Konfrontim Kandidatesh

Leopardii

Primus registratum
Konfrontim Kandidatesh

Përballja e 3 korrikut mes Koçit, Ngresit, Kallucit e Veliut


Zona 67, premtimet politike ne Fier




Në numrin e sotëm të rubrikës “Forum” shpalosen platformat e katër kandidatëve të zonës 67 në qytetin e Fierit. Ashtu si edhe në numrat e mëparshëm, edhe kandidatët e kësaj zone u dhanë përgjigje pesë pyetjeve të njëjta, në mënyrë që lexuesi të arrijë të bëjë vlerësimin e duhur për ato dhe alternativat që përfaqësojnë. Në zonën 67 të qytetit të Fierit ka probleme të shumta, duke filluar që nga infrastruktura, furnizimi me energji elektrike dhe me ujë të pijshëm. Për këto dhe të tjera probleme kundërshtarët shtrojnë alternativat në platformat e tyre. Katër përfaqësuesit e subjekteve kryesore politike, Petro Koçi, Vasillaq Ngresi, Haxhi Kalluci dhe Gëzim Veliu, pjesën më të madhe të jetës së tyre e kanë kaluar në Fier, kështu që secili prej tyre e konsideron fitoren më 3 korrik si një shans për të bërë më shumë për qytetin e tyre. Kandidatët e PD-së, LSI-së dhe LZHK-së kandidojnë për herë të parë në këto zgjedhje dhe në këtë zonë, ndërsa përfaqësuesi i PS-së, Petro Koçi kandidon për herë të tretë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 Koçi ka fituar drejtpërdrejt.



Zona zgjedhore nr. 67 konsiderohet nga elektorati në qytetin e Fierit si zona më e “nxehtë “ e bashkisë. Ajo përfshin zgjedhësit buzë lumit Gjanica dhe ka probleme të madha infrastrukturore.

Kandidatët, sigurinë e fitores së tyre e mbështesin më shumë në njohjet shoqërore, familjare e politike, duke dhënë premtime bazuar në programin e partive që përfaqësojnë.

1-Cilët janë zgjedhësit që do të votojnë për ju?
Petro Koçi (PS). Do të jenë bashkëqytetarët e mi, pasi në Fier më njohin shumë mirë dhe kjo është e rëndësishme për transparencën e karakterit dhe moralit të politikanit. Unë e njoh shumë mirë zonën ku do të kandidoj, pasi kam jetuar aty gjatë gjithë jetës sime dhe është një nga zonat e Fierit që unë njoh më mirë. Unë jam bir i Fierit dhe ky është një nga avantazhet e mia. Ndaj theksoj se për mua do të votojë ajo pjesë e elektoratit, që shikon vetëm përpara dhe kërkon të mbrojë të ardhmen. Do jenë ata njerëz që më kanë besuar dhe në zgjedhjet e para, dhe ky do të jetë besimi i tretë i tyre ndaj figurës sime.
Vasillaq Ngresi (PD). Mendoj se do jenë të gjithë njerëzit me të cilët ndaj vuajtjen e krizës që ka pllakosur vendin. Do të më votojnë nga të gjitha shtresat, nga të gjithë grupmoshat, pasi të gjithë janë të zhgënjyer nga keqqeverisja socialiste. Duke votuar për mua, ata do të votojnë për një të ardhme krejt ndryshe nga ajo që na parashtron alternativa e majtë, do të votojnë për të mirën, më shpresëdhënësen. Dua të them se jam bir i këtij qyteti dhe njerëzit do të dinë të dallojnë më të mirin midis morisë së kandidatëve.
Haxhi Kalluci (LSI). Zgjedhësit që do të votojnë për mua do të jenë shqiptarët, që do të dalin nga zgjedhjet e 3 korrikut me shpresë te LSI-ja për ta transformuar këtë vend. Dua të theksoj se politikanët e PS-së, deputetët paraardhës nuk e kanë mbajtur fjalën dhe e kanë keqpërdorur votën. Unë citoj këtu shprehjen: kur gënjen për herë të parë, fajin e ka ai që gënjen, kur gënjen për herë të dytë, faji është i përbashkët, por kur gënjen për herë të tretë, fajin e ka ai që beson. Ata që do të votojnë për mua i kanë provuar fenomenet e sipërpërmendura dhe do të votojnë për një moral të qëndrueshëm e të ndërsjellët.
Gëzim Veliu (LZHK). Ata do të janë të spektrit të djathtë, dhe jo vetëm këta, por edhe ata që deri dje nuk kanë shkuar në kutitë e votimit. Duke qenë kandidat i LZHK-së, mendoj se edhe ajo pjesë intelektuale e majtë që nuk e gjen dot veten në PS nga keqqeverisja, do të votojë për mua. Kështu ata votojnë për mbretin, votojnë për alternativën e djathtë, pasi siç e kemi shprehur edhe në sloganin tonë, “Ne bëjmë shtet”. Jam bir i një familjeje të thjeshtë fierake dhe zgjedhësit e mi do të jenë elektorati i thjeshtë, të cilët do të më vlerësojnë më shumë se çdo kandidat tjetër.

