çdo vit për të ndjekur ecurinë e demokracisë si dhe për të përcaktuar renditjen e secilit prej 167 vendeve në shkallën e demokracisë.
Tabela është e ndare në katër forma regjimesh:
1 – Demokraci komplete.(30 vende, 14.4 % e pop. së botës)
2 – Demokraci me defekte.(50 vende, 35,5%...)
3 – Regjime hibride.(36 vende, 21,6%...)
4 – Regjime autoritare.(51 vende, 30,5%...)

Nga vendet ish socialiste.
Lituania, Estonia, Sllovenia, Çekia, përfshihen te demokracia e kompletuar.
Ndërkohë te grupi i dytë ose demokracia me defekte në listë janë: Hungaria, Sllovakia, Letonia, Polonia, Rumania, Kroacia, Bullgaria,Ukraina, Mongolia, Moldavia, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Ku është Shqipëria?
Me 5,91 pikë vendi ynë bën pjesë në grupin e tretë; në regjimet hibride.
E dhëna është për vitin 2009.
 

atman

Forumium maestatis
Re: Kriza e një demokracie të privatizuar.

Xhepat e Hekuranit dhe thasët e politikanit.

Hekurani ishte shitës në dyqanin e artikujve të përzierë në një fshat dikur. Në punë vishte vetëm një palë pantallona. Fytyrëkuq dhe sy të bardhë ndërsa hunda me kurriz dukej sikur krijonte një ndarje enkas të fytyrës në dy pjesë dhe pak a shumë mund të mendoje se ndodheshe përballë dy njerzve të ndryshëm nëse për kurreshti lëvizje nga një kënd i banakut te tjetri. Krijonte njëfarë shpërqëndrimi sepse mendoje se kishe të bëje me gjysmën e njeriut, gjysma tjetër kushedi ku ishte. Gjë që ta hiqte atë ndiesi përgjimi të besdisëshme që të shoqëron gjithmonë kur hyn në një dyqan, ku shitësi pas përshëndetjes shtiret indiferent por bishti i syrit të ndjek kudo. Jo, dy gjysmahekuranët ishin kaq të padajllëzuar sa të vinte keq sepse të dukej sikur gjithë kohën e kalonin duke u përpjekur të bashkoheshin me njëri tjetrin në një pamundësi sfilitëse. E kini parasysh? Mbani një fletë libri të papalosur nga asnjë anë, shikon vetëm një hollësi brisku, paloseni nga njëra anë, faqja humbet, po kështu edhe nga ana tjetër. Asnjëherë nuk i ke të dyja faqet te i njëjti vështrim. I shkreti, herë të linte përshtypjen një njeriu të nxjerrë nga ndonjë fotografi të prerë me gërshërë në dy pjesë, ose të grisur në inat e sipër e të flakur në një mjedis jo të tijin (kushedi ç’bote i përkiste?) e me të cilin zor se përshtatej, midis dhimbjesh e përpëlitjesh që të shkaktonin keqardhje.
Megjithatë ishte marifetxhi i madh. E kishte organizuar vendosjen e gjërave në dyqan në një mënyrë të tillë që edhe pse ty të dukej paksa “anapulla” e pazakontë, e mund ta gjykoje rrëmujaxhi të përsosur, sërish ky rrëmujim fshihte një zgjedhje të bërë me dëshirë e që i shkonte përshtat qëllimit të tij. Kush e merrte me mend? Përfytyroni derën e dyqanit në mes të murit ballor dhe banakun në mesin e tij, përballë me sa hyn. Mbi të, drejtpërdrejt, syri të zinte një nga ato arkat prej kompesate me përmasa pak a shumë 40 -25 - 20cm në brendësi e veshur me një letër të hollë plastmasi, cipë e tejdukëshme që mbante marmallatën e mollës. Rëndom klienti rri në mes të dyqanit për të patur një vështrim gjithpërfshirës, flas për ata që nuk kërkonin ndonjë gjë të veçantë si bluzkë, apo ndonjë paketë cigare, ose kripë që ishte në skajin tjetër. Gjithçka e përdorimit të përditshëm ishte shpërndarë në kënde të ndryshëm, sa më larg marmallatës dhe Hekurani duke lëvizur sa nga njëra nga tjetra anë, lodhej shumë i ziu. Të gjithëve u vinte keq dhe thoshin është puntor i madh. Peshorja, sikundër dihet rrinte mbi banak në njërin nga këndet, pak a shumë 2.5 – 3m larg topit të marmallatës që ishte qendra e rëndesës e gjithë dyqanit në një lidhje tepër të jashtzakonëshme me xhepat e pantallonave. Pallanxa (peshore e madhe e sheshtë që përdorej për thasët) në këndin e kundërt, madje përkëtej banakut, ku gjatë kohës që Hekurani merrej me sigurimin e mallit që ti kishe kërkuar të blije, mund edhe të peshoheshe, me një përjashtim që të mos i kishe këpucët me baltë, ndryshe duhej të shkoje t’i laje te përroi aty pranë.
