Kosove, Policia zjarr me persona me uniforme !!

prespari

Primus registratum
Kosove, Policia zjarr me persona me uniforme !!

Derguar me: 15/07/2007 - 10:45
• Policia dhe trupat e misionit paqeruajtes te NATO-s po zhvillonin nje operacion kontrolli ne zonen veriperendimore te Kosoves, prane fshatit Radisheve, ne thellesi te kufirit te brendshem me Serbine

Agjencia Telegrafike e lajmeve ne Shqiperi, ka publikuar sot ne mbremje nje lajm te agjensise Reuters, sipas te cilit, forcat e policise se Kosoves kane shkembyer zjarr sot me disa persona te veshur me uniforma ne nje zone malore. Policia dhe trupat e misionit paqeruajtes te NATO-s po zhvillonin nje operacion kontrolli ne zonen veriperendimore te Kosoves, prane fshatit Radisheve, ne thellesi te kufirit te brendshem me Serbine. Burime lokale njoftuan se kishin pare te fluturonin edhe helikoptere luftarake te NATO-s. "Policia e Kosoves mori nje njoftim se disa banore lokale, ndersa prisnin dru ne mal, kishin pare disa persona te armatosur dhe te veshur me uniforma", deklaroi per agjencine Reuters zedhenesi i policise, Besim Hoti. "Policia shkoi ne vend per te verifikuar njoftimin, por nderkohe dikush ka hapur zjarr drejt tyre". Burime lokale thane se personat e armatosur mbanin uniforma te policise serbe, nje maskim i veçante me ngjyre blu. Ky njoftim nuk mund te konfirmohet ende. Radisheva shtrihet midis komunave shqiptare dhe serbe ne pjesen e trazuar veriore te Kosoves, nje nga zonat e shumta qe mbahet nen vezhgim te vazhdueshem nga patrullat e NATO-s per te parandaluar dhunen etnike midis dy komuniteteve. Reuters/ATSH



http://www.balkanweb.com/sitev4/index.php?id=6097
 

prespari

Primus registratum
Re: Kosove, Policia zjarr me persona me uniforme !!

UNIFORMA SERBE NË RADISHEVË?
Shkruar nga Jeton Rushiti - GAZETA EXPRESS
Tuesday, 17 July 2007
Persona me uniforma ushtarake serbe kanë hyrë të shtunën në Radishëve të Skenderajt. Janë ndeshur me forca të SHPK-së, mes të cilëve ka pasur edhe shkëmbim zjarresh. E tëra ka filluar kur dy vëllezërit Tahiri kanë shkuar në mal për dru.

Pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës janë përleshur me arme zjarri me disa persona, të cilët kanë pasur të veshura uniforma ushtarake serbe. Këta persona, që besohet se kanë qenë serbë, përveç uniformës ushtarake, kanë qenë të armatosur edhe me kallashnikovë.

Shkëmbim zjarri disa minutash ka përfunduar pa viktima. Ngjarja ka ndodhur të shtunën rreth orës 16:00, 500 metra largë shtëpive të fundit të fshatit Radishevë, kur dy vëllezërit, Mehmet dhe Musli Tahiri nga fshati Radishevë e Skenderajt, kishin shkuar në malin e tyre për të prerë dru. Musliu, rreth të 28-ave, rrëfen ngjarjen. "Jam kanë këtu në këtë vend tuj e prit vllaun që e kishte çu në shpi një traktor me dru. Derisa Mehmeti ishte tuj ardhë rrugës, unë isha ratë nën këtë hije dhe e dëgjova një zhurmë", thotë Musliu.
Ai thotë se largësia mes tij dhe personit të armatosur ka qenë diku rreth tetë 8 metra. Musliu rrëfen se ka dyshuar se dikush kishte qenë duke e përcjellë atë. Pasi ishte ngritur në këmbë dhe kishte dalë nga një kaçubë, përpara tij iu kishte shfaqur një person i uniformuar dhe me armë në dorë, i cili e kishte urdhëruar Musliun në gjuhën serbe.
"Me të thanë drejtën, serbishten nuk e di, veç diçka më tha dhe unë kceva në prru, afër ramit që ishte me dru. Ai ka mujt me m'vra, por e ka lanë deri të vjen edhe vëllai im, e pastaj të dyve na kish vra", shprehet ai.

Nën breshërinë e plumbave, ai kishte arritur të futet në përrua, duke dalë në rrugën malore, në mënyrë që ta ndalë vëllain e tij, i cili ka qenë duke shkuar në drejtim të tyre. Shprehet i bindur se personi i armatosur ka qenë mjaft mirë i pozicionuar dhe ka pritur Mehmetin që ngiste traktorin. "I kom ni me radiolidhje tuj folë me persona tjerë", shpjegon 28- vjeçari, i cili ka dëgjuar lëvizje të shumta pyllit përreth. Të dy vëllezërit ishin bashkuar dhe kishin lajmëruar fqinjët e tyre, të cilët më pas kishin thirrur policinë dhe KFOR-in.
Të parët kishin shkuar në vendin e ngjarjes pas gjysmë ore pjesëtarët e ShPK-së, ndërsa KFOR-i pas tri ore ka vajtuar atje. "Dy patrulla të SHPK-së kanë arritur pas 30 minutash, masanej edhe 2 pjesëtarë të policisë së UNMIK- ut", thotë Musliu.

Ai tregon se me tre pjesëtarë të SHPK-së janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes, dhe më të arritur 200 metra në afërsi të vendit, të shtënat kanë filluar sërish, nga të dy anët e malit.
Gjuajtjeve me armë zjarri të personave që ishin pozicionuar në male, iu kanë përgjigjur pjesëtarët e policisë së Kosovës, të cilëve, pas një kohe të shkurtër u kishin ardhur në ndihmë edhe një numër i madh i forcave të SHPK-së nga stacioni në Skenderaj, ndërsa helikopteri i KFOR-it fluturonte mbi fshat. Të shtënat kishin mbaruar me një shpërthim të një granate dore. Histori e ngjashme e së shtunës, kishte ngjarë vite më parë.
Dy fshatarë të Radishevës ishin vrarë nga persona të armatosur, për të cilët dyshohet se kishin ardhur nga fshatrat sipër Radishevës, të banuara me serbë. Para fillimit të luftës së fundit të Kosovës, fshati Radishevë ka numëruar mbi 40 shtëpi, në mesin e të cilave tri serbe, kurse tani kanë mbetur vetëm 15.
Megjithatë, banorët e këtij fshati janë duke iu ekspozuar një rreziku të madh, kanali i të cilit mbase mund të jetë veriperëndimi i Kosovës, nëse kihet parasysh fakti se me Radishevën kufizohen fshatrat e Zubin Potokut, e më gjerë.
Edhe ata banorë që kanë mbetur aty mendojnë se shpëtimi i vetëm i tyre nga rreziqet që u kanosen, është braktisja e fshatit të tyre, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.
 
Top