2- Ku bazohet platforma juaj elektorale?
Petro Koçi (PS). Platforma ime elektorale bazohet në platformën e PS-së, si një nga forcat primare në zhvillimin dhe konsolidimin e vendit, i cili po ecën me hapa të sigurta drejt integrimit në Evropë. E majta socialiste është një forcë maxhoritare dhe tepër e besueshme në popull. Fakti që Fieri në zgjedhjet e mëparshme ka pasur një rezultat 7 me 0, duke “ngjyrosur” në rozë gjithë rrethin, tregon për epërsinë dhe besimin që ka elektorati në qeverisjen e së majtës. Ne, ndoshta jemi parti e gabimeve, por jo parti e fajeve, ndaj besoj që elektorati do të dijë të zgjedhë edhe këtë herë midis partive të gabimeve njerëzore dhe partive të fajeve dhe krimit. Platforma ime bazohet në epërsinë e programit të zhvillimit për të nesërmen që ka PS-ja.
Vasillaq Ngresi (PD). Platforma ime elektorale bazohet në epërsinë që ka forca e djathtë, si një nga forcat më të besueshme tek elektorati. Bazohet te besimi dhe shpresa për ndryshim e këtij populli. Ne kemi një program të qartë politik, social, ekonomik, kulturor dhe unë nuk premtoj mosrealizime. Shoh dhe dëgjoj mjaft premtime të fryra si tullumbace në këtë fushatë, por besoj në një garë të qetë qytetare, ku secili të shpalosë alternativat e veta. Elektorati do të dijë të zgjedhë, pasi e bazoj platformën time në pastërtinë e partisë që përfaqësoj, në shpresën dhe besimin që ka ajo në popull. Në këtë kuadër them se platforma ime bazohet te shpresa për ndryshim që ka ky elektorat, i lodhur nga premtimet e pambajtura.
Haxhi Kalluci (LSI). Platforma ime elektorale bazohet në ide dhe projekte të realizueshme. Fieri, në gjysmën e së cilit unë kandidoj, është një potencial i vërtetë. Unë pretendoj se platforma ime edhe si subjekt, edhe si individ, do të jetë me diferenca të dukshme ndaj kundërshtarëve, qofshin të Saliut apo të Fatosit. Ne kandidatët e LSI-së nuk kemi zgjedhje individësh, siç ka PD-ja dhe PS-ja, që realisht janë kthyer në një zgjedhë për këtë vend dhe këtë popull. Slogani ynë është “Forcë e re, Shqipëri e re!” Slogani im si kandidat në postera dhe fletëpalosje do të jetë “Në zgjedhje, flakni zgjedhën”. Theksoj se platforma ime elektorale bazohet në dashamirësinë e banorëve që do të votojnë për mua.
Gëzim Veliu (LZHK). Ne kemi një slogan që thotë: “Ne bëjmë shtet”. Duke pasur këtë slogan do të bëjmë një shtet ligjor të ndarë nga subjektet politike, i cili t’i shërbejë gjithë popullit dhe jo individëve të caktuar. Kemi disa pika kryesore si; liria e individit dhe nuk do të lejojmë që shteti të nëpërkëmbë interesat e individit. Partitë e ndryshme do të ekzistojnë lirshëm nën qeverisjen tonë. Me LZHK do të kemi një shtet, që në themelet e saj do të jetë atdhedashuria, sepse ne jemi koshientë që sot ai e ka emrin korrupsion, kemi një Shqipëri që e ka emrin koloni dhe kemi njerëz që e kanë emrin bujkrobër.