Topi i marrmallatës, mos e harroni në mes të banakut, as andej as këtej dhe njerzit përballë si mizat i vinin vërdallë, ndërkohë që Hekurani peshonte në njërën anë, mund të përfitoje, më e pakta të futje gishtin tregues në marmallatë e ta lëpijë, për tu ëmbëlsuar sadopak, më e shumta; të zhytje dy gishtrinj, treguesin e të mezit (edhe pse të lyer me marmallatë molle linin tjetër përshtypje) e të shkëpusje një copë më të madhe. Ndërkohë. Në rastin e dytë Hekurani i “shkretë”, sapo e kishe futur copën e marmallatës në gojë, gjente kohë e të thoshte ndonjë fjalë e ti duhej të përgjigjeshe në çast. Përfytyro një gojë plot me një ushqim të zakonshëm se çfarë vështirësi ka përpunimi i tingujve, e jo më një copë marmallatë ngjitëse që s’mund ta kaloje në ndonjë nga anët e gojës me një goditje të beftë të gjuhës. Duhej shkrirë më parë për tu mbllaçitur lehtësisht, në ndërkohën e kësaj vonese sekondëshme, ai kishte mbaruar së “peshuari” dhe me një buzëqeshje që nuk ia vije re, e kishe gati çdo të merrje... gjithmonë më pak në peshë. Një gisht marmallatë kushtonte; si i thonë fjalës? Sa bishti koka. Ja kështu, një e ngjyer gishti në marmallatë mbushte xhepin e Hekuranit.
Dua të them se, si çdo dyqan qëmoti, edhe ai ku shitës ishte Hekurani kishte një sirtar ku futeshin lekët. Veçse Hekurani e përdorte vetëm për të “hollat” ose prerjet e “vogla” të kartmondhave, prerjet e mëdha i mbante në xhepin e pantallonave. Kur duhej të kthente kusurin e mijëshes ose pesëqindëshes çfarë shikoje të linte gojëhapur. I kishte aq të thellë sa për të mbrritur fundit e xhepit qe e pamjaftueshme të fuste dorën, xhepi i mësuar me një grykësi të llahtarëshme, përpinte gjithë krahun.
Kushedi nëse ai xhep u mbush ndonjëherë?
Sidoqoftë, lidhja top marmallate dhe xhep pa fund mbetej një zgjidhje e përkryer për dikur por për sot, politikanët tanë e kanë kapërcyer në ide Hekuranin.
Nuk besoni?
Xhepin e kanë zëvendësuar me thesin.
Madje thesi i politikanëve tanë është pa fund.
Pas përmbysje, as edhe një ditë nuk kaloi dhe njerzit të joshur nga thirrja “u bë deti kos” pasi ngjeshën një lugë në brez u lëshuan me vrap. Ata që nuk u ngutën e që buzëqeshnin si Hekurani, ishin politikanët. Hodhën një thes në kurriz sepse, thanë ishin kaq të varfër sa e përdornin për të mbuluar trupin. Kështu, padashur, mu kujtuan disa batuta të një prozt të shkurtër me titull “Isha unë Çobo Rrapushi”, (për fat të keq nuk e mbaj mend autorin). Çobua flinte me thes te koka, thes te këmbët, thes nën shpatulla e nën këmbë, thes përsipër, thes nga ijet, thes ngado. “More, po kaq shumë thasë ke? - e pyetën” “Jo, një, por futem brenda! - u përgjigj”.
Brenda në thes e futen edhe dembelin që i donte arrat e qërruara. Është mjaft i përdorur edhe në përralla. Hyri në historinë e politikës shqiptare për meritën e zonjëzës së “ëmbël” Topalli (epiteti i ëmbël u përdor prej një gazetareje të Ballkan Web-iut), që e nxorrën nga Shkodra të futur në një thes (1997). Politikania tonë mësoi se thesi rri më këmbë vetëm plot. E, që nga ajo kohë ka bërë çmos që ta mbushë. Me çfarë? Pyetini, pyesni ministrin Dritan Prifti që në një vit, fitimi i tij rezultoi 1.8 milion euro. Krizë apo jo?! Krizë për popullin, natyrisht. Ose vënia në jetë e thënies së priftit: “Bëni si them unë por mos bëni siç bëj unë... se ju e pësoni – shtesë e nënkuptuar.”. Pyetini të gjithë ministrat, veçanërisht Boden, por akoma më veçanërisht Berishën që e ka shndëruar autostradën e kombit në burim fitimi. Ju kujtohet kritika e ashpër e tij, para vitesh, kur nga PS u tha se kjo autostradë kërkon një shumë rreth 400 milionë dhe kur Berisha e hodhi posht e tha se e bënte me 270 milionë, euro të dashur, tashmë nuk i mjafton miliardi. E si mund të mjaftojë? Kanë një thes pa fund për të mbushur. Të zinjtë kanë shumë uri sepse janë ndeshje dhëmb për dhëmb me korrupsionin. Madje nuk përtojnë të nxjerrin fytyrën e stërmunduar në TV e të thonë se...presin ... koka turku andej këtej. U kërkojnë të tjerëve të hanë si miu për t’i dënuar, ndërkohë vetë llupin si ariu. Po, kush ndëshkohet miu. Janë qeniet e përbuzura që ndryshe quhen rrogaxhinj dhe pensionistë. U është besuar “Arka e shtetit” si një vend ku duhet të thyejnë qafën dhe Berisha të marrë meritat e luftës kundër korrupsionit.
 
Top