3-Cilat janë problemet që ka zona dhe cili do jetë angazhimi juaj në zgjidhjen e tyre?
Petro Koçi (PS). Ne kemi realizuar shumë objektiva, por mendoj se ka ende shumë për të zgjidhur. Në këtë kuadër do të shtrijmë urbanizimin pranë çdo shtëpie fierake deri në fund të 4–vjeçarit tjetër dhe shumica e tyre në standarde moderne. Do t’u japim prioritet politikave për arsimin, ku përveç një shkolle 8-vjeçare që do të ngrihet në zonën ku kandidoj, besojmë se do të realizojmë ngritjen e një qendre universitare. Brenda këtij 4-vjeçari ne do të ngremë një stadium të ri, një kompleks modern evropian. Gjithashtu do t’i kthejmë jetën lumit Gjanica, nëpërmjet programeve tona qeverisëse dhe angazhimeve konkrete dhe besoj se, duke përfshirë angazhimet e detyrimeve të jetës së përditshme, do të kemi mundësi që brenda 4 viteve fierakët të kthehen në Fier, gjë që kanë filluar ta bëjnë.
Vasillaq Ngresi (PD). Zona përfshin gjysmën e qytetit dhe ka shumë probleme, shumica të shkaktuara nga keqqeverisja socialiste. Unë do t’u sjell ujë dhe drita 24 orë, infrastrukturë të rregullt jo vetëm në rrugët kryesore, por edhe në ato rurale. Prioritet do të jetë përfaqësimi dinjitoz i tyre në Parlamentin shqiptar, ku unë do të jem zëdhënësi i tyre, i halleve dhe i problemeve. Do të jem mbështetës në zgjidhjen e këtyre problemeve në Parlament, duke filluar që nga projektligjet që u përgjigjen interesave të tyre e deri në insistimin që në projektbuxhet të caktohen fonde për zgjidhjen e problemeve, probleme të infrastrukturës, furnizimit me ujë, drita dhe shkolla. Për mua nuk do të ketë diferencim për sa u përket bindjeve partiake, qofshin të djathta apo të majta.
Haxhi Kalluci (LSI). Problemet janë të shumta në këtë zonë. Së pari janë ato më elementaret si drita e ujë, të cilat ne shpresojmë t’u japim zgjidhje të menjëhershme. Ne synojmë për shumë më tepër, pasi mosrealizimi i tyre është turp i madh për qeverisjen e socialistëve. Angazhimi im do të jetë konkret, i thjeshtë për t’u konceptuar, i mundshëm për t’u realizuar. Ne synojmë një shtet të konsoliduar ligjor. Më e rëndësishme është fakti se do të jem zëri dhe fuqia e elektoratit tim në Parlament, zëri i fuqishëm i tyre.
Gëzim Veliu (LZHK). Kjo është një zonë urbane dhe problemet këtu nuk janë kaq të mëdha sa në zonat rurale. Konkretisht infrastruktura dhe gjelbërimi lënë shumë për të dëshiruar. Shoh që janë ndërtuar pallate që i zënë frymën njëri-tjetrit. Ka dhe probleme si energjia dhe ujësjellësi që shpresoj të zgjidhen menjëherë. Unë i shikoj me përparësi sepse jo si deputet që sjell rrugë, sjell dritë e ujë, por si bir dhe banori i kësaj zone. Do të bëj ligje së bashku me parlamentarët e tjerë, duke kërkuar me këmbëngulje për projektet, të ardhura nga buxheti i shtetit etj. Duke pasur programin afatgjatë të LZHK-së, unë shpresoj në zgjidhjen e plotë të tyre.

4-Cili është vlerësimi juaj për rivalët?
Petro Koçi (PS). PS-ja, pavarësisht nga gabimet që ka shënuar në jetën e saj qeverisëse, nuk është parti e fajeve. Unë nuk jam egoist në politikë, ndaj shpresoj që të bëjmë një fushatë qytetare. I respektoj të gjitha kandidaturat që janë ngjitur në skenën elektorale. Me shumicën prej tyre kam komunikim normal qytetar dhe shpresoj që ky komunikim të ekzistojë edhe gjatë fushatës. Fitorja e PS-së apo imja nuk është fitore mbi ta. Kjo është një çështje më e madhe, pra është një raport që ka të bëjë jo vetëm me vlerat individuale të kandidatëve, por edhe me arkivin apo inventarin e politikave të dy blloqeve kryesore në Shqipëri.
Vasillaq Ngresi (PD). Unë nis garën elektorale me besimin se do të fitojë alternativa e djathtë, alternativa e fitores. Në pikëpamjen e zgjidhjes së problemeve të popullit, besoj se ata premtojnë shumë, por nuk mbajnë asnjë premtim, gjë të cilën e ka vërtetuar koha. U uroj kandidatëve një garë të qetë, të bazuar mbi argumentin dhe jo premtime boshe. Ky elektorat e provoi se ç’është varfëria, korrupsioni, figura e papastër morale e politike e deputetëve, pavarësisht se trumbetojnë politikë me duar të pastra. Unë nuk merrem me individët, por me partitë. PS-ja është e dështuar, le të zgjidhet ajo që e meriton.
Haxhi Kalluci (LSI). Ata që gënjejnë për herë të tretë, duhet të hapin krahun. Atyre që e kanë për herë të dytë unë u jap një mesazh: të mos ngatërrohen as me herën e tretë, as me herën e parë, por të gjejnë arsye, motive e gjurmë për punën që kanë bërë në këto vite përpjekjeje për demokraci. Besoj se të gjithë e meritojnë të kandidojnë, por jo të gjithë e meritojnë të zgjidhen. Unë besoj se alternativa e LSI-së është më e mira dhe që shpresoj të fitojë. Por, edhe nëse ekziston e kundërta, unë shpresoj që elektorati të bëjë apel se ku duhet të shkojë.
Gëzim Veliu (LZHK). I respektoj të gjithë. Pjesën më të madhe e njoh, që nga Petro Koçi, që e kam shok fëmijërie, Vasillaqin që jeton këtu, Haxhiun dhe të tjerët. Nuk kam asgjë kundër tyre, përkundrazi, ne jemi në një garë të hapur. Konkurrojmë me programet tona, me figurat dhe personalitetin tonë dhe unë uroj që në garën që kemi nisur të jemi të suksesshëm. Të nisësh një garë elektorale është e natyrshme, por mendoj se duhet të fitojë ai që ka më shumë besim tek elektorati i vet, ai deputet që nuk mendon për vete, por për atë që ka besuar tek ai, dhe në këtë prizëm i shoh si kundërshtarë politikë për subjektin që ata përfaqësojnë.
5-Cilat janë epërsitë tuaja ndaj tyre?
Petro Koçi (PS). Në këtë zonë janë lagjet që unë kam banuar gjatë gjithë jetës sime dhe është zona që unë njoh më mirë. Jam bir i Fierit dhe kjo është një nga cilësitë e mia më të mira. Më pëlqen guximi im, guximi prej politikani për të thënë fjalën time kudo dhe para kujtdo. Unë i përulem vetëm popullit dhe jo partive. Unë e kam një emër në këtë qytet dhe këtë do ta ruaj sa të kem jetën. Jam i ndjeshëm dhe konkret në atë që bëj, gjithnjë për të mirën e elektoratit tim, i kudogjendur ndër ta, në halle dhe gëzime, në përurime, në festa dhe kudo.
Vasillaq Ngresi (PD). Epërsia ime qëndron në pastërtinë time morale dhe politike. Gjithashtu, në energjitë e mia për të qenë pjesëmarrës aktiv në konkretizimin e platformës elektorale që ka përgatitur PD-ja, fakti që jam qytetar i vjetër i Fierit dhe duke qenë i tillë njoh shumë mirë hallet dhe problemet e banorëve të zonës që i përkas. Unë jam një njeri i thjeshtë dhe besoj se elektorati do të dijë të zgjedhë më të mirin.
Haxhi Kalluci (LSI). Do të jem deputet që nuk kam për të lëvizur nga Fieri, siç ndodh rëndom me të tjerët. Theksoj se mandati im po u mor në Fier, do të mbetet aty derisa të mos besohem më nga elektorati. Jam figurë e pastër politike dhe aspak i korruptuar në këtë fushë. Partia ime është populli dhe për mua janë njëlloj, si të majtët, ashtu edhe të djathtët. Epërsia ime qëndron edhe në platformën më të përparuar të subjektit që përfaqësoj.
Gëzim Veliu (LZHK). Kandidoj në një subjekt që prioritet ka formimin e shtetit ligjor. Nuk kam qenë ndonjëherë në sferat e larta të politikës. Unë jam familjar i mirë dhe njeri tepër i thjeshtë, më i besuari për t’u zgjedhur, pasi thjeshtësia ime buron nga rrënjët e familjes sime. Jam biznesmen dhe nuk më interesojnë paratë e pista të politikës.



Rezultatet e zgjedhjeve të 2001

Petro Koçi PS 7486 vota ose 61.77%
Agron Xoxa PD+BF 3603 vota ose 29.7%
Vilson Bare PR 499 vota ose 4.1%
Themi Dashi PSD 167 vota ose 1.37%
Andrea Dollaku PBDNJ 119 vota ose 0.98%
Bashkim Vrekaj AD 90 vota ose 0.74%
Gaqi Popi PKH 79 vot ose 0.65%
Vullnet Alushaj PDK 33 vota ose 0.27%
Belul Metaj PASH 22 vota ose 0.18%
Seferin Lazri P.KONS 21 vota ose 0.17%


PS 696 vota ose 57.6%
PD+BD 3407 vota ose 28.2%
PDR 512 vota ose 4.24%
PBDNJ 327 vota ose 2.70%
PSD 231 vota ose 1.91%
PAD 105 vota ose 0.87%
PLKSH 103 vota ose 0.85%
PSKSH 102 vota ose 0.84%
PKSH 65 vota ose 0.53%
PUK 43 vota ose 0.35%



Petro Koçi
Deputeti që do mandatin III

Petro Koçi kandidon për herë të tretë në zonën zgjedhore 67 në Fier për Partinë Socialiste. Ai është aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Ka lindur në qytetin e Fierit në vitin 1962. Eshtë i martuar dhe ka dy fëmijë. Koçi ka kryer studimet e larta në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në degën Anglisht. Eshtë anëtar i PS-së që në fillimet e krijimit të saj. Nga viti 1991 deri në vitin 1997 ai ka qenë kryetar i degës së PS-së në Fier. Në qeverisjen e PS-së, Koçi ka qenë për një vit, 1998-1999, ministër i Rendit Publik. Gjithashtu në vitet 1996-1997 ka qenë anëtar i Këshillit të Rrethit, Fier si dhe për katër vite të tjera anëtar i Këshillit të Bashkisë. Gjithashtu ka qenë dhe sekretar organizativ i Partisë Socialiste, ndërkohë aktualisht është kryetar i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ka qenë anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PS-së.

Vasillaq Ngresi
Biznesmeni i veshur me blu

Vasillaq Ngresi kandidon për herë të parë në këto zgjedhje si përfaqësues i PD-së. Ka lindur në qytetin e Fierit në vitin 1959. Studimet e larta i ka kryer në fakultetin Gjeologji-Miniera, dega Gjoefizikë, ku është diplomuar në 1984. Eshtë anëtar i PD-së që nga viti 1992. Eshtë i martuar dhe ka tre fëmijë. Ka punuar si inxhinier në ndërmarrjen sizmike në vitet 1984-1992, ndërsa në vitet 1992-1994 ka punuar si specialist në Institutin Gjeologjik të Naftës në Fier. Gjithashtu Vasillaq Ngresi ka qenë drejtor i ndërmarrjes sizmike, Fier për tre vjet. Aktualisht, që nga viti 1997, ai është pronar i firmës “Adva” sh.p.k, e cila merret me shpime hidrogjeologjike. Zotëron katër gjuhë të huaja, frëngjisht, italisht, serbokroatisht dhe anglisht.

Haxhi Kalluci
Artisti me shpresë te LSI

Haxhi Kalluci kandidon nën siglën e LSI-së në zgjedhjet parlamentare. Ka lindur në Skrapar më 1959, por prej vitesh jeton në qytetin e Fierit. Eshtë i martuar dhe ka dy fëmijë. Haxhi Kalluci është një nga anëtarët e PS–së që ka aderuar në LSI dhe aktualisht është kryetar i kësaj partie, dega Fier që nga viti 2004. Studimet e larta i ka kryer në Akademinë e Arteve të Bukura, dega Skulpturë, ku është diplomuar më 1983 dhe është emëruar skulptor dhe pedagog në shkollën artistike “Jakov Xoxa”. Ka qenë aktiv në ekspozitat e arteve figurative kombëtare dhe në vitin 1996 ka hapur një ekspozitë personale në Greqi. Kalluci në 1996 është zgjedhur drejtor i shkollës artistike “Jakov Xoxa” dhe në vitin 2000 themelon grupimin intelektual “Miqtë e klubit SOROS, Frashëri”, në qytetin e Fierit. Gjithashtu në qershor të vitit 2003 ka qenë botues i gazetës “Frashëri”.

Gëzim Veliu
Vota e parë për Leka Zogun

Gëzim Veliu ka lindur në Fier në vitin 1958, është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ky është kandidimi i parë i tij në zgjedhje, nën siglën e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK). Studimet e larta i ka kryer në fakultetin Ekonomik në Universitetin e Shkodrës. Më pas ka ndjekur në sistemin pa shkëputje nga puna degën Biznes, po në këtë universitet ku ka përfunduar rezultate të shkëlqyera. Gëzim Veliu nga viti 1991 deri në vitin 1995 ka punuar në import-eksport, ndërsa në vitet 1995-2005 ka qenë pronar i fabrikës së miellit në qytetin e Vlorës. Eshtë i njohur kudo në Fier për korrektesë dhe profesionalizëm. Me bindjen se modeli që zbatoi Ahmet Zogu në qeverisjen e tij ka nevojë të rikthehet, ka provuar të hyjë në politikë. Ai ka shpresë dhe besim se LZHK-ja mund të rikthejë besimin te shteti dhe institucionet e tij. Natyrisht, pra, ai është vota e parë për Leka Zogun në Fier më 3 korrik.
 
Top